Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Aug 08, 2016 Zani i Nalte Studime 0
nga Resul Rexhepi, Bashkësia Islame e Kosovës
Të shkruash një fjalë me rastin e ribotimit të kolanës së revistës “Zani i Naltë”, që mbetet një nga veprat monumentale, dëshmi e një pune kolosale të një brezi të shquar të mendimtarëve fetarë shqiptarë, e realizuar në një kohë historike e domethënëse për shtetësinë dhe kombin shqiptar, është nder dhe privilegj, por edhe përgjegjësi, sepse duke dashur që t’i përzgjedhësh fjalët, shumë gjera mbesin pa u thënë.
Sidoqoftë, risjellja për lexuesit në këtë format e “Zanit të Naltë”, është e një rëndësie të veçantë dhe shumë domethënëse, sepse përveç se na mundëson të njohim punën e vlefshme të paraardhësve tanë, po ashtu na mundëson që ta vlerësojmë drejt e objektivisht frymën, pikëpamjet dhe qëndrimet e Komunitetit Mysliman Shqiptar karshi problemeve dhe nevojave të kohës, të shprehura përmes organit të tyre që i dhanë një emër sa simbolik po aq edhe domethënës “Zani i Naltë”.
Shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe ndërtimi i institucioneve të tij, u shoqërua edhe me formimin e një infrastrukture përkatëse socio-kulturore. Strukturat e mëparshme tashmë kishin perënduar, ndërsa në realitetin e ri shtetëror kërkoheshin zgjidhje të reja. Komunitetit Mysliman Shqiptar, pas shpalljes së shkëputjes nga struktura paraprake më 1921, në shtetin e ri shqiptar u konstituua si strukturë e plotë më 1923, pikërisht në një fazë të krizës institucionale e morale që e përjetonte përgjithësisht bota shqiptare dhe veçmas besimtarët islamë si pjesë dërrmuese e saj. Bazuar në Statutin e miratuar të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe veçmas në nevojat e mëdha të kohës për ta bashkuar elementin islam, për ta ngritur e rizgjuar nga plogështia e hutimi që e kishin kapluar, për ta organizuar sa më mirë e më mbarë jetën fetare në shtetin e ri, në tetor të vitit 1923, nisi botimi i të përkohshmes “Zani i Naltë”[1], e cila, përveç përmbajtjeve fetare, filozofike, morale, arsimore, kulturore, letrare dhe sociologjike, kishte për qëllim“…M’ia zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetën e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikume…, si dhe me plotësue vllazninë ndërmjet të gjithë elementeve në Shqipni”. Kjo me qëllim që, siç thuhet aty: “Me forcue themelet e nji politikes së shëndoshtë e të thjeshte kombëtare në Shtetin tonë”[2].
Konceptimi i këtillë shumëplanësh nga “Drejtimi” (lexo: Redaksia) del prej synimit për ndryshime rrënjësore në jetën kulturore e fetare të shqiptarëve. Këtij qëllimi dhe kësaj filozofie që nga numri i parë e deri në numrin e fundit që doli në vitin 1939, drejtuesit e revistës “Zani i Naltë” i mbetën besnikë dhe këto parime të shenjta e madhore i kultivuan të gjithë ata që e drejtuan dhe shkruan në “Zanin e Naltë”. Të prirë nga Ismail Maçi, drejtor i parë, së shpejti rreth kësaj reviste do të tubohen emra të shquar të islamologjisë, të kulturës dhe të dijes sonë kombëtare. Për 16 vjet të daljes, “Zani i Naltë” u kthye në njërën ndër revistat më të dalluara të kohës, e cila e pasuroi trashëgiminë tonë shkrimore me rreth 5000 faqe tekste të elitës sonë fetare, diturore e kulturore. Veç kësaj, nuk duhet lënë anash edhe karakteri informativ i kësaj reviste. Kështu, “Zani i Naltë” njoftonte lidhur me zhvillimet në jetën fetare e kulturore, lidhur me gjendjen e vakëfeve, për botimet e reja, për zhvillimet e ndryshme në vend e jashtë tij (Kosovë, Maqedoni), por që ishin me interes për lexuesit etj., ndaj me të drejtë mund të konsiderohet si njëra ndër kronikat e kohës.
“Zani i Naltë” është një ndërmarrje e projektuar nga njerëz të mëdhenj, nga atdhetarë e ulema vizionarë e largpamës, të cilët me punën e tyre dhanë kontribut të çmuar në shpjegimin e mësimeve të fesë islame drejtë dhe saktë dhe ndihmuan në bërjen e shtetit dhe në formësimin e kombit. Është ky brezi i artë i prijësve të shquar myslimanë që lanë gjurmë të pashlyera në historinë tonë fetare dhe kombëtare, si Haxhi Vehbi Dibra – Hoxha që dha fetvanë për aktin e shpalljes së Pavarësisë, e më vonë edhe themelues dhe kryetar i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ulematë e dëshmuar: Hafiz Ali Korça, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ali Kraja, Ismail Maçi, Jonuz Bulej, Haki Sharofi, Ferit Vokopola, Qazim Hoxha, Shevqet Dajiu, Shefqet Muka, Nebil Çika, Sali Butka, Hamid Gjylbegu e shumë të tjerë, pa lënë anash këtu edhe personalitetet e tjera të mendimit politik, kulturor e letrar, siç ishte Mit’hat Frashëri dhe bashkëmendimtarë të tjerë. Kjo ka bërë që edhe 90 vjet pas, shkrimet që janë botuar në “Zanin e Naltë”, të mbesin prore aktuale dhe të tingëllojnë si të jenë thënë sot.
Mirëpo, për shkaqe tashmë të njohura, që lidhen me ekskomunikimin e vlerave kombëtare që kishin përmbajtje ideologjike të ndryshme nga ajo e komunizmit, kjo pasuri e rrallë mbeti e panjohur për lexuesit tanë për dekada të tëra. Ndryshimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë krijuan rrethana për ta risjellë në vëmendje këtë traditë, e cila, për shkak se u vu në mesin e literaturës së ndaluar, mezi i mbijetoi kohës e në disa raste edhe si ekzemplar i rrallë. Nisur nga ky fakt, ribotimi i gjithë kolanës ishte një imperativ i kohës, ndonëse jo lehtë i realizueshëm, por gjithsesi tejet e nevojshme, si për njohjen e traditës së periodikut islam e kulturor shqiptar, ashtu edhe për faktin se shumë nga kontributet e kësaj periudhe mund të shërbejnë edhe sot si vlera referente, qofshin ato të sferës mendimtare, qofshin të sferës kulturore.
Vetëdija dhe emancipimi fetar dhe kombëtar
Duke shfletuar e lexuar faqet e revistës “Zani i Naltë”, lexuesi s’ka si të mos bindet se firmat e vëna në këto shkrime u përkasin atyre dijetarëve që qenë njohës të shkëlqyer të mësimeve të fesë, kulturës e qytetërimit islam. Ata, përmes revistës “Zani i Naltë”, këto njohuri, i shprehën dhe ua ofruan lexuesve shqipfolës. Mirëpo, drejtuesit e revistës “Zani i Naltë” dhe bashkëpunëtorët e tyre, përveç se njihnin mirë mësimet fetare, ata njihnin mirë edhe traditën dhe historinë tonë. Ata e dinin se për çka kishte nevojë dhe çfarë i duhej shpirtit dhe mendjes së popullit shqiptar në atë kohë. Ata ishin të bindur se ngritja e ndjenjës fetare dhe kombëtare në një kohë kur po sendërtohej kombi dhe po jetësohej shteti, ishte detyrim i tyre nga Zoti dhe nga gjaku. Prandaj, revista “Zani i Naltë” s’kishe si të ishte tjetër veçse projekt i kolosëve të binomit Fe e Atdhe. Pikërisht për këtë, nuk na habit fakti se themeluesit dhe penat e para të revistës “Zani i Naltë” qenë pjesëmarrës aktivë dhe patën rol aktiv në shpalljen e Pavarësisë, në krijimin e Shqipërisë së lirë e të pavarur, në themelimin e Komunitet Mysliman Shqiptar, dhe më pastaj krijimin e organeve dhe institucioneve të tjera, në nxjerrjen e të parës revistë islame në gjuhën shqipe. Ata, me mprehtësinë e lapsit, thellësinë e mendjes, motivimin hyjnor e atdhetar, kultivuan mësimet për njohjen e Krijuesit, edukimin shpirtëror, motivin për atdhedashuri dhe kultivim të gjuhës e të kulturës shqiptare.
Karakteri fetar dhe kombëtar i revistës del nga vetë pesë synimet e qarta programore, të botuara nën titullin “Parathanë e qellim”. Tri pikat e para kanë të bëjnë me angazhimin për bashkimin e myslimanëve shqiptarë, me përmirësimin e jetës institucionale islame në Shqipëri dhe me prezantimin e të vërtetave të këtij besimi, ndërsa në pikën e katërt shfaqet angazhimi i qartë për vëllazërim ndërmjet të gjithë elementëve kombëtarë, sigurisht duke e marrë parasysh strukturën heterogjene fetare, sociale dhe kulturore të shqiptarëve. Pika e fundit konsiston në forcimin e themeleve të një politike të shëndoshë dhe thjesht kombëtare të shtetit shqiptar. Edhe përmbajtja e numrave të revistës do ta dëshmonte këtë vijueshmëri konceptuale të organit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili emancipimin e shqiptarëve nuk e shihte si të veçantë dhe assesi duke ndjekur një rrugë të ndarë nga zhvillimet e tjera shoqërore[3]. Shumë çështje të trajtuara në faqet e “Zanit të Naltë” edhe sot janë aktuale dhe objekt trajtimi i autorëve të shumtë, ngase ato, si të tilla, janë të gjithmonshme. Interesant është fakti se ndër to ka edhe kontribute, të cilat e tejkalojnë kohën e shkrimit e të publikimit, duke u bërë pjesë e fondit më të çmuar të mendimit antologjik shqiptar. Përveç aspekteve të përgjithshme doktrinare – kuranore dhe të atyre që lidhen me historinë e përgjithshme të Islamit, autorët ofrojnë në faqet e revistës edhe raportet e “Muslimanizmës”, siç e quanin ata Islamin, me ideologji, struktura shoqërore, vlera kulturore e shoqërore, me kultura të veçanta etj., sikundër janë: nacionalizmi, aristokracia, qytetërimi, reforma, orientalizmi, vendi i gruas dhe roli i saj në shoqërinë myslimane etj., një vëmendje e madhe iu kushtohet edhe aspekteve të tjera jetësore, madje edhe aktuale për kohën, duke u përpjekur që lexuesit shqiptar t’i ofrohet një informacion sa më i plotë, sa më i argumentuar si burim dhe sa më i saktë si konstatim. Bie fjala, aty gjejnë vend trajtimet për ideologjitë ekstreme (njëkohësisht të papranueshme nga këndvështrimi islam), që sapo kishin nxjerrë krye atëbotë, përkatësisht për komunizmin dhe fashizmin, pastaj për fanatizmin si dukuri e dëmshme shoqërore. Për të dëshmuar se sa vëmendje i kushtohej ngritjes diturore e shpirtërore të shqiptarëve të asaj kohe, në një periudhë të demoralizimit global, “Zani i Naltë” bënte thirrje kundër fanatizmit si produkt i demoralizimit shoqëror: “Fanatizma âsht mâ i dâmshmi i demoralizimit sepse âsht katili i arsyes, sepse âsht një armik qi njeriut ja shkurton gjykimin e kuptimin… Fanatizma âsht armiku i çdo përparimi, sa mâ do të shpëtojm prej fanatizmës aq mâ shpejt do të gjytetnohemi”.[4] Sot flitet aq shumë për fanatizmin, shpeshherë edhe duke e identifikuar në mënyrë tendencioze vetëm në një sferë të jetës, apo vetëm si atribut të një grupi shoqëror dhe, fatkeqësisht, nuk e gjejmë kaq qartë të shkoqitur dhe të interpretuar si një dukuri që prek gjithandej shoqërinë.
Autorë dhe vlera kulturore kombëtare
Përveç konceptit programor të botuesit, mund të thuhet se një revistë e përbëjnë autorët e saj. “Zani i Naltë”, ndonëse i paragjykuar, herë më shumë e herë më pak, ka pasur autorët me të cilët është identifikuar, jo vetëm në tri vitet e para, por edhe gjatë gjithë daljes së tij.
Aspektet e teksteve diturore e kulturore janë vërtet të gjera, por ne do të mjaftohemi duke përmendur vetëm disa sosh në këtë tekst të shkurtër, me shpresë se lexuesi i sotëm do t’i kërkojë këta margaritarë të traditës sonë shkrimore. Së pari, do të veçoja tekstet lidhur me vlerën e rëndësinë e dijes, aspektet ekonomike të ringjalljes së Shqipërisë, pastaj me një vlerë emblematike vijnë tekstet që trajtojnë kulturën e të shprehurit (nalt-shkrimin)[5], fetvatë e ndryshme që prore tingëllojnë aktuale, rubrikën pyetje e përgjigje, rreth qytetërimeve, dhe veçmas shkrimet letrare. Vjershat e botuara te “Zani i Naltë” ishte e kuptueshme që kishin përmbajtje fetare, në të shumtën, por nuk duhet harruar as fakti se ka të tilla me motive atdhedashurie si dhe me aspekte të ndryshme sociale e psikologjike. Përmendim me këtë rast se në faqet e kësaj reviste më 1924 u botua njëri ndër shkrimet poetike më të bukura të letërsisë shqipe përgjithësisht, në të cilin mbizotërojnë tonet elegjiake. Fjala është për poemën “Vajtimet e Atdheut”[6] kushtuar bombardimit të Drenicës nga serbët, që mund të thuhet se përgjithësisht ishte ndër reagimet e pakta të asokohshme ndaj mizorive serbe.
Si përfundim
Iniciativa që kanë marrë tri komunitetet tona islame për “rikthimin” e “Zanit i Naltë” dhe atë t’ua ofrojë masës së gjerë të lexuesve, s’ka se si të mos përshëndetet dhe të konsiderohet si një nga ndërmarrjet më të duhura në kohën e duhur. Kompleti i “Zanit të Naltë” patjetër duhet që të zërë vend në bibliotekat tona, në bibliotekat e fakulteteve dhe medreseve tona dhe jo vetëm, dhe të na shërbejë si një mbështetje e fortë në rrugëtimin tonë drejt njohurive dhe të arriturave të reja.
[1]. “Zani i Naltë”, në: Fjalori enciklopedik shqiptar, autorë të zërit: Palok Daka, Maksim Gjinaj, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, vëllimi 3, Tiranë, 2009, f. 2976-2977. Autorët e këtij zëri, kanë një konstatim që nuk qëndron, kur thonë se në “Zanin e Naltë”, citojmë: “një pjesë e shkrimeve ishin arabisht” (f. 2976). Në fakt, e vërteta është se në asnjë numër të revistës nuk ka shkrime që janë në gjuhën arabe, përveç ajeteve të Kuranit dhe Haditheve (Thënieve) të Pejgamberit a.s. që janë dhënë në origjinal, por edhe kjo, jo gjithmonë është respektuar.
[2]. Drejtimi/Redaksia, Parathënie e qëllim, “Zani i Naltë”, nr. 1, 1 tetuer 1923, f. 3-6.
[3]. Më gjerësisht shih: Drejtimi/Redaksia, Parathënie e qëllim, “Zani i Naltë”, nr. 1, 1 tetuer 1923, f. 3-6.
[4]. Shih: Fanatizma, të autorit të nënshkruar me pseudonimin Lybeteni, “Zani i Naltë”, viti I, 11 gusht 1924, f. 337.
[5]. H. Korça (Hafiz Ali Korça), Përmbi naltshkrimin dhe përmbi vjershërimin shqip, “Zani i Naltë”, viti II, 2 prill 1925, f. 433-438 etj.
[6]. H. Korça (Hafiz Ali Korça), Vajtimet e atdheut, poezi, “Zani i Naltë”, viti I, 11 gusht 1924, f. 349-351.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...