Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 16, 2015 Zani i Nalte Studime 0
nga Hafiz Ali Kraja
Mbi çfarë parimesh do të mbështetet edukata morale e të rinjve tanë? Mbi parime fetare, metafizike ose mbi parime mendore, shoqërore, njerëzore, sikur që është sot në shtetet laike? Ja një problem për t’u biseduar mes laikëve dhe fetarëve!
Laikët tentojnë që edukata morale e rinisë sonë të jetë e mbështetur në përgjithësi, mbi parimet laike dhe për këtë ata i cekin disa shkaqe, të cilat po i përmendim më poshtë:
Këto janë shkaqet e treguara nga ana e laikëve mbi edukimin e të rinjve tanë, e ne po i marrim një nga një t’i shoshitim, duke i kaluar nëpër sitën e diturisë dhe filozofisë së vërtetë:
Sikur që e cekëm më parë, laikët shqiptarë (në veçanti këtë bisedë atyre po ua atribuojmë) në pikën e parë thanë se: në pikëpamje politike, në mes fesë e evolucionit kombëtar ekziston një kundërshtim absolut, pasi që “feja në esencë, përfaqëson dhe mbron administratën autokratike, kurse Shqipëria është shtet i lirë”.
Në këtë parim duhet të ndalemi pak për t’iu shpjeguar laikëve shqiptarë: këtu është duke iu dhënë fesë një definicion i njëanshëm, gjë me të cilën laikët shfryjnë mërinë e tyre kundër fesë. Feja në themel urdhëron detyrimin, e me këtë nënkuptohet të marrësh mbi vete detyra dhe përgjegjësi ndaj së drejtës së përgjithshme dhe private, dhe me këtë rast, të fitohet liria personale dhe pavarësia që i përket njeriut.
Për ta fituar një individ të drejtën e vet për liri duhet që ajo e drejtë të njihet edhe nga të tjerët dhe të merret nën mbrojtjen e tyre morale. Prandaj, e drejta e secilit krijon një detyrë për të tjerët.
Në rast se kundër çdo të drejte mbi vete nuk merret një detyrë dhe përgjegjësi, nuk mund të themelohet liria e së drejtës. Fjala liri nevojitet të studiohet në pikëpamje të së drejtës e jo të detyrës. Këtë duhet ta çmojmë mirë, sepse në detyrë nuk ka liri, ka imponim dhe detyrim, kurse sheshi i lirisë është vetëm e drejta.
Për ta fituar lirinë e pavarësinë në të drejtë, duhet marrë mbi vete përgjegjësia e detyrës. Ky detyrim pranohet prej fesë Islame dhe quhet “mukelefijet”. Mos të ishte detyrimi (mukelefijeti), liria e së drejtës nuk do të sigurohej. Ndaj, detyrimi, ndjenja e detyrës dhe përgjegjësisë, është ndër kushtet e para të shoqërisë njerëzore të civilizuar. Mundësia e shoqërimit mes njerëzve i detyrohet cilësisë së lartë të detyrimit.
Ata njerëz të ngarkuar me epshe, të cilët nuk duan ta njohin ndjenjën e detyrës, duke ngarkuar veten nga detyrimi, nuk kanë të drejtë pretendimi për lirinë e së drejtës, dhe në sytë e të tjerëve duhet të konsiderohen si shtazë të egra pa kurrfarë përgjegjësie të marrë mbi vete. Nga ana tjetër, rezulton se në atë hordhi njerëzish, natyrisht mungon dhe ndjenja e kombësisë, pasi që kombi është një formë e plotësuar e qytetërimit. Fjala komb në shoqëri dëfton për ndihmën vëllazërore, guri i themelit të së cilës është, pa dyshim, i mbështetur në të kryerit me drejtësi të detyrës së marrë mbi vete. Do të ishte gabim të paramendohet kombi si një shoqërim ndërmjet individëve, të cilët nuk kanë ndjenjat e përgjegjësisë e të detyrimit. Ja pra, për këtë shkak, feja që shëmbëllen këtë detyrim nuk është kundër evolucionit kombëtar, por është shpirti i atij evolucioni.
Feja pasqyron detyrimin, dhe ky detyrim përfshin edhe detyrën e administrimit, sepse feja, veçanërisht religjioni i vërtetë Islam, detyrën me të cilën është ngarkuar njerëzimi, nuk e ka lënë në duar të administratorëve për të përdorur dhe ndryshuar sipas kapriços dhe qejfit të njërit ose tjetrit. Shteti e qeveria janë institucione morale të përgjithshme që kanë për detyrë sigurimin e pavarësisë dhe lirinë e të drejtave të popullit, punë kjo që u përket njerëzve të drejtë, të aftë e kompetentë në detyrën që kanë marrë – timonin e qeverisjes. Në botën shkencore ekzistojnë të drejtat e përgjithshme, të drejtat administrative dhe të drejtat themelore. Këto të gjitha përbëjnë barrën më të rëndë, sidomos për ata persona të administratës, të cilët janë të ngarkuar me detyrime të tilla.
Kushtetuta, republika, janë forma e sisteme qeverisjeje, të cilat janë ndërtuar për të siguruar të drejtat e sipërpërmendura, duke pasur si autoritet shpirtin dhe ndjenjat e përgjegjësisë.
Deri më tani, ne nuk kemi dëgjuar se në historinë e kohës së re, të jetë shënuar sakrifikimi i shpirtit të ndonjë populli për ta hequr detyrimin e përgjegjësisë prej personave të autoritetit. Me sa dimë, kemi parë dhe lexuar se e gjithë njerëzia orvatet ta rregullojë detyrimin administrativ, detyrim të cilin e mohon ose e kundërshton afetarizmi dhe absolutizmi.
Çdo i pafe, sapo ta gjejë rastin, është një tiran i tmerrshëm, për arsye se e mohon çdo detyrim dhe përgjegjësi; në shpirt ai nuk ka ndjenjë detyre dhe gjithçka e bën sipas ëndjes dhe dëshirës së vet.
Për këtë pikë laikët thonë: “Edhe detyra e shkollave sot është të rrisin atdhetarë që e kuptojnë të drejtën dhe detyrën, e jo të nxjerrin njerëz që i nënshtrohen një sunduesi autokrat”. Që të jetë kështu pra duhet që fëmijët t’i rrisim në pajtim me një fe që shëmbëllen detyrimin administrativ dhe mandej, me këtë mbrohemi nga autokracia dhe afetarizmi. Por, laikët me atë paragraf duan të thonë se feja vetë urdhëron për bindjen ndaj shtetit autokrat. Kjo, sidomos, është një shpifje e rëndë kundër fesë Islame dhe është në kundërshtim flagrant me shpirtin e kësaj feje. Absoluti konsiderohet mohues i detyrimit administrativ, siç u cek më parë, dhe përderisa feja e ka pranuar detyrimin administrativ në mënyrën që u tha më lart nuk është e mundur të përgatiten brezni të cilat i nënshtrohen me vullnet sundimeve autokratike. Fetë rreptësisht kanë qenë kundër Kserksave, Faraonëve, Ebu Xhehlave etj., tiranëve të njohur të botës, dhe këta i kanë mposhtur me shpatën e drejtësisë në dorë, duke i zëvendësuar me themelimin e drejtësisë.
Të vijmë në pikën e dytë: Laikët shprehen se feja është kundër lirisë së ndërgjegjes. Por, ata duket se fjalën – liri të ndërgjegjes e kanë kuptuar pa liri të ndërgjegjes. Vërtet, nëse mendohet se mund të ekzistojë feja pa liri të ndërgjegjes, atëherë kjo është në kundërshtim me logjikën. Në botë nuk ekziston ndonjë shoqëri ku nuk ka ndërgjegje, çdo mjedis shoqëror është pasqyrë e ndërgjegjes së asaj shoqërie.
Formula e lirisë së ndërgjegjes nuk nënkupton denigrimin e fesë, por duhet të pranohet si liri fetare. Me këtë nuk është qëllimi dhënia e drejtë jetese atyre pa ndërgjegje, por e kundërta, të nderohen dhe të lartësohen ato fe që përmbajnë një ndërgjegje të përgjithshme.
Duhet ditur mirë se formulën e lirisë së ndërgjegjes, ai që pikë së pari ia bëri të njohur botës dhe e zbatoi ishte ligji fetar – Sheriati i myslimanëve. Deri me shpalljen e Islamit, në botë nuk ekzistonte asnjë shtet i cili merrte nën mbrojtjen e drejtësinë së vet fetë e tjera. Feja Islame nderimin ndaj gjithë pejgamberëve të dërguar e ka futur si një kusht imediat fetar dhe me këtë tregon një përmbledhje të të gjitha feve dhe ndërgjegjeve në gjirin e vet. Prandaj kjo fe ka qenë në gjendje ta aplikojë formulën e lirisë së ndërgjegjes. Megjithëkëtë, shoqëritë ose personat që e zbatojnë lirinë e ndërgjegjes, duhet të jenë vetë të pajisur me ndërgjegje të plotë e të gjerë.
Shoqëritë që i mohojnë fetë dhe nuk u japin liri, janë të pandërgjegjshme dhe mohojnë lirinë e ndërgjegjes.
Për të vepruar një shoqëri me parimet e lirisë së ndërgjegjes, duhet që ajo shoqëri më parë vetë të ketë ndërgjegje të plotë, të gjerë dhe jo të jetë pa ndërgjegje. Duke qenë me ndërgjegje të gjerë një shoqëri, nuk do të thotë se ajo do të shkatërrohet, si thonë laikët. Mosndërgjegjja ose ndërgjegjja e ngushtë është faktor i humbjes së një shoqërie.
Në pikën e tretë laikët duan që fenë dhe demokracinë t’i kundërvënë në mes veti; pra, ta shqyrtojmë edhe këtë pikë: Në shekullin e sotëm të mendohet për një kundërshtim në mes fesë dhe demokracisë do të ishte një çudi e për më tepër, një injorancë e madhe. Kjo injorancë në pikëpamjen e fesë islame, nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë.
Ai që është në dijeni se feja shëmbëllen administratën e detyruar, siç e treguam më sipër, si mund të ketë guxim e të mendojë për kundërvënien e demokracisë ndaj fesë, megjithëse ne nuk e dimë mendimin e laikëve mbi definicionin që ata i japin demokracisë, por, sipas shprehjes së mendimeve të tyre shihet se laikët nuk pranuakan administrimin e detyrueshëm. A thua pse nuk përkon me parimet e demokracisë që feja, për t’i ruajtur të drejtat e përgjithshme, e bën përgjegjës secilin individ ndaj detyrës së tij. Ne, deri më tani, demokracinë e kemi njohur si veprim të kundërt të aristokracisë. Pra, në praninë Hyjnore nuk ka ndarje në mes demokratit dhe aristokratit, kështu që ata që bëjnë këto ndasi, feja i njeh si dhunues.
Pse vallë, laikët tentojnë ta konsiderojnë fenë si një gjë që është kundër demokracisë. Asnjë laiku apo aristokrati nuk i caktohet vendi i posaçëm në xhami, por të gjithë thirren të falen në një xhami baras me të pranishmit që janë aty. Ne nuk themi se në mes njerëzve nuk ka klasa, sepse bota konsiderohet si hapësirë e konkurrencës, më parë e cek barazinë e njerëzve në rrugën e drejtësisë, e mandej na urdhëron të ecim në atë rrugë duke çmuar të drejtën e gjithkujt dhe me këto të drejta e detyrime të hidhet njerëzia në lëmin e përparimit, duke u munduar të ngjitet në kulmin e ngadhënjimit.
Këtë rrugë të drejtë që e përshkon më parë barazia e përgjithshme, një hadith sherif e përshkruan si shembulli i dhëmbëve të një krehri që janë të njëjtë e me ajetin Kuranor: “Më i fisnik (i vlerësuari) ndër ju te Perëndia është ai që i ruhet më shumë të këqijave”, përcaktohet klasa e aristokracisë morale, ndërsa me versetin tjetër të Kuranit: “A janë të njëjtë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”, pranohet aristokracia intelektuale. Pra, në Islam njihen këto klasa, të cilat as demokracia aktuale nuk i kundërshton.
Përkitazi me pikën e katërt, laikët thonë se, ligji i fesë është: arsyet dhe thëniet që i tregon feja duhen besuar dhe duhet me iu bind; feja nuk pranon dyshime e polemika.
Po a thua çfarë është ligji i shkencës, a thua ato që ajo i predikon mos janë gjëra utopike? Neve jemi të bindur se ligjet e shkencës dhe ato fetare tregojnë për gjërat që ne i njohim për të vërteta. Qëllimi i diturisë dhe i fesë është t’i shpëtojë njerëzimit nga dyshimet, duke i drejtuar kah e drejta, e mira, lumturia dhe realiteti. Dyshimet që pranohen dituri janë pretekst për ta futur njeriun në hollësitë e diturisë dhe të hulumtimeve të imta për t’i larguar mendimet e errëta, e jo për t’iu dhënë shkas dyshimeve; në çdo çështje ku shfaqet dyshimi aty nuk ka as dije, pasi ky është mjeti për t’i larguar dyshimet, duke sqaruar mendimet.
Sikurse shkenca, kështu është edhe feja, vetëm me ndryshim se atë çka e thotë feja është realitet dhe konsiderohet si punë e mirë, ndërsa për shkencën mjafton të jetë një realitet.
Këtë pretendim ne e bëjmë veçanërisht për fenë e vërtetë, për Islamin, pasi që nuk jemi kompetentë të themi edhe për fetë e tjera. Feja Islame është një fe shkence: “O i Dërguari im, – i thotë Allahut xh.sh. në Kuran, -ftoje në Fe secilën klasë sipas gjendjes dhe nevojës me argumente që përkojnë”[1]; popullin intelektual binde me arsyetime kategorike, kurse masës (vulgut) mbushja mendjen me predikime, këshilla dhe me shembuj të dobishëm; inatçinjve kur qëndrojnë në mendimin e vet, parashtroju çështjen me butësi e me arsyetime bindëse. Me këtë shihet se Feja Islame është gjithmonë e gatshme t’i pranojë polemikat që bëhen me qëllim të mirë. Sado që dyshimi me dijen nuk përkon e as dyshimi me besim, nuk do të thotë se Feja mbyll shtegun e polemikave.
Të vijmë në pikën e pestë ku laikët thonë: “Përparimi i shkencës ka shkaktuar dobësimin e feve, pra, as moralin nuk duhet t’ua besojmë atyre se kjo gjë është rrezik”.
Po, në botë ka gjithfarë skeptikësh dhe për ta është punë e kotë të mendohet se çka këshillon feja dhe morali. Por dëmet që rrjedhin nga imoraliteti dhe afetarizmi i këtij grupi njerëzish, nuk i sjellin ndonjë dëm as dijes, as fesë e as moralit, përveç atyre që do t’i gëzonin këshillat e fesë dhe moralit.
Ajo klasë njerëzish e dalë jashtë rrugës së vërtetë, nxiton ta rrënojë moralin, e në qoftë se ai po lëkundet, në vend që ta forcojnë, ata i shtinë kazmat edhe më thellë që ta rrënojnë sa më shpejt. Për këta njerëz, të jetohet pa nder është më e pëlqyer se të jetohet me nder, e nuk e dinë se edhe të pandershmit jetojnë falë të ndershmëve.
Asnjë faktor nuk mund ta zërë vendin e Fesë dhe ta ruajë moralin më tepër se Feja. Kjo është shpresë e çdo njeriu që kërkon ndihmë e mirësi, kurse të gjithë faktorët e tjerë qëndrojnë larg.
Feja është një e drejtë, një realitet që depërton deri në ndërgjegje; të gjitha veprimet e fshehta i ka nën vërejtje dhe porsi një rrjedhë elektrike përshkohet nëpër zemër. Shkurt, Feja është një administrator që prek shpirtin deri në misterin më delikat dhe e bën përgjegjës zotërinë, pasanikun, të vobektin, shërbëtorin e çdo person për veprimet e tija në jetë, përveç të marrëve që nuk kanë mend me të cilët nuk ka kurrfarë relacioni. Çdo ligj i Fesë u drejtohet njerëzve të mençur. Feja nuk lejon vetëvrasjen për vuajtje jete. Zemrat që ofshajnë i lëmon me kohën e ardhshme, i zbut dhe i qetëson me të mirat e premtuara të jetës së pasosur.
Pra, ata që dëshirojnë në këtë botë të jetojnë pa ndërgjegje, duhet të orvaten që sa më parë të lirohen prej ligjeve fetare sepse Feja u drejtohet njerëzve të ndershëm dhe lirimi nga ligjet e saj do të thotë hyrje në kategorinë e shtazëve. Kjo është gjendja që mbretëron në shpirtin e të pafeve; të gjitha vuajtjet njerëzore që i pëson bota sot, janë rezultat i atyre parimeve të dobëta shpirtërore.
Le ta analizojmë edhe pikën e gjashtë, me të cilën laikët na thonë: “Rregullat morale të caktuara tash sa mijë vjet nuk përkojnë me jetën e sotme shoqërore; pra qëllimi ynë është që në moral të zëvendësohen faktorët fetarë me faktorë njerëzorë”.
Ndër sekularistët tanë shohim në përgjithësi, një mënyrë argumentimi: Vjetërsinë fetare dhe të qenët e fesë si fryt i kohës së mesme e parashtrojnë si arsye e mungesës së një morali fetar në këtë shekull, apo e ndonjë vlere shkencore. Por, kjo mënyrë e justifikimit nuk gjendet brenda kornizës së diturisë. Moszbatimi i atyre ligjeve nuk arsyetohet me atë se janë fryt i kohës së mesme, ashtu siç edhe çdo ligj i kohës së sotme nuk do të thotë patjetër që të ketë vlerë shkencore. Shumë nga ligjet e vendosura sot nuk i përshtaten nevojave të një populli dhe disa ligje të vjetra mund të zbatohen më mirë se ato të rejat.
U them laikëve sekularë, a nuk e dini se në kohën e mesme kanë lindur gjeni dhe janë hartuar vepra shkencore që sa të jetë bota nuk u humbet vlera dhe rëndësia shkencore?!
Morali Fetar Islam është një dritë Hyjnore, një burim filozofik i cili kurrë nuk do ta humbë vlerën e vet të diturisë.
Laikët, duke dashur ta mohojnë faktorin moral dhe këtë ta zëvendësojnë me faktorin njeri, mohojnë edhe të drejtën e të jetuarit në rruzullin tokësor, të drejtën e ajrit që merret frymë, të dritës me të cilën ndriçohemi dhe të gjitha sendet që kanë lidhje morale me shpirtin dhe jetën shpirtërore, por nuk duhet harruar se bota në të cilën jetojmë, nuk është vepër njerëzore.
Kudo rreth nesh shohim argumente dhe vepra, të cilat janë jashtë dorës së njeriut; kjo nuk mund të mohohet, përpos nga ata që nuk kanë lidhje me moralin dhe janë të pandërgjegjshëm e të pafe.
Përveç kësaj, faktorët njerëzorë janë gjithmonë në kundërshtim njëri me tjetrin, ndërsa morali u ofron njerëzve paqe e lumturi.
Prandaj, sigurimi kryesor i moralit është besimi i vërtetë, e nëse ata që e luftojnë të drejtën kanë moral, ai moral i tyre është i dobët. Sado që të jetë shumicë kjo klasë njerëzish, ne qëndrojmë në vijën e përkrahjes së moralit të mirë, sepse me qenë i rrallë për diamantin nuk është poshtërim dhe gurët e tjerë edhe pse e thyejnë atë, vetë nuk e marrin asnjë vlerë.
Me shpjegimet që i dhamë, besojmë se kemi sheshuar vlerën shkencore e logjike të shkaqeve që, laikët i shprehën për nevojën e një edukimi laik.
[1]. Sipas kuptimit të ajetit 125 të sures En-Nahl:16.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...