Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 05, 2017 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Sëmundjet e shpirtit dhe trajtimi i tyre sipas Gazalit
Dr. Milud Hamidat
Abstrakt
Ndër shkaqet themeltare të sëmundjeve shpirtërore, ose sëmundjeve të zemrës siç i quan Gazali, është konflikti mes forcave të së mirës dhe forcave të së keqes, mes arsyes dhe mes instinktit, mes nevojës për kënaqësi dhe kërkimit të saj. Paralelisht me këtë, është dhe ndjesia e fajit në çastin kur u bindesh kërkesave të trupit dhe kur shkel urdhrat e arsyes. Që këtu lind stresi, tensioni, zemërata, agresiviteti, frika dhe hakmarrja. Sjelljet pësojnë çrregullim me t’u shfaqur emocionet e mësipërme. Me përsëritjen e tyre, ato shndërrohen në ves dhe zakon, të cilat e shtyjnë në sjellje të tjera e që kanë ndikim akoma më të thellë në shpirtin e njeriut.
2. Regjistrimet më të hershme në folklorin muzikor shqiptar (ca. 1650)
Bardhyl Demiraj
Abstrakt
Objekt i këtij punimi janë tri këngë folklorike shqip si pjesë e trashëgimisë në dorëshkrim të muzikologut ‘Alī Ufḳī (1610 – 1677 ?), të cilat i qëmtoi para do kohësh si të padeshifrueshme studiuesja e artit muzikor oriental Judith Haug, edhe pse për ndonjë syresh ishte më se e bindur se duhej të ishte shqip, meqë emërtohej si i tillë (: <ARNAVT. TURKI.>). Synimi i punimit tonë është sa i thjeshtë aq edhe domethënës. Është pikërisht përpunimi filologjik dhe botimi kritik i materialit gjuhësor shqip që përcolli natyrshëm kërshëria e saj me u përditësuar doemos me përmbajtjen e tyre. Dhe rezultati i këtij reaksioni zinxhir është po aq fatlum: trashëgimisë së kulturës shqiptare i shtohen tash do përmendore të reja me vlerë disafishe, meqë: a) kemi të bëjmë me regjistrimet deri sot me të hershme në folklorin muzikor shqiptar – aty rreth vitit 1650 (!) dhe b) tri këngë i përcjellim me tekstin shqip dhe me notacionin muzikor përkatës.
3. Fjalë e zbritun, Gjuhë e nâltsueme
Fatos A. Kopliku MS/MA
Washington DC
Abstract
Nëse kujtojmë klishénë italiane traduttore traditore (përkthyes tradhtar), ajo na tregon për pamundësinë e përkthimit të përsosur të çfarëdo teksti, e aq më tepër të një teksti të shenjtë me shtresime kuptimesh. Studiuesi A. J. Arberry me të drejtë e pat quajtur përkthimin e tij të Kur’anit ‘interpretim’ – Koran Interpreted – dhe në hyrje shprehet kështu: “Retorika dhe ritmi i arabishtes së Kur’anit janë aq të veçanta, aq të fuqishme, aq tronditëse, saqë, për nga vetë natyra e gjërave, çdo version [përkthimi] doemos do të jetë vetëm një kopje e gjorë e madhështisë shkëlqyese të origjinalit.” Kjo s’do të thotë se Kur’ani nuk duhet përkthyer në tjetër gjuhë – në fakt krejt e kundërta – por duhet që përkthyesit të jenë njohës të shkëlqyer të gjuhës së Kur’anit dhe asaj në të cilën përkthehet, të traditës shumë të pasur të komentimeve, nuancave, e konteksteve të fjalëve e vargjeve, ndërsa duhet të kihet gjithmonë parasysh se “të gjithë përkthimet përfundimisht janë vetëm qasje”.
4. Një vështrim në familjen ligjore islame.
Aspekte juridiko – penale të mbrojtjes të së drejtës së pronës.
Prof. asoc. doc. dr. Engjëll Likmeta
Qemal Likmeta
Abstrakt
Legjislacioni është një nga themelet më të rëndësishme të familjes ligjore islame. Ligji islam ka të bëjë me vënien në praktikë të mesazhit islam që synon drejtësinë dhe paqen, pavarësisht nga vendi apo koha në të cilën jetojmë. Thelbi i mesazhit islam është ndërtimi me dashuri e pastërti i urave të dialogut të lirë dhe të respektuar në mes të dërguarve të Zotit dhe të kundërtave të tyre në fe. Islami, në vetvete, është një dialog i lirë, i moralshëm dhe logjik, që ndër të tjera sanksionon mospërdorimin e veprimeve kriminale në asnjë aspekt jetësor, duke sanksionuar me të drejtë se “Nuk ka dhunë në fe”. Ndaj, të jesh mysliman, nga një këndvështrim, është më e vështirë, kërkon më shumë përgjegjësi, por edhe po aq delikatesë dhe lartësi, sepse krahas respektimit të parimeve shoqërore, kërkohet dashuri dhe mirëkuptim, dhembshuri dhe butësi, krahas durimit dhe tolerancës kërkohet dije, vullnet, urtësi, ekuilibër, si dhe aftësi sintetizuese e sendërtuese.
5. Idetë pedagogjike në krijimtarinë letrare dhe veprimtarinë aplikative te Mehmet Akif Ersoj
Prof. dr. Musa Kraja
Abstrakt
Synimet edukative të Mehmet Akifit, në drejtim të moralit, të familjes, sidomos për virtytin etj., të kujtojnë edhe një nga fushat kryesore që synonte edhe pedagogu gjerman i nivelit botëror, Herbart, pikëpamjet pedagogjike të të cilit, edhe pse janë mbi dy shekuj përpara, depërtuan më vonë te ne, në Shqipëri, në vitet 1920-1937, kur u bënë edhe dominuese në arsimin tonë, sepse i sollën studentët tanë të atëhershëm, në Austri.
Duke ngulmuar për edukimin atdhetar të breznive të reja, ai e shtronte çështjen më gjerë, te morali, ruajtja e tij e shëndoshë dhe përmes tij, si pjesë shumë e rëndësishme, të nisej nga themeli, familja. Funksionimi i mirë dhe i shëndoshë i kësaj qelize bazë të shoqërisë, do të na çojë patjetër tek atdhedashuria në vështrim më të gjerë e konkret. Mehmet Akifi e donte dhe ka luftuar për Atdheun e vet Turqinë, si edhe e ndjente dhe përpiqej në të gjitha mënyrat ta ushqente këtë edhe për Shqipërinë, dhe të qenët shqiptar e theksonte pa mëdyshje, me gojë e me shkrim, madje edhe në poemat e tij.
6. Aspekti islam në poezi
Msc. Entela Hidri
Abstrakt
Poezia është një ndër llojet më të bukura të letërsisë dhe të artit të fjalës. Theksi në aspektin fetar, për mua, ka rëndësi të veçantë, sepse i jep një tjetër prioritet poezisë. Trajtesa e krijimit poetik si një krijim pasqyrues i krijimit të Zotit, i jep vlerën e mistikes dhe shpirtërores kësaj poezie. Cilësia e poezisë si tekst është, se ajo i prek të gjitha dimensionet e jetës. Pra poezia trajton çdo tematikë dhe çdo hapësirë të mendimit. Është një ndër llojet më të vështira e më të ngritura letrare.
Poezia gjen një rrugë për t’u qasur drejt shpirtit. Ajo, me anë të mistikes, përqaset me vetë krijimin e zotit, jo për t’u krahasuar, por për të lavdëruar Krijuesin dhe krijimin e Tij universal dhe unik. Bukuria e fjalës poetike nuk vjen nga vetja, e pikërisht këtu konsiston edhe mistikja. Kjo poezi i ka të gjitha elementet strukturore të llojit letrar të poezisë që nga figuracioni, ritmi, rima e çdo detaj… Elementi mistik i jep asaj një vlerë të shtuar. E pikërisht ajo rrymë letrare, e cila i dha prioritet trajtimit të tematikës dhe të elementit mistiko-fetar, ishte letërsia e bejtexhinjve.
Tematikat e kësaj poezie variojnë nga temat rreth Zotit, moralit, etikës, respektimit njerëzor, etj.
Mirëqenia e botës estetike të një poezie të mbështetur në elemente të mistikës-fetare islame, kishte një vlerë të veçantë si në aspektin social, ashtu edhe në aspektin artistik. Mbeten për t’u shqyrtuar edhe krijimtari të tjera të cilat e vlerësojnë dhe e përdorin elementin fetar.
7. Kontributi i Piri Reisit dhe Evlija Çelebiut në zhvillimin e shkencës së gjeografisë
Msc. Artan S. Mehmeti
Abstrakt
Gjatë jetës së tij Piri Reis dha një kontribut të madh për shkencën e gjeografisë dhe hartografisë. Në kohët moderne ai është i njohur për hartat dhe grafikonet, të cilat i ka botuar në librin më titull “Kitab-ı Bahriye”. Ky libër gjithashtu përmban informacione të detajuara mbi navigacionin, si dhe grafikone shumë të sakta (për kohën e tyre), duke përshkruar porte dhe qytete të rëndësishme në Detin Mesdhe. Ai fitoi famë si hartograf, ku një pjesë e vogël e hartës së tij për botën (të punuar më 1513), u zbulua në vitin 1932 në pallatin Topkapi në Stamboll. Harta e tij për botën, është harta më e vjetër në atlaset turke, e cila tregon Botën e Re. Kjo hartë gjithashtu është një nga hartat më të vjetra për Amerikën që akoma ekziston diku (harta më e vjetër për Amerikën që ende ekziston është harta e punuar nga Juan de la Cosa në vitin 1500, e cila ruhet në Muzeun Detar (Museo Naval) të Madridit në Spanjë). Hartat e tij janë të përqendruar në Sahara dhe gjerësinë e tropikut të gaforres.
8. Profilet e Islam Dizdarit si pedagog, studiues dhe qytetar shembullor
Prof. dr. Vehbi Hoti Prof. dr. Njazi Kazazi
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Abstrakt
Ata ishin predikues dhe studiues, hartues tekstesh dhe autorë botimesh, përkthyes, poetë e gjuhëtarë, leksikografë e etnografë, teologë e historianë të kulturës islame, mësues dhe edukatorë, organizatorë dhe drejtues të institucioneve fetare dhe arsimore. Secili është paraqitur me individualitetin e vet, por tre motive i bashkojnë në një synim e veprimtari të përbashkët: – besimi në Zot dhe devocioni e përkushtimi fetar, – dashuria e palëkundur për atdheun, – pasioni i thellë për dije dhe kulturë. Synimi madhor i jetës së tyre, siç e ka shprehur me shumë qartësi Sheuqet Muka, ka qenë që: “Myslimanet e Shqiperisë duhet të jenë ma të zhvilluemit e myslimanëve të botës, për arsye se janë të Europës. Prandaj ato duhet të shkojnë përpara për me u mbajtë si element i gjallë e perparimtarë në kërthizë të Europës”.
9. Zoti dhe Evolusioni
Abstrakt
Atheizma e thiesht, e cila mohon Zotin, asht nji fenomen i rrallë edhe gjithmon ka me qenë kështu. Porse atheisma e asaj lloje, e cila e len Zotin jashta mejtimit të saj per boten, âsht shum ma e zakonshme. Ka shum theorina per gjithesin (universin) q’ e lanë jashta Zotin. Tashi un tue folum per atheizmen dhe theorin e saj per universin, due të them ate lloj atheizme, e cila në mënyren e mejtimit të saj len jasht edhe nuk njef nji Qenie sypreme e perfekte (e plotësueme), e cila asht pa kufi e ditsheme, shenjte edhe e mirë; ate lloj atheizmi, i cili nuk di ndonji gja per nji Zot personal i vehte-ditshem, i cili asht mbi të gjitha, neper të gjitha dhe në të gjitha, por se kujton nji gja (Zot) që nuk asht as arbitrar, gjakmares, i keq, as indiferent më të miren e krijatyrave të Tija; por se don gjith të mirët e të keqijt; të shenjtet e fajtoret; të mençëmit e të marët. Atheismi duhet të kujtonj se universi ka ekzistue gjithmonë. Universi ose ka qenë i krijuem prej nji qenjeje ma të madhe se vehtja e saj, ose e ka ba vehten vet ose ka qenë gjithmonë kështu. Tashi, tue qenë se atheisti mohon se universi âsht bâ prej nji qenjeje ma të madhe, atëhere pika e parë mbetet jashta pyetjes. Por se ai (universi) vehten s’ mundet t’ a ket bá, se per me e bâ vehten lypset të ket eksistue edhe se per m’ u bâ prej vehte-vehtes duhet të ket qenë e pa eksistueshme. Pra si kunder që shifet kjo theori kujton, në të njajten ças se bota qe edhe nuk qe e prandaj asht në kontradiksion (kundrshtim). Atëhere pra mbetet alternativa e tretë d. m. th. që bota gjithmonë ka qenë edhe kete e mbesojnë (aq sa e di un) tanë atheistat. Kemi me pa se ç’ riedh prej kësaj.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...