Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 31, 2017 Zani i Nalte Education, Studime 0
nga Nuredin Nazarko
Abstrakt
Të arsimohesh sot konsiderohet si një nga gjërat më se normale, madje edhe më të rëndësishmet. Rëndësia e arsimimit të qenies njerëzore është kthyer në një bindje aksiomatike, aq sa nuk na intereson më nëse dikush i ka kapacitetet dhe potencialet për të përthithur dhe shprehur njohuritë. Të bindur katërcipërisht se pa kaluar nga hallkat e zinxhirit arsimor nuk ka shans të jesh një qenie njerëzore, të gjithë po rendin të arsimohen, duke ëndërruar më pas një fund të suksesshëm përgjatë përkohësisë. Njeriut i pëlqen të ëndërrojë, të imagjinojë dhe suksese imagjinare, sepse kështu ndoshta lehtëson barrën dhe peshën e tensionit, që buron nga vështirësitë e mëdha në rrugën e të arsimuarit. Evoluimi i shumë ideve dhe praktikave, në shoqërinë njerëzore, nuk mund të mos prekte edhe arsimimin. Revolucioni tekniko – informatik ka gjeneruar shumë ëndërrime të shumë syresh, ëndërrime të cilat janë duke i dhënë formë realitetit të të arsimuarit. Ndërtimi i realiteteve mbi baza ëndërrimesh e përfytyrimesh të nxitura nga instrumente artificialë, nuk mund të zbresë në skenë asgjë më shumë përtej mundësive. Të ndodhur mes kësaj gjendje, është detyrë e jona, si qenie në botë, që të përpiqemi, sado flashkët, për të qartësuar idetë dhe përfytyrimet tona, për të larguar vellon e bukur të teknologjizimit, zbukuruar me lulet e progresit. Është më se e natyrshme që ne të përpiqemi t’i çojmë gjërat drejt përmirësimit, drejt lehtësimit. Nuk duhet që për hir të këtij përmirësimi apo lehtësimi, t’i largohemi qëllimit të parëhershëm. Nuk duhet ta konsiderojmë veten të vetëmjaftueshëm dhe të panevojshëm për askënd, meqenëse tashmë zotërojmë shkencën, teknologjinë. Këndellja nga këto ëndrra është sfida jonë.
Fjalë kyçe: Teknologjizim, Arsimim, Qenie në mundësi, Progres, Sfidë
Hyrje
Mendojmë se nuk është e tepërt nëse arsimin e përcaktojmë si zemra e një shoqërie, për nga rëndësia, që ka për të ndikuar në formësimin dhe zhvillimin e shoqërisë. Ashtu sikundërse zemra pompon gjakun drejt organeve për t’i mbajtur në jetë, ashtu edhe arsimi dërgon drejt segmenteve të shoqërisë njerëzit e nevojshëm për t’i shërbyer asaj në profile të ndryshme, me qëllim që të marrë atë çfarë është e nevojshme për të qëndruar në jetë.
Krahasimi i arsimit me zemrën dhe vlerësimin e tij me vlerën, peshën dhe rëndësinë që ka zemra për njeriun, jo thjesht në përmasën e saj fizike, nuk është aksidental dhe i atypëratyshëm. Në qoftë se shoqëria është e nevojshme për njerëz të arsimuar e kualifikuar, detyrimisht është arsimi ai që i jep atë për të cilën ka nevojë, si p.sh. mësues, pedagogë, juristë, mjekë, inxhinierë, arkitektë, etj. Gjithçka që i duhet dhe nevojitet shoqërisë kalon nga arsimi dhe pikërisht për këtë shkak arsimit duhet t’i kushtohet një rëndësi e posaçme dhe krejtësisht e veçantë. Nuk duhet thjesht të bëjmë teori rreth rëndësisë së tij.
Kur themi që duhet t’i kushtohet një rëndësi e posaçme dhe krejtësisht e veçantë, nuk e kemi fjalën thjesht dhe vetëm për të mundësuar furnizimin e shoqërisë me profesionistët e nevojshëm. Me “rëndësi e veçantë dhe e posaçme”, nënkuptojmë jo thjesht aftësimin profesional të individit, por mbi gjithçka edukimin e qenies njerëzore, që dëshiron të arsimohet. Edukimi dhe profesionalizmi i qenies njerëzore, që dëshiron të arsimohet, duhet të jetë kryefjala e çdo reforme, që ndërmerret ndaj hallkave të sistemit arsimor, me qëllim që arsimi t’i shërbejë formësimit të qenies njerëzore sot, që nesër të kemi në shoqëri jo thjesht profesionistë, por edhe qenie njerëzore më së pari.
Përse duhet të na shërbejë arsimi?
Arsimi duhet t’i shërbejë edukimit dhe profesionalizmit të qenies njerëzore. Shpesh kuptimin e edukimit apo profesionalizmit e konsiderojmë gati të parëndësishëm, pasi që kuptimin e tyre e quajmë të përfunduar, që kur kemi arritur në konkluzionin se tek edukimi ne shohim njeriun e urtë, të butë, të komunikueshëm, qytetarin e mirë, ndërsa te profesionalizmi shohim aftësinë për të kryer dhe përfunduar një punë sa më saktësisht.
Jemi të mendimit se qenia njerëzore asnjëherë nuk duhet të përfundojë në kufijtë e shterueses për çështje të cilat janë pjesë të përkohësisë së tij, aq më tepër kur konceptet që përpiqet t’i shterojë më një shpjegim përfundimtar tipik shkencor, janë të rëndësisë jetike për qenien njerëzore. Këtë fat nuk duhet ta kenë edhe dy konceptet mbi të cilat përpiqet të ndërtohet sistemi arsimor, edukimi dhe profesionalizmi.
Të kuptuarit dhe të interpretuarit e asaj çfarë ke kuptuar është çështje e rëndësishme e qenies njerëzore. Mundësitë për ta arritur këtë ekzistojnë, për aq sa ekziston edhe qenia njerëzore. Qenia njerëzore në përkohësi është një projekt i hapur ndaj mundësive për realizimin e vetvetes. Kësisoj, njeriu nuk mund t’i shterojë mundësitë, që shtrihen para tij, për realizimin e vetvetes në përkohësi. Njëra prej këtyre mundësive që shtrihet para qenies njerëzore është edhe mënyra sesi i kuptojmë dhe interpretojmë konceptet themelore, që afektojnë përfytyrimet dhe qëndrimet tona, si qenie në mundësi, madje edhe si e shohim e kuptojmë edhe vetë kuptimin e interpretimin.
Sikundërse është e kuptueshme projekti i Dasein është Qenie në mundësi. Kjo Qenie – drejt – mundësive, që realizohet, është vetvetja, një mundësi për Qenien, dhe është kështu, si rrjedhim i mënyrës, sesi këto mundësi, të pazbuluara, shfaqin përplasjet e tyre te Dasein. Projekti i të kuptuarit, ka mundësinë e tij, që të zhvillojë vetveten. Këtë zhvillim të të kuptuarit ne e quajmë “interpretim”. Brenda interpretimit, të kuptuarit afrohet në mënyrë të kuptueshme, mënyrë kjo që është kuptuar prej interpretimit. Brenda interpretimit, të kuptuarit nuk bëhet diçka tjetër. Bëhet vetvetja. Një interpretim i tillë është nxjerrë thelbësisht si pjesë e kuptimit; i dyti nuk mund të rrjedhë prej të parit. Interpretimi nuk është as mbledhje e informacionit mbi atë çfarë është kuptuar, më saktë është zbulim i mundësive tashmë të projektuara si pjesë e kuptimit. (Heidegger, 1962, 188 – 189).
Qenia njerëzore, duke qenë Qenie në mundësi dhe në zhvillim të përhershëm, si rrjedhojë e mundësive ende të pazbuluara përbrenda saj, ka përpara vetes të gjithë hapësirën e mundshme për të kuptuar dhe interpretuar drejt, në rastin tonë edukimin dhe profesionalizmin.
Çfarë kuptojmë ne me edukim dhe profesionalizëm?
Synimi i edukimit të vërtetë s’është që të ndryshojë njeriun drejtpërdrejt (sepse shikuar hollë e hollë, kjo nuk është as e mundshme), por që me shembull, këshillë, pamje o me çfarëdo tjetër, të vë në lëvizje një rrjedhë të brendshme të përjetimeve, të detyrojë një vendim fare të brendshëm në dobi të së mirës. Pa këtë s’ka ndryshim të vërtetë të njeriut, arrihet vetëm ndryshimi i sjelljeve, që mund të jetë i shtirur ose fare i përkohshëm. Sjellja që nuk angazhon gjakimin tonë më të thellë, që ka ngelur në sipërfaqe, s’është edukim, por dresurë. Edukimi përfshin pjesëmarrjen tonë vetjake, përpjekjen tonë vetjake. Prandaj rezultati i edukimit është gjithmonë i ndryshëm dhe i paparashikueshëm. (Izetbegoviç, 2009, 125).
Edukimi i kuptuar dhe interpretuar drejt, ka si fokus njeriun me të gjitha mundësitë e tij, të zbuluara apo të pazbuluara ende, prandaj dhe synon ta tronditë, ta vendosë në lëvizje përbrendësinë e njeriut drejt së mirës. Gabimisht besohet se këtë gjë mund ta realizojë vetëm arsimi. Minimizohet deri në zhdukje roli i familjes. Është e rëndësishme të theksohet se arsimi mund të hapë horizonte të reja, ku qenia njerëzore dëshiron të arrijë, ku qenia njerëzore mund të arrijë të shfaqë mundësitë ende të pazbuluara brenda saj, por mbjellja e farës së edukimit të njëmendtë mbetet detyrë thelbësore e familjes. Pa rolin përcaktues të familjes në edukim, suksesi i arsimit në këtë pjesë mund edhe të vihet në dyshim. Ne nuk mund ta përcaktojmë të suksesshme një shoqëri, ku vetëm arsimi përfytyrohet dhe perceptohet, si edukues i breznive të reja. Përkrahësit e këtij përfytyrimi mund edhe të kërkojnë statistika të prekshme për përqindjen e qenieve njerëzore, që janë edukuar nga sistemi arsimor, duke e konsideruar edukimin një eksperiment në fund të të cilit duhet të kemi një substancë konkrete në provëz. Por a mund të jetë edukimi i njëmendtë substancë konkrete në provëz?
Edukimi është i pakapshëm dhe subtil, fare i tërthortë, ndikim në shpirtin e njeriut me dashuri, me shembull, me përdëllim, madje edhe me dënime, që vënë në lëvizje një aktivitet të brendshëm dhe e ndryshojnë njeriun. Dresura, shtazore në esencë, është sistem i masave dhe i veprimeve, që shtaza njerëzore të detyrohet në sjellje të caktuar, në të a.q. sjellje të drejtë. Edukimi i përket njeriut, dresura shtazës. (Izetbegoviç, 2009, 125).
Për sa i përket profesionalizmit duhet të themi se nuk është e mjaftueshme, që puna që ka marrë përsipër qenia njerëzore për ta kryer, të kryhet saktë. Përtej saktësisë, ajo çfarë është më e rëndësishme, sidomos kur fokusi i veprimtarisë është qenia njerëzore në formim, profesionalizmi më shumë sesa saktësi, është përgjegjshmëri. Përgjegjshmëria nga ana e vet është vetë ekzistenca njerëzore, sepse të ekzistosh do të thotë të jesh përgjegjës mbi mënyrën sesi e jetëson jetën tënde si qenie në mundësi, apo si qenie në botë. Kryerja me përgjegjshmëri e një profesioni të caktuar është rrjedhim i drejtpërdrejtë i të kuptuarit dhe interpretuarit të ekzistencës njerëzore. Prandaj kur shtruam pyetjen se përse duhet të na shërbejë arsimi, kishim si synim të nxirrnim në pah pikërisht rolin, që mund të luajë arsimi për ta grishur qenien njerëzore drejt horizonteve dhe mundësive, që ende nuk i ka zbuluar brenda vetvetes, pa devijuar kuptimin e njëmendtë të gjërave dhe në rastin tonë të edukimit dhe profesionalizmit.
Teknologjizimi i arsimit – një tendencë tunduese
Nevoja e shoqërisë për të pasur profesionistë në gjirin e saj, gjithmonë e ka grishur njeriun për të sjellë modele arsimimi, në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesave të shoqërisë. Bazuar te (në) nevojat e shoqërisë dhe te dëshirat konsumeriste të saj, reformimi i vazhdueshëm i arsimit synon, që të ketë gjithmonë një përputhshmëri midis këtyre nevojave dhe kurrikulave, që do të mësohen e studiohen. Për të pasur një efiçencë sa më produktive dhe duke iu përshtatur ritmeve bashkëkohore të zhvillimeve teknologjike, edhe arsimi nuk mund të shpëtonte nga tendenca teknologjizuese. Lehtësirat, që ka krijuar teknologjia janë më se të prekshme edhe në fushën e arsimit. Sot mund të kemi një qasje shumë më të shpejtë dhe më rezultative ndaj njohurive, e-book, bibliotekave online, etj. Natyrisht, që kjo lehtësi për akses te mundësitë e sigurimit të shpejtë të diçkaje, që na nevojitet, si p.sh. përdorimi i një fjalori online, shkarkimi falas i llojeve të ndryshme të librave, mund të konsiderohet me të drejtë një mundësi e madhe për këdo që dëshiron të lexojë.
Zhvillimi i teknologjisë dhe fuqizimi i saj, duke ndërhyrë pothuaj në çdo sferë të jetës në ditët e sotme, dha efektet e veta edhe te ndryshimi mbi mënyrat e transmetimit të njohurive. Transmetimi i njohurive tashmë ka si kryefjalë përdorimin e teknologjisë së informacionit. Klasat teknologjike në shumë vende janë një realitet i prekshëm dhe më se normal. Kjo tendencë pritet të gjejë zbatim edhe në vendet më pak të zhvilluara dhe që e kanë të vështirë ta anashkalojnë këtë realitet të ri të krijuar nga ndërhyrja e teknologjisë deri edhe në detaje të jetës së njeriut. Pritshmëritë janë të mëdha. Besimi se me teknologjizimin e arsimit do të hapet një epokë e re dhe tepër produktive, duket të jetë tepër ndezullitës. Në sajë të kësaj ndezullie, jemi gati të investojmë qoftë edhe shuma të konsiderueshme për krijimin e klasave teknologjike, me shpresën se duke ndërfutur teknologjinë te njohuritë, këto të fundit do të na ngjallin më shumë interes në sajë të zbukurimeve teknologjike, që do të shoqërojnë shpjegimet, apo komentet mbi njohuritë. De facto, kjo lloj mënyre e transmetimit të njohurive, duket të jetë tepër tunduese. Në qoftë se arrin të realizosh orë mësimore ku integrohet edhe teknologjia e informacionit, do të konsiderohesh i suksesshëm dhe ndjekës i ritmeve bashkëkohore të zhvillimit.
Sfidë apo progres
Duke iu referuar dy parashtrimeve të mësipërme, mbërrijmë te pyetja së cilës nuk mund t’i shmangemi dhe as ta lëmë në harresë, përderisa çështja, që shtrohet është e një rëndësie të veçantë. Teknologjizimi i arsimit është një sfidë apo progres?
Mund të themi pa asnjë mëdyshje se kur përmendet fjala progres, apo kur diskutohet për progres, natyrisht që nëpër mend nuk mund të na kalojë asgjë negative rreth progresit, madje gjithmonë progresi është konsideruar lëvizje në drejtimin pozitiv, përparim dhe zhvillim. Ky perceptim ndaj progresit nuk është i rastësishëm. Zhvillimi materialist, veçanërisht pas Revolucionit II Industrial e thelloi rrënjosjen me karakter pozitiv të progresit në vetëdijen e njeriut, aq sa sot, termi progres është kthyer në emëruesin e të gjitha zhvillimeve që çojnë drejt rritjes së fuqisë materiale, apo rritjes së mundësive për sundim ndaj natyrës.
Lëvizjen nëpër këto rrugina ne e quajmë Progres. Kjo ishte motoja e madhe e shekullit të kaluar. Njerëzit e panë historinë para tyre si një rrugë në të cilën marshoi me trimëri dhe gjithmonë përpara “njerëzimi”- në kuptimin e këtij termi të racave të bardha, ose më saktësisht, banorët e qyteteve të tyre të mëdha, apo edhe më saktë, “të arsimuarit” midis tyre.
Po për ku? Për sa kohë? Dhe çfarë ka më pas?
Ishte paksa qesharak ky marshim drejt pafundësisë, drejt një objektivi të cilin njerëzit nuk e kishin menduar seriozisht, apo kuptuar qartësisht me veten e tyre, ose realisht, nuk kishin guxuar ta parashikonin, sepse një objektiv është një fund. Askush nuk bën gjë pa menduar për çastin kur ai do ta ketë fituar atë që dëshironte. Askush nuk fillon një luftë, një udhëtim, apo madje edhe një shëtitje të thjeshtë pa menduar për drejtimin dhe fundin e saj. Çdo qenie njerëzore vërtet krijuese e di dhe i druhet boshësisë, që pason pas kryerjes së një pune.” (Spengler, 2010, 22).
Shqetësimi që ne duhet të kemi para se ky proces të marrë trajtën e plotë është pikërisht boshësia. A do të jetë arsimi më i zhvilluar, më progresiv, sikundërse na pëlqen ta dëgjojmë të thuhet, në përfundim të teknologjizimit? A do të arrijë teknologjizimi i arsimit të shmangë pikërisht boshësinë, të cilën nuk duam ta mendojmë, si fundin e pashmangshëm të një ndezullie të ushqyer nga fuqia e afektimit teknologjik?
Njeriu ishte dhe është tepër i cekët dhe frikacak për të duruar faktin e vdekshmërisë së çdo gjëje që jeton. Ai e mbështjell atë me një optimizëm të progresit të bojatisur me ngjyrë rozë, stivon mbi të lulet e literaturës, zvarritet pas strehës së idealeve për të mos parë asgjë. (Spengler, 2010, 23).
Duke iu referuar teknologjizimit të arsimit, thjesht dhe vetëm si progres i paevitueshëm, apo si arsimi i së ardhmes, që çuditërisht besohet se do të jetë ende më e mirë nën fuqinë ndërhyrëse në rritje të teknologjisë në jetën e qenies njerëzore, i shmangemi përballjes me një të vërtetë të madhe, përkufizimin e veprimtarisë sonë nga fuqia e makinës dhe nënshtrimin para saj.
Makina punon dhe e detyron forcërisht njeriun të bashkëpunojë. E tërë kultura arrin një nivel aktiviteti të tillë që toka fërgëllon nën të. (Spengler, 1928, volume two, 503).
Padroni i botës po bëhet skllav i makinës, e cila po e detyron atë – po na detyron ne të gjithëve, jemi apo nuk jemi të vetëdijshëm për këtë – të ndjekë kursin e saj. (Spengler, 2010, 87).
Përpara se ne të përshkojmë tejpërtej shkretëtirën e akullt të makinës nën vapën përcëlluese dhe etjen torturuese për ujë, le të mendojmë për mirazhin në fund të horizontit ku shikimi ynë thyhet dhe bëhet njësh me të. Teknologjizimi i arsimit masivisht dhe thellësisht doemos do të na vendosë përballë kësaj gjendje serioze. Më lehtë e kemi ta përfytyrojmë një vend nga imazhet që na vijnë nga teknologjia, sesa ta vizitojmë dhe përfytyrojmë më pas nga gjurmët që ka lënë në shpirtin tonë kjo vizitë. Edhe kur soditim natyrën, nuk e soditim më për të medituar rreth saj. Çdo gjë e soditur, në zemrën dhe trurin tonë përkthehet në mundësi për shfrytëzim dhe përfitim, një ujëvarë në energji elektrike, një pyll në lëndë drusore, etj. Asgjë jashtë termave të fitimit.
Të gjendur nën presionin në rritje të teknologjizimit, të përçimit të njohurive dhe nën presionin e kohës së pamjaftueshme (45 apo 60 minuta për orë mësimi) për të shpjeguar e komentuar koncepte të rëndësishme, rrjedhojat nuk do të jenë aspak në kohezion me pritshmërinë për një arsim cilësor dhe më njerëzor. Qoftë shpjeguesi, qoftë dëgjuesi detyrohen të konturojnë veprimtarinë e tyre mbi ide të gatshme apo të sugjeruara nga dikush tjetër. Jo se këto ide të gatshme apo të sugjeruara i konsiderojmë tërësisht të pavlefshme, por të ofruarit e zgjidhjeve të gatshme mban peng, madje e çon drejt shterpësisë forcën menduese, duke e asgjësuar gati tërësisht, pasiqë me rëndësi është aftësimi dhe jo të menduarit.
Familje, monogami, romancë. Kudo mbyllje në vetvete, kudo kanalizim i ngushtë i impulseve dhe energjisë. “Por çdokush i përket çdokujt.” – e përmbylli ai duke cituar një proverb hipnopedik. Studentët pohuan me kokë, duke rënë dakord prerazi me pohimin, të cilin më shumë se gjashtëdhjetë e dy mijë përsëritje në errësirë ia kishin bërë ta pranonin jo thjesht si të vërtetë, por si aksiomatik, të vetëkuptuar e krejtësisht të padiskutueshëm. (Huxley, 2012, 45).
Fuqia e teknologjisë po e strukturon arsimin drejt shërbimit ndaj nevojave që ka shoqëria. Rrjedhimisht, nuk është më arsimi që modelon shoqërinë, por është forca e modelit shoqëror që po e detyron arsimin të mbështillet e çmbështillet sa herë që nevojat e shoqërisë ndryshojnë kurs.
Bartja e dijeve nuk ka më për qëllim të formojë një elitë të aftë që të udhëheqë kombin në emancipimin e tij; ajo i jep sistemit lojtarë të aftë që të kryejnë si duhet rolin e tyre në postet pragmatike për të cilat institucionet kanë nevojë. (Lyotard, 1996, 102).
Thellimi i teknologjizimit dhe perceptimi i këtij procesi si zgjidhjedhënësi i dembelizmit për të lexuar nga ana e nxënësve, studentëve, mësuesve apo dhe pedagogëve, natyrisht që ka dhe përjashtime, nuk është as më shumë dhe as më pak se një ndezulli e pastër. Pasi të realizohet kjo ndezulli do të na nxjerrë në shtegun e boshësisë dhe çfarë shtrihet pas saj. Atëherë ndoshta të frikësuar do të themi, po tani? Lojtarët e sistemit mund të jenë të aftë, specialistë të zotë, por nuk janë ende gati për të jetuar, nuk janë ende gati për të menduar, sepse zgjidhjet janë të servirura tërësisht të gatshme.
Vendi i “kjo do të jetë kështu” dhe “duhet të jetë kështu” është zënë nga e papërkulshmja “kjo është kështu”, “kjo do të jetë kështu”. (Spengler, 2010, 19).
Nën moton e të papërkulshmes, “kjo është kështu”, “kjo do të jetë kështu”, rreziku më i madh që i kanoset qenies në mundësi është rrënimi i të menduarit, në emër të performativitetit të sistemit shoqëror.
-Po Shekspirin a e lexojnë? – e pyeti i egri ndërsa ata po ecnin rrugës për te Laboratorët Biokimikë, matanë Bibliotekës së shkollës.
-Sigurisht që jo, – tha madama dhe u skuq në fytyrë.
-Biblioteka jonë, – tha doktor Gafni, – nuk përmban vetëm libra reference. Nëse të rinjtë kanë nevojë për argëtim, këtë munden ta marrin te kinemaja e ndjesive. Ne nuk i nxisim të plotësojnë dëshirat me dëfrime vetmitare. (Huxley, 2012, 138).
Në erën e teknologjizimit të arsimit, qëllimi përfundimtar do të jetë rendi dhe uniformiteti, konformizmi dhe asgjësimi i personalitetit. Të gjithë të arsyetojnë në të njëjtën mënyrë. Të gjithë t’i zgjidhin problematikat në të njëjtën formë. Të gjithë të përvetësojnë dhe memorizojnë të njëjtat ide. Të gjithë të zhvishen nga ndjenjat njerëzore, duke i kthyer drejt nënshtrimit ndaj dëshirave konsumeriste.
Humbja e unit, zëvendësimi i tij me një pseudo-un, e lë individin në një gjendje të thellë pasigurie. Ai është i mbërthyer nga dyshimi, pasi duke qenë, në thelb, një refleks i asaj që të tjerët presin prej tij, në një farë mënyre ka humbur identitetin e vet. Për të mundur panikun që buron nga humbja e identitetit, është i detyruar të konformohet dhe të kërkojë identitetin e vet në miratimin e vazhdueshëm dhe në njohjen e vazhdueshme nga ana e të tjerëve.
Në qoftë se nuk e di më se kush është, të tjerët do t’ia mësojnë, në qoftë se, të paktën, konformohet me modelin e tyre, në qoftë se i imiton. Unë do të jem ky që ju dëshironi që unë të jem.
Shndërrimi i individit në një automat në shoqërinë moderne e ka shtuar ndjenjën e pafuqisë dhe të pasigurisë së njeriut të mesëm. Prandaj ky është gati për t’iu nënshtruar autoriteteve të reja që i premtojnë sigurinë dhe lirinë nga dyshimi. (Fromm, 1998, 155).
Edhe pse ende jemi duke u ndezullitur nga ideja se teknologjizimi i arsimit do të na lehtësojë e do të hapë dritare të reja në përçimin e njohurive, nuk do të vonojë koha kur do të na duhet të kryejmë një operacion të thellë reflektimi, mbi krijesat aidentitare që i kemi kultivuar para syve tanë në emër të një performativiteti më të mirë, si kusht për kontributin pozitiv në shoqëri. Por a mund të konsiderohet një kontribut pozitiv, fakti që këta individë aidentitarë janë të gatshëm, që në emër të sigurisë dhe çlirimit nga dilemat, të hedhin poshtë dhe të shkelin me të dy këmbët lirinë, si gjënë më të panevojshme dhe të neveritshme te njeriu?
Çfarë lirie është ajo, gjykove ti, nëse bindja është blerë me bukë? Ti kundërshtove; njeriu, the ti, nuk rron vetëm me bukë. Por e di ti, se në emër të kësaj buke shpirti i tokës do të rebelohet kundër teje, do të ndeshet me ty, do të mposhtë dhe njerëzit do t’i shkojnë pas duke ulëritur: “Kjo egërsirë na dha zjarrin nga qiejt!” E di ti, se do të kalojnë shekuj dhe njerëzimi, me buzët e përfaqësuesve të vet të urtë, me gjuhën e shkencës do të deklarojë se krimi nuk ekziston, pra, nuk ekziston as mëkati, ekziston vetëm uria, uria dhe të uriturit.” (Dostojevski, 1994, 250-251).
Një arsim i teknologjizuar, me shumë gjasa mund të na çojë drejt këtij përfundimi, pasiqë përmes fuqisë së teknologjisë ai do të mrekullohet prej mundësive që do t’i ofrohen për konsum. Nënshtrimi ndaj vërshimit të dëshirave, thjesht dhe vetëm konsumeriste, do të jetë një masë opake, që do të ketë impakt të fuqishëm pengues ndaj përpjekjeve për realizimin e qenies në mundësi. Nën pushtetin e të jetuarit për tu ushqyer, teknologjizimi i arsimit vetëm se do ta fuqizojë edhe më tepër këtë pushtet. Realisht do të kemi njerëz të arsimuar, por që nuk duan të mendojnë me terma të tjerë jashtë konsumit. Ky përfundim mund të jetë një shërbim i mirë për ekonominë e konsumit që operon në termat e prodhim – konsum – fitim, por nuk mund të jetë i tillë për qenien në mundësi. Masa e magnetizuar nga një arsim i teknologjizuar, do të ketë si fokus kryesor të veprimtarisë së saj vetëm funksionin dhe asgjë tjetër jashtë funksionit.
HEIDEGGER: Çdo gjë funksionon. Kësisoj, është pikërisht kjo, ajo çfarë është e çuditshme. Çdo gjë funksionon dhe funksioni po na detyron forcërisht gjithmonë e më tepër në më shumë funksione, dhe teknologjia është duke i penguar dhe larguar njerëzit prej tokës gjithmonë e më shumë. Unë nuk e di nëse ju ndiheni i frikësuar; isha vërtet i frikësuar, kur kohët e fundit pashë fotografitë e tokës të marra prej hënës. Ne nuk kemi nevojë për një bombë atomike, gjithsesi; largimi i qenieve njerëzore nga toka tashmë është duke ndodhur. Ne kemi thjesht kushte teknologjie. Nuk ka më një tokë, në të cilën të jetojnë qeniet njerëzore sot.
Kohët e fundit pata një bashkëbisedim të gjatë me Rene Char në Provence – siç e dini, poet dhe luftëtar i Rezistencës. Baza raketash janë duke u ndërtuar në Provence, dhe vendi është shkretuar në një mënyrë të pabesueshme. Poeti, i cili sigurisht nuk mund të jetë pjesë e dyshimeve sentimentaliste apo lavdërimeve idilike, më tha që largësia e qenieve njerëzore nga toka, e cila është duke vazhduar të ndodhë, do të prekë fundin, nëse të menduarit dhe poezia nuk sigurojnë edhe njëherë një pushtet jo të dhunshëm.
(Der Spiegel, 1976, http://web.ics.purdue.edu/~other1/Heidegger%20Der%20Spiegel.pdf).
Kjo rrjedhojë e zaptimit të hapësirës ekzistenciale të qenies në mundësi nga pushteti i teknologjisë nuk mund të jetë as më shumë e as më pak rezultat i faktit që “shkenca nuk mendon.” (Heidegger, 2003, 102).
Në mes të këtij zaptimi gjendet edhe arsimi edhe ata të cilët hyjnë e dalin nga dyert e arsimit. Nën pushtetin e teknologjisë do të vazhdojë të dehumanizohet edhe më tej, i ndihmuar edhe nga vetë ata të cilët mundësitë e tyre për të përcjellë njohuri, dije, i përkufizojnë në funksion të teknologjisë, duke mënjanuar pothuajse tërësisht pjesën e shpirtit në përçimin e njohurive. Janë apo jo të vetëdijshëm mbi gjendjen në të cilën gjendemi, janë apo jo të vetëdijshëm mbi statusin qenie në botë, çështja e këtij statusi është një çështje e rëndësishme drejt së cilës duhet të rikthehemi. Ky rikthim është kusht i domosdoshëm për rihapjen e një dritare shprese, që arsimimi i brezave të rinj të mos përfundet tërësisht nën pushtetin e teknologjizimit, bazuar te (në) miti i progresit.
Ky rikthim dhe kjo rihapje duhet të jenë të lidhur ngushtësisht me forcimin e dashurisë ndaj librit. Nuk duhet humbur shpresa se edhe në epokën teknologjike, mund të dashurohemi me librin dhe të jetojmë me të, ashtu siç jetojnë të dashuruarit për njëri – tjetrin. Libri, kjo radhitje e magjishme fletësh do të jetë aty, përballë nesh, duke sfiduar ngërthimin tonë me teknikën. Duke qëndruar përballë nesh, duke na rrethuar i radhitur me rregull ose jo nëpër rafte, na grish vazhdimisht për t’iu qasur me dashuri.
Sa për mua, unë fshihesha diku për t’u lëshuar në një punë të çuditshme: leximin e librave të bibliotekës. (Borges, 2010, 223).
Libri është thjesht i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm me çfarëdolloj versioni elektronik. Magjia që buron nga fëshfërima e kalimit nga një fletë në tjetrën është tepër domethënëse për shpirtin që lexon. Teknika nuk mund të ta japë këtë domethënie të kësaj magjie, sado e sofistikuar të jetë. Është pikërisht kjo pamundësi e teknikës për të ndërhyrë në të tilla sfera, ajo që na gëzon. Vetëm kështu ne mund të kërcejmë drejt librit. Vetëm kështu të dashuruarit me thellësitë do të jenë në gjendje të nxjerrin prej andej perlat dhe gurët e çmuar, vlera e të cilave dhe e të cilëve nuk mund të zhvlerësohet nga asnjëlloj shkëlqim i rremë dhe fare i përkohshëm.
Përfundime
Ndalu së mësuari, fillo të dish, – na thotë poeti.
Përskaj tendencave tunduese teknologjizuese të arsimit, rolit gjithmonë e në rritje të teknikës në përkufizimin e përfytyrimit dhe veprimtarisë së qenies njerëzore, duke e bërë njeriun të besojë për të vërteta qoftë edhe gjëra të paqena, duke e thatëzuar paqshëm të menduarit te kjo qenie, ka ende shpresë se jo gjithçka do të tretet e përfundet nën pushtetin e teknologjisë dhe miteve të ushqyera prej saj.
Roli i arsimit në epokën e teknologjizimit, duhet të jetë në shërbim të qenies njerëzore si qenie dhe jo si automat. Për t’i shërbyer këtij qëllimi, shërbimit ndaj qenies njerëzore si qenie në botë, arsimi me të gjithë hallkat e tij duhet të jetë gjithmonë e më tepër kulturor.
Po qe se do të duhej të vlerësojmë përmbajtjen kulturore të arsimimit shkollor, do të thoshim: shkolla është pjesë përbërëse e civilizimit; ajo kontribuon kulturën vetëm nëse nuk është dresurë, nëse zhvillon mënyrën e të menduarit kritik, nëse i lë hapësirë lirisë shpirtërore të njeriut. Shkolla që servir dhe imponon zgjidhjet e gatshme etike e politike, nga aspekti i kulturës, është barbare. Ajo nuk krijon personalitete të lira, veç të nënshtruara dhe si e tillë mbase kontribuon civilizimin, por e shpie prapa kulturën. (Izetbegoviç, 2009, 71).
Kritika që adresuam përkundrejt teknologjizimit të arsimit si kontribuues i civilizimit, nuk nënkupton domosdoshmërisht rrënimin e plotë të tij. Njeriu ka nevojë edhe për pjesën qytetërimore, por arsimi nuk duhet të jetë shegert i kontributit të mbisundimit të pjesës qytetërimore përkundruall pjesës kulturore të qenies në botë.
Kur kritikohet civilizimi, nuk kërkohet që të flaket. Edhe sikur të donim , civilizimi nuk mund të flaket. Ajo që duhet bërë dhe mund të bëhet është të rrënohet miti mbi të. Rrënimi i këtij miti është kusht për humanizimin (kthimin e njerëzores te qenia njerëzore, N.N) e mëtejmë të botës dhe detyra më e madhe e kulturës. (Izetbegoviç, 2009, 91).
Në pyetjen që parashtruam si tematikën e kësaj trajtese, teknologjizimi i arsimit, sfidë apo progres, ne nuk synonim qysh në fillim që të përfundonim në një përgjigje shteruese. Ne dëshiruam që nëpërmjet kësaj trajtese të grishim mundësitë ende të pazbuluara të qenies në mundësi, për tu kthyer me një kthim të njëmendtë drejt statusit qenie në botë, që të mos marrakotet nën pushtetin e përfytyrimeve dhe miteve të teknologjizuara mbi të ardhmen e tij.
Ducunt Fata volentem, nolentem trahunt
Referencat
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...