Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 07, 2016 Zani i Nalte Personalitete 0
nga Prof. dr. Vehbi Hoti & Prof. dr. Njazi Kazazi
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Abstrakt
Ata ishin predikues dhe studiues, hartues tekstesh dhe autorë botimesh, përkthyes, poetë e gjuhëtarë, leksikografë e etnografë, teologë e historianë të kulturës islame, mësues dhe edukatorë, organizatorë dhe drejtues të institucioneve fetare dhe arsimore. Secili është paraqitur me individualitetin e vet, por tre motive i bashkojnë në një synim e veprimtari të përbashkët: – besimi në Zot dhe devocioni e përkushtimi fetar, – dashuria e palëkundur për atdheun, – pasioni i thellë për dije dhe kulturë. Synimi madhor i jetës së tyre, siç e ka shprehur me shumë qartësi Sheuqet Muka, ka qenë që: “Myslimanet e Shqiperisë duhet të jenë ma të zhvilluemit e myslimanëve të botës, për arsye se janë të Europës. Prandaj ato duhet të shkojnë përpara për me u mbajtë si element i gjallë e perparimtarë në kërthizë të Europës”.
Prof. Islam Dizdari (kështu e thërrisnin të gjithë) është një ndër “pionierët” e arsimit në rrethin e Shkodrës.
Mësues, pedagog, drejtues shkolle dhe punonjës arsimi shembullor. “Mësues i merituar” (1993).
Nga të gjithë ata që e njohin, ai vlerësohet si një shkodran me humor të hollë, për dashurinë ndaj profesionit dhe për shpirtin praktik të përhershëm, gjithnjë në kërkim të së mirës dhe të së resë.
U lind në qytetin e Shkodrës më 1934.
-Mbaroi shkollën pedagogjike “Shjenaze Juka” në vitet 1948-1952.
-Mbaroi Universitetin e Tiranës në Degën Gjuhë Shqipe-Letërsi në vitet 1954-1958.
Punësimi:
-Filloi punën në shkollën “10 Korriku” në vitin 1952 dhe vazhdoi si mësues e nëndrejtor në shkollën “7 Nëntori” (“Ismail Qemali”) në vitet 1952-1957.
-Zëvendësdrejtor në shkollën “Xheladin Fishta”, 1957-1961.
-Drejtor i Kabinetit Pedagogjik në Shkodër, 1961-1972.
-Pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”, 1972-1984.
-Për shumë vite ka qenë anëtar i Këshillit Shkencor të ILP dhe sekretar i redaksisë së “Buletinit shkencor”, organ i këtij instituti.
-Mësues në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”, 1984-1987.
-Pedagog i jashtëm në USH “Luigj Gurakuqi”, 1991-2005.
-Drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, 1995-1999.
– Zëvendësdrejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Dega e Vajzave, 2004-2005.
-Gjatë viteve në drejtimin e Medresesë, të djemve dhe vajzave, ka udhëhequr me kompetencë shkencore punën mësimore-edukative në të gjitha drejtimet.
-Profesor Dizdari, i nderuar nga të gjithë, punoi me të njëjtin përkushtim e devotshmëri dhe pati të njëjtin ritëm të lartë në punë në të gjitha klasat e shkollës 7-vjeçare, të mesme dhe deri në universitet.
Profesor Dizdari është autor dhe bashkautor i shumë kumtimeve, referimeve e studimeve të botuara në organe të ndryshme (brenda dhe jashtë vendit); rreth 105 të tilla të botuara në organe të ndryshme si: “Arsimi popullor” (“Revista pedagogjike”), “Mësuesi” “Buletini shkencor i ILP” (Universiteti i Shkodrës “L. Gurakuqi”) “Shkolla fillore”, “Jeta e re”, “Pionieri”, “Zëri i rinisë”, almanaku “Shkodra”, “Shqiptarja e re”, “Nëntori”, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, “Gjuha shqipe dhe letërsia në shkollë”, “Drita e Dijes”, “Lemba”, “Univers”, Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj” (vite të ndryshme), “Perla”, “Edukata Islame”, “Etika” etj.
Po kështu është autor e bashkautor në shumë vepra , si më poshtë:
Pa u zgjatur autorët në pjesën e parë paraqesin jetën dhe veprimtarinë e H. Sabriut; në pjesën e dytë paraqiten intervistat që ka dhënë në organe të ndryshme; në pjesën e tretë fjalime, biseda, përshëndetje; në pjesën e katërt jepen vlerësime dhe përfundon me veprimtaritë që janë bërë për Hafiz Sabri Koçin.[1]
Është redaktor dhe bashkautor në botimin “Shefqet Muka-“Mësues i Popullit”, figurë e shquar atdhetare, arsimore dhe kulturore” (Në bashkëpunim me Faik Lulin), Shkodër, 1997.
Po paraqesim kumtimin e prof. dr. Vehbi Hotit mbajtur në veprimtarinë shkencore të organizuar në provimin e librit, maj 1998.
“Në kujtim të brezave” – (Një enciklopedi e kulturës islame dhe e jetës shpirtërore të popullit shqiptar), enciklopedi e cila duhet të ishte shkruar 50 vjet më parë, kur shumica e personazheve jetonin, kur librat dhe botimet e tyre mbushnin raftet e shtëpive të bibliotekave dhe institucionet fetare, që ato drejtonin, ishin ende në këmbë. Studimi “Në kujtim të brezave”, i përgatitur nga Faik Luli, Islam Dizdari dhe Nexhmi Bushati do të ishte quajtur rrjedhë e një pune normale në kushtet e normalitetit të jetës politike, qytetare dhe fetare.
Sot, për të arritur në këtë botim, për rrethanat që tashmë dihen, si dhe për shtrirjen kohore rreth 200 vjeçare të problemeve që trajtonin, mund të themi, pa e tepruar, se autorët kanë bërë një punë me të vërtetë shembullore, sa të bollshme e rraskapitëse, aq dhe dinjitoze e me vlera edukative e shkencore.
Të 40 personalitetet që paraqiten në këtë botim mishërojnë në mënyrë organike cilësitë atdhetare e fetare, shkencore e kulturore, arsimore e qytetare.
Ata ishin predikues dhe studiues, hartues tekstesh dhe autorë botimesh, përkthyes, poetë e gjuhëtarë, leksikografë e etnografë, teologë e historianë të kulturës islame, mësues dhe edukatorë, organizatorë dhe drejtues të institucioneve fetare dhe arsimore. Secili është paraqitur me individualitetin e vet, por tre motive i bashkojnë në një synim e veprimtari të përbashkët: -besimi në Zot dhe devocioni e përkushtimi fetar, – dashuria e palëkundur për atdheun, – pasioni i thellë për dije dhe kulturë. Synimi madhor i jetës së tyre, siç e ka shprehur me shumë qartësi Sheuqet Muka, ka qenë që: “Myslimanet e Shqiperisë duhet të jenë ma të zhvilluemit e myslimanëve të botës, për arsye se janë të Europës. Prandaj ato duhet të shkojnë përpara për me u mbajtë si element i gjallë e perparimtarë në kërthizë të Europës”.
Secili nga intelektualët, klerik e jo klerik, që përfshihen në këtë botim, në mënyrën dhe stilin e vet, qe një krijues në prodhim, krijues në studim dhe në botim.
Parë në këndvështrimet e mësipërme, “Në kujtim të brezave” është një antologji e kulturës islame dhe e jetës shpirtërore të popullit shqiptar, veçanërisht të Shkodrës e të rrethinave të saj, me natyrën e një botimi enciklopedik të këtyre fushave. Njëherazi ai është edhe një bibliografi e pasur dhe një arkiv i gjallë ku studiues të fushave të ndryshme: të teologjisë, të historisë së kulturës islame e të historisë së arsimit, të gjuhësisë, të letërsisë e të folklorit, të tekstologjisë, të publicistikës, të historisë së Shqipërisë, etj., kanë një terren të gjerë e shumë të pasur studimi e hulumtimi.
Për këtë arsye, po ndalemi në kontributet që kanë dhënë në fushën e studimeve, përkthimeve dhe botimeve për të përhapur fenë islame, si dhe për të zhvilluar kulturën e shkencën shqiptare, personalitete që me aq mjeshtëri na paraqiten nga autorët “Në kujtim të brezave”.
Një kontribut të shquar shënon zhvillimi në gjuhën shqipe i një letërsie me përmbajtje fetare islame, trajtimi i problemeve të filozofisë, të kulturës e të edukatës islame.
Një kolanë e plotë literature lindi dhe u frymëzua nga personaliteti i Profetit (a.s.), jeta, veprimtaria, këshillat e porositë e tij. Mbi këtë bazë u hartuan dhe u botuan mevlude, hadithe dhe ilahi.
Gurin e parë në krijimin e traditës shqiptare në këtë fushë e hodhi H. Ali Ulqinaku.
Në vitin 1873, duke përkthyer nga turqishtja në shqip me alfabet arab mevludin me titull “Përkthimi i Mevludit në gjuhën shqipe”, i cili, së bashku me përkthime të vargjeve filozofike e të disa njohurive fetare, u botua në një libër të vetëm në Stamboll në vitin 1887. Është një përkthim me mjaft shtesa, përpunime e vargje origjinale të H. Ali Ulqinakut, i ribotuar me alfabetin e sotëm të shqipes, në vitin 1936, me titull “Mevludi Sherif”, ai këndohej në xhami e në shtëpi. Mevludi i H. Ali Ulqinakut u përfshi në botimin “Pesë Mevlude në gjuhën shqipe”, botuar më 1991 në SHBA nga Imam Vehbi Ismaili. Edhe Sheh Ahmet Shkodra botoi një Mevlud, fillimisht me alfabet arab, më 1926 e riboton me alfabet latin, duke u pasuar nga një botim i tretë i ripunuar dhe i lehtësuar nga orientalizmat, më 1980 në Nju Jork.
U bënë disa përkthime të Sures Jasin nga Kur’ani, në tre raste të caktuara edhe me komente (Sh. Muka, E. Myftia) si dhe disa botime të Haditheve të Pejgamberit (E. Myftia, V. Ismaili).
Në hartimin e Ilahive, vjersha me përmbajtje fetare, shpesh të gërshetuara edhe me tematika atdhetare e politiko-qytetare u shqua në mënyrë të veçantë Sheh A. Shkodra me botimet “Drita e gjithësisë”, “Zani i Dërvishëve”, “Këshilli i Atdheut”, etj. Ndër këto ilahi me ndenja të thella atdhetare bënte thirrje:
“Pse nuk jena nji me fe /
Jena vllazen për atdhe /
…Sille komvedin mbarë /
Banu atdhetare /
Puno për kombesi /
besim dhe liri /.
Një vend qendror “Në kujtim të brezave” e zë kontributi i personaliteteve të shquara, me studime, botime origjinale e me përkthime, rreth filozofisë edhe bazave të Islamit, të historisë së fesë islame dhe të përhapjes së tij ndër shqiptarët.
Këtu mund të radhisim: “Shkurtorja e historise islame marrur prej autoreve të përmendur” dhe “Shkodra dhe motet” (H. Bushati ), “Shtyllat themelore të tarikatit Tixhani” (H. Tahsini), broshura polemizuese “A duhet feja? A e pengon bashkimin kombetar” (H. Ali Tari), 10 klerat e Imam Vehbi Ismailit “Islamizmi dhe lutjet”, “Muhamedi – Profeti islam”, “Muhamedi – Profeti i fundit”, “Studime islame”, “Një tufe lule – tregime nga historia islame”, “Dritë nga Kur’an-i”, “Imeri pranon fenë islame”, “Bilali – muezini i Profetit a.s.”, etj.
Apo botimet e H. Vehbi Gavoçit si “Si dhe pse”, “Parimet e islamizmit”, “Jeta e Profetit Muhamed”, “Shtyllat e besimit”, “Hallalli dhe Harami”, “Ninimi i muajit të Ramazanit”, “Shtyllat e islamizmit” etj.
Kësaj tematike iu kushtua një veprimtari shumë e gjerë me përkthime në gjuhën shqipe si përmbledhja: “Njeriu islam” (I. Bulaj), “Një pyetje dijetareve myslimanë dhe përgjigjia e Abdullah Guilhamit” (H. Bushati), broshurat e përkthyera nga V. Ismaili: “Feja islame”, “Në skajet e historisë”, “Muhamedi – Profeti njeri”, “Banorët e shpellës”, “Tregime nga feja islame”, “Muhamedi (a.s.)”, “Mrekullia e madhe”, vepra të përkthyera e të përgatitura për botim nga I. Muçej: “Feja dhe misioni i saj”, “Pse përqafova islamin”, “Pohime të një spiuni anglez”, “Rendi i ri i historisë” dhe “Si arriti Kur’an-i deri në ditët tona”.
Për t’i dhënë shtytje zhvillimit kulturor e arsimor të besimtarëve dhe për t’i hapur udhë në mënyrë graduale futjes së shqipes në liturgjinë islame, personalitetet e përfaqësuara në “Në kujtim të brezave” punuan me shumë përkushtim për hartimin, përkthimin, apo përshtatjen e alfabeteve, abetareve, gramatikave e teksteve mësimore.
Kësaj fushe i paraprin botimi më 1861 i veprës “Alfabet shqip” me shkronja turqishte nga Daut Boriçi me synimin që të ndihmonte shqiptarët për të mësuar gjuhën shqipe. Pas ribotimit në vitin 1869, D. Boriçi hartoi “Abetare shqip” të ndryshuar nga botimi i parë, ku u shpalos synimi i tij me fjalët: “… shqiptari, me menyren e shkronjave qe kam kallzue ne alfabetin shqip, brenda pak kohe mundet me shkrue në gjuhen e vet”. Më 1881 D. Boriçi harton një version të ri të veprës “Abetare shqipe”, me mjaft ndryshime nga të mëparshmet. Gjithashtu ai la në dorëshkrim një “Gramatikë shqipe”, me njohuri të përgjithshme mbi emrin, numrin, gjininë, etj. Me këto synime edhe H. Ali Ulqinaku hartoi një abetare shqipe me shkronja arabe; mbi bazën e një alfabeti që e krijoi vetë me 40 shkronja nga të cilat 30 bashkëtingëllore dhe 10 zanore; të shoqëruara me ushtrime për praktikimin e tyre. Vite më vonë, më 1916, Sh. Muka do të na lejë në dorëshkrim “Abetare për të vegjël” me 30 mësime për gjuhën shqipe, shkruar me alfabetin e Kongresit të Manastirit.
Pas shpalljes së Pavarësisë, me krijimin e strukturave të Komitetit Mysliman, lindi nevoja e hartimit të teksteve, të mësimit të besimit për nxënësit e shkollave.
Ndër të parët që hodhën hapin në këtë lëmë qe Sheuqet Muka, i cili në periudhën 1923-1927 hartoi e botoi tre tekste të tilla (Ilmihal). Njëri prej tyre “Dijeni praktike besimtare” ishte jo vetëm për nxënës të shkollës fillore, por edhe për mosha më të mëdha, që nuk ndiqnin shkollat. Vlerë të veçantë shkencore-pedagogjike ka punimi i tij, i bërë më 1920 “Pasqyra e nxanesit”, ku Sh. Muka, parashtron idetë e tij mbi rëndësinë e të mësuarit gjatë tërë jetës, mbi disiplinën shkollore, mbi rëndësinë e moralit dhe të formimit të ndërgjegjes së fëmijëve.
Me erudicionin e tij të njohur, Esat Efendi Myftia, hartoi tekstin shkollor “Historia e shenjtë islame”.
Mësimeve të arabishtes në shkollat fetare në vendin tonë i shërbeu botimi dhe ribotimi disa herë i “Abetares se gjuhes arabe” të hartuar nga H. Tahsini.
Një tjetër kontribut në drejtimin studimor e shkencor e përbën hartimi i fjalorëve dhe i metodave të studimit të gjuhëve të huaja. “Fjalori turqish-shqip” me autor D. Boriçin, që ruhet në dorëshkrim në Arkivin e Shtetit, pasohet nga tre fjalorë të hartuar nga H. Ali Ulqinaku: të parin turqisht-shqip në vargje, të dytin shqip-turqisht me rend alfabetik dhe të tretin, po me këtë kriter, shqip-turqisht.
Të tre fjalorët e H. Ali Ulqinakut kanë 1334 faqe ku vetëm fjalori i tretë ka 9021 fjalë. Kësaj fushe i kushtoi mjaft mund e djersë edhe Esat E. Myftia, i cili hartoi tre fjalorë doracakë arabisht-shqip, frëngjisht-arabisht dhe fjalë ndërkombëtare – shqip, përpiloi një metodë për mësimin e arabishtes dhe bëri studime për terma arabisht, turqisht e persisht, që kanë hyrë në gjuhën shqipe.
Me një punë këmbëngulëse, 20 vjeçare, Ismail H. Muçej ka hartuar dy fjalorë:
Arabisht-shqip me 45.000 fjalë e 20.000 shprehje, si dhe shqip-arabisht me 25.000 fjalë e 30.000 shprehje, të cilët po të gjejnë rrugën e botimit arrijnë në 3300 faqe libri.
Përveç këtyre dy fjalorëve, I. H. Muçej ka përkthyer nga gjermanishtja një metodë për të mësuar gjuhën arabe duke u mbështetur në kritere didaktike e pedagogjike.
Kontribut me vlerë paraqesin publicistika dhe përkthimet me karakter fetar, politiko-shoqëror, historik, edukativ, gjuhësor, moral, etj. Në këtë kuadër, duhen vlerësuar në mënyrë të veçantë përpjekjet e bëra për t’i dhënë besimtarëve myslimanë Kur’an-in në gjuhën shqipe, për të cilin një meritë të veçantë kanë: H. H. Ibrahim Kaduku, Hasan Tahsini dhe Jonuz Bula(e)j.
Vlen të theksohet fakti se H. Sheh Shamia ka bërë një përkthim në frëngjisht të KUR’AN-it, në vitet kur ai jetonte në Francë.
“Në kujtim të brezave” ka personalitete me kontribute aq të gjera e të shumanshme në fushën e studimeve, të përkthimeve, të krijimeve e të botimeve sa mund të themi se, puna e tyre, normalisht, mbulon veprimtarinë e një sektori shkencor. Mjafton të ndalemi pak më gjerë siç kemi thënë, te puna e realizuar nga Hamdi Bushati dhe Tahir Dizdari.
Krahas veprës madhore “Shkodra dhe motet” dhe mbi “Bushatllinjtë”, H. Bushati la në dorëshkrim studimet: “Mbi zakonet e jetës shoqërore të tre besimeve në Shkodër”, “Gjendja arsimore e Shqipërisë nën pushtimin turk”, “Vështrim historik mbi përhapjen e feve e veçanërisht të islamizmit në Shqipëri”.
Ai ka realizuar edhe mjaft përkthime me tematika historike, kulturore e fetare si: Jetëshkrimet mbi vezirin Abedin P. Dibra e ministrin e luftës Rexhep P. Matja, materiale të panjohura për P. Vasën e I. Qemalin, një pjesë e mirë të krijimtarisë së S. Frashërit, ndër të cilat broshurat: “Gratë”, “Njeriu”, “Qytetërimi islam”, “Mithet”, “Qielli”, “Toka”, vepra “Psikologjia” e Hasan Tahsinit, punimet: “Ngjarje në Prizren”, “Shkaqet e ngjarjeve të Lumës”, “Kryengritja e malësorëve të Shkodrës”, “Dokumente mbi luftën e Ulqinit e mbrojtjen e Shkodrës (1912 – 1913)”, “ Kanunet e Malësisë”, etj.
Po kështu studiuesi Tahir N. Dizdari, pas studimeve të para mbi problemet e organizimit e të funksionimit të pushtetit lokal në periudhën e paraçlirimit dhe të angazhimeve në publicistikë, i hyri një pune të gjerë dhe të thellë studimi dhe botimi në fushat e etnografisë, leksikografisë, gjuhësisë, folklorit, etj., duke na lënë trashëgimi veprat madhore: “Orientalizmat në gjuhën shqipe” dhe “Fjalë të pa mbledhura nga fjalorët e deritanishëm”, “Studimet”, “Kraja” dhe “Katër Balet”, 800 faqe me këngë popullore, gjëegjëza, fjalë të urta, toponime të mbledhura me shumë kujdes për vite të tëra.
Siç shihet, autorët e zellshëm e të palodhur F. Luli, I. Dizdari dhe N. Bushati, nëpërmjet librit “Në kujtim të brezave” i japin jetë një trashëgimie shumë të çmuar në fushën e studimeve dhe të botimeve, të kulturës islame dhe të kulturës kombëtare shqiptare. Vepra e tyre na kumton një mesazh madhor. Intelektualët e shquar që ata na paraqesin me tërë jetën dhe veprimtarinë e tyre mishëruan porosinë profetike: “Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr”.
(Prof. dr. Vehbi HOTI, Dekani Fakulteti i Ciklit të Ulët, Universiteti i Shkodrës “L . Gurakuqi”)
Prej kohësh lexuesit shqiptarë kanë në dorë një vepër enciklopedike të vëllimshme (rreth 700 faqesh), me vlera të gjithanshme: atdhetare, islame, kulturore, shkencore, historike dhe edukative. “Mevludet në gjuhën shqipe” është produkt i punës plot pasion, vullnetit të paepur dhe mendimit shkencor të dy autorëve, prej kohësh të njohur në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare Faik Luli dhe Islam Dizdari. Pas një bashkëpunimi të frytshëm, dalin para auditorit shkencor dhe më gjerë me këtë botim gjithëpërfshirës, i pari në llojin e vet kaq i kompletuar, monografik-antologjik, me përmasa enciklopedike duke i bërë “…një shërbim madhështor literaturës fetare islame në veçanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi”. Nuk duam të zgjatemi, por theksojmë se në historikun e Mevludeve mësojmë se në “…botën islame filluan të paraqiten që në shek. X theksojnë autorët në librin e tyre”. Numri i mevludeve në turqisht e veprave në lidhje me to, arrin në rreth 200 dhe i autorëve 60 në gjuhën turke.
Në vazhdim paraqesim autorët e 20 mevludeve shqiptare, si: Hasan Zyko Kamberi, Ismail Floqi, Hafiz Ali Ulqinaku, Tahir Efendi Popova, Mevludi Çam, Hafiz Islam Çelebiu-Nekofci, Mehmet Ef. Saliu, Hafiz Ali Korça, Shefki Hoxha, Hafiz Abulla Zëmblaku, Sheh Ahmet Shkodra etj.[2]
Prof. Dizdari ka zënë një vend të merituar në “Fjalorin Enciklopedik të hapësirës Shkodrane-1” të autores Dr. Zenepe Dibra[3].
Profesor Islami ishte pedagog i shkëlqyer, që hap pas hapi, u shqua mes kolegësh duke arritur shkallë të larta të formimit gjuhësor dhe letrar të studentëve në të gjitha fushat e dijes. Ai përmendet si historian i arsimit në Shkodër, e më gjerë, por edhe bibliograf, redaktor, lektor, etj. Tek ai janë të kombinuara bukuria shpirtërore me atë fizike.
Po ta shohim punën e Prof. Dizdarit, (siç është theksuar edhe kur kemi botuar shkrimin për “Doctor Honoris Causa” dhe “Mësuesin e Popullit”[4]) ajo është e pandarë nga bashkëpunimi me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij Z. Luli, me të cilin duken kurdoherë bashkë “si vëllezërit siamezë” nga bashkëkohësia e vlerave, interesave intelektuale, studimore e shkencore dhe botuese.
Profesor Islami është njohës dhe vlerësues i kulturave të ndryshme të Lindjes dhe Perëndimit.
[1]. Marrë nga libri: “Faik Luli-Jeta dhe veprimtaria” i autorëve: I. Dizdari, Nj. Kazazi, I. Hoti, A. Mesi. Shkodër, 2006, f. 77-79.
[2]. Shih më gjatë në revistën “Univers”: Prof. dr. Njazi Kazazi në Nr. 11, 2009, f. 158-167.
[3]. Dr. Zenepe Dibra, EBP “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2015, f. 299-300.
[4]. Faik Luli, botuar në revistën “Mësuesi”, nr. 5, viti 2015, f. 28-29.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...