Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 20, 2014 Zani i Nalte Retrospektivë 0
nga Prof. Dr. Vehbi Hoti
Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
“Zani i Naltë” duke qenë edhe revistë fetare që merrej edhe me filozofi, moral, literaturë kombëtare dhe sociologji ajo e tëra, si të thuash këmbë e krye, i përkushtohej problemeve të edukimit.
Fillimisht, e pakët në faqe, e ngushtë në tematikë dhe e ngushtë në trajtimin e problemeve, gradualisht, sidomos në vitet ’30, revista konsolidohet, përvijon disa rubrika të qëndrueshme duke trajtuar problemet më themelore të besimit islam, të filozofisë së kohës dhe të edukimit e të formimit të njeriut.
Në mjaft artikuj e rubrika si në ato: “Ç’urdhëron Kur’ani” dhe “Thelbi i Kur’anit”, “Mesazhet e Hazreti Muhametit”, dhe “Si lindi muslimanizmi”, “Drita e Perëndisë dhe filozofia” dhe “Idealizmi e materializmi” etj., trajtohen problemet themelore të edukimit fetar dhe parimet e përgjithshme të edukimit e të formimit të njeriut.
Në të tjera si: “Arsimi dhe koha” dhe “Faqja e fëmijëve”, “Ç’është e vërteta” dhe “Si ndryshon mentaliteti”, “Ç’duhet të bajmë” dhe “Për shkencën”, “Njeriu dhe gjithësia” dhe “Ç’është skepticizmi, pesimizmi e ateizmi”, “Rregulla për të nxanë” dhe “Rregulla për t’u sjellë mirë” etj., trajtohen problemet specifike të edukimit dhe të komponentëve të veçantë të tij, të faktorëve, të metodave e të mjeteve të edukimit dhe të rolit të diturisë në përparimin e njerëzimit etj.
Duke trajtuar problemet filozofike teologjike e morale, mësimore e edukative, revista shpreh synimin e saj për ta bashkuar popullin tonë në rrugë të qytetërimit me popujt e tjerë që me kohë kanë zhvilluar pavarësinë e vetëqeverimin e vet.
Për këtë ajo merr para lexuesve angazhimin e madh qytetar se do të këmbëngulë në ngritjen e rindërtimin e “disa institucioneve ma me rëndësi të shtetit, si fjala vjen Drejtësia dhe Arsimi, tue i dhanë këtyre një trajtë perëndimore”.
Me qartësi parashtrohen parimet edukative me vlera mbarënjerëzore dhe gjithëkohore, parime universale të zhvillimit, të edukimit dhe të vetedukimit me synimin themelor për ta bërë shqiptarin një njeri, në kuptimin e plotë të fjalës.
Si shtylla themelore të këtij zhvillimi trajtohen rrënjosja e besimit tek Zoti dhe lufta këmbëngulëse për përvetësimin e diturisë.
Vlerësimi i diturisë, i të mësuarit dhe i shkollës frymëzohet nga porosia e Pejgamberit, Muhametid (a.s.): “Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr”.
Mbi këtë bazë të mësuarit dhe përvetësimi i diturisë trajtohen si detyra të domosdoshme për çdo mysliman dhe myslimane. Dituria konsiderohet si një faktor me peshë të veçantë në përsosjen shpirtërore të njeriut dhe në përgatitjen jetësore të tij. Dituria, – shkruan revista – është drita e shpirtit që zhduk injorancën dhe e ngre lart njeriun, është dhuratë e të diturit e armë kundër armikut. Ajo rregullon mendjen, ndreq sjelljen dhe forcon fenë. Zotërimi i diturisë vlerësohet si një kapital i madh për njeriun, madje një kapital i lehtë në të mbajtur por i rëndë në vleftë, kapital që përherë sjell fitim e kurrë nuk preket nga krizat, e nuk rrezikohet prej kusarësh.
Zotërimi i këtij kapitali të veçantë nuk trajtohet si një qëllim më vete, për smirë e karrierë, por si një armë për ta vënën në shërbim të popullit e të shoqërisë, përparimit të vendit e të mbarë e të mbarë njerëzisë.
Me këtë frymë e me këtë këndvështrim të diturisë e të rolit të saj në jetën individuale, shoqërore e shtetërore, trajtohen, në disa numra të revistës, rregullat për punën e shkollës e të nxënësve, u parashtrohet kërkesa këmbëngulëse: “Këndoni, shkruani, mësoni”. Një vend të gjerë në revistë zënë problemet e edukatës morale.
Kërkohet zbatimi i një kodi të tërë rregullash e normash morale, të edukatës qytetare e të sjelljes së kulturuar. Morali e parimet morale që trajtohen përfshijnë të gjitha sferat e jetës, ato e shoqërojnë njeriun në shtëpi, në shkollë, në rrugë e gjer në varr. Nëpërmjet tyre synohet t’i hapet rruga së mirës e të ndalet nga e keqja, synohet që myslimani të jetë shembull i gjallë i ndershmërisë dhe i përsosjes, shembull në plotësimin e zotimeve të marra dhe në kryerjen e detyrave të tij, të jetë i ndershëm dhe i drejtë, bujar dhe i mëshirshëm, të luftojë besëtytnitë e fanatizmit, gënjeshtrën, bixhozin dhe alkoolin.
Gjerësisht trajtohen rregullat e sjelljes së kulturës në familje, me farefisin, me fqinjët, në shkollë, me të rriturit etj. Duke u mbështetur në porositë e Profetit, këshillohet që njerëzit të përpiqen me përfitim nga pesë gjëra: me përfituar nga jeta para se të vijë vdekja, me përfituar nga shëndeti para se ta kapë sëmundja, me përfituar nga koha e lirë para se ajo të ketë humbur, me përfituar nga rinia para se të vijë pleqëria dhe nga pasuria para se të vijë varfëria. Por gjithnjë me ndershmëri dhe drejtësi.
Me mjaft interes është rubrika “Këshillat e filozofëve”, ku parashtrohet një kod i tërë edukativ e moral që përfshin tërë aspektet e jetës si p.sh. për ruajtjen dhe respektimin e pronës: “Mos prek aty ku nuk ke vue”, “Mos mbjell pemë në tokën e huaj”; për gjetjen e vlerësimin e së vërtetës: “Çdo e mirë vjen prej së vërtetës”, “Njihe të vërtetën prej kujdo që e dëgjon”, “Thuaj përherë të vërtetën”; për vlerësimin e mësimit e të diturisë: “Kërko dijen sado larg që të jetë”, “Mos të kesh turp me mësuar” dhe “Mos e kalo jetën në padituri”, “Është i madh ai që di me çmue diturinë”; për rregullat e normat e jetës së përditshme: “Përgatitu për pleqëri kur je i ri”, “Punët e dimrit mos lër për verë”, “Mos fol çka s’di dhe mos puno ç’ka s’je i zoti”, “Mos u bashko me ato që nuk dinë me çmuar vetveten”, “Mos u gëzo për të keqen e tjetrit” etj., etj. Një vlerësim i veçantë i bëhet rolit të mësuesit dhe të edukatorit. Puna e tyre cilësohet si një mjeshtri e shenjtë. Në këtë funksion një vend të veçantë u rezervohet predikuesve, ulemave dhe dijetarëve të cilët konsiderohen si “mjekë të sëmundjeve morale e shoqërore”.
Për të kaluar nga errësira në dritë e në kulturë, për t’u pajisur me virtyte të larta dhe për të gdhendur shpirtin shtrohet si domosdoshmëri përfitimi nga këshillat e ndihma e ulemave dhe e dijetarëve. “Ashtu si një shi i butë, – shkruan revista – që ban që lulet e pemët të kënellen me një bukuri të posaçme, ashtu dhe fjalët e një predikuesi lëmojnë, mbushin me gëzim e me fllad shpirtin e një njeriu. Dalëngadalë zgjohen tek ai fuqitë mendore dhe veset e këqija fillojnë me zhduk gjurmët e shëmtueme prej shpirtit të tij”. Gjerësisht zbërthen detyrat e predikuesve për të ndriçuar mendjen e popullit me dituri, për t’i mësuar atij parimet e sakta të fesë dhe për t’i dhënë një edukatë të shëndoshë qytetare dhe shoqërore.
Revista e ka një angazhim konstant në fushën e edukimit patriotik, në formimin e ndërgjegjes kombëtare, në bashkimin dhe vëllazërimin e popullit tonë. Kredon e vet patriotike redaksia e shpalli haptazi para lexuesve të vet duke theksuar se: “Na të Zanit të Nalt kemi le shqiptarë, jemi rritur shqiptarë dhe do të vdesim shqiptarë”.
Feja islame dhe edukimi i njerëzve me frymën e saj trajtohen të lidhura ngushtë me ndjenjat kombëtare, me frymën atdhetare dhe përgjegjësinë qytetare për të punuar për zhvillimin e përparimin e kombit shqiptar. Në një sërë artikujsh theksohet se nga mësimet kur’anore dhe mesazhet e Pejgamberit (a.s.): “Del detyra që na shtrëngon të përpiqemi për të mbrojtur kombësinë tonë. Nëse do të mohojmë kombësinë tonë, jemi përgjegjës sepse rrëzojmë një qëllim që ka caktuar vetë Perëndia. Po ta mohojmë kombësinë dëftojmë se nuk duam të na njofi bota… Mohimi i kombësisë bahet tue mohue zakonet e mira kombëtare, që formojnë cilësitë karakteristike të shqiptarit”.
Disa intelektualë ateistë në vitet ’30 shpallën alternativën “O Fe, o Atdhe” dhe shkruanin se në qoftë se e duam Shqipërinë, duhet t’i japim shqelmin fesë. Revista i konsideron këto mendime trillime, “me plot gojën gënjeshtra”, propagandë komuniste e bolshevike dhe duke treguar një tolerancë shembullore, u bënë thirrje të gjithëve për të bashkëpunuar për përparimin e naltësimin e atdheut sepse, “Po të punojmë për komb e shtet – me vullnet të fortë e pa u mërzitë, me zemër të pastër e me ndërgjegje të kullueme, të jemi të sigurt se ndihmën dhe përkrahjen e Perëndisë do ta kemi me vete dhe do ta jetojmë të lumtur, sado që jemi një popull i vogël, mjafton që të veprojmë me rregull, ndërgjegje e energji”.
Është kjo frymë atdhetare, që në raste festash kombëtare e shtetërore, revista lëshonte lutjen: “O Zot i madhnueshëm për hatër të Kur’anit e të Resul’ullahut, përparoje atdheun tonë në çdo pikëpamje e sidomos në dituri” dhe në festat kryesore të besimtarëve myslimanë uronte që “Perëndia e vërtetë dhashtë që mot për mot i kremtofshim këto ditë të shenjta edhe ma me gëzim të atdheut tonë të dashtun nën hijen e flamurit kombëtar e nën drejtimin atnuer të Naltmadhnisë së Tij, Zogu I, Mbret i shqiptarëve”.
Duke komentuar porosinë kur’anore se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe vëllezër ndaj njëri tjetrit, në shumë artikuj i kushtohet vëmendje e veçantë sigurimit të unitetit kombëtar, bashkimit e vëllazërimit të gjithë shqiptarëve pa dallim feje. Revista shpall se “Në pikëpamje kombëtare nuk kanë kuptim fjalët musliman e kristian. Të gjithë janë vëllazën”. Dhe se “Islami urdhëron vëllaznim me bashkëkombësit joislamë”. Argumentohet me shembuj e fakte nga realiteti historik shqiptar, se feja ka qenë një mjet i bashkimit të elementëve të ndryshëm, që përbëjnë kombin dhe se ajo përfaqëson një institut që përpiqet ta lartësojë njeriun në të gjitha pikëpamjet.
Qëndrimi ndaj atdheut dhe edukimi patriotik trajtohen në një plan të gjerë politik, shoqëror, moral dhe ekonomik.
Ndër kërkesat më themelore morale dhe fetare që shtrohen para çdo njeriu është ruajtja e amaneteve, si gjëra që nuk ka të drejtë kurrkush t’i cenojë apo t’i tjetërsojë. Në krye të këtyre amaneteve vendosen atdheu, feja e qytetërimi.
“Atdheu – shkruan revista – ashtë amanet në dorën tonë, na e kanë lanë të parët për ta ruajtur e për me ua dorëzuar fëmijëve tanë”.
Për ta ruajtur atdheun jepen shumë këshilla e porosi. Para së gjithave shtrohet detyra për të njohur armiqtë e atdheut dhe për t’u ruajtur nga rreziku i tyre.
Rrezikshmëri për atdheun paraqesin si armiqtë e jashtëm, ashtu edhe ato të brendshëm. Theksohet se armiqtë e jashtëm janë në shesh, duken e shihen, se janë të gjithë ato shtete që presin rastin me cynue të drejtën e kombit shqiptar, të gjithë ato që me vepra e propagandë pengojnë zhvillimin politik dhe ekonomik të kombit tonë e përgatisin dekadencën tonë kombëtare.
Si armiq të brendshëm konsiderohen të gjithë ato që vihen në shërbim të të huajve e pengojnë interesat kombëtare, që tradhtojnë ligjet e shtetit, që thithin gjakun e vëllezërve me spekulime, që shkaktojnë grindje e përçarje në mes vëllezërve bashkëkombës, që cenojnë lirinë e nderin e tjetrit, ata që nuk kanë dhimbje e mëshirë për të varfrit, ata që përmes karrierës së tyre nuk përpiqen për përparimin publik. Si detyrë e madhe patriotike shtrohet rritja e prodhimit dhe e mirëqenies, shtimi i kapitalit të përgjithshëm kombëtar. Theksohet se çdo komb në botë ka shkëlqyer kur ka qenë i pasur dhe kur ka siguruar nevojat e veta, kur ka normalizuar e ekuilibruar deficitin tregtar se “Kombet që fitojnë gjashtë dhe prishin shtatë shpejt a vonë janë vorfnue”.
Këto amanete në radhë të parë amaneti i atdheut shihen si ndër detyrat kryesore për t’iu transmetuar brezit të ri nga tërë sistemi i edukimit sidomos nga familja në punën edukative me fëmijët e vet.
Një vend me shumë rëndësi në revistë zë problemi i familjes dhe i rolit të saj edukativ i detyrave dhe i përgjegjësive të saj në çdo fushë. Kësaj i kushtohen shumë artikuj, veçanërisht rubrikat “Ç’duhet të bajmë”, “Edukatë morale”, “Këshillat e filozofëve” etj.
Në këto rubrika e artikuj zbërthehen mësimet kur’anore për familjen, baza ekonomike, shoqërore e shpirtërore e krijimit të saj, kushtet e jetesës e të harmonisë bashkëshortore dhe marrëdhëniet e ndërsjella prindër fëmijë. “Lumturia e një shteti – shkruan revista – bazohet në lumturinë e familjeve dhe lumturia e familjes mbështetet në harmoninë e pjesëtarëve të saj”.
Gjerësisht trajtohet roli i nënës si edukatore e natyrshme e fëmijës duke u mbështetur në fjalët vërtet profetike të Pejgamberit, Muhamedit (a.s.) se, “Xheneti është nën këmbët e nënave”.
Me të drejtë theksohet se edukimi i fëmijës fillon që në barkun e nënës, se ai është pasqyra e saj, se nëna është ajo, që do të vendosi gurin e parë të edukatës së fëmijës, e pastaj do t’ia dorëzojë shkollës dhe shoqërisë për të ngritur ndërtesën edukative.
Nga nëna kërkohet që t’i japë fëmijës bazat e para të formimit të një trupi të shëndoshë, të një mendje të hollë dhe të një karakteri të fortë. “Nana – shkruan revista – duhet me i dhanë e me siguruar atdheut e mbretit ushtarë besnikë, të fortë, të shëndoshë e të fuqishëm”.
Artikujt që trajtojnë problemet e edukatës familjare dallohen për qartësi e kompetencë pedagogjike, për njohje të saktë të nivelit të familjes shqiptare, të mangësive, të dobësive si dhe të nevojave të saj, për përcaktimin e drejtë të detyrave të prindërve, e sidomos të nënës në edukimin e fëmijëve dhe të marrëdhënieve reciproke.
Dashuria prindërore trajtohet si një nga ndjenjat më të pastra e më të thella njerëzore, që nuk mbështetet në interes por buron nga zemra e shpirti, dashuri që e shoqëron njeriun gjithë jetën, se fëmija dhe kur plaket e bëhet gati të vdesë ofshan “O nanë”. Mësimet e nënës mbeten tërë jetën, ato formojnë një pjesë të karakterit të fëmijës. Me humanizmin dhe përkushtimin e saj, me të folurit e saj të ëmbël, ajo do t’i mësojë fëmijës të mirën dhe të keqen, do t’i forcojë shpirtin dhe vullnetin, do t’i ngjallë shpresën dhe dashurinë, do t’i rrënjosë guximin dhe kurajën.
Duke parashtruar këto qëllime të edukatës familjare shtrohet detyra për ta ngritur nënën shqiptare në nivelin e plotësimit të saj me kompetencë dhe cilësi. Me të drejtë pohohet se nënat përpiqen shumë por arrijnë pak.
Arsyeja kryesore qëndronte në faktin se nënat kishin shumë të meta, boshllëqe e mangësi në realizimin e misionit të tyre fisnik edukativ. Dhe jo për fajin e tyre por sepse shumë pak kujdes ishte treguar në radhë të parë për arsimimin edhe edukimin e tyre.
Në këtë kuadër, revista bën përpjekje serioze për të evidentuar të metat e mangësitë dhe për të përcaktuar rrugët e kapërcimit të tyre.
Këto të meta e dobësi shihen në nivelin tepër të ulët arsimor e kulturor të gruas shqiptare, në mungesën e theksuar të njohurive higjeno-sanitare e mjekësore, në ndikimet e mëdha të fanatizmit e të konservatorizmit, të patriarkalizmit e të tutelës në jetën dhe edukatën familjare, në mungesën e njohurive mbi ekonominë shtëpiake dhe miradministrimin e saj. Jeta e mbyllur shtëpiake dhe mungesa e mjeteve më elementare për dëfrimin dhe kulturimin bënin që nënat shqiptare ta kalonin kohën kot, ta vrasin atë me biseda tërkuzë e të panevojshme.
Për të dalë nga kjo situatë, sugjerohet e rekomandohet marrja e një sërë masash. Para së gjithave shtrohet kërkesa për të rritur shkallën e arsimimit të femrës shqiptare për tu mësuar nënave shqiptare mësim e këndim, llogari dhe ekonomi shtëpiake. Kërkohet organizimi i punës për t’i pajisur nënat me bazat fillestare të kulturës pedagogjike dhe me një rreth njohurish higjeno-sanitare e profilaksie mjekësore. Shtrohet nevoja e luftës kundër praktikave të gabuara edukative të një mase të gjerë të nënave, të mbështetura në paragjykimet dhe në konceptet mbi “Syrin e keq”, xhindët, lugetërit dhe figura të tjera..
Për të gjitha këto probleme revista paraqet një tematikë të gjerë për biseda, kurse, seminare e konferenca, që i sheh si të domosdoshme për t’u organizuar me nënat, duke kërkuar angazhimin e specialistëve më të mirë e më të përgatitur të të gjitha fushave. Mbi këtë bazë i bëhet thirrje Komunitetit Mysliman për të hartuar një program të gjerë e serioz pune në mënyrë që t’i jepet një drejtim i sigurt përgatitjes dhe edukimit të gruas myslimane.
Nga sa arritëm të parashtrojmë sfera e problemeve edukative, që ka trajtuar revista “Zani i Naltë” është tepër e gjerë. E gjithë kjo problematikë ka synuar në vënien në jetë të porosive kur’anore, e para të cilave është: edukoni dhe gjithnjë e përherë edukoni.[1]
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...