Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 13, 2016 Zani i Nalte Shkenca Islame, Studime 0
nga Dorian Demetja
Abstrakt
Njerëzit e mëdhenj që shënon historia, dalin në pah pikërisht në kohën kur çrregullimet në shoqëri arrijnë kulmin. Për të vënë rregull në botën e jashtme, njeriu në fillim duhet të vendosë rregull dhe ekuilibër brenda vetes së vet. Parë në këtë këndvështrim, Ebu Hanifja ishte njeri i rrugës së mesme dhe para së gjithash ishte një personalitet me ekuilibër e vendosmëri të lartë. Po të analizojmë kohën në të cilën ai jetoi, do të gjendemi përballë problemeve të mëdha politike e shoqërore, për më tepër përplasje dhe konflikte ndërmjet grupeve të besimeve e sekteve të ndryshme fetare. Ai shumë mirë mund t’i binte shkurt duke u bërë palë por që nga fillimi, ai nuk e ndryshoi asnjëherë vijën e rrugës së vet duke sakrifikuar shumë për tek e drejta, si dhe duke u përpjekur që t’ua jetësonte edhe të tjerëve këtë të drejtë. Nisur nga kjo, nuk është gabim të themi se Ebu Hanifja jetoi ashtu si mendoi e besoi, si dhe besoi ashtu si jetoi e mendoi.
Sipas pikëpamjes së përgjithshme, një dijetar nuk është ekspert vetëm në një fushë të caktuar të disiplinave fetare. Për të qenë i tillë, ai jo vetëm që është hulumtues në të gjitha shkencat e fesë, por duhet të njësohet me të gjitha këto dituri. Krahas kësaj, që një dijetar në kuptimin e plotë të fjalës, do të ishte ai që përveç asaj që u përmend më lart, di të marrë mesazhe nga historia e popujve të kaluar, di të lexojë kohën në të cilën jeton dhe ka largpamësi për të ardhmen.
Duke iu referuar hadithit të Profetit Muhamed (a.s.): “Përqendrohuni në rrugën e drejtë, por do ta keni të vështirë”[1], dëshmohet se qëndrueshmëria në rrugën e drejtë mund të arrihet vetëm nga njerëzit e mëdhenj, sepse qëndrueshmëria në rrugën e drejtë nuk pranon devijime dhe lëkundje. Ajo arrihet vetëm duke u sforcuar mbi mundin e zakonshëm dhe duke qëndruar para Allahut të Madhëruar me sinqeritet të vërtetë.[2] I këtyre përmasave ishte edhe Imam Adham, Ebu Hanife.
Numan bin Thabit bin Zuta bin Mah, i njohur si Imam Adham Ebu Hanife, ka lindur në Kufe të Irakut në vitin 699/80 hixhri, gjatë kohës kur sahabet më të rinj ishin ende gjallë. Ebu Hanife rridhte nga një familje me gjendje të mirë ekonomike dhe në fillimet e tij është marrë me tregti, duke ndjekur gjurmët e të atit. Kufa dhe Bagdadi ku jetoi Ebu Hanifja, ishin qytete me shumë kultura religjioze, rryma dhe ideologji të ndryshme, si dhe ndër qendrat më të mëdha të botës islame, ku diskutohej jo vetëm rreth çështjeve të fesë, por edhe atyre sociale e politike.
Ebu Hanifja ishte një person shumë i zgjuar, mendjemprehtë dhe me forcë argumentuese racionale. Për dhuntitë logjike të tij Imam Shafiu thotë: “Nuk ka lindur nëna një njeri më të zgjuar se Imam Adhami”. Metodat e fik’hut ai i mbështeste në traditat logjike që përfaqësonin disa sahabe të mëdhenj si Hz. Omeri, Hz. Aliu, Abdullah ibn Mesudi dhe Ibn Abasi (r.a.). Ebu Hanifja nuk ishte vetëm një dijetar i zgjuar, ai jetonte me të vërtetat e jetës shoqërore, ishte social dhe tregonte shumë interes për marrëdhëniet ndërnjerëzore. Ai na del përpara si një personalitet që e vlerëson mendimin e të tjerëve dhe si një njeri i dijes që vazhdimisht prodhon ide e krijimtari.[3]
Mënyra se si është rritur e edukuar Ebu Hanifja, na tregon qartë lidhjen dhe respektin që ai kishte ndaj autoriteteve fetare e politike, por njëkohësisht tregon edhe ndjenjën e fortë për liri e pavarësi. Lidhjen që ka pasur me autoritetet, e ka mbështetur në drejtësi e logjikë dhe kurrsesi në besim të verbër. Këtë qëndrim ai e ka treguar edhe në marrëdhëniet me nxënësit e vet apo në shprehjet e tij fetare e politike. Ebu Hanifja nuk ua ka imponuar nxënësve mendimet e tij, nuk ka dashur ta imitojnë qorrazi dhe asnjëherë nuk është paraqitur para tyre si një autoritet i pagabueshëm. Ai besonte se problemet e kohës kërkonin përgjigje të rrahura jo nga një mendje, por nga shumë mendje dhe për këtë arsye ai u mësonte nxënësve të tij mënyrat e gjykimit dhe jo përgjigjet e gatshme. Imami dëshironte që ata të shtrydhnin mendjen e mendimet dhe të dilnin vetë në përfundimet e drejta.[4]
Ebu Hanifja ka jetuar 52 vjet nën qeverisjen Emevite dhe 18 vjet nën qeverisjen Abaside. Ai mbi të gjitha, është një personalitet që ka bërë një jehonë të madhe në botën islame për ndërtimin e një sistemi mendimi dhe formimin e një shkolle juridike. Mirëpo, përveç kësaj, ai ka dhënë një kontribut shumë të madh gjatë zhvillimeve politike të asaj kohe dhe është shquar për reagimet e tij ndaj praktikave të jashtëligjshme të sunduesve Emevi dhe Abasidë. Ndër faktorët kryesorë që përcaktojnë pozicionin e tij, janë praktikat totalitare të sunduesve Emevi dhe Abasidë, si dhe qëndrimet e tyre të padrejta ndaj Ehli Bejtit.
Dijetari i njohur Xhessas (v. 370/980) thotë: “Sipas Ebu Hanifes, midis gjykatësit dhe halifes nuk ka ndonjë ndryshim dhe tek të dy këta kërkohet një kusht i përbashkët, që është drejtësia. Siç nuk mund të bëhet një mëkatar halife, ashtu dhe nuk bëhet dot gjykatës”.[5] Edhe Ibn Hazmi (v. 456/1064), mbështetur në vijën e kësaj teorie, mendon se, nëse nuk ka rrugë tjetër për ‘emri bil maruf ue nehji anil munker’[6], duhet të ndërhyhet fizikisht.[7]
Ky është koncepti fetar e shoqëror i Ebu Hanifes, i cili ka përkrahur haptazi dhe ka ndihmuar në fetva e materialisht Zejd bin Ali Zejnelabidin kundër dhunës së halifes së shtetit Emevi, Abdulmelik bin Mervan (v. 86/705). Madje midis kësaj ngjarjeje dhe luftës së Bedrit ka formuar një lidhje shpirtërore. Po ashtu, ai ka ndihmuar në fetva dhe materialisht Muhamed Nefsuzekije në Medine dhe vëllain e tij Ibrahimin në Basra, kundër udhëheqjes tirane Abaside.[8]
Me të vërtetë Ebu Hanifja ishte i mendimit dhe e shihte si detyrë që ndaj një pozite, e cila ka një karakter tiran dhe e cila ka humbur legjitimitetin, duhet bërë diçka. Ai besonte bindshëm se e drejta në vazhdimin e Hilafetit i përkiste djemve të Hz. Aliut dhe për këtë arsye e ka kritikuar hapur udhëheqjen Emevite. Ndërkaq, me vrasjen e djemve të Hz. Aliut nga Emevitët, pakënaqësitë dhe kritikat e ashpra të shtresave të ndryshme të shoqërisë, bënë që të lëkundet shumë udhëheqja Emevite. Për të sheshuar këto revolta, Halifja Abdulmelik bin Mervan, mori disa masa duke thithur në gjirin e shtetit disa dijetarë me influencë në popull.
Emevitët, duke parë diturinë e thellë dhe rrethin e gjerë të ndikimit në popull të Ebu Hanifes, menduan ta tërhiqnin pas vetes duke i propozuar postin e gjykatësit. Këtë propozim, nga Emevitët, e ka bërë guvernatori i Irakut Omer bin Hubejra (v. 132/750). Këtë gjë Ibn Hubejra e bëri edhe me disa dijetarë të tjerë, të cilët, jo me shumë dëshirë, pranuan dhe morën disa poste në qeverisje. Mirëpo Ebu Hanifja e kuptoi qëllimin e dhënies së këtij posti dhe nuk e pranoi detyrën. Guvernatori u nxeh nga ky qëndrim dhe urdhëroi goditjen e imamit me kamxhik. Djali i Ebu Hanifes, Hamadi dhe studenti i imamit, Ebu Jusufi, tregojnë se Ibn Hubejra e torturoi Ebu Hanifen duke urdhëruar gardianin që për 10 ditë me radhë t’i gjuajnë atij me kamxhik 10 herë në ditë. Ka të dhëna që si rezultat i torturave koka e tij i është ënjtur dhe frymëmarrja i është vështirësuar. Atyre dijetarëve që pranuan postet (Ibn Ebu Lejla, Ibn Shubrume dhe Daud ibn Ebu Hind) që thonin: Mos rreziko veten, pranoje këtë detyrë, Ebu Hanifja u është përgjigjur kështu: “Edhe sikur guvernatori të kërkojë prej meje një punë të thjeshtë si numërimin e dyerve të xhamisë, përsëri nuk do të pranoja. Si mund ta pranoj këtë detyrë?! Ai do të vendoste për ekzekutimin e një njeriu dhe unë u dashka ta miratoj! Betohem në Allah që nuk e mbaj mbi vete këtë përgjegjësi”.[9]
Nisur nga kjo, respekti i popullit ndaj qeverisë, duhet përpjekur të fitohet jo me dhunën e nëpunësit të qeverisë, por me seriozitetin e qeveritarëve në sjelljet dhe veprimet e tyre, me sinqeritetin në punët dhe shërbimet e tyre. Gjer tani, me despotizmin e nëpunësve mizorë, apo me mashtrimin e masave, askush nuk ka dalë i fituar. Sundimi i forcës është kalimtare. I përjetshëm është sundimi i së drejtës dhe drejtësisë. Edhe nëse jo sot, është jashtë çdo diskutimi se në një të ardhme të afërt, këta do të dalin fitues. Prandaj, politika më e madhe duhet kërkuar në anësinë ndaj së drejtës dhe drejtësisë, sepse drejtësia është një nga rrugët për të qenë pranë Zotit.
Pas këtyre ngjarjeve Ebu Hanifja e kuptoi që nuk mund të rrinte më në Kufe dhe u largua në Mekë duke qëndruar atje më shumë se 6 vjet, derisa erdhën në fuqi Abasidët. Me ardhjen e Abasidëve në fuqi, imami gëzohet duke shpresuar në mirëqeverisjen e tyre dhe në premtimin që ata dhanë në mbrojtjen e të drejtave të djemve të Hz. Aliut. Për këtë arsye së bashku me shokët e vet kthehet në Kufe dhe i japin besën halifes së shtetit Abasid Ebu’l Abas es-Safah.[10] Sigurisht ky gëzim i tij nuk zgjati shumë, sepse edhe ata filluan të përndiqnin dijetarët dhe njerëzit fisnikë e me merita, duke u bërë padrejtësi apo edhe duke i vrarë. Për t’u mos u bërë vegël e së keqes dhe e padrejtësisë së tyre, Ebu Hanifja ndryshoi qëndrim duke këmbëngulur në rrugën që e konsideronte të drejtë, sepse në konceptin e Ebu Hanifes, ndaj diçkaje që duket e keqe, nuk ka bindje, qoftë fundi i këtij veprimi edhe burgosja.
Fetvatë civile të Ebu Hanifes kishin një pëlqim dhe miratim më të madh në popull se sa fetvatë e dijetarëve të pushtetit si Euzai apo Ibn Ebu Lejla. Për këtë arsye, halifja e Abasidëve Ebu Xhafer el-Mansur (v. 775), nuk ka ushtruar presion ndaj pikëpamjeve të tij fetare, me kusht që imami të mos ndërhyjë në udhëheqjen e qeverisë. Kur gjykatësit e tjerë i dhanë të drejtë halifes për shtypjen e rebelimit të popullit të Mosulit, Ebu Hanifja e kundërshtoi duke i bërë të ditur halifes se, gjaku i myslimanëve nuk mund të merret, sipas legjislacionin islam, përveçse në tre raste. Këtë imami e ka thënë haptazi duke iu përmbajtur edhe hadithit të Profetit (a.s.): “Xhihadi më i mirë është të thuash të drejtën përballë sunduesit tiran”.[11] Megjithëse pa dëshirë, halifja ka pranuar mendimin e Ebu Hanifes për të mos dënuar popullin e Mosulit. Kjo ka qenë arsyeja përse gjykimet e Ebu Hanifes ishin të mirëpritura në popull, sepse ato ishin të ndërthurura në shumë dimensione me në krye drejtësinë.[12]
Për çdo njeri ka një lloj xhihadi që është ‘më i miri’. Kurse hadithi i lartpërmendur, xhihadi më i mirë është të thuash të drejtën përballë sunduesit tiran, tërheq vëmendjen se pothuajse për të gjithë ky lloj xhihadi është ‘më i vështiri’, sepse në xhihadin e zakonshëm (në luftë), del përballë armikut dhe ke shpresë të dalësh fitimtar. Ndërsa të thuash të drejtën përballë sunduesit tiran, që zotëron të gjithë fuqinë dhe autoritetin, do të thotë të shkatërrosh vetveten, do të thotë t’i hysh një pune, përfundimi i së cilës është i ditur që në fillim. Por njëkohësisht me fjalën e drejtë, duke penguar një të keqe që mund të bëjë sunduesi, bën një dobi shumë të madhe dhe i shpëton njerëzit nga padrejtësia. Pra, të thuash të drejtën përballë sunduesit tiran është me rrezik për atë që e thotë dhe dobi për shoqërinë. Për këtë arsye është cilësuar si xhihadi më i madh, xhihadi më i mirë dhe xhihadi më fisnik.[13]
Njëherë halifja Ebu Xhafer el-Mensur dhe gruaja e tij kishin një mosmarrëveshje. Ai e pyeti atë se kë pranonte ajo si gjykues për këtë çështje? Ajo iu përgjigj: Ebu Hanifen. Halifja iu drejtua Ebu Hanifes duke i thënë: “Ebu Hanife kjo grua e lirë ka një mosmarrëveshje me mua. Më jep mua të drejtën time kundër saj”. Përgjigjja që i dha Ebu Hanifja kësaj çështjeje ishte më tepër në favor të gruas dhe halifja qëndroi i heshtur për një kohë të gjatë. Ebu Hanifja u largua. Kur imami arriti në shtëpinë e tij, gruaja e halifes i dërgoi atij një shërbëtor me para, rroba, një robëreshë etj. Ebu Hanifja e refuzoi dhuratën dhe i tha shërbëtorit: “Përcilli përshëndetjet e mia gruas së halifes dhe thuaji që dhurata rrezikon besimin tim. Unë mbrojta të drejtën dhe këtë e bëra për hir të Allahut duke mos pritur asgjë nga askush”.[14]
Tregohet që Ebu Hanifja u thirr nga halifja el-Mensur për ta bërë kryegjykatës, dhe ai e refuzoi. Halifja i tha: “Mos dëshiron atë që kemi ne?” Ebu Hanifja ia ktheu: “Jo, por unë nuk jam i përshtatshëm”. Halifja i tha: “Gënjen”. Imami tha: “Pra, ashtu si thoni edhe ju, një person që gënjen nuk mund ta marrë përsipër këtë detyrë, nëse unë them të vërtetën, atëherë nuk jam i përshtatshëm për këtë detyrë”.[15] Kështu, duke përdorur zgjuarsinë e tij, imami refuzon t’i japë legjitimitet punëve të halifes. Në kohën kur jetoi Ebu Hanifja, ka pasur nga ata dijetarë fetvatë e të cilëve, për sa i përkasin fushave publike, janë ndikuar nga politika. Të njëjtën gjë nuk mund të themi për Ebu Hanifen. Nëse ai do të sillej politikisht, pra, duke dhënë fetva në favor apo në disfavor të një personi ose disa personave, atëherë fetvatë e Ebu Hanifes nuk do t’i rendisnim nën devizën ‘emri bil maruf ue nehji anil munker’. Në këtë kontekst, me fetvatë civile apo individuale, imami ka qenë në kërkim të së drejtës dhe drejtësisë duke mbrojtur në këtë mënyrë strukturën shoqërore.
Ashtu si ka kritikuar halifen, Ebu Hanifja ka kritikuar edhe gjykimet e gabuara të dijetarëve dhe gjykatësve të kohës, si për shembull, vendimet e gjykatësit të Kufes, Ibn Ebu Lejla. Ebu Hanifja së bashku me nxënësit e tij, i kanë diskutuar në mësimet dhe organizimet shkencore duke kritikuar ato vendime të gabuara. Madje, për të kuptuar dimensionet e pikëpamjeve të ndryshme mes Ebu Hanifes dhe Ibn Ebu Lejlës, është me vlerë të përmendim librin e shkruar nga nxënësi i imamit, Ebu Jusufi me temë: ‘Ihtilafu Ebi Hanife ue Ibn Ebi Lejla’[16].[17]
Megjithëse ishte oponent, besueshmëria e imamit ishte rritur aq shumë, saqë i ishte propozuar edhe përgjegjësia e thesarit të shtetit, por Ebu Hanife nuk ka pranuar duke zgjedhur mësimin dhe rrugën e diturisë. Madje, halifja El-Mensur e mbështeti imamin duke i dhënë atij dhurata, por Ebu Hanifja i refuzonte me etikë. Ky qëndrim i imamit ishte shumë produktiv duke ndikuar jashtë mase te njerëzit. Duhet të theksohet që këto zgjedhje kanë qenë personale dhe nuk kanë ndikuar te nxënësit e vet. Këtë e shohim më vonë kur nxënësit e imamit kanë marrë detyra shtetërore.[18]
Mirëpo të gjitha këto ngjarje nuk do të kalonin lehtë për imamin, sepse do të kishte edhe nga ata dijetarë fanatikë, që do të shpreheshin negativisht për të. Mund të përmendim këtu Ebu Hatim bin Hiban El-Busti, i cili për të ulur imazhin në popull të Ebu Hanifes, e akuzoi atë sikur ka dalë nga feja dhe për këtë duhet të pendohej. Kemi edhe raste të tjera ku Ebu Hanifen kanë dashur ta vënë në pozitë të vështirë përballë halifes me raportime në disfavor të tij, por imami nuk iu është përgjigjur me të njëjtën monedhë duke u munduar të qëndrojë larg çdo lloj përgojimi. Një rast tjetër është ai i Ebu’l-Abas Tusit, i cili e provokon Ebu Hanifen në prezencë të halifes duke i thënë: “Nëse kryetari i shtetit kërkon prej nesh ta ekzekutojmë një njeri pa pyetur shkakun, a është e lejuar ta bëjmë këtë”? Duke kuptuar qëllimin e keq të tij, Ebu Hanifja me mendjemprehtësi ia kthen: “Apliko të drejtën, mos pyet arsyet”. Për këtë sulm dhe dredhi kundër tij, Ebu Hanifja do të shprehet: “Tusi donte të më zinte ngushtë, mirëpo unë e lidha fort atë”. Pra, shohim se edhe në këto raste të vështira imami nuk iu është ndarë të vërtetës dhe të drejtës.[19]
Njerëzit e mëdhenj që shënon historia, dalin në pah pikërisht në kohën kur çrregullimet në shoqëri arrijnë kulmin. Për të vënë rregull në botën e jashtme, njeriu në fillim duhet të vendosë rregull dhe ekuilibër brenda vetes së vet. Parë në këtë këndvështrim, Ebu Hanifja ishte njeri i rrugës së mesme dhe para së gjithash ishte një personalitet me ekuilibër e vendosmëri të lartë. Po të analizojmë kohën në të cilën ai jetoi, do të gjendemi përballë problemeve të mëdha politike e shoqërore, për më tepër përplasje dhe konflikte ndërmjet grupeve të besimeve e sekteve të ndryshme fetare. Ai shumë mirë mund t’i binte shkurt duke u bërë palë por që nga fillimi, ai nuk e ndryshoi asnjëherë vijën e rrugës së vet duke sakrifikuar shumë për tek e drejta, si dhe duke u përpjekur që t’ua jetësonte edhe të tjerëve këtë të drejtë. Nisur nga kjo, nuk është gabim të themi se Ebu Hanifja jetoi ashtu si mendoi e besoi, si dhe besoi ashtu si jetoi e mendoi.
Është i padiskutueshëm fakti që bota islame sot dhe përgjithmonë ka nevojë të jashtëzakonshme për njerëz si Ebu Hanifja. Duke mbështetur mendjen njerëzore me traditën profetike, trashëgimia që ai la pas, është një burim reference për të mbajtur qëndrim të drejtë ndaj fenomeneve dhe një mesazh për mënyrën e të gjykuarit në zgjidhjen e problemeve të ndryshme.
Ebu Hanifja ndërroi jetë në vitin 150/767 H në Bagdad. Vetë falja e namazit të xhenazes, gjashtë herë, nga një numër shumë i madh njerëzish, tregon qartë për pozitën dhe autoritetin e tij të lartë në popull.
[1]. Ebu Daud; Ahmed Ibn Hanbel.
[2]. El Feshnij, Ahmed bin Shejh Hixhazi, Kuvendet e Ndritshme, Tiranë 2004, f. 191.
[3]. Hökelekli, Hayati, İmam-ı Azam Ebu Hanife’nin kişilik yapısı, İmam-ı Azam Ebu Hanife ve Düşünce Sistemi (sempozyum tebliğ ve müzakereleri), Bursa 2005, V. I, f. 104-105.
[4]. Hökelekli, Po aty, f. 109.
[5]. Xhessas, Ebu Bekir, Ahkamu’l- Kur’an, Bejrut 1993, 1/99.
[6]. Urdhërimi në të mirë dhe largimi nga e keqja.
[7]. Ibn Hazm, el-fisal fi’l-milel ve’l-ehvai ve’n-nihal, Bejrut 1985, V, 20-23.
[8]. Yaman, Ahmet, Ebu Hanife ve Reel Siyaset, İmam-ı Azam Ebu Hanife ve Düşünce Sistemi (sempozyum tebliğ ve müzakereleri), Bursa 2005, V. II, f.32.
[9]. Yaman, Po aty, f.34.
[10]. Uzunpostalcı, Mustafa, Ebu Hanife, TDV İslam Ansiklopedisi, İstanbul 1994, V. 10, f.133.
[11]. Ebu Daud; Tirmidhi; Nesai; Ibn Maxhe; Ahmed; Beyhaki.
[12]. Uyanık, Mevlüt, İslam düşüncesinin teşekkül döneminde Ebu Hanife’nin siyasi duruşu, İmam-ı Azam Ebu Hanife ve Düşünce Sistemi (sempozyum tebliğ ve müzakereleri), Bursa 2005, V. I, f. 128.
[13]. Çakan, Ismail Lütfü, Hadislerle Gerçekler, İstanbul 1990, f. 255, 257, 259.
[14]. Ebu Zehra, Muhamed, Ebu Hanife (perkth. O. Keskioğlu), Konya 1981, f. 57-61.
[15]. Ebu Zehra, Po aty, f. 13.
[16]. Ndryshimet në pikëpamje mes Ebu Hanifes dhe Ibn Ebi Lejla.
[17]. Uzunpostalcı, Po aty, f.134.
[18]. Uyanık, Po aty, f. 124.
[19]. Uyanık, Po aty, f. 127-128.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...