Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 26, 2017 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Të mësuarit e normave civile në medresetë e Shqipërisë II
Prof. Asoc. Dr. Gentiana Skura, Universiteti i Tiranës
Dr. Robert Gjedia, Universiteti “Marin Barleti”
Dr. Genti Kruja, Universiteti “Bedër”
Kurrikula e edukimit qytetar në arsimin parauniversitar zhvillohet me anë të lëndëve “Edukim për shoqërinë” dhe “Qytetari” dhe synon formimin e njohurive, shkathtësive, qëndrimeve dhe vlerave qytetare te nxënësit e këtij cikli arsimor, duke u mbështetur fort te filozofitë, praktikat e mira dhe modelet e qytetarisë evropiane dhe botës demokratike në veçanti, ku në thelb të tyre mbeten të drejtat dhe përgjegjësitë individuale, zbatimi i ligjit, kujdesi ndaj mjedisit, e drejta për punësim, siguria njerëzore dhe bashkëjetesa në komunitet. Përmbajtja e lëndëve të përmendura më lart nuk prek asnjë informacion ose praktikë edukimi, që lidhet me çështje të mësimit dhe edukimit fetar. Gjithashtu ky edukim ka një vend të posaçëm në kurrikul, që është i mjaftueshëm për të realizuar synimet dhe kompetencat e dëshiruara për nxënësit, kur kemi parasysh sasinë e orëve, peshën specifike të fushës kurrikulare, por edhe të lëndëve të mirëfillta të formimit qytetar që zhvillohen në të tria ciklet e arsimit parauniversitar, e krahasuar edhe me kurrikulat e sistemeve arsimore evropiane.
Medresetë zhvillojnë kurrikulën zyrtare për ciklet e arsimit parauniversitar, por gjithashtu kanë dhe pjesën e kurrikulës me orientim fetar, e cila edhe kjo miratohet nga Ministria e Arsimit.
Lëndët fetare janë integruar në kurrikulat zyrtare të medreseve në mënyrë të tillë që të jenë mbështetëse edhe të tematikave të trajtuara nga lëndët e edukatës qytetare. Meqenëse njeriu që jeton në sistemin demokratik ka shumë përputhje me besimtarin (pavarësisht përkatësisë fetare), tematikat e përbashkëta të këtyre lëndëve janë të shumta.
2. Thirrja islame ndër shqiptarë në ambientin konkret gjeokulturor e gjeopolitik dhe të postmodernizmit
Dr.Milazim Krasniqi
Universiteti i Prishtinës, Kosovë
Njeriut vetmitar e të tëhuajësuar bukur shumë, egoist e nihilist, duhet t’i ofrohet një prezantim dhe interpretim i besimit fetar islam, që do të jetë si ofertë e fuqishme ngushëlluese e shpëtimtare. Pra, ofertë e cila nuk e injoron gjendjen reale të tij, ofertë që është dashamirëse e atraktive, që ia tërheqë vëmendjen me butësi; që i ndihmon të mos fundoset në batakun e zhgënjimit; që i ofrohet si një varkë shpëtimi.
Gjithsesi botëkuptimi postmodernist për botën tashmë është imponuar dhe po bëhet dominues edhe në mesin e gjeneratave të reja të shqiptarëve. Prandaj, duhet të njihet si botëvështrim e si gjendje, në tërësinë e vlerave dhe të kundërthënieve të tij, nga hoxhallarët e dijetarët myslimanë, në mënyrë që të jenë efikas në komunikim me publikun (xhematin) që ka prejardhjen nga kjo sferë. Në të kundërt, edhe jeta e tyre fetare do të përfshihet gjithnjë e më shumë nga improvizimet, nga spontaniteti, nga cektësia dhe më vonë nga indiferenca. Ashtu do t’i hapej një mundësi e re deislamizimit të shqiptarëve, por kësaj radhe jo në rrethanat e terrorit totalitar, si në regjimin komunist, po në rrethanat e lirisë, ku elitat fetare e kanë hequr komunikimin me njerëzit, për shkak të paaftësisë së tyre që të orientohen si duhet në realitetet e reja gjeopolitike, kulturore e shoqërore.
3. Shkencizmi – Kali Modern i Trojës
Fatos A. Kopliku
Washington DC
Sinqeriteti e qëllimet e mira, në vetvete, nuk janë garanci e komunikimit të dobishëm dhe mbrojtja e fjalëve të librave hyjnorë e profetëve nga sulmet me prapavijë materialiste e agnostike nuk mund të bëhet me anë të një shkence e teknologjie, si ajo e Perëndimit modern, që adopton një prapavijë filozofike që parimisht s’e njeh, ose edhe e kundërshton Zotin si Burimin prej nga çdo gjë merr ekzistencë e jetë. Njohuritë e sotme shkencore mund të integrohen e interpretohen në një botëvështrim me qendër Hyjnoren, diçka që ka ndodhur me mjaft sukses në të kaluarën, jo vetëm të Islamit, por edhe traditave të tjera autentike religjioze. Shkencizmi, prapavija filozofike e shkencës moderne, është me të vërtetë një Kalë Troje, që kur sillet brenda mureve të fortesës së besimit, përfundimisht, bëhet shkak i dobësimit, në mos shkatërrimit të saj. Nëse me raste vihet re një ton alarmi mes rreshtave të këtij shkrimi ia vlen të kujtojmë se edhe Kassandra nuk i paralajmëroi trojanët me pëshpëritje për gjëmën që Kali i Trojës do të sillte. Kur bie zjarr nuk i mbet kujt hatri nga tingujt e alarmit apo thirrjet e zjarrfikësve. Megjithatë, krahasimet ndalojnë këtu, sepse ky nuk është as i pari e as i fundit shkrim që tërheq vëmendjen mbi rrezikun e depërtimit të shkencizmit në religjion dhe – ndryshe nga Kassandra, së cilës trojanët s’i vunë vesh dhe e quajtën të çmendur – tanimë ka jo pak autorë myslimanë, e jo vetëm, që kanë filluar me kohë kritikën e botëkuptimit shkencist nga perspektiva intelektuale e shpirtërore tradicionale.
4. Korpusi i mbishkrimeve osmane në Tepelenë dhe Delvinë
Dr. Mehmet Tütüncü
Qendra Botërore e Kërkimeve për Gjuhën Turke dhe Arabe, Haarlem, Hollandë
Ky është një studim dhe botim rreth mbishkrimeve osmane në jug të Shqipërisë, të përcaktuara si zona ndërmjet Vlorës dhe kufirit grek. Gjatë viteve të fundit, janë zbuluar shumë mbishkrime të reja (kryesisht të varreve), nga studiues të huaj dhe vendas. Mbishkrimeve të njohura nga literatura (Evlia Çelebi dhe të tjerë) u janë shtuar këto mbishkrime të reja të zbuluara. 25 mbishkrime nga kjo zonë, të cilat datojnë që nga viti 1542 deri në 1897, janë botuar këtu si pjesë e Korpusit të mbishkrimeve osmane në Shqipëri. Mbishkrimet janë studiuar në kontekstin e tyre historik dhe kulturor. Ato përmbajnë informacione në lidhje me aktivitetet në fushën e ndërtimit, jetën dhe kulturën e asaj zone gjatë shekujve të sundimit osman në Shqipëri.
Fjalë kyçe: Osmane, mbishkrime, Shqipëria.
5. Një vështrim historik mbi librin
“Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane” të Syrja bej Vlorës Pjesa e I
Dr. Hasan Bello
Instituti i Historisë, QSA
Libri i Syrja bej Vlorës “Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane” është një përpjekje modeste për të hedhur dritë mbi një numër të konsiderueshëm personalitetesh, të cilët kanë jetuar, vepruar dhe kontribuar në një shtet perandorak, pjesë e të cilit ishin edhe shqiptarët për pesë shekuj.
Në këtë libër jepen të dhëna me karakter të përgjithshëm, të cilat për hir të së vërtetës, sot mund të quhen të tejkaluara për ata studiues që do të merren me hulumtimin e thelluar të periudhës osmane. Ndërsa për lexuesit e pasionuar të historisë, ato përbëjnë një kontribut të vyer, me informacion pak ose aspak të njohur. Autori shpalos të dhëna me interes për emra të njohur dhe të panjohur nga historiografia shqiptare. Ndoshta për faktin se për këto personalitete, në vend të arsyes, ka mbizotëruar paragjykimi.
Ky libër në dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë. Ai ka 144 faqe në osmanisht dhe 52 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve turke në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi 26 qershor 1963. Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Megjithëse ky përkthim në dorëshkrim është në dialektin verior dhe përmbante një sasi të konsiderueshme gabimesh, ne jemi përpjekur që të ndërhyjmë vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Kjo, sepse dialektet së bashku me përkthimet e realizuara në një periudhë të caktuar janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe mbajnë vulën e kohës. Por nga ana tjetër, për t`i ardhur në ndihmë lexuesit, vitet e kalendarit hënor i kemi konvertuar në kalendarin diellor, duke i vendosur ato në kllapa, pa e prekur origjinalin. Aty ku ka pasur ndonjë term historik osman jemi përpjekur që t`i shpjegojmë me shenjën (*) në nëntekst. Ndërsa për disa personalitete, për të cilët ekzistojnë datëlindjet, viti i vdekjes dhe koha se kur kanë shërbyer si kryeministra, ato i kemi vendosur në kllapa.
6. Kontributi i El-Khvarizmit dhe Ibn Fadlanit në zhvillimin e shkencës së gjeografisë
M.sc. Artan S. Mehmeti
U lind në rajonin persian të quajtur Chorasmia. Në këtë kohë ky rajon i takon Uzbekistanit. El-Khvarizmi ishte një matematikan, astronom, astrolog, gjeograf, etj.
Si shkencëtar u rrit në kohën kur punoi në Shtëpinë e Urtësisë në Bagdad. Kjo shtëpi ishte një qendër shkencore e cila merrej me përkthimet dhe hulumtimet e teorive shkencore dhe filozofike, e në veçanti të atyre greke. Në këtë qendër, gjithashtu, kryheshin hulumtime në fushat e ndryshme shkencore dhe fetare, si dhe mbahej mësim për studentet e rinj.
Kontributi i el-Khvarizmit, në fushën e gjeografisë së mesjetës ishte i madh. Ai i korrigjoi dhe i sistematizoi hulumtimet e Ptolomeut, duke i përdorur rezultatet e gjetura gjatë hulumtimeve të tij.
Ibn Fadlan lindi në vitin 877. Ai ishte një udhëtar i shekullit të X – të, i cili ishte dërguar si sekretar i ambasadës së Kalifatit të Abasidëve nga Bagdadi në Mbretërinë e Vollgës Bullgare. Ai është i njohur edhe si shkrimtar, historian, udhëtar dhe gjeograf.
7. Poemë satirike, që lexohet për vlerat semantike, gjuhësore e stilistike, artistike e letrare
Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi
Universiteti Bedër
Kohët e fundit, si pasojë e hulumtimit profesional, u zbulua në Arkivin e Shtetit në Tiranë një poemë tjetër satirike e publicistit tiranas Hafiz Ibrahim Dalliu. Poeti i shquar i viteve ‘30, po i ofrohet lexuesit bashkëkohor, falë interesimit të studiuesit Dr. Genti Kruja, sepse komunikimi me autorin kishte mehur, për arsye jashtëletrare, pas përfundimit të Luftës II Botërore. Poema e shkruar në vitin 1922 (?) titullohet “Nji andërr e ime”.
Poema satirike e Hafiz Ibrahim Dalliut (1878-1952) ka gjithsej 681 vargje, të shkruara njëshkolonë, me strofa treshe por të pandara.
Tercina është e pandarë nga njëshkolona, me varg dhjetërrokësh, me rimë të përputhur AA për dy vargjet e fillimit, kurse vargu i tretë B, që është tetërrokësh, rimon me vargun e tretë B të tercinës që vjen pas e kështu në vijim.
Daktilografimi është realizuar në 16 fletë me shkronjën “e” në vend të shkronjës “ë”, por sidomos mangësitë në vendosjen e shenjave të pikësimit, si dhe cilësia e dobët e daktilografimit paraqet vështirësi në leximin e origjinalit, por jo në vlerësimin e veprës. Objekt i metodës filologjike do të jetë zbulimi i vlerave gjuhësore, që realizojnë komunikimin kontekstual dhe lokal dhe si dokumentim real i ekstremizmit gjuhësor që zuri fill ato kohë.
Fjalët kyçe: semantika, stilistika, gjuha e mjedisit, gnomika, diskursi komik
8. Ushqimet dhe barnat, të lejuara dhe të ndaluara, përballë zhvillimeve të shekullit XXI
Ilir Akshija, M.D., M.Sc.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”,
Departamenti i Statistikës, Tiranë
Një literaturë e bollshme flet për hallallin dhe haramin për sa i përket ushqyerjes dhe barnave. Me gjithë ngjashmëritë që mund të ketë me strukturat moderne që përcaktojnë rregulla apo japin rekomandime Islami ruan veçantinë e përhershme të referimit ndaj Kur’anit. Prandaj lind nevoja e përkthimit të përhershëm të këtyre rregullave transcendentale në masën e kohës kur jetojmë, detyrë kjo e shkollarëve myslimanë. Ata vendosen ndërmjet Kur’anit dhe detyrimit të interpretimit në kohë reale, duke vendosur kështu dy nivele interpretimi të domosdoshme. Në nivelin më të lartë rregullat e Kur’anit për të lejuarën dhe të ndaluarën kuptohen nga ana e tyre
dhe mbeten mjaft abstrakte, duke kërkuar edhe një nivel të dytë, praktik, interpretimi të lehtë për tu kuptuar dhe zbatuar nga qytetarët. Kjo punë e përhershme në të vërtetë nuk sjell asgjë të ndryshme nga burimi ku merren këto rregulla, por interpretimi i tyre është gjithmonë një sfidë që e sjell koha. Ndër më të rëndësishmet që rezultojnë është rritja e sasisë dhe kohës së përdorimit të barnave dhe ushqimeve me natyrë komplekse ku ndërhyn teknologjia. Zhvillimet demografike dhe teknologjike të panjohura më parë kanë sjellë plot risi në krahasim me jetën shumë më të thjeshtë të paraardhësve tanë. Në këtë situatë nuk mund të mohohet mangësia në përgjigjen e
organizuar të këtyre sfidave, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, por me shpresën që jep pasja në duar e një pasurie me vlerë të pafundme si Kur’ani, përballë të cilit na mbetet sprova për të zbuluar dhe praktikuar. Një vend të pazëvendësueshëm zënë edhe shkollat klasike të mendimit Islam edhe pse disa vendime të tyre kërkohet të ndryshohen në kontekstin e kohës, por duke ruajtur modelet e tyre të të menduarit si pjesë e ruajtjes së identitetit tonë si vazhdimësi historike e tyre.
Fjalëkyçe: Hallall, haram, barna, ushqime, teknologji, demografi, duhan, mish
9. “Drita Islame” – një shkëndijë e dritës së fesë islame në Shqipërinë paskomuniste
Prof. Dr. Qani Nesimi
Myfti i Tetovës
“Drita Islame” ka një barrë të rëndë që të edukojë brezin e ri me fenë, e cila aq sa ka potencial të ndikojë pozitivisht, po aq ka të ndikojë edhe negativisht. Ajo, sa mund ti bëjë mirë njeriut, po aq mund ti bëjë edhe keq atij; sa mund të krijojë paqe në një vend, mund të jetë shkak edhe për luftë. Luftërat në Ballkan midis serbëve e boshnjakëve, midis serbëve e shqiptarëve, midis shqiptarëve dhe maqedonasve, midis serbëve e kroatëve, midis grekëve e shqiptarëve, sa mund të jenë me përmasa nacionale, po aq janë edhe me përmasa fetare, në mënyrë direkte ose indirekte, si motivuese e luftës, apo si mbështetëse e saj. E gjithë kjo, varet nga mënyra e përdorimit të fesë, mënyra e trajtimit të saj. Pra, ai që e beson dhe e praktikon fenë varet se si e përdor atë. Kurse ai që duhet të marrë një vendim ose të mbajë një qëndrim ndaj fesë, varet se në çfarë rrethanash dhe me çfarë bindje e ka bërë atë ose, se sa serioz është ai në qëndrimin e tij. Prandaj, për mendimin tim, periodiku “Drita Islame” ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në prezantimin dhe në interpretimin e drejtë të fesë Islame, e cila është kundër dhunës, vrasjes, keqpërdorimit të fesë, keqtrajtimit të tjetrit etj.
10. Haxhi Ibrahim Kaduku
(1869-1949)
Haxhi Ibrahim Kaduku me formimin e tij intelektual, bëri që fama e tij të kapërcente kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë i njohur në tre kontinente, Evropë, Azi dhe Afrikë. Haxhi Ibrahimi kreu studimet fillimisht në qytetin e lindjes, në Shkodër, duke u evidentuar si nxënës i zellshëm, me prirje të veçanta, sidomos në mësimin e gjuhëve të huaja dhe të lëndëve shoqërore. I ati, i cili ishte tregtar e merrte shpesh në dyqan për ta ndihmuar, por një ditë duke bërë llogaritë e shitjes, sheh se të ardhurat ishin më të pakta nga ato që ishin shitur. Kur e pyet të birin Ibrahimin, ai i përgjigjet, se ia ka shitur më lirë, atyre që ishin në nevojë. Atëherë i ati, duke parë shpirtin dhe humanizmin e tij, vendos ta shkëpusë nga dyqani dhe ta dërgojë për studime në Stamboll, në Medresenë dhe Universitetin e famshëm Fatih, për shkencat islame, studime të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1893. Për rezultatet shembullore, për opinionin pozitiv të formuar në personelin pedagogjik e në drejtuesit e fakultetit, për aftësitë intelektuale që manifestoi gjatë shkollimit, u ndal atje si pedagog në universitet për të dhënë gjuhën osmane dhe arabe. Ky ishte një rast i rrallë në praktikën e universiteteve botërore. Kjo tregonte qartë përgatitjen e tij të thellë në linguistikë dhe teologji. Pas sukseseve në mësimdhënien e këtyre lëndëve, ai u caktua që t’i jepte këto lëndë në Akademinë Ushtarake të Stambollit.
11. Hysni Hoxha
Mëshira Hyjnore ka mbulue çdo gjâ
«ورحمتي وسعت كل شيء»
Mirësia triumfon mbi keqësin.
«من جاء بالحسنة فله عشر أمثالها و من جاء بالسيئة فلا يجزى إلا مثلها و هم لا يظلمون».
Po thuej të gjithë, pa përjashtim e pohojnë me fjalë, qi Mëshira Perendijore âsht e madhe dhe e pákufizueme, mirëpo të pakë janë ata qi e dinë realitetin asaj dhe fort pak kanë konviksjon për Mëshirën e Amshueme qi ká ndërhye kudo, por ká edhe asijsh qi dëshirojnë të marrin vesh e të kuptojnë Mirësin Perendijore.
Prandaj un për t’i ardhë në ndihmë e në rreth klasës së fundit qi thamë mâ sipër e qi s’ka pasë fatin me vazhdue mësimet Theologjike në ndonji Medrese a po qi s’ka pasë rastë me ndenjë e me ndígjue fjalë e këshilla të dobishme prej ndonji dijetari fetár – pse edhe këjo âsht nji dije në vedi – e pásh t’arsyeshme qi propozitën e natë Hyjnore, me të cilën u stolis kryet e këtij artikulli, t’a shkoqis pak në bazë të mësimeve qi kam marrë nga ky Institut i Shejtë, abolla qi të ja u zbus nji fije zemren atyne qi kanë rebelue kundra logjikës e arsyes e janë shmangë nga rrug’ e drejtë.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...