Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 15, 2014 Zani i Nalte Histori 0
nga Qerim Lita – Shkup
Abstrakt
Bashkësia Fetare Islame në Mbretërinë e SKS (jugosllave), përkatësisht Ulema Mexhlisi i Shkupit, i cili përfshinte tërë viset shqiptare nën Jugosllavi, pati një rol të rëndësishëm në organizimin e popullsisë myslimane. Nisur nga ky fakt, pushteti i atëhershëm jugosllav, te kjo organizatë, shihte një “alete” (vegël) të fuqishme për realizimin e planeve të veta të errëta, siç ishin: asimilimi i popullsisë myslimane veçanërisht të asaj shqiptare e turke; dëbimi i dhunshëm i kësaj popullsie për në Turqi dhe kolonizimi i këtyre viseve me kolona sllave.
Për këtë qëllim, zyrtarët e Beogradit, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ndërhynë brutalisht në organizimin e brendshëm të BFI-së, duke emëruar emisarë të tyre nëpër të gjitha organet drejtuese të saja. Këta emisarë, të cilët vinin nga Bosnja e Hercegovina, siç ishin: Hasan Rebac, Ahmed Mehmedbashiç, Fejzi Haxiamziq, Sheçerkadiç e shumë të tjerë, në përpikëri do ti zbatojnë detyrat e marra nga padronët e tyre të Beogradit.
Përveç kësaj, me qëllim të realizimit të planeve të parapara, qeveria mbretërore e atëhershme e SKS, në vitin 1925, në Shkup, hapi një shkollë të mesme, gjoja për krijimin e “kuadrit fetar” për popullsinë myslimane, për viset siç thuhej “jugore jugosllave”. Në këtë shkollë që e mori emrin “Medreseja e Madhe Kral Aleksandri i I-rë”, përveç drejtorit (Mehmedbashiç, një mysliman nga Bosnja e Hercegovina, i deklaruar si serb), nuk pati asnjë të punësuar që i takonte besimit Islam, përkundrazi të gjithë ishin të krishterë, serb ose rus, përfshi këtu edhe mësimdhënësit e lëndëve fetare si dhe edukatorët.
Në një situatë të këtillë, u krijua një pakënaqësi e madhe në mesin e popullsisë myslimane, veçanërisht të asaj shqiptare, e cila në fillim të viteve tridhjetë do të shprehet në mënyrë publike. Për rrjedhojë në vitin 1930, u soll Kushtetuta e parë e Bashkësisë Fetare Islame e Mbretërisë Jugosllave. Sipas dispozitave të saj, tani Shkupi u bë qendër e barabartë me Sarajevën, sepse këtu tani u krijuan institucionet më të larta të BFI-së, siç ishin: “Ulema Mexhlisi” dhe “Kuvendi Mearif i Vakëfit”. Mirëpo e gjithë kjo, nuk solli ndonjë përmirësim të dukshëm në punën e saj, sepse udhëheqjen e saj e drejtonte klika serbomadhe. Nuk vonoi shumë, me qëllim të përmirësimit të pozitës tejet të palakmueshme të popullsisë shqiptare, në Shkup me nismën e disa veprimtarëve me ndikim, siç ishin: Ferhat bej Draga, Hasan Shukriu, Shaban Efendiu, Idriz Cërcëri, Remzi Abdullau, Mulla Idriz Gjilani, Kadri Saliu, Sali Beu, Bedri Hamidi etj., u krijua një qendër opozitare shqiptare. Fushëveprimi i kësaj qendre u përqendrua brenda Bashkësisë fetare Islame, ku ata ishin thellë të bindur se me marrjen e kësaj bashkësie, do të mund ti kundërviheshin më me sukses projekteve antishqiptare të autoriteteve të Beogradit.
Pas një beteje të gjatë dhe të mundimshme, në fillim të vitit 1936, në bashkëpunim me Mehmet Spahon, i cili i printe Organizatës së Myslimanëve të Bosnjës e Hercegovinës, ata bënë ndryshime radikale në dispozitat e Kushtetutës së BFI-së. Me këto ndryshime, BFI u bë një organizatë thuajse autonome, sepse të gjitha organet e saja drejtuese zgjidheshin nëpërmjet zgjedhjeve të fshehta e të lira nga popullsia myslimane, përkatësisht xhemati. Kjo u pa në zgjedhjet e vitit 1937, të cilat njëherë ishin të parat dhe të vetmet që u zhvilluan në këtë bashkësi gjatë sundimit të Mbretërisë së atëhershme jugosllave, në të cilat fitoi bindshëm krahu kombëtar shqiptar me në krye Ferhat bej Dragën.
Udhëheqja e re e BFI-së në Shkup, e cila erdhi menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, bëri ndryshime radikale si në mënyrën e organizimit të myslimanëve, po ashtu edhe në krijimin e politikës brenda organeve të saja drejtuese. Falë kësaj, së shpejti kjo organizatë u bë shumë e popullarizuar tek popullsia shqiptare, e cila tani atë e konsideronte si “institucionin e vetëm ku mund ti mbronin interesat e tyre nacionale e fetare.”
Ndër aktivitetet e shumta që zhvilloi kjo organizatë fetare, gjatë periudhës kohore 1937-1941, duhet veçuar fushata e bujshme kundra shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Qarqet e atëhershme, policore e ushtarake jugosllave, me të madhe e akuzonin udhëheqjen e Ulema Mexhlisit të Shkupit, për aktivitetin e saj politik e organizativ brenda popullsisë shqiptare, që sipas tyre binte ndesh me “politikën shtetërore” dhe se në mënyrë të dukshme po i acaronte marrëdhëniet fetare e nacionale në ato vise. Sipas tyre, bartës i këtyre aktiviteteve ishte Ferhat bej Draga, i cili siç vihej në dukje “me ndihmën e Mehmed Spahos ka arrit ta shqiptarizoj Bashkësinë Fetare Islame në Shkup”, dhe se “tash më ai është shpall lider i pakontestueshëm i shqiptarëve në Jugosllavi”.
Një pasqyrë e shkurtër e Bashkësisë Fetare Islame në Shkup 1918-1937
Bashkësia Fetare Islame në Shkup (në vazhdim BFI), në periudha të ndryshme kohore pati organe të ndryshme drejtuese, disa prej të cilave funksiononin që nga periudha e Perandorisë Osmane. Me themelimin e Mbretërisë SKS (1918), me qëllim të futjes nën kontrollin e saj, autoritetet e Beogradit, themeluan Myftininë Supreme[1], e cila drejtpërsëdrejti merrej me organizimin fetar të mbarë popullsisë myslimane në vend. Burimet arkivore bëjnë të ditur se nga viti 1921, krahas Myftinisë Supreme u themeluan edhe disa Myftini të qarqeve si dhe ato të rretheve. Kështu në trevat e sotme të Maqedonisë, Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi u themeluan katër myftini qarkore: Myftinia e Qarkut të Shkupit[2], Myftinia e Qarkut të Prizrenit[3], Myftinia e Qarkut të Novi Pazarit[4] dhe Myftinia e Qarkut të Plavës.[5]
Këtyre myftinive ju ishte caktuar territori, ku ata përgjigjeshin për organizimin e jetës fetare të myslimanëve. Kështu, territori i Myftinisë së Qarkut të Shkupit, përfshinte tërë Maqedoninë e sotme, Luginën e Preshevës si dhe rrethin e Kaçanikut, ndërsa ajo e Prizrenit, me përjashtim të rrethit të Kaçanikut, përfshinte territorin e sotëm të Kosovës. Në kuadër të këtyre myftinive u themeluan edhe myftinitë e rretheve siç ishin: Myftinia e rrethit të Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Velesit, Gostivarit, Resnjës, Gjilanit, Prishtinës, Gjakovës, Pejës etj.[6]
Duhet të vëmë në dukje se krahas myftinive të sipërpërmendura, në këta territore funksiononin edhe shumë drejtori të Vakëfeve, si në: Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kumanovë, Gjilan, Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë etj.[7] Themelimi i këtyre drejtorive, erdhi për faktin që të kontrollohej pasuria e patundshme e “BFI-së”, e trashëguar që nga periudha e Perandorisë Osmane. Kjo pasuri ishte e shumëllojshme duke filluar nga objektet fetare siç ishin xhamitë, teqetë, mejtepet, mezxhidet etj., e deri te pronat e shumta të patundshme si toka bujqësore, pyje, kullota, pastaj dyqane dhe hane të shumta nëpër vendbanimet urbane etj. E gjithë kjo pasuri kontrollohej nga një numër i vogël personash, të cilët pushteti i atëhershëm hegjemonist serb, si vegla të tyre më të besueshme, i solli nga Bosnja e Hercegovina, siç ishin Haxhiamziqi, Mehmetbashiqi, Rebac, Haxhibegiçi, Torfiç etj.[8]
Kjo strukturë, siç do të shohim në vazhdim të këtij punimi, në përpikëri do ta zbatojë politikën hegjemoniste serbomadhe, e cila parashihte “serbizimin e këtyre viseve të pastra shqiptare”, që sipas hartuesve të këtij plani, do të arrihej nëpërmjet asimilimit, përkatësisht dëbimit me dhunë të popullsisë shqiptare nga këto vise për në Turqi dhe Shqipëri, dhe në vend të tyre do të vendoseshin elemente sllave, nga viset e ndryshme të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës. Çerdhja kryesore e serbomëdhenjve, ishte Medreseja e Madhe, e cila u themelua në shtator të vitit 1925, me propozim të Ministrisë për Fe të qeverisë së atëhershme mbretërore të SKS-së, dhe me dekretin e Mbretit Aleksandri i I-rë, të datës 24 prill 1924[9], e cila e mori emrin: “Medreseja e Madhe Kral Aleksandri i I-rë”[10]. Që qëllimi primar i kësaj shkolle ishte asimilimi i popullsisë shqiptare, mund ta shohim në raportin vjetor për punën e kësaj shkolle, dërguar me 14 korrik 1930 deri te Ministria e arsimit të Mbretërisë së Jugosllavisë, nga ana e Dragosllav Jovanoviqit, këshilltarit të ministrit dhe profesor universitar, i cili qartë shprehet se: “..përveç drejtorit (Mehmedbashiq, një boshnjak i serbizuar – Q.L.) nuk ka asnjë arsimtar ose edukator të besimit islam, por të gjithë janë ortodoksë të vërtetë, serb ose rus..” Në vazhdim ai në raport, ndalet në shkaqet e themelimit të saj ku shprehimisht thotë: “… që t’ju dilet në ndihmë, elementeve myslimane të shkojnë në rrugën e vërtetë të arsimimit dhe progresit, të bëhet rinovimi i kuadrit teologjik, të edukuar nëpër shkollat në frymën e kulturës sonë, për nevojat tona shtetërore dhe të aspiratave e idealeve tona nacionale, që të eliminohet propaganda e huaj në mesin e elementeve shqiptare e turke, që të përshpejtohet procesi i asimilimit i këtyre elementeve, si zgjidhje më e përshtatshme e çështjes u pa hapja e shkollës Medreseja e Madhe…”[11]
Në rrethana, kur shqiptarëve ju mohohej çdo e drejtë qoftë ajo qytetare apo nacionale, arsimore, kulturore etj., një pjesë e parisë fetare dhe kombëtare shqiptare, ndërmorën një sërë aktivitetesh politike dhe organizative, të cilat kishin për qëllim vetëdijesimin e popullsisë shqiptare. Dokumentet e kohës flasin se drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si qendër të tyren, nga ku do t’ju kundërvihen planeve dhe projekteve antishqiptare të pushtuesve hegjemonistë serbë, zgjodhën Shkupin. Ishin të shumta arsyet se përse atdhetarët shqiptarë fushëveprimin e tyre politik e organizativ e përqendruan në këtë qytet, disa prej të cilave po i paraqesim në vazhdim:
– Shkupi në atë kohë njihej si qytet me numrin më të madh të shqiptarëve, më shumë se në cilindo qytet tjetër shqiptar;
– Qeveria e Mbretërisë Jugosllave, Shkupin e kishte shpallur qendër, siç i quante ajo këto vise, të: “trevave jugore serbe”, përkatësisht: “Banovinës së Vardarit”, andaj këtu ishin vendosur një numër i madh i institucioneve civile e ushtarake jugosllave siç ishin: udhëheqja e Banovinës në krye me Banin, Qendra për realizimin e Reformës Agrare, ministritë rajonale të arsimit, fesë, drejtësisë, policisë, bujqësisë si dhe Komanda e Tretë e Armatës së saj;
– gjithashtu, nuk duhen harruar as institucionet e BFI-së, përfshi edhe Medresenë e Madhe, nëpërmjet së cilave pushteti tentonte të zbatonte politikën e vet antishqiptare;
Në anën tjetër, këtu në Shkup nga fillimi i viteve ‘30 ishin vendosur disa Përfaqësi Konsullore Diplomatike, si ajo e Mbretërisë Shqiptare, Republikës së Turqisë etj.[12]
Nga këto si dhe shumë arsye të tjera, atdhetarët shqiptarë vendosën që aktivitetin e tyre ta përqendrojnë mu në këtë qytet të lashtë shqiptar. Duhet të vëmë në dukje se numri më i madh i drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në atë kohë ishin teologë, të cilëve do t’ju bashkëngjiten edhe atdhetarë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë.
Në fillim të vitit 1936, ndodhën trazira të shumta brenda organeve të BFI-së, të cilat ishin rezultat i kërkesave permanente të krahut opozitar shqiptar, që me këtë bashkësi të udhëheqin vendorët, përkatësisht shqiptarët, e jo klika serbomadhe e instaluar nga Bosnja e Hercegovina në Shkup. Ndërkohë, prijësve fetarë shqiptarë, do t’ju bashkëngjiten edhe disa krerë shqiptarë më me ndikim siç ishin; Ferhat bej Draga, Hasan Shukriu, Kadri Saliu, Zenel Strazimiri, Emin bej Kumbara, Asim Luzha etj.[13] Njëkohësisht me ndihmën e Legatës shqiptare në Beograd, u themelua organizata studentore “BESA”, veprimtaria e së cilës së shpejti u përhap në mbarë trojet e okupuara shqiptare. Nismëtarët e themelimit të kësaj organizate ishin: Tahir Ismaili[14], Jahja Osmani nga Matejçi i Kumanovës, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdulla Saqipi nga Presheva, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Shaip Kamberi nga Tetova, Esat Berisha nga Gjilani, Qazim Bllaca nga Bllaca e Malishevës, Ibraim Lutviu nga Prizreni etj.[15]
Kjo bërthamë e shëndoshë, kombëtare e fetare, së shpejti vendosi lidhje të ngushta edhe me konsullin shqiptar në Shkup, Rexhep Stablën, i cili pa rezervë do tu dilte në ndihmë, si në pikëpamjet materiale, po ashtu edhe në ato politiko-organizative. Burimet arkivore të kohës, bëjnë të ditur se, diplomati shqiptar, gjatë viteve 1935-1939, mbante lidhje të fshehta me disa veprimtarë të kauzës shqiptare siç ishin: Ferhat Draga, Hasan Shukriu, Fetah Mehmeti, Nevzat Maksuti, Gani Selimi, Shaban Efendiu, Remzi efendi Abdullahu etj. Takimet, siç vënë në dukje burimet e sipërpërmendura: “zakonisht mbaheshin në Bojali Han”, që më vonë ky lokal do të shndërrohet në qendër të rezistencës shqiptare, kundra politikës hegjemoniste serbe.[16]
Duhet të vëmë në dukje, se pas zgjedhjeve të vitit 1935, në qeverinë e Stojadinoviçit, merrte pjesë edhe “Organizata e Myslimanëve të Jugosllavisë”, që udhëhiqej nga Mehmet Spaho. Ndër kërkesat e Spahos dhe të partisë së tij, për ta mbështetur qeverinë e Stojadinoviçit, do të jetë: “..kthimi i selisë së Reis Ulemasë nga Beogradi në Sarajevë” dhe “revizioni i Kushtetutës së BFI, si dhe pensionimi i Reisit të atëhershëm Maglajiç.”[17]
Pas këtyre kërkesave qëndronte edhe opozita e BFI-së në Shkup, e cila autorizoi Ferhat bej Dragën, që të mbajë kontakte me Spahon. Për rrjedhojë, me 25 mars të vitit 1936, organet kompetente të Bashkësisë Fetare Islame të Jugosllavisë, sollën Kushtetutën e re, e cila me 24 tetor të vitit 1936 u nënshkrua nga ana e Mbretit, ndërsa me 5 nëntor u publikua edhe në gazetën zyrtare.[18]
Me 30 maj 1937 u mbajtën zgjedhjet e para të lira e demokratike të BFI-së, në të cilat fitoi krahu opozitar, përkatësisht lista e Ferhat bej Dragës, të cilat përfundimisht e bënë këtë bashkësi armën më të fuqishme kundër projekteve antishqiptare të klikës hegjemoniste serbomadhe. Se cili ishte roli i udhëheqjes së re të “Bashkësisë Islame” në Shkup, më së miri e përshkruan Vasa Çubrilloviq, në referatin e tij me titull: “Problemet e pakicave në Jugosllavinë e Re”, lexuar më 3 nëntor 1944 në Beograd, ku ndër të tjera pohon: “Kur pas marrëveshjes zgjedhore me Stojadinoviçin, nëpërmjet Mehmet Spahos, Ferhat bej Draga arriti ta zgjerojë autonominë e Bashkësisë Fetare Islame edhe në Serbinë e vjetër[19] dhe në Maqedoni, me seli në Shkup, separatistët shqiptarë përfituan një armë të fuqishme në duart e veta. Ata për dy tre vjet, aq shumë e shfrytëzuan, saqë e morën në duart e veta tërë organizatën fetare dhe arsimore të Myslimanëve në Jug. Nëpërmjet saj ata u organizuan politikisht, dhe kaluan në sulm..”[20]
Marrëveshja turko-jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve
Krahinat shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia deri në vitin 1912 përbënin shumicën absolute të popullsisë së përgjithshme, ndërsa elementi sllav (serb, malazez, maqedonas), ishte një pakicë e parëndësishme, e që ishte infiltruar gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Menjëherë pas pushtimit të këtyre tokave, nga ushtria serbe, filloi shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve për në Turqi në njërën anë, si dhe kolonizimi i vendbanimeve të pastra shqiptare me serbë, malazezë, maqedonas, boshnjakë etj.
Historiografia sllave, për ti mbuluar gjurmët e gjenocidit të kryer mbi popullsinë shqiptare nga ana e tyre, gjithmonë ka tentuar ta fshehë realitetin etnik në këto krahina shqiptare. Ndër “argumentet”, që më së shumti përdoren nga historianët serbo-maqedonas, janë regjistrimet e popullsisë të kryera gjatë viteve 1921 dhe 1931, nga regjimi i atëhershëm i Jugosllavisë Mbretërore. Këto të dhëna, nuk mund të pranohen si të mirëqena, sepse siç dihet regjistrimet e atëhershme nuk janë mbajtur sipas kriterit të kombësisë por sipas atij fetar. Kështu, nga 700 000 banorë të deklaruar si mysliman, gjatë regjistrimit të vitit 1921, në krahinat shqiptare nën sundimin jugosllav, qeveria e atëhershme, si shqipfolës, llogariste 441 000 banorë, 132 000 turko-folës, ndërsa të tjerët serbo-folës. Ndarja e shqiptarëve në: shqiptarë, turq dhe serbë, zbulon haptazi qëllimin e qeverisë së atëhershme jugosllave, e cila parashihte shpërnguljen e detyrueshme të shqiptarëve për në Turqi në njërën anë, si dhe kolonizimin e këtyre krahinave me elemente sllave.
Për të pasur një pasqyrë më të qartë rreth përbërjes etnike, të krahinave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia, po i referohem librit: “Kosova – Djepi i Shqiptarizmit”, të autorit Hamit Kokolari, në të cilin përveç tjerash thuhet: “..elementët serbe e malazeze të infiltruar gjer më 1912 në krahinat shqiptare që më vonë do të aneksoheshin nga Jugosllavia, nuk përfaqësonin veçse 5% të popullsisë së përgjithshme, por çka meriton të vihet në dukje është fakti se në krahinat në fjalë, sidomos në veri të distrikteve të Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, Gostivarit e Kërçovës, as para as pas vitit 1912, nuk figuron asnjë element bullgaro-maqedonas. Por dhe në ato vise shqiptare si Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga, Ohri, Manastiri, ku elementi maqedonas ka mundur të infiltrohet para vitit 1912, numri i tij ka qenë kurdoherë pa rëndësi në krahasim me numrin e Shqiptarëve.”[21]
Pra, nga kjo, shihet qartë se këto vise kanë qenë të banuara kryesisht me shqiptarë dhe se elementi sllav është vendosur pas vitit 1912. Mbështetur në të dhënat e dokumentuara, si dhe në literaturën shkencore të autorëve vendas dhe ndërkombëtarë, shpërngulja e shqiptarëve nga vatrat e tyre është zhvilluar në tri faza: faza e parë filloi nga viti 1912 dhe zgjati deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Karakteristikë e kësaj faze është se okupatori serb gjatë kësaj periudhe me qëllim të pastrimit etnik zhvilloi një fushatë të egër, ndaj popullsisë vendase shqiptare si vrasje masive, përndjekje, etj. Faza e dytë filloi nga viti 1919 dhe zgjati deri në vitin 1931. Në dallim nga faza e parë, tani autoritetet serbe zhvillojnë një politikë tjetër antishqiptare, ku në emër të “Reformës Agrare”, bëjnë konfiskimin e pronës shqiptare dhe të njëjtat ua shpërndajnë kolonistëve serbë. Faza e tretë filloi pas vitit 1931 kur: “Mbretëria jugosllave shpall ligjin mbi kolonizimin e krahinave jugore.”[22] Veç kësaj në vitin 1937: “Klubi kulturor serb i Beogradit vendos një projekt për shpërnguljen e detyruar të shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë drejt Turqisë dhe Shqipërisë.”Konform këtij projekti, qeveria jugosllave, më 29-30 shtator të vitit 1938, nënshkruan një Marrëveshje me qeverinë turke, që njihet si: “Marrëveshja turko-jugosllave për kalimin e shqiptarëve në Turqi.”[23] Në fakt kjo politikë antishqiptare u iniciua nga Vasa Çubrilloviçi në vitin 1936 për ta vazhduar Ivo Andriçi në vitin 1939.[24]
Në vitin 1935 pushtetarët e Beogradit, respektivisht Dhoma e Reformës Agrare në Shkup, filloi një aksion edhe më të ashpër, sa i përket konfiskimit të tokës pjellore nëpër vendbanimet shqiptare. Aksioni i ri parashihte që “fshatarëve shqiptarë, t’u lejohet vetëm 0,4 hektar tokë për një anëtar të familjes.”Qëllimi i kësaj politike, siç theksohet në raportet e ndryshme të organeve policore dhe ushtarake serbe, ishte “dëshpërimi i banorëve shqiptarë”,sidomos i fshatrave “që shtrihen buzë Malit Sharr, e deri në linjën Kumanovë – Prishtinë”,ku sipas tyre “fshatrat shqiptare janë tepër kompakte”.[25] Pushtetarët e Beogradit shpresonin, se nëpërmjet këtij presioni do të mund ti detyrojnë shqiptarët, ti shesin pronat dhe shtëpitë e tyre, për t’u shpërngulur në Turqi apo Shqipëri. Parashikimet serbe nuk do të realizohen, sepse udhëheqja kombëtare e fetare shqiptare në bashkëpunim me konsullatën shqiptare në Shkup, morën një sërë aktivitetesh, kryesisht informative, në mbarë hapësirën shqiptare nën Jugosllavi, ku veç tjerash, apelonin te fshatarësia shqiptare, që mos ta shesin tokën e tyre sepse, sipas tyre, pushtetarët: “mund t’u konfiskojnë gjithçka por shtëpitë nuk mund tua marrin”,dhe se kjo politikë “është afatshkurtër kur do të vijë dita që Shqipëria do ti çlirojë të gjitha viset e robëruara shqiptare edhe atë nga Shkupi e deri në Prishtinë.”[26] Kështu, sipas burimeve policore serbe : “Shqiptarët janë tepër të dëgjueshëm ndaj kërkesave të parisë së tyre” dhe se “tani që prej rreth tre vitesh të tëra nuk shesin as një pëllëmbë tokë.”[27]
Aktiviteti politik e diplomatik i atdhetarëve në pengimin e shpërnguljes
Në këto rrethana tragjike për fatin e shqiptarëve në sipërfaqe dolën dy grupime politike shqiptare, të cilat në mënyrë të hapur ju kundërvunë zbatimit të planit famëkeq “Naçertanie” të Ilija Garashaninit, të vitit 1844, i cili parashihte spastrimin e trojeve shqiptare.[28] Grupimi politik i udhëhequr nga Ferhat Draga, në të cilin merrnin pjesë paria e atëhershme kombëtare e fetare shqiptare siç ishin: Mulla Idriz Gjilani, Shaban Efendiu, Rexhep ef. Abdullau, Bedri ef. Hamidi, Kadri Saliu, Azem Hoxha, Idriz Cërcëri, Akshi Sulejmani, Mulla Lutfi Ahmeti, Zenel Ibrahim Strazimiri e shumë të tjerë. Ndryshe ky grup njihej si opozita e BFI-së, apo grupi i “Bojali Hanit” në Shkup. Grupimin e dytë e udhëhiqte Ataulla ef. Kurtishi, një ulema i njohur në hapësirat shqiptare e më gjerë.
Grupi që udhëhiqej prej Ataullah Hoxhës, fushatën e tyre kundra shpërnguljes e zhvillonin gjithnjë në botëkuptime fetare, respektivisht, ata apelonin te xhemati i tyre, që të mos i lëshojnë vatrat e tyre, sepse siç theksonin ata: “Ai që e lëshon vatanin është shkja (i pa fe – Q.L.)”.[29] Përveç kësaj, ata: “Turqinë e quanin si një vend pa fe, shtet ku nuk ekziston morali dhe ku nuk respektohen liritë fetare.”[30]
Roli i Ataullah efendi Kurtishit, në pengimin e shpërnguljes së popullsisë shqiptare ishte shumë i madh, sidomos në viset e Shkupit, Kumanovës e të Preshevës. Ai, gjatë fushatës së tij kundra shpërnguljes, e demaskoi projektin sllav për pastrimin e myslimanëve nga trojet tona etnike, i sqaroi dëmet dhe pasojat e emigrimit, qëllimin e vërtetë të kësaj çmendurie serbe, me qëllim që ti largojë myslimanët e posaçërisht shqiptarët nga këto troje dhe ti instalojë diku larg në Anadoll, ku do të shërbejnë si tampon zonë në mes turqve në njërën anë dhe armenëve dhe kurdëve në anën tjetër.[31]
Hoxha dhe nxënësit e tij, qëndrimin e mos shpërnguljes, e mbështesnin në dy parime:
1. Ta ruajmë fenë, dhe
2. Ta ruajmë atdhenë.
Parimin e parë e mbështetnin në Hadithin e Pejgamberit (a.s), i cili me rastin e çlirimit të Mekës kishte thënë: “Nuk ka hixhret (shpërngulje – Q.L.) pas çlirimit, por xhihad, përpjekje dhe nijet.” Ndërsa për parimin e dytë “ta ruajmë atdhenë” vinin në dukje se “vendet e lashta ku pushojnë eshtrat e të parëve tanë, është vend me peshë, Turqia nuk është parajsë, mos i braktisni këto treva, të parët tanë i mbrojtën me gjak.”[32]
Në dallim nga grupi i dytë, grupi i parë fushatën e tyre kundër shpërnguljes, e zhvillonte në pikëpamje kombëtare, respektivisht, ata apelonin që: “shqiptarët të mos i lëshojnë vatrat e tyre, sepse këto troje gjithmonë kanë qenë shqiptare dhe se shqiptari duhet të deklarohet si shqiptar e jo turk.”[33] Ferhat Draga me mbështetësit e tij, mbante lidhje të përhershme si me legatën shqiptare në Beograd, po ashtu edhe me konsullatën në Shkup. Dy përfaqësitë shqiptare, e përcillnin me vëmendje aksionin e shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve për në Turqi dhe bënin çmos për pengimin e saj. Kështu në vitin 1935, konsulli shqiptar në Shkup Asaf Xhaxhuli, përpiloi një projekt për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve, projekt i cili u diskutua në organet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Për këtë projekt ishte në dijeni edhe vetë mbreti Zog. Pra, projekti ishte mjaft serioz, në të cilin, veç tjerash theksohej se “brenda një kohe të shkurtër nga Kosova do të shpërngulen jo më pak se 800 000 shqiptarë.”[34]
Ndër krerët më të shquar të grupit të dytë, gjithsesi ishte Shaban Efendiu, i cili bashkarisht me disa krerë të tjerë me vetëdije të qartë kombëtare si: Hafiz Lutfi Ahmeti – Myftia i Preshevës, Mulla Idriz Gjilani, Azem Hoxha nga Kumanova, Abdulla Saqipi nga Presheva, pastaj dy tregtarët e njohur nga Presheva: Abdulla Veliu dhe Niazi Nuhiu[35], Esad Berisha nga Gjilani, Shaip Mustafa, Abdulla Ebipi i njohur si Mulla Dulla i Hotlës, Aqif Tetova nga Gjilani, Ilijaz Osmani, Jahja Osmani etj.[36], gjatë periudhës 1938-1941, zhvilluan një fushatë të fuqishme kundra shpërnguljes, nëpër fshatrat e rretheve të Kumanovës, Gjilanit dhe Preshevës dhe si rezultat i kësaj fushate, shpërngulja në këto vise nuk mori përmasa të një pastrimi etnik, siç e kishin paramenduar pushtetarët e atëhershëm serbë.
Aktiviteti i tyre zhvillohej, nëpër konakë, xhami, mejtepe, lokale, gjatë së cilit shpërndanin edhe materiale të ndryshme me karakter kombëtar si: revista, gazeta, libra në gjuhën shqipe, të cilat ata i merrnin nëpërmjet konsullatës shqiptare në Shkup. Lidhja e tyre me konsullatën shqiptare ishte vendosur që nga viti 1935, ndërsa ajo do të përforcohet sidomos gjatë dhe pas zgjedhjeve në “Bashkësinë Islame” të mbajtura në vitin 1937. Në atë kohë, përfaqësuesi i konsullatës shqiptare në Shkup Rexhep Stabla, mbante kontakte të shpeshta me Shaban Efendiun, Azem Hoxhën etj., në “Bojali Han”[37].
Lidhur me aktivitetet e bujshme, që zhvilloheshin nga krerët e “BFI-së” në Shkup, të organizatës “Besa” dhe “Kishës Katolike Shqiptare” gjatë vitit 1938, shërbimi sekret i armatës jugosllave njoftonte se: “Në kohë të fundit po vërehet një lëvizje te shqiptarët për shkak të aktiviteteve të pushtetit në konfiskimin e tokës.
Shqiptarët…. shkojnë në Shkup deri te konsulli shqiptar dhe kërkojnë nga ai mbrojtje, ndërsa katolikët ju drejtohen klerikëve të tyre. Në përgjithësi gjendja është e alarmuar.”[38] Siç shihet, gjatë viteve 1937-38, politika serbe rreth reformës agrare ishte gjithnjë e më e ashpër, madje ajo tashmë ishte e dhunshme, gjë që e detyroi popullsinë shqiptare të kërkojë ndihmë nga konsullata shqiptare në Shkup. Në kuadër të kësaj, qeveria shqiptare e autorizon Ministrin e Punëve të Brendshme Musa Jukën, që të dërgojë disa njerëz të besuar në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav, të cilët së bashku me krerët e atjeshëm shqiptarë, të ndikojnë te masat e përgjithshme shqiptare që të mos i lëshojnë vatrat e tyre.[39]
Roli i Qeverisë shqiptare në pengimin e shpërnguljes
Njëkohësisht, Qeveria shqiptare në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme kishte formuar një komision të posaçëm për mbrojtjen e çështjes shqiptare nën Jugosllavi. Ky komision organizoi një mbledhje me 6, 7 dhe 11 janar të vitit 1937, nën kryesinë e zotit Ministër i Punëve të Jashtme E. Libohova, me anëtarë; z. Rauf Fiço, deri në atë kohë i Dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në Beograd, z. Ekrem Vlora, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Hamdi Kazazi zv-drejtor për punët e lidhjes së Kombeve. Komisioni, pasi konstatoi politikën shkombëtarizuese Jugosllave në Kosovë dhe shpërnguljen e tyre në Turqi, gjykoi të arsyeshme të hartojë programin e punës; do të përmend disa nga ato pika:
“..I. Të vazhdohet zhvillimi i organizimit për mbrojtjen e organizimin e elementit shqiptar në Jugosllavi, duke e kundërshtuar emigrimin e tij kudo qoftë.
II. Të niset aksion diplomatik ndaj aleates (Italisë).
III. Nëse dështon plani i mësipërm të vijmë në bisedime me qeverinë e Beogradit mbi kushtet e krijimit të një zone në tokën Jugosllave.
IV. Në rast se edhe krijimi i kësaj zone nuk do të jetë i mundshëm atëherë do të duhet mjerisht të vijmë në marrëveshje me qeverinë Jugosllave për ta tërhequr atë sasi familjesh emigrantësh Kosovarë, që do të mundemi të marrin nga një shpërblim që do të japë qeveria Jugosllave.
Shënim: nën b) Në organizatën nacionaliste të Kosovës hyjnë personalitete si Ferhat Draga, Hasan Shukriu etj.
Kësaj organizate ti jepen 300 napolona në vit. Vejsel Kryeziut ti jepet një shpërblim mujor. Dhurata periodike tu jepen edhe hoxhallarëve të Kosovës.
Për ta legata të disponojë 150 fr. ar në muaj…”[40]
Në promemorien e MPJ-së, të gjysmës së dytë të vitit 1938, që instruktonte stafin e vet diplomatik në Jugosllavi për politikën që duhet ndjekur për të ndihmuar popullsinë shqiptare të Jugosllavisë dhe për të penguar shpërnguljen e saj në Turqi, duke i propozuar legatës (zotit Tahir Shtyllës) të “kultivojë me çdo mjet miqësinë nëpërmjet myslimanëve boshnjakë dhe myslimanëve shqiptarë”, duke përdor “ndjenjën fetare që ndër boshnjakët është tepër e fortë dhe të bëjmë që shqiptarët e Kosovës të jenë nën influencën e politikës së brendshme të zotit Mehmet Spaho. Ky ka interesa vitale që të qëndrojnë të gjithë myslimanët në Jugosllavi, sepse duke pasur këta, një bllok afro 1.500 mijë frymë, ai peshon në balancën e politikës së brendshme. Sa të pakësohen këta, aq i pakësohet influenca atij në politikë. Në anën tjetër vëllai i tij, siç dihet, është Reis-ul-Ulema i tërë myslimanëve në Jugosllavi, pra ka çdo interes dhe arsye që të bashkohet me ne në fushatën për të ndaluar emigracionin në Turqi të shqiptarëve myslimanë.”[41]
Pas pushtimit të Shqipërisë, nga Italia fashiste (7 prill 1939), qeveritarët e Beogradit, duke e shfrytëzuar fatkeqësinë e shtetit shqiptar, ndërmorën masa edhe më radikale, me qëllim siç theksonin: “që njëherë e përgjithmonë ta heqin nga rendi i ditës çështjen shqiptare..” Në kuadër të këtyre planeve, Komanda e Shtatmadhorisë së Armatës hartoi një Memorandum, në të cilin fillimisht përshkruhet disponimi i shqiptarëve nën sundimin jugosllav, pas pushtimit të Shqipërisë, ku sipas tyre gjithnjë e më tepër po e mbështesin politikën italiane. Hartuesit e Memorandumit në vazhdim shprehen qartë se: “Shqiptarët janë të pakënaqur me gjendjen e tyre aktuale në Jugosllavi. Ky është një fakt të cilin nuk mund ta mbulojmë. Konfiskimi i tokës bujqësore shqiptarëve, si edhe të kuptuarit se ato në territorin tonë janë vërtetë elementë të padëshirueshëm, gjithsesi ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e propagandës në favor të Italisë.” Kjo gjendje sipas kësaj komande mund të paralizohet në dy mënyra: “ose sa më parë ti shpërngulim nga territoret tona ose tua plotësojmë kërkesat e tyre në pikëpamje materiale dhe kulturore.” Lidhur me këto dy mënyra në memorandum thuhet se: “Është e qartë se kjo e fundit ndoshta vetëm përkohësisht do ti kënaqte dhe që pastaj në një kohë sa më të afërt dhe në një moment për ne shumë të pafavorshëm, përsëri të kërkojnë bashkimin me Shqipërinë. Për këtë arsye është nevojë e patjetërsueshme, që shpërngulja e shqiptarëve nga këto troje të fillojë sa më parë. Kjo sa më parë, sepse në këtë moment shqiptarët janë të dezorientuar, ndërsa marrëdhëniet tona të politikës së jashtme përballë shqiptarëve aq shumë kanë përparësi saqë mundemi të punojmë ashtu siç dëshirojmë ne.”[42]
Këto plane jugosllave nuk do të realizohen, falë aktivitetit politiko-organizativ, të parisë intelektuale dhe nacionaliste shqiptare, që njihej si grupi opozitar i “Bojali Hanit”. Në kuadër të këtyre aktiviteteve duhet përmendur takimi i Zenel Strazimirit, Shaban Efendiut dhe Iliaz Agushit me konsullin shqiptar në Shkup, i cili, ju garantoi atyre, se qeveria shqiptare, nuk do të lejojë në asnjë mënyrë të bëhet deportimi i dhunshëm i shqiptarëve nga këto treva. Rreth këtij takimi, shërbimet informative jugosllave nga Shkupi njoftonin se: “Nga paria shqiptare me ndikim ndërmerren masa, që shqiptarët në vendin tonë (Jugosllavi-Q.L..) të solidarizohen me gjendjen e re të krijuar në Shqipëri. Propagandohet se, për shqiptarët tanë, kanë ardhur ditë më të mira”[43] Gjithashtu, në informatë theksohej se: “Konsulli shqiptar në Shkup, gjatë ardhjes së trupave italiane në Shqipëri, ju ka thënë deputetëve të popullit Zenel Strazimirit dhe Iliaz Agushit, se tash për shqiptarët në Jugosllavi do të jetë më lehtë.”[44]
Po këto shërbime, në mënyrë permanente njoftonin për takime dhe mbledhje të shpeshta që organizoheshin nga Ferhat Draga me grupin e tij në mbarë territoret shqiptare, në të cilat temë debati kishte qenë, pengimi i shpërnguljes së dhunshme si dhe e ardhmja e çështjes shqiptare. Sipas njoftimit të shërbimit sekret të armatës jugosllave, merret vesh se: “më 4 gusht të vitit 1939 në Prizren kanë qëndruar deputetët shqiptarë: Kadri Saliu nga Gostivari, Iliaz Agushi nga rrethi i Nerodimes, Asim Murtezi Luzha nga rrethi i Drenicës, Mustafa Dërguti nga rrethi i Podrimës dhe Zenel bej Strazimiri nga rrethi i Kaçanikut.[45] Ky delegacion shqiptar, përveç rrethit të Prizrenit, “vizitoi edhe shumicën e rretheve të tjera në Kosovë”, gjë kjo që, te kreu më i lartë i armatës jugosllave krijon përshtypjen se këto vizita kanë “prapavijë politike”, aq më tepër, që sipas burimeve të tyre: “që nga muaji qershor i këtij viti, në mesin e shqiptarëve tanë vërehet një gjallërim dhe takime të shpeshta të parisë së tyre. Të gjitha këto takime mbahen gjithmonë në mbrëmje dhe vetëm nëpër fshatra”[46],- theksohet në fillim të këtij njoftimi,- për të shtuar: “Agjentët e Italisë, nëpërmjet lidhjeve të tyre në Shkup, ju kanë parashtruar parisë shqiptare pyetjen: a dëshirojnë ata, që Italia, me kërkesën e tyre, në një moment të përshtatshëm dhe në një afat sa më të shkurtër, të fillojë veprimin, që këto vise t’i bashkëngjiten Shqipërisë?” “Shqiptarët” vazhdon informata “nuk kanë dhënë as çfarë përgjigje, por menjëherë fillojnë konsultimet dhe studimin e mendimeve të personaliteteve të shquara shqiptare.” Në kuadër të kësaj, sipas këtyre burimeve “menjëherë pas kësaj, Ferhat bej Draga udhëtoi për në Stamboll”, ku ai me këtë rast ishte takuar edhe me “Mbretin Zog”, ndërsa nëpërmjet “disa turqve më me ndikim ka arritur të lidhet edhe me disa personalitete të afërta me qeverinë turke.” Ferhat Draga gjatë bisedës “ i paska premtuar Mbretit Zog, se ai dhe shqiptarët në Kosovë do të ngelin edhe më tutje besnik ndaj tij dhe se do ti refuzojnë propozimet italiane. Por, për këtë Mbreti Zog, duhet të veprojë te qeveria turke, që të prishet konventa e nënshkruar ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, lidhur me çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia.”[47] Veç kësaj, dy bashkëbiseduesit kanë rënë në ujdi që: “Mbreti Zog të veprojë mes qeverisë turke dhe demokracisë perëndimore, për rikthimin e tij në Shqipëri, që pas kësaj nga ana e shqiptarëve të Jugosllavisë do të iniciohet bashkimi me Shqipërinë.” Në fund të këtij njoftimi thuhet se: “vizita e fundit në Kosovë, nga ana e deputetëve shqiptarë ka qenë, gjoja për qëllim, që për sa i përket çështjes së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e iniciuar nga Italia, tash për tash ti jepet përgjigje negative…”[48]
Rreth qëndrimit të deputetëve shqiptarë në Kosovë, njoftonte edhe shërbimi sekret i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që sipas këtij shërbimi: “me 5 gusht 1939, për Gjakovë kanë udhëtuar deputetët e popullit: Asim Luzha nga Drenica, Adem Marmullaku nga Istogu dhe Zenel Strazimiri nga Kaçaniku”. Këta në Gjakovë mbajnë takim me kryetarin e komunës Sulejman Kryeziun dhe me anëtarin e këshillit ekzekutiv të Gjakovës, Ramiz Rizën. Qëllimi i vizitës, sipas njoftimit në fjalë kishte qenë: “Ngritja e vetëdijes kombëtare te elementi mysliman dhe grumbullimi i të dhënave për çështjen agrare”. Deputetët para miqve të tyre kanë deklaruar: “se ata do të kërkojnë te pushtetarët, që të gjithë shqiptarët që ju është marrë toka të marrin dëmshpërblim në para.”[49] Po ky shërbim njoftonte për një mbledhje të krerëve udhëheqës shqiptarë, mbajtur në pjesën e parë të shtatorit, ku kishte marrë pjesë edhe Ferhat Draga. Në fjalimin e mbajtur, Draga, paska deklaruar se: “Shqipërisë do ti bashkëngjiten të gjitha krahinat shqiptare deri në Nish.”[50] Rreth problemit të shpërnguljes, Draga, paska bërë apel te të pranishmit që ti kundërvihen kësaj propagande të zhvilluar nga pushtetarët serbë, duke kërkuar nga ata: “që në asnjë mënyrë të mos i lëshojnë vatrat e tyre sepse pushteti nuk ka mënyrë dhe rrugë tjetër që me forcë ti shpërngulë.”[51]
Dy çështje me prioritet ishin për krerët shqiptarë: çështja e politikës agrare, ku pushtetarët serbë në emër të politikës agrare, vazhdonin tua konfiskonin tokën pjellore shqiptarëve dhe të njëjtën ua jepnin kolonistëve serbë dhe malazezë, dhe e dyta: shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve për në Turqi. Rreth çështjes së parë, paria shqiptare, me vëmendje i përcolli bisedimet e mbajtura mes kryeministrit jugosllav Dragisha Cvetkoviç dhe delegacionit kroat në krye me Vllatko Maçekun, për zgjidhjen e çështjes kroate. Ata: “në zgjidhjen e çështjes kroate e shihnin edhe zgjidhjen e çështjes së tyre agrare në Kosovë, respektivisht shkëputjen e saj nga rendi i ditës dhe kthimi i tokës së konfiskuar.”[52] Menjëherë, pas dështimit të bisedave, si pasojë çështja kroate nuk do të zgjidhet, krerët e “Besës”, si dhe krerët e “BFI”, të vetëdijshëm se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me dialog, apeluan te shqiptarët që të refuzojnë shkuarjen e tyre në ushtri apo çfarëdo lloj aktiviteti tjetër në Armatën Jugosllave. Ky apel, së shpejti u përhap në mbarë trevat shqiptare nën pushtimin jugosllav, që sipas njoftimeve të lëshuara nga MPB, kuptojmë se: “shqiptarët në kohë të fundit nuk kanë pranuar të shkojnë në stërvitje ushtarake”, madje ky refuzim, ishte shprehur publikisht, nëpërmjet deklaratave se: “përse na thërrasin të luftojmë për ta, kur në shtëpitë tona i lëmë fëmijët e uritur. Pasi na e kanë marrë tokën, le të na lanë nëpër shtëpitë tona, që në mënyra tjera ta fitojmë bukën për fëmijët tanë, e jo të na dërgojnë në kufirin hungarez..”[53]
Shihet qartë, se refuzimi i hapur nga ana e shqiptarëve, për të shkuar në stërvitje ushtarake, ishte organizuar nga krerët e “BFI-së” si dhe nga organizata studentore “Besa”. Krerët e këtyre dy organizatave kombëtare e fetare në muajin nëntor 1939, do të zhvillojnë aktivitete të bujshme, në mbarë territoret shqiptare. Ky aktivitet erdhi nga shkaku se, pikërisht në atë muaj, ndodhi acarimi i marrëdhënieve politike mes Jugosllavisë dhe Italisë, ndërsa menjëherë pas, pushtetarët e Beogradit ndërmorën një aksion, i cili parashihte mobilizimin e popullsisë civile në stërvitje ushtarake. Ky organizim, e tronditi qeverinë e Beogradit, e cila nëpërmjet MPB, për këtë fajësonte “BFI-në” në Shkup, respektivisht siç thuhej: “agjentët e Ferhat bej Dragës”, të cilët “kanë qëndruar në këto vise, në pjesën e dytë të këtij muaji (nëntor-Q.L)” ku “sipas të gjitha gjasave, kjo vizitë ka pasur për qëllim grumbullimin e të dhënave për situatën në këtë pjesë, me rastin e zbatimit të thirrjes për stërvitje ushtarake..”[54], thuhej veç të tjerash në njoftimin e lëshuar nga MPBJ.
Në anën tjetër edhe krerët e “BFI”, si edhe të “Kishës Katolike”, ndërmorën një sërë aktivitetesh, rreth pengimit të shpërnguljes. Aktivitete të tilla u mbajtën në Shkup, Kumanovë, Manastir, Prizren, Gjakovë, Ulqin etj. Rreth këtyre aktiviteteve, burimet serbe, në dhjetor të vitit 1939, bëjnë me dije se: “para pak kohësh në Manastir ka qëndruar kryetari i Ulemasë në Shkup, Sherif Osmani, për ta kontrolluar punën e kësaj myftinie. Me këtë rast në mesin e popullsisë shqiptare ka agjituar, që të mos shpërngulen për Turqi.” Po i njëjti burim shton se: “pas një kohe të shkurtër pas kësaj, këtë e ka bërë njëlloj edhe konsulli turk në Shkup.”[55]
Përderisa, atdhetarët shqiptarë brenda BFI-së, bënin çmos që ta ndërprisnin shpërnguljen e shqiptarëve, në anën tjetër, me qëllim të përçarjes së popullsisë shqiptare, pushtetarët serbë, në atë kohë nëpërmjet disa veglave të tyre, lëshuan parulla të ndryshme, se myslimanët nuk duhen të ndahen në kombe, sepse sipas tyre: “vetëm myslimanët janë vëllezër mes veti” dhe se: “për myslimanët vendi më i përshtatshëm është Turqia.” Këto parulla u lëshuan kudo, posaçërisht në regjionin e Kumanovës ku më së shumti dallohej aktiviteti i Zija Murtezit, një shqiptar i turqizuar, i cili e sulmonte Shaban Efendiun për shkak të asaj se ai kudo që shkonte, apelonte te popullsia shqiptare që: “të mos turqizohen dhe të mos deklarohen si turq.”[56]
Aktiviteti i krerëve opozitarë shqiptarë, të kryesuar nga Ferhat bej Draga, si edhe aktiviteti i grupit që udhëhiqej nga Ataulla Efendiu, rreth pengimit të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi dha rezultatet e duhura, sepse pikërisht në kohën kur autoritetet e Beogradit, bënin plane të fshehta për deportimin e dhunshëm të shqiptarëve, ndodhi e kundërta, respektivisht, numri i familjeve që u shpërngulën gjatë viteve 1938-1941 ra në minimum. Këtu duhet nxjerrë në pah edhe roli konstruktiv i diplomacisë së atëhershme shqiptare e vendosur në Shkup, e cila në momentet më të vështira për çështjen shqiptare, ju doli në ndihmë krerëve shqiptarë.
[1]Државен архив на Република Македонија, Фонд. Врховно Муфтијство-Белград.1919-1929 год. (më tej ДАРМ.1.611.1.1/1-5)
[2]ДАРМ.1.619, Окружно Муфтијсtво Скопје -1921-1941 год.
[3] Po aty, 1.626, Окружно Муфтијство Призрен -1921-1941 год.
[4] Po aty, 1.622, Окружно Муфтијство Нови Пазар – 1921-1941 год.
[5] Po aty, 1.623, Окружно Муфтијство Плевље -1921-1941 год.
[6] Po aty.
[7] ДАРМ.1.627-663; “..Вакувски Управи: Бар, Беране, Велес, Вучтрн, Гилане, Гусиње, Дебар, Ѓаковица, Кавадарци, Косовска Митровица, Кочани, Крива Паланка, Куманово, Лесковац, Ниш, Нови Пазар, Ораховец, Охрид, Пеќ, Плав, Плевље, Подгорица, Прешево, Призрен, Прилеп, Приштина, Радовиш, Ресен, Сјеница, Скопје, Стари Бар, Струга, Струмица, Урошевац, Улцин, Штип…”
[8]ДАРМ.1.615.1.4/28-29.
[9] Архив Југославија (më tej AJ), Фонд 66 /Министарство просвете Кралевине Срба, Хрвата и Словенца, фасцикл 1101, арх. јед. 1429 (Велика.Медреса Краља Александра I), бр. 373, 11. IV.1926 г., Скопље.
[10] Po aty, бр.3846, 11 августа 1925 год. у Београду, shkresë e Ministrit të Fesë së Mbretërisë së SKS, dërguar Ministrit të Arsimit në Beograd, nëpërmjet së cilës ky i fundit njoftohet se më 1 shtator të vitit 1925, në Shkup do të fillojë punë Medreseja e Madhe Kral Aleksandi i I-rë.
[11]А.J. Фонд 66, /Министарство за просвете Кралевине СХС (Југославије)/, Арх. јед. 1429 (Велика Медреса „Крал Александар I„ ви – Скопље) 1925/26; 1930/34.
[12] Hamit Kokolari, Kosova – Djepi i Shqiptarizmit, botuar në vitin 1962 nga Lidhja Kosovare në Mërgim, fq. 120.
[13]ДАРM: Ф. УДБ-РСВР, Д. Ферaт Драга: Deklaratë e Fahirete Ferhat Draga, vajza e Ferhat Dragës, dhënë para organeve të UDB: “Miku më i ngushtë i babait tim në Shkup ishte Hasan Shukriu. Atje babai im ishte ditë e natë. Atje me të ka marrë pjesë në zgjedhjet e Bashkësisë Fetare Islame. Hasan Shukriu rregullisht vinte te babai im i ndjerë, ku bashkërisht kanë zhvilluar politikë. Babai im ka pas edhe shumë miq të tjerë në Shkup, vetëm se ata tashmë kanë vdekur, si p.sh. Sali Rustem Beu e shumë të tjerë…”; ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346.Пов.бр.12851/39,Београд; ДАРМ.Ф. ОЗНА, к.2.2/II/II, бр.13.б, Lista me të dhëna për ish deputetët e Jugosllavisë: Në këtë listë jepen edhe aktiviteti politik i Emin Beut ku veç tjerash thuhet: “Pas vdekjes së mbretit Aleksandër, ai e humbi mandatin e deputetit, e njëkohësisht humbi edhe pronën. Për të gjitha këtyre ai nuk u kushtoi asnjëfarë rëndësie dhe theksonte se si do të vijë koha kur ai do ta kthejë pronën…”
[14] Qerim Lita, Shaban Efendiu – atdhetar i devotshëm, Kumanovë, 2010, fq. 39.
[15] Po aty.
[16] Po aty, fq. 42.
[17] Ferat Shala, Reis Ulematë e Bosnjës e Hercegovinës dhe të Jugosllavisë nga 1882 – 1991, fq. 9.
[18] Muhamed Salkiç, Ustavi Islamske Zajednice, el-Kalem, Sarajevë, 1442/2001, fq. 119.
[19] Bëhet fjalë për Kosovën.
[20] Hamdija Sharkinoviç, Boshnjaci od Naçertanija do memoranduma, Podgoricë, 1997, fq. 243-259. Autori i veprës, këtu në tërësi e paraqet referatin e Vasa Çubrilloviçit, me titull “Manjinski Problem u Novoj Jugosllaviji”, lexuar më 3 nëntor 1944 në Beograd.
[21] Hamit Kokolari – “Kosova – Djepi i Shqiptarizmit”, Botuar në vitin 1962 nga Lidhja Kosovare në Mërgim, fq. 86.
[22] Mathieu Aref, Shqipëria (Historia dhe Gjuha)-Odiseja e pabesueshme e një populli para helen, Plejad, Tiranë, 2007, fq. 192.
[23] Po aty.
[24] Po aty, fq. 208.
[25]ДАРМ. Ф. МНРЈ, Д. Прилике у Јѕжној Србији, 1938 године.
[26] Po aty.
[27] Po aty.
[28] Mr. Aliriza Selmani – Hafiz Avni Aliu – Myderriz Haki Efendiu (1914-1948), Prishtinë 2005 fq. 73.
[29] Hilmi Qerimi, po aty.
[30] AM.F.1.427.60.7/116-129.
[31] Mr. Taxhudin Bislimi, Medreseja e Ataullah Efendiut dhe nxënësit e saj, Shkup, 2011, fq. 80.
[32] Po aty, fq. 80.
[33]ДАРМ.Ф.УДБ-РСВР.Д.43200948, Izjava od Refik Shaqiri, po aty.
[34] Dr. Izber Hoti, Qëndrimi i diplomacisë Italiane ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve, Prishtinë 1997, fq. 113-114.
[35] Hilmi Qerimi, po aty.
[36]ДАРМ.Ф.УДБ-РСВР.Д.43200948, Fotodokumentacija (identifikacija), 14.IX.1948 god. Kumanovo.
[37]ДАРМ.Ф.УДБ-РСВР.Д.43200948, Zapisnik- Od sasllushanja osuxhenika Fazli Vebi Shukri, bakalina, koji je suxhen u grupi “Juxhel” na 12 godina: Na tregoni se cilët personalitete me ndikim i njihni në Shkup dhe si i njeh? Ndër personalitetet me ndikim në Shkup i njoh… Rexhep Stablën, i cili gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër ka punuar në përfaqësinë e Shqipërisë, ndërsa pas kapitullimit ju bashkëngjit konsullatës italiane…Shabani, vinte në Shkup dhe takoheshe me Rexhepin si edhe me të tjerët në “Bojali Han”. ..Mendoj se me Shabanin vinte edhe Azem Hoxha nga Kumanova, vetëm se nuk mund të them se sa herë i kam parë së bashku…
[38]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346. Пов.Б.ОБ.Бр.. 438, 15 – I – 1938 године, Београд.
[39]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346.Пов.Џ.ОБ.Бр. 206. 6. I. 1939 год.
[40] Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova – historia e një aspirate, Tiranë 2007, fq. 374-375.
[41] Po aty, fq. 377.
[42]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.344.Пов.Џ.ОБ.Бр.. 760, 1939 год., Скопље.
[43]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.344.Пов.Бр. 4603/39 –Скопље.
[44] Po aty.
[45]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346.Пов.Џ.ОБ.Бр.11570/1939 –Београд.
[46] Po aty.
[47] Po aty.
[48] Po aty.
[49]ДАРМ.Ф.ВИИ.М..346, Пов.Бр.12851/39-Београд.
[50]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346.Пов.Бр.13501/39-Београд.
[51] Po aty.
[52]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346.Пов.Џ.Об.Бр..610/39-Београд.
[53]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346.Пов.Бр.14371/39-Београд.
[54]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346.Пов.Бр.3799/39-Београд.
[55]ДАРМ.Ф.ВИИ.М.346.Пов.Бр.13228/39-Београд.
[56]ДАРМ.Ф.УДБ-РСВР.Д.43200948, Извештај за Шабан еф. од Куманово,po aty.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...