Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 13, 2017 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Funksionalizmi i mendimit islam
Dr. Muhamed Mustafi, Fakulteti i Studimeve Islame, Shkup
Mendimi islam është diçka që konsiderohet si një tërësi që nuk mund të ndahet në pjesë më të imta sepse në rast të tillë do të konsiderohet vetëm si një rezultat i ndonjë teorie që mund të pranohet ose mund të refuzohet. Tërësia e tillë e këtij mendimi e bën funksional në jetë që nga koha e shpalljes së Islamit e deri sot. Funksionalizmi i mendimit islam mund të jetë shumë real nëse zbatohet në mendje e vepra ashtu siç është aplikuar në kohën e Pejgamberit a.s., gjegjësisht ashtu siç është pranuar nga njerëzit e asaj kohe. Sa më e pastër të jetë mendja, aq më i madh do të jetë funksionalizmi i mendimit islam dhe e kundërta, sa më i zbehtë të jetë truri i myslimanit, aq më i dobët do të jetë funksionalizmi i tij. Mendimi islam nuk ka nevojë të ripërtërihet për t’u përkryer sepse nga vetë natyra është i përkryer dhe se buron nga origjina hyjnore, por ne kemi nevojë të ripërtërijmë veten tonë e të mburremi me Islamin dhe jo me ide e mendime që burojnë vetëm nga truri i njeriut. Mendimet e njeriut janë të ndryshme dhe shumë shpesh i shkel koha, ndërsa mendimi islam është konstant dhe i përshtatshëm për të gjitha kohërat, sepse buron nga Islami që nuk njeh as kohë të caktuar e as popull të caktuar dhe se çdokush ka mundësi ta pranojë dhe se mund të aplikohet në çdo vend.
2. Çfarë keni bërë për ta ndjerë namazin?
Adnan Merja
Nëse me të vërtetë duam të realizojmë faljen e namazit ashtu siç duhet, duhet të zhvishemi nga çdo ndjenjë tjetër përveç kënaqësisë së Allahut (xh.sh.) dhe zemrën t`ia hapim Atij. Çdo fjalë që derdhet nga buzët, duhet të vuloset me vulën e vetëdijes. Për shembull, kur themi Elhamdulillah, duhet ta dimë mirë se ç`nënkuptohet me këtë fjalë dhe ta përpunojmë atë në vetëdijet tona e duke ngashëruar të themi “Të gjitha lavdërimet dhe të gjitha falënderimet e lartësimet, i takojnë vetëm Allahut (xh.sh.). Të bëj këtë, është detyra ime dhe e drejta e Krijuesit tim”. Kështu që ajo fjalë, të lartësohet te Allahu, së bashku me kuptimet e thella që kemi mbartur mbi të. Po ashtu, edhe kur të themi Err-Rrahman dhe Err-Rrahijm, të jemi të stolisur me të njëjtat ndjenja për Të. Kur të themi Maliki Jeumid-Din, ta vulosim këtë fjalë me kuptimet madhështore që përmban dhe në këtë formë t`ia paraqesim të Vërtetit. Namazi për ne, duhet të konsiderohet si një miraxh dhe për këtë duhet të përpiqemi sipas kapacitetit tonë të ndjejmë ato të vërteta që ndjeu Profeti ynë (a.s.).
3. Botimi i kompletit të revistës “Zani i Naltë”
– Vlerësim kompensues për vitet e anatemimit dhe rëndësia e tij sot
Ramadan Shkodra – Dr. Sadik Mehmeti
Mungesa për pesëdhjetë vjet e trashëgimisë së revistës “Zani i Naltë”, sikurse edhe e shumë simotrave të saj, që dolën me të ose pas saj, pastaj anatemimi, anashkalimi dhe mohimi i vlerave të saj, si dhe seleksionimi, përbuzja dhe përçmimi e cilësimi “si armiq të popullit” të autorëve që kanë shkruar në këtë revistë, përveç se tregon për një përpjekje të ashpër, sistematike dhe të orkestruar të mendimit ideologjik të kohës, për t’i zhdukur dhe për t’i kaluar në harresë vlerat e saj, ajo dëshmon edhe një herë se fjala e mirë, fjala e vërtetë dhe hakikat, është si pema e mirë që rrënjët e saj i ka thellë në tokë, kurse degët i ka lart, shumë lart, dhe e cila, me vullnetin e Zotit, e jep bereqetin e vet në çdo kohë dhe në çdo moment.
4. Jepjani punëtorit pagën e tij,para se t’i thahet djersa e tij
Ilir Akshija, M.D., M.Sc., Spitali “Nënë Tereza”, Tiranë
Studimi i sistemit bankar dhe krahasimi me praktikat islame, apo edhe kundërvënia në momente të caktuara është e zakonshme në literaturën ekonomike islame. Një temë që nuk trajtohet shpesh është mënyra e pagesave të punëtorëve dhe vlerësimi i skemave përkatëse sipas një modeli të bazuar në Legjislacionin Islam. Flukset e jashtëzakonshme në botën e financave me të drejtë e kanë vendosur ekonomistin mysliman në pozitë mjaft të vështirë. Duke qenë i detyruar të respektojë kontratat, të jetë në kërkim të fitimit dhe ky të jetë hallall, ai është tejet i ngarkuar në përgjegjësi. Prandaj fokusi kryesor është përqendruar në transaksionet bankare dhe modelet tregtare, duke lënë pas dore, dhe në një farë mënyrë, ka rënë pre e imitimit të modeleve të gatshme për sa i përket sistemit të pagesave të punonjësve. Në këtë diskutim ne kemi ngritur pyetjen nëse pagesat e punonjësve që realizohen një herë në muaj a mund të quhen një borxh i paguar me vonesë apo ndonjë nënkategori e fajdes, po ti referohemi hadithit për pagesën e menjëhershme të punëtorit! Paga e ditës së parë të muajit kalendarik merret në të njëjtën kohë me pagën e ditës së fundit, duke mos marrë parasysh aspektin kohor të përfundimit të punës që te punëtori i zakonshëm është dita e punës. Pasojat e vonesës së pagesave janë të njohura nga aspekti praktik, madje edhe marrja e pagës mujore në kohën e caktuar shoqërohet me rritje të kriminalitetit, konsumit të drogave, alkoolit dhe krijon mundësinë e marrjes së kredive afatshkurtra me kamatë të lartë. Në vazhdim hipoteza kërkon një përgjigje nga ekspertë të fikhut, e ndoshta diskutim ndërdisiplinor.
5. Mbikëqyrja fetare ose Ihtisabi ndaj prindërve – rregullat dhe etika
Dr. Sedat Islami, Kosovë
‘Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja’ është një nga institucionet fetare më të rëndësishme. Ai garanton zbatimin e ligjit të Zotit në shoqëri dhe ruajtjen e kësaj të fundit nga dukuritë negative. Për shkak të kësaj rëndësie që ka, në Kur’an (9:71), është përshkruar edhe si detyrim që rrjedh nga vëllazëria fetare. Duke qenë se ka këtë pozitë, atëherë, si institucion, është normuar me rregulla dhe etikë përkatëse, në mënyrë që të parandalohet manifestimi i gabuar i tij, i cili mund të ketë pasojat e veta. Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja ka vazhduar si organ shoqëror e shtetëror për shekuj. Me kalimin e kohës, perceptimet e mangëta përkitazi me të, si institucion, filozofi dhe botëkuptim, kanë çuar në aplikimin e gabuar të tij. Është gabuar, përveç të tjerash, edhe në raport me prindërit. Ky punim vjen për të treguar aspektet se ku është gabuar me prindërit dhe cilat janë format e miratuara, fetarisht, për ushtrim të tij në raport me ta.
6. Gjashtë shekuj islam institucional në Ballkan
Akad. Feti Mehdiu – Prishtinë
Tezën e përhapjes së fesë Islame me dhunë në Ballkan, nga “pushtuesit aziatikë”, e kanë hedhur poshtë studiues të huaj, por edhe ata vendas, të cilët i trajtojnë me objektivitet çështjet historike.
Studiuesit objektivë, të pavarur nga ideologji të caktuara politike, me anë të hulumtimeve të tyre shkencore, dëshmojnë se, te shqiptarët, gjurmë të fesë Islame ka pasur edhe para se të vinin osmanlinjtë në këto anë. Ky është një realitet që nuk mund të mohohet e as të injorohet. Qëndron gjithashtu fakti se, para se të vinin Osmanët në këtë rajon të Ballkanit- në hapësirën shqiptare, në radhë të parë, feja islame nuk ishte e mbështetur institucionalisht, nga subjekte relevante shtetërore. Ajo prezantohej vetëm nga individë vullnetmirë: misionarë apo tregtarë, të cilët rastësisht kalonin nëpër këto troje.
7. Sanxhaku i Shkupit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX
Dr. Hasan Bello, Instituti i Historisë, QSA
Vilajeti i Kosovës pjesë e të cilit ishte Sanxhaku i Shkupit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shtrihej në pjesën perëndimore të territoreve evropiane të Perandorisë Osmane, me një sipërfaqe prej 32.000 km. Në Lindje ai kufizohej me Bullgarinë, në Perëndim me Vilajetin e Shkodrës, Bosnjën dhe Malin e Zi, në Jug me Selanikun, ndërsa në Veri me Serbinë. Për shkak të pozitës gjeopolitike që zinte ky vilajet, e në këtë kuadër edhe Sanxhaku i Shkupit, e kishin kthyer atë në vilajetin më të rëndësishëm e njëkohësisht një nga më problematikët e perandorisë.
Duke pasur parasysh infrastrukturën (stacionin hekurudhor), shëndetësinë, rrjetin telegrafik, kushtet e nevojshme që evitonin harxhimet suplementare, si dhe faktin se ky qytet nuk gjendej në zonë kufitare, Shkupi – sipas tij – i kishte të gjitha premisat për t`u bërë qendër vilajeti. Në vitin 1888, qeveria osmane, me të drejtë vendosi që qendra e Vilajetit të Kosovës të zhvendosej në Sanxhakun e Shkupit.
8. Në kërkim të pavarësisë
Nuredin Nazarko
Pavarësia e Shqipërisë e ardhur si rezultat i kombinacioneve të rrethanave historike, u solli shqiptarëve në jetë një shtet të gjymtuar, pa kohezionin gjeografik e demografik, aq të nevojshëm për të vendosur bazat e një të ardhmeje për zhvillim të qëndrueshëm të trojeve shqiptare. Shqiptarët fituan një shtet të cunguar, por humbën pjesë të konsiderueshme të territoreve të tyre, humbje e cila nuk ishte vetëm e natyrës politike, por edhe demografike e ekonomike. Secila pjesë e territorit shqiptar mori rrugë të ndryshme zhvillimi, sipas shteteve ku gjendej. Kohezioni i tregut të brendshëm u thye dhe pasuritë nën dhe mbitokësore të territoreve shqiptare, që u copëtuan, do të shfrytëzoheshin tashmë nga shtetet që këto territore iu përkisnin, pas 1913. Shqiptarët me fitimin e pavarësisë provuan, edhe pse dhimbshëm, “dashurinë” e kombeve të qytetëruara ndaj tyre, edhe pse me të madhe ishte shpresuar se Evropa e qytetëruar do të dinte të vendoste pikat mbi i, në rastin e tyre.
9. Rreth fesë dhe lirisë
Turki El-Hamed
Urtësia hyjnore thelbësore, të cilën e nxjerrim nga narrativa e krijimit, është se, prezenca e të kundërtave është e domosdoshme për të njohur thelbin e tyre, por pa pasur askush të drejtë të monopolizojë njohjen e natyrshme të të kundërtave. Gjërat e humbasin vlerën pa prezencën e të kundërtave. Diversiteti i ngjyrave është i domosdoshëm për të bërë dallimin mes tyre. Diversiteti mes njerëzve është i domosdoshëm për jetën dhe për ta çuar atë përpara. Në të kundërt, jeta shndërrohet në një pellg të qelbur, ku uji ka humbur shijen e tij karakteristike, por dhe ajri ka marrë erë të keqe. Pa pluralizëm, pa diversitet dhe pa të kundërtat, gjithçka e humb shijen dhe kuptimin, gjithësia shndërrohet në një akumulim pa formë dhe kuptim.
10. Kleriku atdhetar Sheh Hamid Kraja (1870 -1926)
Muharrem Shqarri
Hamid Kraja i përket atij brezi që jetoi dhe veproi në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe periudhën e parë të pavarësisë së vendit. Ai ka punuar dhe ka luftuar me të gjitha forcat e mundësitë e tij fizike dhe mendore duke u vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare. Ai ishte njohës i mirë i jurisprudencës, i ligjeve dhe kodeve zakonore, një teolog i shkallës së lartë, po ai ishte njëkohësisht dhe atdhetar i flaktë, që punoi me shpirt e me mendje për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje për të fituar dhe për të mbrojtur pavarësinë e vendit nga pushtuesit, që krijuan ndarje e përçarje deri brenda Islamit.
11. Paqja, bashkimi kombtar dhe IslamizmaF. Kraja
Kështu pra asht sheshit që ideja i njitimit të Zotit n’Islamizëm jo vetëm paraqet që Zoti asht Krijuesi i gjithë kombeve të botës, por gjithashtu dhe marrdhaniet e Tija me njerëz të ndryshëm e me kombe të ndryshme janë të njëjta. Prandaj një Humanity – njerzim – asht rezultati i doktrinës së nji Zoti. Siç u tha tani sipri, gjithë popujt janë të përmendun shpesh herë si nji komb i vetëm. Gjithashtu janë të përshkrueme edhe si anëtarët e nji familje të vetme. “O njerzi! Ne ju kemi krijue juve prej nji mashkulli e nji femne dhe ju kemi bamun juve fise dhe familje që të mundeni me njoft njeni tjetrin” (49:13). Në këtë familje njerëzore nuk ka nderim pse t’jetë prej nji krahine, as edhe çnderim mbi nji tjetër krahinë, as nuk asht ngjyra e nji populli as gjuha e tij nji provë e madhësisë së tij, siç e zbukuron edhe vet verseti: “Sigurisht ma i ndershëm në mes t’uej në sy të Zotit asht nji i cili asht ma i kujdesshmi i detyrës së tij” (49:13). Profiti i Shejt Muhamed, per me i forcue këto principe të shejta e të bazueme t’Islamizmës deklarojë me za të naltë në peligrimin e fundit – Haxhe-tul-vedan – që kombi i tij “Arabët nuk kishin sipërjoritet mbi jo Arabët”. Edhe Buharia na difton nji thanie të tij. “Në qoftë se nji negro skllav asht i emnuem me sundue mbi ju, ndigjonie dhe nënshtrojuni atij”.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...