Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 01, 2014 Zani i Nalte Aktivitete 0
nga Prof. As. Dr. Gentiana Skura
Botimi që sot kemi nderin të promovojmë “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar” është një pasqyrim i plotë për ndihmesën e dijetarëve e klerit mysliman për kombin shqiptar e shqiptarinë. Ky botim mbështetet në kumtesat e konferencës shkencore me të njëjtin titull të një viti më parë.
Në kuadër të 100 vjetorit të Shqipërisë përpos shumë aktiviteteve të organizuara nga subjekte politike dhe jo vetëm, brenda dhe jashtë vendit, një kontribut të veçantë dhanë dhe komunitetet fetare me organizimin e evenimenteve dhe konferencave, kontribut ky, i cili nxori në pah përpjekjet madhore të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve në shtetformimin shqiptar e po ashtu në vazhdimësi për zhvillimin shoqëror.
Është pikërisht kontributi i klerikëve fetarë, që neve nuk njohim përgjatë historisë tonë, konflikte të bazuara në besimet fetare. Pa asnjë dallim, klerikët myslimanë, ortodoksë dhe katolikë janë përpjekur në të gjitha mënyrat vetëm për një shoqëri me parime patriotike, për një shoqëri bashkëkohore, për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, dashurisë për gjuhën dhe traditat shqiptare, dashurisë për atdheun e dashurisë për njëri-tjetrin, janë përpjekur për krenarinë tonë kombëtare.
Më në veçanti kjo vepër bën ekzaminimin e përpjekjeve madhore të klerit dhe dijetarëve myslimanë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, krijimi i shtetit shqiptar me firmëtarin Hafiz Ismet Dibrën, Luftёrat ballkanike, periudhës së mbretit Zog, si dhe qëndrimi ndaj bolshevizmit. Janë theksuar në detaje shumë interesante historike përpjekjet dhe kontributi i dijetarëve në formimin e shtetit shqiptar, ngritjen e vetëdijes kombëtare, albanologjisë, kontributit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare brenda dhe jashtë kufijve, si dhe ruajtjes së gurit tonë të çmuar – bashkekzistencës dhe harmonisë ndërfetare.
I bazuar në kumtesat e 28 studiuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi të mbajtura në konferencën e shtatorit të vitit të kaluar, vepra në fjalë sjell panoramë të plotë të këtij kontributi jo vetëm në aspektin historik, por edhe në ndihmesën për zhvillimin e shkencës shqiptare, filozofisë, arsimit, për të mos lënë më pas patriotizmin dhe kontributin në politikë. E ndarë në 7 seksione/kapituj kjo vepër paraqet rolin e dijetarëve fetarë në Lëvizjen Kombëtare, mbrojtjes së trojeve shqiptare, rolit të tyre në çështjet kombëtare, rolit dhe kontributit në gjuhën shqipe, kontributit për bashkekzistencën dhe harmoninë fetare, si një vlerë unike, vlerë për të cilën neve krenohemi në çdo rast përpara perëndimorëve dhe jo vetëm. Është pikërisht kontributi i klerikëve, që edhe sot e kësaj dite ne shqiptarët ushqejmë respekt për “tjetrin” çfarëdo qoftë, sepse në çdo rast klerikët myslimanë do të theksonin se “Kristiani e myslimani janë vëllezër të pandarë”[1], sepse për dijetarët myslimanë, binomi Fe-Atdhe ishte i pandashëm.
Vepra “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes kombëtare” ka një vlerë ende më të rëndësishme, pasi mund të konsiderohet si një shenjë mirënjohjeje për të gjithë dijetarët dhe klerikët myslimanë, për punën e palodhshme për Shqipërinë e tyre dhe tonën bashkë. Është një përpjekje për vënien në vend të këtyre figurave tashmë historike, të harruara, të nëpërkëmbura nga sistemi monist.
Po ashtu kjo vepër është një ndihmesë e madhe për studiuesit dhe studentët. Vlen të përmendet së fundmi interesi ndaj studimeve me tematikë fetare, apo dhe studimet për dialogun ndërfetar.
Përveç botimeve të mëparshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe komuniteteve të tjera në vend, kjo vepër është fundamenti për sa i përket kontributit të dijetarëve dhe klerit mysliman përgjatë shekullit XX; themel për vazhdimësinë e mëtejshme në të ardhmen.
Edhe njëherë shpreh konsideratat e mia, dhe shpresoj që botime të tilla të kenë vazhdimësi.
Ne shqiptarët krenohemi për mirëkuptimin dhe harmoninë ndërfetare dhe ndjehemi mirë në çdo vend qofshim.
Do ishte me shumë interes që botime të tilla të shoqëroheshin edhe në gjuhën angleze. Kjo, për faktin se duam të jemi shembull para botës jo vetëm me kumtesa nëpër organizime e takime shkencore apo politike, por t`i tregojmë asaj se vlera e çmuar e harmonisë ndërfetare shqiptare e ka themelin pikërisht te puna dinjitoze, mundi dhe përpjekjet historike të klerikëve të shquar, t`i tregojmë botës, që e sotmja e ka zanafillën shekuj më parë, e duhet të jemi mirënjohës, por edhe krenarë sepse atëherë kur popuj të tjerë konfliktoheshin e ndiznin luftërat në baza fetare, përkundrazi ishte roli ekzistencial i dijetarëve dhe klerikëve fetarë shqiptarë, kontributi i tyre që flisnin dhe nxisnin përpos besimit fetar dashurinë për atdheun dhe harmoninë mes shqiptarëve.*
[1] Haxhi Vehbi Dibra, Kuvendi i Vlorës, 28 nëntor 1912.
* Kumtesë mbajtur në promovimin e librit të konferencës së 100 vjetorit organizuar nga tre bashkësitë islame shqiptare “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Sep 18, 2021 0
Jun 18, 2021 0
Jun 16, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...