Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Aug 16, 2016 Zani i Nalte Personalitete 0
Një personalitet madhor shqiptar i mesjetës – Iljas Bej Mirahori (1410-1512)
nga Hysen Kobellari, Ph.D.
Hyrje
Nga thellësitë e shekujve na vijnë shenja, të dhëna, fakte e dokumenta interesante për një personalitet të shquar e të rëndësishëm shqiptar dhe jo vetёm shqiptar, të periudhës së mesjetës – Iljas bej Mirahorin. Kjo figurë madhore, pak e ndriçuar nga historiografia jonë, por i përjetёsuar në memorien e popullit, i kalon caqet e historisë së një vendi, për nga ndikimi dhe veprimtaria e gjerё, e gjatë dhe e shumanshme në kohë dhe hapësira. S. Frashëri, N. Naçi, Ilo Mitkë Qafëzezi, P. Pepo, S. Pulaha, S. Ramo, etj., kanë dhënë informata me rёndёsi e të vlefshme për të ndriçuar sadopak këtë figurё sa shumëplanëshe, aq madhështore e tërheqëse. Janë me mijëra faqe dokumentash e shkresash që dergjen nëpër arkivat e Turqisë; në Arkivin e Shtetit në Tiranë, në fondin me emrin e tij, gjenden katër dekrete (fermanë) të Sulltanit, që u përkasin viteve 1484, 1496, 1497 dhe 1503; tregime, këngë e legjenda gjallojnë akoma në popull për jetën dhe veprat e tij; toponime, kufij, emra vendesh dhe objektesh e përkujtojnë edhe sot e kësaj dite, pas pluhurit qё lё pas harresa e shekujve. Pasuria e lënë prej Mirahorit ndodhet në disa vende të Ballkanit, ndoshta në dy kontinente; veprimtaria bamirëse dhe qytetёruese iluminuese e Iljas Beut është ndër të parat dhe ndër më të rrallat në kontinent; pasardhës të tij jetojnë ende në Korçë e gjetiu nën mbiemrin Myteveli, vëllezërit Frashëri kanë qenë nga nëna e tyre, stërnipër me famё, dijetarё e mёmёdhetarё tё dobishёm e tё njohur; një monument madhështor kulture dhe historie u ka rezistuar kohërave, Xhamia “Iljas bej Mirahori”, ndër më të vjetrat dhe më të bukurat në rajon; e mbi të gjitha një qytet i tërë, Korça, sa i lashtë, po aq edhe i ri, i bukur e bashkëkohor mban emrin e tij…
“Ilia ishte një fshatar trim me origjinë nga fshati Panarit që bënte pjesë në Kazanë e Përmetit, të varur nga Vilajeti i Janinës” (Sami Frashëri “Kamus-Ul-Alam”)
Nga të dhënat konkrete, për të cilat kanë rënë dakord të gjithë studiuesit, është qartësuar se Iljas bej Mirahori u lind në fshatin Panarit të Qarkut të Korçës, fshat i cili kufizohet me fshatra të tjerё tё rretheve Korçë, Kolonjë, Përmet dhe Skrapar. Pas pushtimit osman të krejt Ballkanit dhe të vendit tonë, në ekspeditat e viteve 1385 dhe 1431, fshati Panarit bënte pjesë në Ziametin e Çakderit, ose siç e quanin turqit Vilk-Ili (Pronat e Vilkut). Emri i këtij fshati vjen nga fjala e lashtë shqipe panare, që përdoret edhe sot në Krahinën e Oparit e gjetkё, që do të thotë, vend i ngritur, kapuç, shport. Profesor Çabej ka shpjeguar se emri Panarit afron me fjalën greke panaris, që do të thotë shport, por ka ndryshim në theksim.
Këtë emër ka edhe një fshat afër Këlcyrës. Me emrin Panarit janë disa fshatra në Greqi, tre prej të cilëve kanë origjinë nga ai i Korçës, për shkak emigrimi. Madje edhe në SHBA ndodhet një vend me emrin Panarit…
Iljas bej Mirahori u lind në fshatin Panarit të Korçës midis viteve 1408-1410. Emrin fillestar e kishte Ilia, si bir i priftit të kishës më të madhe të fshatit; ky është një emër shenjtori në fenë krishtere, Shën Ilia. Për emrin e të atit nuk ka të dhëna, përveç asaj se në Testamentin fetar të Mirahorit, të quajtur Vakëfname, i shkruar në vitet 1504-1505, emri i islamizuar është Abdullah. (Vakëfnameja është shkruar në gjuhën arabe, me dorë, në një letër të trashë rreth 7 metra të gjatë, përkthyer pa autor dhe botuar nga Petraq Pepo.) Për emrin e nënës deri tani nuk ka asnjë të dhënë.
Babai ishte edukatori i parë i misionarit me famë. Duke qenë prift me emër e me kulturë, i dëgjuar dhe i njohur jo vetëm në Panarit, por në gjithë Ziametin e Çakderit, ai ndikoi fort në formimin e karakterit të djaloshit, që në vitet e para të jetës së tij. Prift, bujk, blegtor, zanatçi i mirё, me veti tё larta njerёzore, njeri me kulturё tё qёndrueshme.
Porteti, karakteri dhe tiparet e Ilias janë transmetuar brez pas brezi nga veteranët në kujtimet e tyre… Ishte një djalë i fortë, i zgjuar, i hijshëm e trim; trupgjatë e shpatullgjerë. Sytë e tij, që shkëlqenin si uji i burimeve të Soropullit, shihnin larg, si sytë e shqiponjës. Fytyra e tij hijeshohej nga flokët e dendur, të ashpër e pak të dredhur, ashtu si pllajat e sheshet e bukura të fshatit të lindjes. Duke jetuar mes panaritasve të dalluar si blegtorë e muratorë shumë të zot, këto zanate ai i përvetësoi shpejt e i nguliti nё kujtesё, çka e ndihmuan të kishte sukses të madh në jetë, kudo që shkoi. Njeri plot virtyte, i urtё, durimtar dhe i sakrificёs pёr gjithë jetёn e vet tё gjatё e plot peripeci.
Pema e Madhe, pengu i atdhedashurisë dhe kujtesës
Puna e parë që bëri sapo u kthye në vendlindje ishte mbjellja e një peme, pikërisht në atë vend, të cilin e kishte lënë përpara gjashtëdhjetë e ca vitesh. Për shumë shekuj ai vend u quajt “Pema e Madhe”. Ky vend është në lindje të fshatit Panarit të Korçës, mbi rrugën për në fshatin Treskë, afër Bogovës. Të moshuarit edhe sot i mbajnë mend kujtimet e trashëguara brez pas brezi për Pemën e Madhe. Ajo ishte një pemë e veçantë; një krijesë drunore të tillë kurrë nuk ka patur në tërë Zonën e Vakëfeve, siç u quajt mё vonё. Thuhet se këtë pemë e kishte mbjellë vetë Iljas bej Mirahori, me farën e sjellë nga Stambolli i largët. Kur ai i ktheu pronat e tij në Vakëf, bëri të tillë edhe arën e vetme Jeze Bexhik, në kufijtë e fshatit Panarit, vetëm se aty ishte Pema e Madhe, pengu i dashurisë dhe kujtesës. Vendi aty ka shërbyer si Vakëf i shenjtë.
Pas shumë e shumë vitesh pema u tha, ngaqë ishte shumë e vjetër, nga gërryerjet e ujrave, por më tepër ngaqë i zoti i saj nuk ishte më në jetë; koha, vetmia dhe harresa than e përthan çdo gjallesë që gjendet mbi dhe… Pema u tha, por vendi ndër shekuj vazhdoi të quhej Pema e Madhe. Banorët deshën të mbillnin një pemë tjetër në atë vend, por ngaqë nuk e gjetën farën e së parës e për ta nderuar atë, thjesht e shndërruan vendin në një muranë përkujtimore. Edhe kur në vendin tonë me ligj u ndaluan besimi dhe veprimtaritë fetare, panaritasit aty luteshin; te ky vakëf i shenjtë …
Hanet e Mirahorit – falas për panaritasit shtegtarë …
Qyteti Korçës, i themeluar nga Iljas Hoxha, para shumë shekujsh ka patur disa hane, natyrisht, tё ndёrtuara qё nё kohёn e tij. Kur shkonin në qytet për pazar, banorët e fshatrave malore të Vakëfeve kalonin ditën ose natën nëpër hane. Për vite e vite me radhë, fshatarët panaritas shkonin në hanet e Mirahorit, kalonin aty natën dhe nuk paguanin taksa për kohën e qëndrimit, duke përfituar falas edhe tagji e ujë për hajvanët e tyre. Thuhet se Iljas bej Mirahori e kishte lënë me gojën e vet si amanet që fshatarët e Vakëfeve të mos paguanin asnjë taksë edhe pas vdekjes së tij; ky amanet u zbatua për një kohë të gjatë, saqë këto tregime i rrëfejnë edhe sot të moshuarit e fshatit Panarit të Korçës. Jo vetëm kujtimet e veteranëve, por edhe dokumentat kadastrale të periudhës së sundimit turk vёrtetojnë privilegjet që gëzonin panaritarët në atë kohë…
Iljas bej Mirahori, ose ndryshe Ilia Panariti, pati një jetë të gjatë e plot peripeci, brodhi botën, në Europё, Turqi, Persi, Ballkan e gjetkë, kaloi nëpër ngjarje me rëndësi të madhe për njerëzimin, derisa mbylli sytë në dheun që e lindi, në moshë mbi njëshekullore. Për martesën e tij nuk ka të dhëna të dokumentuara. Nuk na duken të sakta të dhënat e pabazuara në disa shkrime, ku thuhet se Mirahori është martuar me të bijën e Sulltan Mehmetit II, por që është martuar në rrethin e oborrit sulltanor, kjo është më e arsyeshme…
Ai jetoi e veproi nën epokën dhe sundimin e këtyre sulltanëve osmanë: Sulltan Murati – Murati i Dytë ( 1404-1451), djali i Çelebi Sulltan Mehmetit, nipi i Bajazit Bubullimës; ka hipur në fronin sulltanor në moshën 18 vjeçare. Ishte i gjashti sulltan në atë fron. Mbretëroi duke luftuar me kryqtarët dhe kryengritësit; pasi vendosi dhe konsolidoi paqen në perandorinë e tij, ia dorëzoi fronin të birit, Princit Mehmet II dhe u largua për në Manisa, por nuk qëndroi gjatë aty, se rifilluan sulmet e kryqtarëve dhe vezirët e thirrën të merrte përsëri fronin. Shkroi poezi shumë të bukura dhe fliste me fjalë të rimuara.
Avni Fatih Mehmet Khani (1432-1481), djali i Sultan Muratit të Dytë, sulltan i 7-të i Perandorisë Osmane. Ka pushtuar Stambollin dhe ka qenë jo vetëm njeri lufte, por edhe pasionant dhe dashamirës i dijeve dhe kulturёs. Themeloi disa universitete dhe xhami, duke u marrë me arte, muzikë e letërsi; ka patur poetë që janë ndikuar nga arti i tij poetik.
Adliu- Bajaziti i Dytë (1447-1512), djali i madh i Sulltan Mehmet – Pushtuesit. Teksa u bë guvernator në Amasya, jeniçerët e lutën që të bëhej Sulltan, por i vëllai, Xhema e kundërshtoi emërimin e të vëllait në postin që po mbante vetë. Ka ndërtuar shumë universitete, xhami dhe mensa publike, duke qenë mbrojtës i madh i arteve. Ka qenë mjeshtër i madh i artit të pikturës kaligrafike, ndërsa në poezitë e tij përdorte pseudonimin letrar Adliu. Për këtë sundimtar Iljas Mirahori u bë edukator në dije, kulturë dhe fe. Me kohë u bë edhe vjehrri i tij. Me Ferman tё kёtij Sulltani, Iljas bej Mirahori u nis pёr nё vendlindje, u bё zotёrues i trevave tё gjera tokёsore, rindёrtoi qytetin e Korçёs, duke e bёrё strumbullar tё njё zone tё tёrё tё begatё e tё rilindur…
Princi Xhemë (1454-1495), djali më i vogël i Sulltan Mehmet Pushtuesit, kunati i vajzës së I. b. Mirahorit, i arsimuar më së miri. Ka bërë kryengritje kundër vëllait të tij Sulltan Bajazitit II, duke marrë ndihma nga pashallarë dhe popullsia e disa qyteteve. Bajaziti e mundi Xhemën, ndërsa ky gjeti strehim te Mamlukët egjiptianë. Kalorësit e St. Joh, me në krye Mjeshtrin e Madh të Kalorësve, kur ai arriti në Rodus e pritën me nderime, pastaj e çuan në Francë. Me urdhër të Papa Aleksandrit VI është burgosur. Ka qenë poet i shquar dhe ka shkruar poezi në gjuhën perse dhe turke.
Sulltan Selimi i Pamëshirshëm, Yavuz Sulltan Selim (1466-1520), djali i Sultan Bajazitit II, nipi i I. b. Mirahorit, një nga Sulltanët më luftarakë dhe poet i shquar. Shkroi në gjuhën perse dhe turke, duke përkrahur artet dhe njerëzit e artit; ka mbrojtur shkencëtarët dhe gjykonte siç gjykojnë poetët.
Qerim Princ Korkuti (1470-1513), djali i Sulltan Bajazitit II, nipi i Mirahorit. Ka qenë ulur në fronin sulltanor vetëm për 17 ditë. Për shumë kohë luftoi kundër babait të vet, derisa e kanë prerë në fyt. Një fis me mbiemrin Korkuti kanë jetuar në Plasë të Korçës dhe thuhet që i ka prurë I. b. Mirahori me vete, kur themeloi Korçën. I shkolluar mirë, mbrojtës i zjarrtë i artit, ka qenë edhe kaligrafist i mirë. Ka kryer studime shkencore në gjuhën arabe dhe në turqisht.
Rrënojat e xhamisë së Mirahorit, Jedi Kule, Stamboll.
Pak të dhëna kemi për jetën e Iljas bej Mirahorit në Stamboll. Ato më kryesoret po i renditim telegrafisht:Me të mbërritur në Stamboll, pastaj në Edrene, kryeqendër e Perandorisë Osmane, nisi edukimi i Ilia Panaritit, mё pas Iljaz bej Mirahori. Në fillim ai iu nënshtrua mësimit intensiv të gjuhës turke, gjuhës arabe dhe mësimit të Kur’anit në original. Krahas kёtyre, mёsoi edhe shkenca tё tjera. Ai nuk u trajtua si pengjet e tjerë, të cilët mobilizoheshin si nizamë dhe jeniçerë, mbase edhe për arsye të moshës së njomë, por edhe për shkak të karakteristikave të veçanta e tё spikatura intelektuale, me shenja gjenialiteti. Që në vendlindje ai dinte gjuhën shqipe, por mbase edhe greqishten. Edukimi i tij u kompletua nëpërmjet institucionit të icogllanëve dhe të gulameve. U shkollua në Enderun-i Humajun në Edrene, sipas historianëve. Aty Iljas beu mori edhe gradën Lale – Profesor i Dinastisë Turke… U bё njё nga mjekёt veterinerё mё tё zotё tё Perandorisё.Studiuesi i talentuar, historiani osmanolog Selami Pulaha na i ka shpjeguar këtë sistem në veprën e vet “Pronësia feudale në tokat shqiptare” (f.36) “Pushteti osman, gjatë një periudhe gati shekullore, përdori një varg rrugësh dhe metodash të karakterit ekonomik, politik dhe ideologjiko-fetar për të kthyer klasën feudale vendase, për ta zhdukur atë si forcë ekonomike dhe politike të pavarur. Zbatimi i tyre filloi herët, qysh në kontaktet e para shqiptaro-osmane, në fund të shek. XIV, me kthimin e feudalëve shqiptarë në vasalё të Sulltanit.
Një vemendje të veçantë ai i kushtoi marrjes peng të fëmijëve të feudalëve, rritjes së tyre pranë oborrit të Sulltanit si pazh i oborrit ose pranë dijetarëve të mëdhenj ushtarakë, si gulame (djalë, bir)” Qëllimi ishte që duke iu dhënë djemve një edukatë të tillë të lartë osmane dhe me zanate civile, të zëvendësonte klasën vendase feudale, me anëtarë të zakonshëm të klasës sunduese osmane, ndërthurur kjo edhe me karrierën ushtarake e administrative. Kjo ishte rruga kryesore e integrimit, për të krijuar kështu mbeshtetjen politiko-shoqërore në vendet e pushtuara. Kjo politikë dha frytet e saj që herët në Ballkan. Pas kësaj përgatitjeje, nga njëra anë dhe për shkak të trimërisë dhe talentit të veçantë, mbase edhe tё gjenialitetit, që tregoi Ilia Panariti në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga Porta e Lartë, nga ana tjetër, do të merrte poste të ndryshme administrative e ushtarake gjatë periudhës së sundimit të Muratit II dhe të Mehmetit II, Pushtuesit. Kur u kthye në mysliman emri Ilia u bë Iljas. Në vitin 1453 u pushtua Kostandinopoja nga Potra e Lartë. Iljas beu mori pjesë në luftë dhe tregoi trimëri dhe zgjuarsi të madhe, si komandant i shquar ushtarak, duke udhёhequr kalorёsinё dhe prapavijёn. Për trimëritë dhe talentin e rrallë ushtarako-administrativ Iljasi kaloi nëpër poste të ndryshme gjatë periudhës së sundimit të Sulltanëve Murati II dhe Mehemeti II. Ai u bë gjithashtu edukator i Sulltan Bajazitit II, të cilit i dha pastaj për grua të bijën. Iljas beu u martua me një grua nga dera sulltanore dhe pati 3 djem dhe 3 vajza. Djemtë ishin: Muhamet, Mehmet dhe Sefer Shah Çelebi. Mehmet bej, ose Ine bej, siç e quan Sami Frashëri është vrarë në luftë, në Bagdad; ky ka lënë një xhami në Stamboll me emrin e tij. Djali i parё vdiq para të atit dhe u varros në Korçë, ndërsa i vogli, pas të atit dhe e ka varrin në një tyrbe me të atin po në këtë qytet. Nё Muzeun Kombёtar tё Armёve nё Tiranё, para disa vitesh ёshtё dorёzuar njё shpatё nga njё qytetar korçar, i cili e kishte marrё atё nё varr-vakёfin pranё xhamisё “Iljas bej Mirahori”; shpata i pёrket personazhit pёr tё cilin po flasim dhe mendohet se ёshtё dhuratё e Sulltan Bajazitit II pёr tё… Vonё ёshtё pёrkthyer nga osmanishtja shёnimi nё tehun e kёsaj shpate, dёshmi e historisё…
Sapo Sulltan Bajaziti II hipi në fron, Iljas bej Mirahori u caktua Mirahor Evel, pra Gjeneral i Parë. Në lagjen Jedi Kule (shtatë kullat), në Kostandinopojë, ku ishte një kishë, me lejen perandorake Iljas bej Mirahori e ktheu në xhami, e cila, siç pohon Sami Frashëri në Enciklopedia turke, mbante emrin Xhamia e Mirahorit, ose kisha-xhami; pranë saj ka një teqe, vakëf i Mirahorit.
Me leje dhe Ferman-Dekret Perandorak të Sulltan Bajazitit II, në pleqëri, pasi i kishte provuar të gjitha hyneret e jetës metropolitane osmane, Iljas bej Mirahori vendosi të kthehej në vatanin e tij, larg nga rrëmuja dhe rrëmeti, siç do të shkruante pas shekujsh poeti ynë kombëtar Naim Frashëri; kjo ndodhi para vitit 1484; mori si dhuratë nën pronësi tokat e mëmëdheut, të fshatrave të Vakëfeve dhe ato të Fushës së Korçës me rrethina. Pronat e blera fillimisht dhe pastaj të falura nga Sulltani, i mori me dokumentacion të rregullt, të noterizuara nga Kadiu dhe dëshmitarë të tjerë vendas dhe të ardhur. Këto dokumenta kanë mbërritur deri në ditët tona, gjë që tregon seriozitetin e administratës shtetërore të asaj kohe. Ky ndërtim u kompletua për shumë vite pune me radhë dhe veç ndërtesës së xhamisë, kompleksi-bërthamë i qytetit të ri kishte hanet, imaretin, medresenë, hamamin, etj. Mё parё u ndёrtuan Tyrbja dhe banesat e Iljas beut dhe shpurёs qё e shoqёronte. Në atdhe I. b. Mirahori nuk erdhi vetëm, por me një bylyk njerëzish të rrethit farefisnor e miqsh, midis tyre edhe turq, arabë e afrikanë, të cilët formonin përnjëherësh një fshat të tërë në vendfushim. Njё fis arab ka pasardhёs edhe sot nё fshatin Pojan, po edhe nё fshatra tё tjerё. Korça si qytet, nё planet e Iljas Hoxhёs ishte piketuar si njё qendёr rrethi me rrathё tё tjerё bashkёqendrorё, me ndёrtime e vendbanime nga tё gjitha anёt …Mbeten mister qëndrimet dhe marredhëniet e tij me lëvizjet çlirimtare të Skënderbeut (Gjergj Kastrioti), etj., në Stamboll, Shqipëri dhe pas rënies së Krujës…
Iljas Bej Mirahori u bë Hafiz, Haxhi, dijetar i shkencave veterinere, Vezir, administrator vizionar, etj. Njeri me pёrmasa tё mёdha ishte ai nё Perandorinё Osmane. Disa nga këto mjeshtëri i ushtroi edhe në atdhe, megjithëse në moshë të thyer…Ai ishte Hafizi i parë i xhamisë që ndërtoi vetë, mёsues i Medresesё po ashtu edhe Myftiu i Parë i Krahinës.
Iljas bej Mirahori ishte edhe administrator kryesor i pronave të tij, të cilin turqit e quanin Myteveli, baras me Epitrop, Kujdestar, Administrator. Myteveli i parë ishte ai vetë, ndërsa me vonë, me Vakëfnamenë e vitit 1505-ës, ku ai caktoi fondacionet që do krijoheshin me pronat dhe pasurinë e vet, Myteveliu do të ishte nga vatra e familjes së vet brez pas brezi. Edhe sot në Korçë ka pasardhës nga fisi i Mytevelinjve të fundit, familja e Rustem Hysen Myteveliut, inxhinier urbanist i njohur; nga ky fis është dëshmorja e atdheut rënë gjatë Luftës së II të Përbotshme Floresha Myteveli, emrin e së cilës e mban një rrugë afër Xhamisë “Iljas bej Mirahori” të qytetit të Korçës…
– Iljas bej Mirahori ka jetuar, vepruar dhe ka lënë histori e prona në Stamboll (Lagjja e Xhamisë Jedi Kule-7 Kullat dhe Ivlanka.); në Janinë, sepse Sulltan Bajaziti II e emëroi në postin e Valiut të Janinës (Dekretet 1496-7), duke e quajtur “Beu i Sanxhakut të Janinës”; në Korçë me rrethina, ndërtoi xhaminë e famshme, një nga më të lashtat në rajon, me projekte të xhamisë së Firuz Agait në Stamboll, vakëfin e Tarikatit Symbyli pranë saj, shkollën, tregun si bërthama të një qyteti të ri, të cilit i dha emrin e vet Koxha=Korça (Nuçi Naçi dhe Petraq Pepo). Iljas Beu erdhi në vendlindje në moshë të thyer, ndaj për respekt prej vitesh kishte marrë emrin Koxha Mirahori, siç e thërrinin në Stamboll e Janinë. Ky emër vjen nga turqishtja, që shkruhet Koca e lexohet Koxha dhe ka dy kuptime: si mbiemër; i madh, i moshuar, plak; si emër, bashkëshort, burrë. Gjatë përdorimit nё popull pёr njё kohё tё gjatё e përshtatjes në fjalorin vendas, fjala Koxha u shndërrua në Korça…
Xhamia e Iljaz bej Mirahorit, Korçë
– Pasi njihesh me materiale e dokumenta të botuara e të pabotuara për personalitetin, jetën dhe veprën e Iljas Bej Mirahorit (Ilia Panaritit), tё lind njё ndjenjё krenarie e ligjshme, mbushesh me ndjenja e mendime pozitive.
Në kupolën e brendshme të Xhamisë “Iljas Bej Mirahori” tё qytetit të Korçës është shkruar me idenё dhe dorën e themeluesit të saj, pesë shekuj e gjysëm më parë: “O njerëz ! Premtimi i Zotit është i vërtetë; mos t’ju mashtrojë jeta e kësaj bote; mos t’ju mashtrojë për Zotin, djalli mashtrues.” (Krijuesi-Fatir, ajeti 5, Kur’ani Kerim.)
Literatura kryesore e konsultuar:
Sami Frashёri: “Kamus –Ul-Alam”- Enciklopedia turke.
Nuçi D. Naçi: “Korça dhe fshatrat pёrqark”, 1901.
Evlija Çelebi: “Shqipёria para dy shekujve”.
Pirro Thomo: “Korça, Urbanistika dhe Arkitektura”.
Univ. Tiranёs: “Historia e Mesjetёs”.
Gjerark Karaiskaj: “ 5000 vjet fortifikime nё Shqipёri”.
Vexhi Buharaja: “Regjistri i Korçёs dhe Pёrmetit”, shek. XV e XVI.
Petraq Pepo: Rev. Studime Historike, 1967 “Katёr Dekrete tё Sulltan Bajazitit tё Dytё pёr Mirahor Iljaz Benё”.
Petraq Pepo: “Kodiku i Korçёs dhe Selasforit”, etj.
Selami Pulaha: “Defteri i Sanxhakut tё Vlorёs”, dorёshkrim i filmuar.
Zija Shkodra: “Qyteti shqiptar”.
Vladimir Dino: Rev. “Tradita”, 2002, “Fshatrat me emrin Panarit nё Greqi”.
Sejdin Ramo: “Ilia Panariti dhe Korça”, 2003.
Riza Lahi: “Lirika dashurie tё Sulltanёve”, 2012, etj.
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...