Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 29, 2016 Zani i Nalte Filozofi 0
Spitali Universitar “Nënë Tereza”, Tiranë
Erion Akshija, M.D in Pharmacy
Pharmacist at Lloyds Pharmacy, Bologna, Italy.
Abstrakt
Vlerat janë të lidhura me aktorët. Kodet etike si mbartës të vlerave e gjejnë aplikimin e tyre në segmente të caktuara të shoqërisë dhe Betimi i Hipokratit ka të njëjtin fat. Ne e kemi rikonsideruar betimin e vjetër të lidhur me aktorët që premtojnë ta respektojnë dhe ambientin shoqëror që i rrethon. Shqipëria në këtë aspekt është sa e veçantë po aq edhe e ngjashme me vendet e tjera. Një shikim i shpejtë i mënyrës se si i menaxhojmë kodet etike është reflektim i realitetit tonë. Qëllimi i këtij diskutimi është analizimi i betimit në kushtet e realitetit tonë si pjesë e të përgjithshmes, në perspektivën e një mjeku në lidhje me pacientët, kolegët dhe garantuesit. Ndoshta nuk duam të ruajmë formën e vjetër, por duam të ruajmë shprehjen ekzotike të formës së vjetër, ta përdorim atë në koherencë me botën moderne, të respektojmë ndjeshmëritë religjioze dhe të jemi specifik për vendin tonë. Rishikimi i vlerave në një shoqëri që ndryshon shumë shpejt kërkon diskutim të vazhdueshëm, përndryshe do ta kompromentonim pozicionin tonë që nuk mund të quhej as arkaik dhe as modern, duke mbetur në një gjendje të papërcaktuar. Disa vlera janë universale dhe të tjera i përkasin vetëm një grupi. Ky diversitet duhet vlerësuar si pasuri që duhet vendosur në shërbim të të gjithëve. Kërkesa për t’u përballur me realitetin e vlerave së paku kërkon përditësimin me shfaqjen e tyre në shoqëri.
Fjalë kyçe: Betimi i Hipokratit, Betimi i mjekut, etikë, vlera.
Betimi mbetet i rëndësishëm
Në formën e tij origjinale Betimi i Hipokratit ka lindur si një zotim, i cili, siç tregojnë të dhënat historike, u kthye në një betim në formë të shkruar rreth dy shekuj më vonë.[1] Hipokrati do të ishte shumë i lumtur po ta dinte që konsideratat e tij etike do të kishin rëndësi kaq të madhe sidomos në mjekësinë moderne. Pas një kërkimi të thjeshtë në PubMed gjetëm 1192 artikuj që kishin lidhje me “Betimi i Hipokratit” dhe 212 gjetje ku fraza gjendej e plotë në titullin e artikullit. Gjithsesi betimi në shumicën e rasteve është transformuar dhe adaptuar veçanërisht pas mizorive të Luftës së Dytë Botërore. Duke trupëzuar një koleksion të admirueshëm objektivash mbetet një garantues i vlefshëm i sjelljes ndaj pacientëve.[2] Gjithashtu shërben edhe si një mekanizëm krahasimor ndërmjet asaj se çfarë një mjek beson dhe si sillet në të vërtetë. Por deontologjia mjekësore shpesh konsiderohet sot si e panevojshme dhe e parëndësishme.[3] Për sa kohë etika ekziston, edhe trajta e saj formale e shkruar duhet të ekzistojë gjithashtu, qoftë në formën e një betimi apo të një standardi tjetër të sistematizuar. Kufijtë e ligjit janë të qartë, ndërkohë që ato të etikës mbeten të mugët, duke lejuar gjithmonë mundësinë e mospajtimeve. Mediat në veçanti e shikojnë këtë fakt si një mundësi të aktivitetit të tyre dhe mbulojnë shumë programe me këtë topikë.[4] Mesa duket nuk mund t’i iket këtij diskutimi dhe etika nuk është premtim, por pjesë e profesionit të mjekut. Edukimi formal i mjekut dhe parimet etike ecin përkrah dhe japin rezultate sinergjike, duke u shprehur si talent dhe dije dhe duke mbetur e kufizuar tek ata që mund ta përballojnë.[5]
Struktura e betimit
Krejt ndryshe nga objektivi i një ofruesi të shërbimeve mjekësore, i cili e vendos pacientin në qendër të aktiviteteve të tij, një betim mjekësor vendos në mënyrë të padiskutueshme mjekun në qendër. Koncepti i mjekut si përcaktues i kërkesës për shërbime mjekësore ka lindur së bashku me profesionin e mjekut si pamundësi e pacientit për diagnostikimin e vetes. Pacienti shkon te mjeku me një ose disa simptoma dhe është ky i fundit që i përkthen në diagnozë, duke marrë përsipër edhe vlerësimin e ndërhyrjeve të mëtejshme. Si posedues i një force të tillë mjekut i kërkohet të jetë subjekt i ligjit, i cili gjithsesi e ka të pamundur ta kontrollojë tërësisht si profesionalizmin ashtu edhe korrektësinë e tij. Kjo specifikë e përqendrimit kaq të madh të mundësisë vendimmarrëse mbi një komponent të rëndësishëm si shëndeti dhe pamundësisë për ta vlerësuar vazhdimisht ka sjellë edhe zgjedhjen e betimeve si garantues. Çdo betim “drejtohet ndaj…, dhe garantohet nga…” duke e kthyer atë në një strukturë triangulare. Betimi origjinal i Hipokratit mund të fragmentohet si në vazhdim;· Ambjenti profesional – Unë (mjeku), mësuesi (nxënësit e mi dhe fëmijët e mësuesit tim),· i sëmuri (grua apo burrë, skllav apo i lirë),· Zotat (Apollo, Aesculapius, Hygeia (Shëndeti), Panacea (Shërim për çdo sëmundje). Përfshirja e të dy gjinive në strukturën e betimit është një premtim ndaj humanizmit në një kohë diskriminimi të vërtetë gjinor. Mjeku është i trajnuar profesionalisht të menaxhojë sëmundjen, por në të vërtetë nuk trajton sëmundjen; trajton babain, nënën, motrën, bijën, djalin apo gruan e dikujt.[6] Megjithëse ky përafrim duket ai i duhuri, ndryshon në kohë. Shembulli në vazhdim tregon se si ky perceptim ka ndryshuar nga, mos e quaj pacientin ‘guri në tëmth tek shtrati 3’, sepse duhet ta respektojmë dhe të jemi humanist, në, quaje pacientin ‘guri në tëmth tek shtrati 3’ me qëllim mospërmendjen e emrit për ruajtjen e privatësisë, e tregon më së miri pretendimin e mësipërm.[7] Për sa i përket pacientit, hapi i parë për të krijuar besim ndaj shëruesit, janë paraqitja dhe shëndeti i vetë shëruesit.[8] Pas kësaj, çfarë mbetet të thuash për vlerat etike të shëruesit?! Ndarja e të njëjtave vlerave etike ndërmjet mejkut dhe pacientit është pothuaj e pamundur, por së paku nevojitet që pacientët të besojnë se mjeku i tyre është i lidhur pas disa parimeve etike. Nganjëherë, edhe përmendja e gjinisë së mjekut apo pacientit nuk specifikohet me qëllim shmangjen e qëndrimeve që shkaktohen nga mosngjashmëritë.[9] Struktura e marrëdhënieve me kolegët dhe pacientët ka ndryshuar dhe është e kuptueshme. Tashmë nuk diskutohet më për diferenca ndërmjet të lirëve dhe robërve apo burrave dhe grave, megjithëse ruaj të drejtën për të pasur dyshime. Pikërisht kjo është përpunuar në strukturën e betimeve moderne. Gjithashtu diferencat gjinore ndërmjet kolegëve janë të tejkaluara. Deklarata e Gjenevës (e rishikuar 1993) shprehet: ‘kolegët e mi do të jenë vëllezërit e mi’, ndërsa Deklarata e Gjenevës (e rishikuar 2006) shprehet: ‘kolegët e mi do të jenë motrat dhe vëllezërit e mi’. Këto ndryshime, me ndonjë diferencë të parëndësishme, tashmë mund të konsiderohen universale dhe nuk ka presion për t’i rikonsideruar.E vetmja pjesë ku mund të gjejmë mjaft diversitet është garantuesi i betimit. Doktori i betohet in bona fide një pale të tretë dhe i premton që do të jetë konseguent me standardet etike të paracaktuara. Në këtë marrëdhënie tredimensionale garantuesi mund të jetë i përcaktuar në mënyrë eksplicite apo implicite, por gjithmonë e gjejmë garantuesin. Duhet të mos harrojmë që shumica e mjekëve e kujtojnë momentin e betimit si një moment historik të zhvillimit të tyre profesional.[10] Në këtë perspektivë garantuesi duhet të vlerësohet.
Garantuesi
Nëse është i rëndësishëm nuk mund të lihet pa u konsideruar. Komponenti i tretë i betimit është garantuesi, ose entiteti që e mbron pacientin në aspektin etik dhe nëpërmjet të cilit mjeku monitoron veten. Një studimi i vitit 1989 në shkollat mjekësore të Shteteve të Bashkuara tregon se 98 % e tyre shërbeheshin me një betim mjekësor: pjesa më e madhe kishin adaptuar Betimin e Hipokratit të modifikuar (67 nga 119 të intervistuarit) dhe fakti që u konsiderua interesant ishte se katër prej tyre përdornin lutjen e Maimonides.[11] Mesa duket betimi është i përdorshëm gjithandej dhe e angazhon mjekun me detyrimin e respektimit të vlerave etike të caktuara.[12] Garantuesi i këtyre betimeve, sipas historisë dhe vendeve dhe po ashtu preferencave individuale merr paraqitje të ndryshme. Në parim zgjidhen si kuadër vlerash etike ato më të lartat dhe më të pastrat, të cilat derivojnë nga Zoti, nga një grup hyjnish apo ndonjë pozitë filozofike dhe etike siç është rasti i humanizmit. Se sa i rëndësishëm është garantuesi për secilin nga individët që bëjnë një betim është e pamundur të vlerësohet. Gjithashtu, këto entitete janë të pakrahasueshme me njëri-tjetrin, dhe çdo individ beson tek ai i përzgjedhuri nga ana e tij
Duke u përdorur nga 24 % në vitin 1928 në afërsisht 100 % të fakulteteve mjekësore në ditët e sotme, gjthmonë duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, betimi në vete nuk tregon rritje apo ulje të atashimit me vlerat etike.[13] Hipoteza më e keqe do të ishte që rritja e përdorimit të betimeve të ishte rezultat i rënies së standardeve etike dhe betimi formal është kthyer në domosdoshmëri. Historia njerëzore i njeh shumë mirë shfaqjet e sistemeve morale të reja apo të ripërtëritura në kohë kur korrupsioni mbizotëron, me kërkesën për rivendosjen e drejtësisë në emër të sistemeve të ndryshme vlerash. Ka mjaft mundësi që kjo nuk është e vërtetë në rastin tonë, por tendencat e këtyre fenomeneve nuk mund të mohohen. Megjithatë, bazat idealiste të mjekësisë mbeten të panegociushme. Pa altruizëm dhe dashuri mjekësia do të kthehej në një biznes të shëmtuar.[14]
Garantuesi është pjesë e besimeve personale. Kompania e vjetër e Zotave Grekë është jodomethënëse për monoteistët, dhe humanistët i qëndrojnë besimeve të tyre. Varësisht nga koha dhe ambienti kultural vlerat Hipokratike janë të pandashme fetarisht dhe filozofikisht.[15] Një studim tregon se mjekët që shprehen se besimi i tyre fetar është ‘gjëja më e rëndësishme’ apo ‘shumë me rëndësi’ në jetët e tyre janë më të shumtë se ata që ‘nuk kanë fe’.[16] Kjo është evidencë e diversitetit dhe mund ta shohim si një pazëll në popullatën e mjekëve, që kur shikohet si e plotësuar tregon tërësinë e zgjedhjeve etike, ndonjëherë edhe të mbivendosura te njëra-tjetra. Se si besojnë apo se sa besojnë është e pamundur të matet.
Por ta vendosim veten në pozitat e një pacienti, i cili kërkon ndihmë nga mjeku dhe i cili kërkon ndihmë duke shpresuar te vlerat njerëzore të mjekut. Ai/ajo shpreson që mjeku të jetë i mëshirshëm dhe i zoti, dhe që ka gjithmonë parasysh kur vepron garantuesin e marrëdhënies ndërmjet tyre.
Shembuj të diferencave në betimet e mjekëve reflektohen edhe në përfitimet mjekësore që merr pacienti. Hipokrati fillimisht, duke prezantuar konceptin e “physis”, e ndryshoi mjekësinë në një disiplinë racionale.[17] Ndërsa te besimet monoteiste kërkohet trajtimi i personit të pafat që ka nevojë për shërim si në trupin, po ashtu edhe në shpirtin e tij. Kur betimi bëhet “në emër të Krijuesit të qiejve dhe tokës…” shërbimi konsiderohet se merr mbështetjen e kësaj force madhore.[18] Ky diversitet nuk kufizohet vetëm në sferën filozofike, por edhe në terma praktikë. Sot, kujdesi shëndetësor nuk është një biznes që i takon vetëm mjekut, po të marrim në konsideratë për një moment dy komponentë të kujdesit shëndetësor, financimin dhe shëndetin publik. Mjekët dhe pacientët është e sigurtë që kanë ndjeshmëri të ndryshme ndaj një betimi nga një palë e tretë paguese apo strukturat e shëndetit publik. E para ka për qëllim kosto-efektivitetin e shërbimit shëndetësor dhe e dyta ka për qëllim të mos ia ndajë sytë të mirës së përgjithshme të popullatës, të dyja duke interferuar herë pas here me përafrimin individualist të betimit të mjekut. Në situata të tilla mund të shfaqet konflikti.
Konflikt
Një listë e tërë interesash politike, financiare dhe teknologjike mund të jenë në konflikt me Betimin e Hipokratit apo betime të tjerë të ngjashëm. Siç e kemi parë tashmë edhe ndërmjet vetë betimeve të ndryshme ekzistojnë diferenca domethënëse, dhe edhe më tepër pritet nga lista e ndërhyrjeve të sipërpërmendura.
Veçanërisht diktaturat janë një shembull i autoritetit politik të shtrembëruar, që e paraqesin veten si zgjedhje demokratike dhe imponojnë ‘vlera etike’ duke maskuar realitetin. Vlerat e vërteta etike kanë diferenca ndërmjet tyre, por në thelb janë universale dhe kanë si qëllim t’i shërbejnë njerëzimit. Shërbimi ndaj njerëzimit është kërkesa kryesore ndaj një kodi etik. Vendosja në shërbim të parimeve të tjera mund të pranohet vetëm nëse parimet thelbësore mbahen parasysh dhe respektohen. Shkelja më ekstreme e këtij rregulli është pretendimi nazist që objektivi i vetëm i punës së mjekut është shërbimi ndaj shtetit.[19] Me këto lloj kërkesash madje bëhet e pamundur referimi i çfarëdo kodi etike. Në të njëjtën situatë gjendet edhe mjeku i Bashkimit Sovjetik që betohet për besnikëri ndaj moralit komunist dhe shtetit sovjetik.[20] Këto sisteme politike janë tejkalur dhe mësimet janë nxjerrë prej tyre. Roli i rëndësishëm i betimit mbetet akoma. Megjithatë, çështje moderne i kanë zëvendësuar ato të mëparshmet. Si shembull mund të merret rasti kur të dhënat e pacientit përdoren për zbulimin e dobësive gjatë seancave të pyetjeve në situata lufte ose të ngjashme, duke u kthyer në burim zemërimi për mjekët.[21]
Shoqëria ndikohet edhe prej faktorëve financiarë. Financimi i kujdesit shëndetësor dhe ristrukturimi i shërbimeve mjekësore, siç është rasti i kalimit të kujdesit shëndetësor nga një ofrues i vetëm në konceptin e shumë lojtarëve njëkohësisht, apo mungesave të cilat sjellin pyetje të tilla si: “Si ka mundësi që rikthimi i shëndetit të një individi e bën shoqërinë më të varfër?”, janë diskutime të përditshme në ambientet mjekësore[22].[23]
Evolucioni i teknologjisë kërkon monitorim të vazhdueshëm. Do të ishte e patolerueshme që të lihej të zhvillohej në mënyrë të pakontrollueshme. Vetëm recetat elektronike (e-prescribing), një pjesë fare e vogël e sistemeve të informacionit shëndetësor sjellin edhe detyrimet në menaxhimin e çështjeve etike, shoqëruar me risqet përkatëse.[24]
Këto janë fusha të reja zhvillimi dhe sjellin me vete edhe përgjegjësi. Nëse mjekët dhe menaxherët e kujdesit shëndetësor zgjedhin të jenë indiferentë, herët a vonë pacientët dhe familjarët e tyre do të kuptojnë. “Nuk do të dorëzohem…” është parulla e një pacienteje që kërkon trajtimin që i takon në terren të mungesave të mjekimeve.[25]
Mesa duket ne jetojmë në një ambient të komplikuar të tregut të shëndetit. Mjekët janë të detyruar të vlerësojnë vazhdimisht punën e tyre nën presionin e kufizimeve financiare, dhe jo vetëm. Vendimmarrja klinike gjendet nën presionin e shumë forcave dhe në këtë kontekst betimet nuk janë vetëm një model reference për sjelljen e mjekëve, janë gjithashtu një strehimore për mjekun nën presion. Është një mik.
Shqipëria si një shembull
Shembulli më i mundshëm për t’u analizuar në perspektivën e analizës së deritanishme nga ana jonë është Shqipëria. E vendosur simbolikisht në mes të veriut dhe jugut, të majtës dhe të djathtës, varfërisë dhe pasurisë dhe shumë ndërmjetësive të tjera, Shqipëria mund të konsiderohet homogjene vetëm për sa i përket kombësisë së popullatës. Mjaft sisteme besimi ekzistojnë dhe përbërja fetare mund të jetë një reflektim.
Tabela 1. Popullsia banuese sipas përkatësisë fetare
Përkatësia fetare | Popullsia banuese | Përqindja e popullsisë banuese |
Total | 2800138 | 100.0 |
Myslimanë | 1587608 | 56.7 |
Bektashinj | 58628 | 2.1 |
Katolikë | 280921 | 10.0 |
Ortodoks | 188992 | 6.7 |
Ungjillorë | 3797 | 0.1 |
Të tjerë të krishterë | 1919 | 0.1 |
Besimtarë të pacilësuar* | 153630 | 5.5 |
Ateist | 69995 | 2.5 |
Tjetër | 602 | 0.0 |
Preferojnë të mos përgjigjen | 386024 | 13.8 |
E pavlefshme /e papërcaktuar | 68022 | 2.4 |
* Persona që janë përgjigjur “Nuk i përkas asnjë religjioni, por jam besimtar”[26]
Diversiteti në besime duhet konsideruar si liri besimi, por e kufizuar në aspektin praktik nga ligji. Por shteti nuk ka autoritetin absolut të ndalojë lirinë e ndërgjegjes dhe të detyrojë qytetarët të bëjnë çfarë ata mendojnë se është e gabuar.[27] Duke rikujtuar diskutimin për garantuesin në një betim të mjekut dhe duke shikuar në tabelën 1, do të duhej që për mjekët shqiptarë të kishte më shumë se një betim ose së paku një betim që pjesërisht mund të adaptohej.
Kërkimi dhe njohja praktike e situatës lokalisht bën që të gjejmë dy betime mjekësore në Shqipëri. E para është ‘deklarata e mjekut’ e Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, botimi i vitit 2011, që i referohet Deklaratës së Gjenevës (modifikuar 1993).[28] Më së paku për këtë betim mund të thuhet se është i tejkaluar në kohë. Madje kur pranohet në Urdhërin e Mjekut ai/ajo premton se do t’i bindet menjëherë dhe vullnetarisht Kodit. Gjetja tjetër është në faqen e internetit të Fakultetit të Mjekësisë, një institucion që ofron edukim mjekësor për gjithë territorin e Shqipërisë. Këtu, origjinali i Betimit të Hipokratit është përkthyer në shqip duke i ofruar brezit të ri të mjekëve mundësinë e betimit ndaj Apolonit & co..[29]
Së fundmi
Ai e ka emrin S., është neurokirurg nga Lindja e Mesme. Prej pesë vitesh ka përfunduar studimet dhe punon në një vend të Evropës Perëndimore, kolegët e vlerësojnë dhe pacientët e duan. Por vendimi i znj. E,. një grua 85 vjeç e ardhur nga bota e biznesit, për t’i dhënë fund jetës me eutanazi tashmë e kishte tronditur qetësinë e tij. Gruaja pas disa remisioneve të kënaqshme tashmë konsiderohej paciente terminale. Pas shumë orësh bisede me gruan e vjetër, mjaft kurajoze dhe koshiente për diagnozën, ai kishte arritur në përfundimin që ajo nuk vuante nga ndonjë formë depresioni konkomitant. Eutanazia ishte zgjedhja e saj. Ai kishte pasur një marrëdhënie të ngrohtë me znj. E., e cila shpesh e pyeste për vendin e tij dhe i vinte keq që nuk mund ta vizitonte.
Pacientja i ishte transferuar një mjeku tjetër dhe ai po pëpiqej të rigjente qetësinë. Eutanazia nuk kishte vend në kulturën e tij dhe tek betimi i mjekut që ai kishte bërë para shumë kohësh nuk gjente zgjidhje.
Tregimi i mësipërm nuk është i vërtetë, por fare i mundshëm dhe situata të tilla janë të zakonshme në ambiente mjekësore.
Kodi i etikës në të cilin ai/ajo beson, i formalizuar si betim i shërben mjekut/mjekes si një strehë ku ajo “çfarë beson” përballet me atë se “çfarë duhet”. Kjo mund të jetë në kundërshti me standardizimin ekstrem të kohës sonë. Rasti më ekstrem është kur mjeku vendoset nën presion gjatë kohës së luftës ku në të njëjtën kohë ai është një profesionist i shëndetësisë dhe një viktimë civile. Kjo nuk është e pazakontë dhe rrëmbimi, tortura dhe persekutimi i mjekëve janë të dokumentuara.[30] Madje jo vetëm në kohë lufte, por edhe në kohë të qeta në aparencë mjeku mund të ndjehet jo mirë kur standardet etike personale nuk arrihen. Studimet tregojnë për shfaqjen e fenomenit të mbilodhjes kur standardet etike personale nuk pranohen nga organizata ku punojnë.[31] Duke e shtrirë diskutimin te pacienti, i cili është edhe subjekti i vërtetë i ndërhyrjes mjekësore, ne e dimë shumë mirë që ai preferon disa mjekë nga disa të tjerë. Deri diku pacienti e ka të pamundur të vlerësojë aftësitë profesionle, por sjellja e stafit mjekësor është vazhdimisht në syrin e tij. Përforcimi i këtij aspekti të marrëdhënies mjek-pacient mund të shërbejë në rritjen e kredibilitetit të mjekut dhe përmirësimin e përfundimeve shëndetësore të pacientit.[32]
Fillimisht mendojmë që vendimi i parë që duhet ndërrmarrë është rivlerësimi i nevojës për një betim dhe vlerës praktike të tij. Ndërmjet mjekëve ka një variacion shumë të madh të perceptimit të vlerave dhe kjo mund të konsiderohet edhe si pasuri diversiteti. Madje në një rast kemi gjetur betimin e mjekut pensionist.[33] Betimi do të kishte vlerë nëse do të konsideronte vlerat në të cilat beson përbetuesi dhe të pacientit gjithashtu. Disa vlera etike kërkojnë të njihen në kontekstin kultural, linguistik dhe religjioz të tyre.[34]
Së fundmi, ne mbështesim idenë e më shumë se një betimi të mundshëm për mjekët tanë.
[1]. Yapijakis, C. (2009). “Hippocrates of Kos, the father of clinical medicine, and Asclepiades of Bithynia, the father of molecular medicine. Review.” In Vivo 23(4): 507-514.
[2]. York, G. K. (1998). “Is Hippocrates obsolete?” J R SocMed 91(3): 164-165.
[3]. Grammaticos, P. C. (2014). “Medical deontology, meetings, journals, candidacy for higher posts and how to better enjoy life.” Hell J NuclMed 17(2): 85-86.
[4]. Steger, F. (2011). “Yesterday’s ethics in contemporary medicine – is it still of concern?” Prague Med Rep 112(3): 159-167.
[5]. O’Neil, E., Jr. (2006). “Awakening Hippocrates: a call for health providers to serve where most needed.” MedGenMed 8(4): 44.
[6]. Pinsky, W. W. (2012). “Bioethics in practice-a quarterly column about medical ethics: do you remember the hippocratic oath?” OchsnerJ 12(4): 298-299.
[7]. Aswani, V. (2008). “Doctors, writing, and HIPAA.” FamMed 40(9): 623-625.
[8]. Reiser, S. J. (2003). “What modern physicians can learn from Hippocrates.” Cancer 98(8): 1555-1558.
[9]. Perez, S. G., et al. (2006). “Doctor-patient sexual relationships in medical oaths.” J Med Ethics 32(12): 702-705.
[10]. Landry, M. and C. Miller (2010). “Presenteeism: are we hurting the patients we are trying to help?” J Gen Intern Med 25(11): 1142-1143.
[11]. Crawshaw, R. (1994). “The Hippocratic oath. Is alive and well in North America.” Bmj 309(6959): 952.
[12]. Fabre, J. (1997). “Hip, hip, Hippocrates: extracts from the Hippocratic doctor.” Bmj 315(7123): 1669-1670.
[13]. Orr, R. D., et al. (1997). “Use of the Hippocratic Oath: a review of twentieth century practice and a content analysis of oaths administered in medical schools in the U.S. and Canada in 1993.” J Clin Ethics 8(4): 377-388.
[14]. Fabre, J. (1998). “Modern medicine and the Hippocratic doctors of ancient Greece.” J R SocMed 91(3): 161-163.
[15]. Kumar, A. (2010). “Hippocratic oath, 21st century.” Indian J Surg 72(2): 171-175.
[16]. Hart, G. (1965). “Asclepuius, God of medicine.” J Canad. Med. Ass. J. 92(1): 232-236.
[17]. Kleisiaris, C. F., et al. (2014). “Health care practices in ancient Greece: The Hippocratic ideal.” J Med Ethics Hist Med 7: 6.
[18]. Ahmad, Wahaj D., Ahmed El-Kadi, and Bashir Ahmed Zikria. “Oath of a Muslim Physician.” Journal of the Islamic Medical Association of North America 20.1 (1988).
[19]. Addis, G. J. (1997). “The BMJ’s Nuremberg issue. Force of moral duty was greater for conscientious objectors.” Bmj 314(7087): 1128.
[20]. Veatch, Robert M., ed. Cross-cultural perspectives in medical ethics. Jones & Bartlett Learning, 2000.
[21]. Koch, T. (2006). “Weaponising medicine: “Tuttifratelli,” no more.” J Med Ethics 32(5): 249-252.
[22]. Rothstein, M. A. (2010). “The Hippocratic bargain and health information technology.” J Law Med Ethics 38(1): 7-13.
[23]. Retsas, S. (2004). “Treatment at random: the ultimate science or the betrayal of Hippocrates?” J ClinOncol 22(24): 5005-5008; discussion 5009-5011.
[24]. Gomella, L. G. (2012). “Heath care reform: the carrot, the stick and the Hippocratic Oath.” Can J Urol 19(4): 6324.
[25]. Andrijevic-Matovac, V. (2010). “Have you forgotten Hippocrates too?” Croat Med J 51(3): 274-277.
[26]. http://www.instat.gov.al/en/census/census-2011/census-data.aspx
[27]. Murphy, S. and S. J. Genuis (2013). “Freedom of conscience in health care: distinctions and limits.” J BioethInq 10(3): 347-354.
[28]. Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjeksore; Miratuar nga Këshilli Kombëtar me vendimin Nr. 9 datë: 11/11/2011 http://www.urdhrimjekeve.org.al/images/dokumenta/Kodi%20i%20Etikes%20dhe%20Deontologjise%20Mjekesore%202011.pdf; http://www.urdhrimjekeve.org.al/images/dokumenta/Betimi%20i%20Mjekut.pdf
[29]. Hippocratic Oath; Faculty of Medicine; http://www.fakultetimjekesise.edu.al/component/content/article/15-rreth-fakultetit/rreth-fakultetit/26-betimi-i-hipokratit
[30]. Selvakone, M. (2009). “Doctors in detention and the Hippocratic Oath.” Cmaj 181(10): E243.
[31]. Gabel, S. (2011). “Ethics and values in clinical practice: whom do they help?” Mayo ClinProc 86(5): 421-424.
[32]. Platt, M. P. (1994). “The Hippocratic oath updated. Could boost credibility of doctors.” Bmj 309(6959): 953.
[33]. Crawshaw, R. (2001). “A physician’s oath on retirement: the oath marks an important juncture in a physician’s life.” West J Med 174(1): 7-8.
[34]. Revill, J. and M. R. Dando (2006). “A Hippocratic Oath for life scientists. A Hippocratic-style oath in the life sciences could help to educate researchers about the dangers of dual-use research.” EMBO Rep 7 Spec No: S55-60.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Jun 26, 2021 0
Dec 08, 2020 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...