Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 20, 2014 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Sipas mendimit tonë, baza e moralit duhet të jetë feja, për arsye se besimi është një themel dhe shtyllë e rregullimit të njerëzimit, dhe njerëzia nuk mund të zhvishet prej saj në asnjë kohë dhe në asnjë mënyrë. Ky themel sa më tepër që t’iu mbështetet principeve të larta dhe filozofive të thella, aq më tepër shtohet nevoja për të. Filozofi Shopenhauer këtë çështje e ka përshkruar shumë bukur. Ai thotë: “Jeta është smira dhe dëshira. Në pikëpamje të natyrës, njeriu është një shtazë që më tepër e pëlqen vetveten”. Pra, në mes të njerëzve, të cilët, në pikëpamje bëhen robër të pëlqimit të vetvetes (narcisoidë), që të mund të formohet jeta shoqërore, besimi reciprok dhe dashuria, pikësëpari duhet që njerëzve t’u ndalohet e të kufizohet vetëpëlqimi, prej të cilit rrjedhin smirat e poshtra dhe punët e këqija. Njeriu, pa qenë sundues i dëshirave dhe smirave epshore, nuk mund të inkuadrohet në jetën shoqërore, me fjalë të tjera, nuk bëhet i qytetëruar. Shkurt, disiplina është faktor i cili kufizon smirat natyrore, i zbut dhe i ndalon qëllimet e këqija, dëshirat për kriminalitet, dhe që këto i fut në një kornizë të kontrollit. Kjo disiplinë, pra, është Feja. Po të mos ishte disiplina fetare do të ishte e pamundur të themelohen te njerëzia disiplina morale dhe drejtësia. Feja, duke i pasur të shenjta zakonet e së drejtës, është një faktor që përbën ndërgjegjen kombëtare, si dhe është një themel i nevojshëm për lartësimin dhe plotësimin e shoqërisë njerëzore, sepse feja e vërtetë është një virtyt moral, dhe për arsye se feja e drejtë është vetë e drejta. Sipas filozofisë së sotme, morali është një dituri e cila na mëson të përdorim si duhet lirinë tonë. Pra, sipas këtij mendimi, dija e moralit nuk qenka tjetër veçse dije e obligimit, përgjithësisht bërja e veprave të mira prej kryerjes së të cilave del virtyti.
Sikur shihet, për ta forcuar virtytin, janë bashkuar morali dhe feja, të cilat njerëzinë e ngarkojnë me disa obligime, caktojnë mënyrën e mirëpërdorimit të lirisë njerëzore, si dhe na mësojnë virtytin duke na urdhëruar të bëjmë vepra të mira dhe të largohemi prej së keqes. Nuk ka dyshim se morali është i nevojshëm për secilën shoqëri. Në këtë mënyrë vërtetohet edhe nevoja për besim, i cili ka për qëllim caktimin e virtytit, të moralit dhe të lirisë. Feja është sunduesja më e mirë për njerëzinë, më e fortë se të gjitha ligjet dhe rregulloret, ngase burimi i saj është i lartë. Nuk ka asnjë faktor më të nevojshëm për shoqërinë sa feja, për të mbajtur harmoninë e një shoqërie. Disiplina fetare është një sundues që kurrë nuk ndahet prej njeriut dhe kudo që ai gjendet, e mban nën vërejtje. Pasi që feja është një faktor më i thekshëm i ndërgjegjes, njeriun e ndalon prej të gjitha të këqijave të fshehta ose të sheshta dhe këtë e shtyn kah e mira. Asnjë ligj ose rregullore nuk mund ta sigurojë njeriun më shumë se feja. Njeriu nga natyra është narcisoid dhe kur e gjen rastin e mbetet i lirë prej vërejtjeve të ligjit ose të disiplinës, ai vepron sipas ëndjes së vet. Pra, për ta ndaluar dhe për ta ruajtur prej të këqijave, e vetmja fuqi është disiplina fetare. Njeriu që përmes fesë ka mësuar se Allahu (i Amshueshmi) është në dijeni për secilën fshehtësi të njeriut, me vete ka një vullnet të fortë me të cilin ai gjithmonë i mund instinktet shtazore dhe largohet prej të këqijave. Duke pasur një vullnet dhe karakter të fortë, fetarët me virtyte janë më të moralshëm se të tjerët.
Andaj, një shoqëri në të cilën mbisundojnë fetarët gjendet një rregull e harmoni e gjithmbarshme. Filozofi Aleks Berton thotë: “Besimi që gjendet ndër njerëz të besueshëm është një mbështetje e vlefshme për moral, kështu që në këtë s’ka asnjë dyshim. Morali fetar është një moral filozofik”. Morali fetar është një domosdoshmëri për njerëzinë. Vërtetohet një realitet se për një komb që mbetet pa moral fetar, ekziston një rrezik që kërcënon qenien e kombit. Filozofi anglez Herbert Spenser me shumë arsye ka thënë: “Urdhrat e moralit në ditët e sotme janë duke sjellë fuqinë e cila përcillet nga burimet e shenjta. Rreziqet më të mëdha vijnë në shprehje kur morali fetar e merr tatëpjetën”.
Në shekullin aktual disa njerëz, duke marrë parasysh përparimin mendor, pretendojnë në atë se feja nuk është e nevojshme, por bile as morali, edhe pse është vërtetuar se një shoqëri nuk mund të jetojë pa moral. Këta themelet e moralit tentojnë t’ia ngarkojnë ndërgjegjes, dhe kështu, të mos ketë nevojë për fe. Filozofi Spenser, siç u tha më sipër, duke paraparë rrezikun që i kanoset kohës së sotme, ku morali fetar është në rënie e sipër, mundohej ta themelojë një moral të vetin që të mund ta ndalojë rrezikun e përgjithshëm. Por, është për t’u menduar a thua se një moral i tillë do të ishte në gjendje të ketë ndikim sa morali fetar, i cili mbështetet në burimet e Madhërueshme? Paaftësia e themelimit të një morali të tillë a nuk vërtetohet edhe me ngeljen pa rezultat të iniciativës së Spenserit?
Për ta caktuar çështjen e një morali të themeluar vetëm mbi ndërgjegje, pikësëpari duhet ta kërkojmë domethënien e ndërgjegjes. Edmond Goblot, në fjalorin filozofik, e definoi ndërgjegjen në këtë mënyrë: “Shqisa për ta ndarë të mirën e të keqen”. Ata që duan ta zhvillojnë një moral mbi ndërgjegje, kështu i forcojnë teoritë e veta: “Ajo që përcakton moralitetin ose imoralitetin e një vepre nuk i përket mendjes, por kjo është detyrë e ndërgjegjes. Mendja është një dëshmitare e cila e dikton të mirën prej të keqes, kur ndërgjegjja është sunduese”.
Sipas kësaj, merret vesh se ndërgjegjja e kupton ligjin moral dhe e ven në veprim. Ndonëse mund të pranohet se ndërgjegjja në të kuptuarit e ligjit nuk gabon, megjithatë, s’ka dyshim se duke e vënë atë në veprim gjithmonë ndeshet në gabime. Kjo gjendje për çdo ditë vërehet te njerëzit: Secili sofist që ka për qëllim të mirën e vetvetes, e ka të vështirë ta vërë në veprim ndërgjegjen dhe shohim se si njeriu, që është krijesa më e përsosur, shpeshherë zbret në rangun e kafshëve më të egra.
Fjalët e filozofit Lajbnic e tregojnë këtë të vërtetë shumë bukur: “Sikur edhe gjeometria të kishte dalë përballë interesave tona me të gjitha argumentimet dhe vërtetimet e Euklidit dhe Arkimedit, kishim menduar dhe e kishim prishur duke thënë se gjeometria është një dije përfytyrimesh dhe përkrahjesh të rreme”. Prej kësaj nënkuptohet se veprat dhe sjelljet që të mund të aplikohen në ligjin e së mirës dhe të keqes, ndërgjegjja ka nevojë për një prijës të ndritshëm, për arsye se ndërgjegjja gjithmonë është e hutuar. Që ndërgjegjja të mund të jetë e fuqishme duhet të ketë lidhje me një burim të shenjtë, përndryshe ndërgjegjja, e cila kuptohet prej sofizmave dhe smirave personale, nuk mund të veprojë si duhet. Ky prijës i ndërgjegjes mund të jetë vetëm Feja dhe se një moral i ndërtuar vetëm mbi ndërgjegje personale pa pasur si prijës Fenë, nuk mund ta ketë vulën-përulëse.
Disa njerëz që nuk kanë pasur lidhje me asnjë besim dhe duken si nderues të virtyteve morale, nuk mund ta rrëzojnë pretendimin tonë, si e vërteton edhe dija shoqërore, çdo individ derisa rritet nën disiplinën e shoqërisë në të cilën gjendet, pa qenë i vetëdijshëm është pjesëtar në bindje dhe detyra të asaj shoqërie, dhe nuk është në gjendje të ndahet prej tyre. Disa të pafe, që duken të moralshëm, janë nga ata që janë rritur në mesin e atyre shoqërive të cilat me shekuj kanë jetuar në disiplinën fetare dhe kanë qenë nën ndikimin e saj. Këta kanë marrë mësime e edukatë prej atyre shoqërive, duke iu pëlqyer edhe principet për të mirën e për të keqen, pa menduar se prej nga rrjedhin ato. Pra, veprat morale që shihen te ata, nuk janë gjë tjetër përpos përfundimet e përshtypjeve të atyre rretheve. Këta njerëz, po të rriteshin në një shoqëri pa fe, në vete nuk do të kishin kurrfarë virtyti moral. Prej kësaj nënkuptohet se vetë ndërgjegjja nuk është e aftë t’i mbajë ligjet e moralit, të cilat janë themel i parë i qytetërimit të vërtetë, as nuk është në gjendje ta përvijojë harmoninë e shoqërive njerëzore.
Islami dhe bashkimi kombëtar
Po shohim se një pjesë e pseudo-intelektualëve po i sulmojnë sot në Shqipëri fetë e njohura qiellore. Arsyeja e këtij sulmi rrjedh nga fakti se, kinse nuk është e mundur të formohet një unitet kombëtar dhe një dashuri e vërtetë, ngase pjesëtarët e besimeve të ndryshme janë kundërshtarë të njëri-tjetrit. Meqë ky pretendim nuk mund të pajtohet me besimin tonë, jam i detyruar ta qortoj këtë gabim.
Islami nuk i njeh për kundërshtarë ndjekësit e Krishtit, për më tepër, i konsideron ata si anëtarë të mëshirshëm. Kjo mund të vërtetohet me këtë ajet të Kuranit të Madhërueshëm në të cilin shihet se me çfarë ndjenjash myslimanët janë të pajisur ndaj të krishterëve: “O Muhamed! Në mes të kundërshtarëve, në mënyrë të dashurisë, më të afërm i gjen të krishterët (Nesara)”[1]. Se ne, në pikëpamje të dhimbjes dhe dashurisë, krishterët i njohim më të afërt, këtë e tregon edhe dëshpërimi që patën myslimanët me rastin e disfatës që pësuan të krishterët në një luftë. Këtë e vërteton edhe historia. Në kohën kur Muhamedi (a.s.) ishte duke luftuar idhujtarët e Mekës, ushtria idhujtare (mexhuse) e Persisë kishte arritur një fitore të madhe luftarake kundër krishterëve të Bizantit. Idhujtarët e Mekës, të cilët i konsideronin si vëllezër Persianët, ndërsa myslimanët dhe të krishterët i llogarisnin si bashkudhëtarë në kërkim të Perëndisë, u gëzuan për këtë fitore të Persisë dhe u dërguan lajme myslimanëve se së shpejti do t’u thyejnë fuqinë atyre sikur vepruan me vëllezërit e tyre të krishterë. Disfata e krishterëve shkaktoi një dëshpërim te Pejgamberi (a.s.) si dhe te shokët e tij. Por pas disfatës së bizantinëve erdhi ky ajet i Kuranit: “Rumët (bizantinët) në tokën e tyre pësuan disfatë, por, pas kësaj disfate ata do të korrin fitore brenda pak viteve (tre deri në dhjetë vjet)[2]”. Me këtë ajet të Kuranit u ngushëlluan zemrat e myslimanëve me një shpresë të fitores së afërt. Dhe me të vërtetë, në vitin 625, krishterët korrën fitore kundër persianëve dhe e larguan ushtrinë e tyre jashtë tokave të Perandorisë Bizantine. Ja pra, prej kësaj kuptohet se myslimanët pasuesit e Krishtit i njihnin si anëtarë të mëshirshëm.
Pos kësaj, dihet se në pallatet e mbretërve myslimanë, shumë dijetarë të krishterë kanë qenë të mirëpritur dhe çonin një jetë të lumtur. Ata që kanë lexuar dhe mësuar historinë e mbretërisë së Abasidëve, sidomos në kohën e sundimit të mbretit Ma’mun, kanë parë se shumë dijetarë e filozofë të krishterë dhe hebrenj janë ftuar në oborrin mbretëror të diskutojnë rreth çështjeve teologjike e filozofike bashkë me dijetarët myslimanë, dhe secili prej tyre ishte i lirë t’i parashtronte pikëpamjet dhe mendimin e vet. Për ta vërtetuar këtë thënie po tregojmë se çfarë thotë një dijetar amerikan në librin e tij “History of the conflicts”: “Këta lloj dijetarësh që punonin në oborrin mbretëror të Abasidëve në Bagdad, jo vetëm që nuk u merrej fare parasysh vendlindja, kombësia dhe besimi, por përkundrazi, si shpërblim i diturisë së tyre, emëroheshin edhe në shkallë të larta shtetërore dhe me dhuratat që iu jepeshin siguronin jetën e tyre”.
Ja pra, në themelet e parimeve të besimit të myslimanëve që shihet nga kjo, duke u bashkuar me të krishterë janë në gjendje ta ruajnë dashurinë kombëtare dhe ta gëzojnë jetesën e përbashkët. Kështu mund të ruhet edhe pavarësia e fituar së bashku me të gjitha sakrificat, duke kaluar mbi çdo pengesë që paraqitet ndër besimet e tyre.
[1]. El-Maide, 5:82 (shënim i redaksisë).
[2]. Rrum, 30:1-3 (shënim i redaksisë).
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...