Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 29, 2014 Zani I Nalte Abstraktet 0
1. Jetë të gjatë “Zanit të Naltë”
BESNIK MUSTAFAJ
Abstrakt
Zani i Naltë”, revistë shkencore dhe kulturore, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, mbushi në fund të kësaj vjeshte 90 vjet… Ashtu si “Hylli i Dritës” dhe si shumë gjëra të tjera të mira, të themeluara nga etërit e shqiptarizmës bashkë me pavarësimin e Shqipërisë për të shoqëruar e përkujdesur mëkëmbjen mendore dhe shpirtërore të kombit shqiptar, edhe “Zani i Naltë” pati tragjedinë e vet gjysmëshekullore për shkak të regjimit fashist e mandej atij komunist. Por nuk vdiq, siç nuk vdesin kurrë gjërat e mira e të ndershme, ku mishërohet ndërgjegjja dhe ëndrra për paqe dhe prosperitet e kombit. Qysh në lindjen e saj, kjo revistë u përcaktua si tribunë për “shkencën islame, sociologjinë, psikologjinë, letërsinë, historinë, moralin, literaturën kombëtare”. Me të njëjtin qëllim të lartë, besnikërisht, vjen edhe e rilindur.
2. Shkronjat e Kur’anit dhe shqiptimi i tyre – ıI
MA. Elton Karaj – Universiteti Bedër, Departamenti i Shkencave Islame
Abstrakt
Texhvidi është shkenca që trajton dhe analizon në thellësi leximin e germave të Librit të Shenjtë, Kur’anit. Ajo është një nga shkencat më të trajtuara dhe analizuara thellë e më thellë ndër shekuj, për shkak të rëndësisë që ka. Leximi i Kur’anit është një nga kushtet e adhurimit thelbësor të myslimanit dhe për më tepër ai është një adhurim më vete. Nga ky këndvështrim besimtarët kanë treguar kujdes të madh në studimin teorik dhe praktikimin e njohurive që na ofron shkenca e texhvidit.
3. “Ne do të shpallim ty (Muhammed) fjalë të rëndë (të madhe)”
Prof. Dr. Ahmed Abbadi – President i Ligës Muhamedane të Dijetarëve, Marok
Abstrakt
Ajeti: “Ne do të shpallim Ty (Muhammed) fjalë të rëndë (të madhe)”, përmban një koncept të rëndësishëm, që është koncepti i vënies, vendosjes (shpalljes)…
I zbriti të Dërguarit të Allahut, që ai t`ua komunikojë, interpretojë njerëzve të tjerë. Me kalimin e fjalës me peshë (të rëndë) tek Profeti i nderuar a.s. deri në botët e tjera dhe me kalimin e fjalës me peshë nga vetë Profeti a.s., e cila i jepte vuajtje mbi vuajtje, me zbritjen e kësaj fjale të rëndë, të cilën Ai e zbriti me ndihmën e Allahut. Kështu kemi arritur te përcaktimet tona multidimensionale, me shembuj të shumtë, duke qenë të aftë për ta pranuar dhe dëgjuar edhe nga qartësia e fortë e barrës së fjalës peshë në personalitetin e Profetit të nderuar.
4. Kontributi i ulemasë shqiptare në Maqedoni për shkollën dhe gjuhën shqipe
Prof. Dr. Avzi Mustafa – Shkup, Maqedoni
Abstrakt
Në gjithë rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve gjatë historisë, pa dyshim, gjejnë vend të merituar edhe ulemaja shqiptare nga territori i Maqedonisë së sotme, që duhet të zënë vend në analet e historisë, që është pjesë e kontributit e të lavdisë shqiptare.
Në rrethanat e ndryshme, ulematë shqiptarë, që në shumicën dërmuese të rasteve ishin edhe mësues në shkollat e kategorive të ndryshme, shquhen për një qëndrim dinjitar, ata kurrë nuk lejuan që besimi, feja të bëheshin pengesë në përparimin e popullit tonë. Ata e kishin kuptuar shumë mirë edhe hadithin e Pejgamberit tonë, që kudo ata e përsëritnin në dy gjuhë arabisht dhe shqip “Hubul vatan min el iman” (“Dashuria për atdheun është prej besimit”). Sidomos periudha e Rilindjes kombëtare, që ishte edhe një lëvizje iluministe, që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare, ndikoi që feja të mos bëhet pengesë, por përkundrazi të vihet në shërbim të kombit.
5. Përdorimi i emrave myslimanë në Shqipëri: krahasim në tre periudha historike
Ilir Akshija, M.D., M.Sc. – Spitali Universitar “Nënë Tereza”,Tiranë
Abstrakt
Evidenca tregon lidhjen që ekziston ndërmjet emrave personalë dhe përkatësisë fetare, veçanërisht në pjesën më të moshuar të popullatës. Ky përfundim mbështetet nga studime që analizojnë frekuencën sipas prejardhjes së emrave dhe shpërndarjen e tyre gjeografike. Në këtë studim, ne kemi ndërtuar një rrjetë të dhënash nga pacientët e shtruar në spitalin më të madh në Shqipëri, të ndarë në tre periudha historike dhe kemi analizuar evolucionin e përdorimit të emrave myslimanë. Karakteristika fatlume e Shqipërisë është të qenit një pikë takimi e tre kategorive religjioze, Myslimanëve, të Krishterëve Katolikë dhe të Krishterëve Ortodoksë. Çfarë ka ndodhur dhe vlerësimi i tendencës së përdorimit të emrave myslimanë në popullatën e Shqipërisë, është diskutuar duke marrë në konsideratë tre periudha historike të ndara mirë nga njëra tjetra; 1904-1945, 1946-1991, dhe 1991-2011. Duke e konsideruar vendosjen e emrit të fëmijës si një procedurë gjuhësore, të lidhur ngushtësisht me identitetin e popullatës, jemi përpjekur ta trajtojmë këtë proces si reflektim të sjelljes kolektive gjatë proceseve historike në një vend me karakteristika specifike, si besimet fetare, gjeopolitike, etj.. Të dhënat tregojnë qartë zëvendësimin në kohë të emrave tradicionalë myslimanë me emra që qartësisht mbajnë gjurmët e periudhës historike që i përkasin. Pamundësia teknike e fokuson studimin vetëm në studimin e emrave myslimanë. Vendosja e emrit të fëmijës si pjesë e sjelljes kolektive tregon preferencat apo rezistencën e popullatës ndaj ndryshimeve sociopolitike dhe presionin apo sugjerimin e sistemit politik ndaj këtij komponenti. Një sjellje e tillë nuk është një ndryshim i menjëhershëm në kohë por rezultante e forcave që veprojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe me ndryshime të herëpashershme në shoqërinë Shqiptare.
Fjalëkyçe: Emra myslimanë; sjellje kolektive; sistem i emërtimit; feja; data mining; bazë e të dhënave spitalore.
6. Perjetësimi i Nezim Beratit mes divanit të tij shqip
Prof. Assoc. Dr. Rahim Ombashi – Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti Bedër
Abstrakt
Pranimi masiv i islamit nga shqiptarët nuk përfaqëson një tradhti për bashkatdhetarët e tjerë apo fqinjët e krishterë, është i justifikuar si imperativ politik, dhe jo vetëm, një thirrje e marrë për të përforcuar identitetin e tyre të veçantë. Sociologjia e religjionit zbulon trashëgiminë osmane në Shqipëri që krijoi dhe ruajti një kulturë të konsiderueshme shpirtërore islame, e cila përfshinte penetrimin e gjerë të sufizmit në vetëdijen myslimane dhe shqiptare, që vijon të mbetet një element i fuqishëm i kulturës islame në Ballkan. Islamologjia e përgjithshme ndikoi mbi veprën poetike të alamiadistit Nezim Frakulla me temat, idetë, mendimet, filozofinë, moralin, etikën, me të cilat ka konvergjencë. Vetëdija fetare e tij e ngriti vetëdijen gjuhësore, iluministe, politike, sociale, me synimin të ishte si ajo te Rumiu apo Junus Emre. Me metodën e rezonancës kuantike divani i tij shqip dëshmon për ndërveprime diskursive në filozofinë, ndodhitë, gjetjet poetike, fjalët e urta, porositë të cilat shkojnë nga bota e jashtme te ajo e brendshme, që do të thotë nga vija fetare zyrtare sunite te ajo drejt pikëpamjeve sufi haptazi mistike, me trend nga një besim i jashtëm në atë të brendshëm, ndërsa mistika, si besim i besimeve ezoterike, qëndron si poetikë islame, e cila ndërtohet mbi fjalor të huaj. Nezimi diti të vrojtonte, të kishte imagjinatë të begatë, zhdërvjelltësi përpunuese, asimiluese të lëndës së vendlindjes duke e kthyer në poezi, në ditiramb për gjuhën shqipe, në këngë malli për Beratin e Shqipërinë, sepse ndihet shfrimi muzikor i fjalëve mes këtij komunikimi social. Me të drejtë T.S. Eliot thekson se asnjë art nuk është më kombëtar se poezia.
Fjalë çelës: identitet, sociologjia e fesë, sufizmi, alamiado, divan.
7. Said Najdeni dhe fillimet e arsimit shqip në Dibër
Mois Kamberi, Durrës
Abstrakt
Ashtu si dhe në shumë treva shqiptare, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, lëvizja arsimore e kulturore në Dibër morën përmasa më të mëdha duke e bërë Dibrën trevë përcaktuese në përhapjen e arsimit shqip në Shqipërinë verilindore dhe në krahinat e tjera shqiptare.
Përhapja e shkollave shqipe, e mësimit të gjuhës shqipe, shpërndarja e librave e gazetave shqipe në Dibër e Malësi në prag të konstitucionit osman dhe pas tij, qenë të dukshme. Lëvizja arsimore e kulturore në Dibër kishte arritur një shkallë të lartë, gjë që ndikoi në krijimin e një shtrese shoqërore të arsimuar e të ndërgjegjësuar e cila do të bëhej mbështetja kryesore në realizimin e programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
8. Kontributi i klerikëve shqiptarë për shkollën, gjuhën dhe shkrimin shqip
Xhemal Balla
Abstrakt
Klerikët islam shqiptarë, krahas rilindësve të tjerë pa dallim feje e krahine, kanë dhënë një kontribut të fuqishëm në të gjithë rrugën e popullit shqiptar drejt lirisë e pavarësisë. Ata qëndruan pranë popullit në të gjitha vështirësitë që kalonte ai. Kur qe nevoja rrokën edhe armët në luftërat shekullore ndaj pushtuesit sllav dhe padrejtësive të pashallarëve, apo u vunë edhe në krye të shtetit të ri shqiptar, duke drejtuar lidhjen shqiptare të Prizrenit, kuvendin kombëtar të Qeverisë së Vlorës, senatin e shtetit të ri shqiptar dalë nga Qeveria e Lushnjës etj., por njëkohësisht ishin edhe pranë popullit në fushë të edukimit e të arsimimit të brezave të rinj.
9. Liria në sistemin politik të Islamit
MA. Redi Shehu
Abstrakt
Kur përballim dy sisteme qeverisjeje e bëjmë këtë duke marrë mënyrën parimore të të funksionuarit, dhe nuk marrim përsipër të sjellim në optikën e krahasimit deformimet, që kanë ndodhur gjatë historisë së qeverisjeve. Nëse do të duheshim të futeshim në këtë rrugë pa krye do të na duhej të analizonim të gjitha demokracitë disfunksionale sot në botë. Pra, krahasimi nuk merr përsipër anomalitë, porse fokuson burimin dhe parimin mbi të cilin ndërtohen konceptet qeverisëse të të dyja llojeve.
10. Komunikimi përmes objekteve të kultit Islam
Komunikimi metafizik dhe ai verbal (Pjesa e II-të)
Ferit Lika, KMSH
Abstrakt
Intelektuali mysliman paralel me njohjen thelbësore të Islamit dhe pikëpamjeve botërore për Islamin, së bashku me elementët e ndërthurura qenësore të tij, duhet të dijë se komunikimi dhe fizionomia e Islamit, një pjesë të madhe i dedikohet objekteve të kultit, nga ku është transmetuar e vazhdon të transmetohet mesazhi i tij. Sipas studiuesit të njohur belg Titus Burchkardt, studimi i artit islam (ku futet edhe arkitektura), apo i çfarë do arti tjetër të shenjtë, mund të çojë drejt një kuptimi pak a shumë më të thellë të realiteteve shpirtërore, që qëndrojnë në rrënjë të një bote të tërë njerëzore dhe kozmike.
11. Daut Boriçi – Personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe i arsimit shqiptar
Prof. dr. Njazi Kazazi – Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Departamenti i Gjuhësisë
Abstrakt
Figurat e shquara të kombit që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare do të përkujtohen gjithnjë me respekt e mirënjohje të thellë. Vitet e fundit ato po nxirren edhe më shumë në dritë, po ridimensionohen dhe po u jepet vendi që meritojnë. Kështu ndodhi edhe me Daut Efendi Boriçin, “Mësues i Popullit” (1825-1896), që me rastin e 100-vjetorit të ndërrimit jetë u përkujtua në një veprimtari shkencore dhe me një botim prej 88 faqesh të Muzeut Historik të Shkodrës.
12. SHPATA ISLAME – Pse, a ende dyshoni se feja islame është përhapur me shpatë?! Lexoni dhe do të dini të besoni!
Abstrakt
Në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë së botës së atëhershme, arabët përbënin një pakicë shumë të vogël. Një grimë e kësaj pakice vendosi ta çonte “Shpatën” tej kufijve të shkretëtirës arabe, te perandoritë e fuqishme romake dhe perse, te brigjet e Mesdheut, te bregdeti i Malabarit dhe shumë më tej se East Indies Islands. Popujt, njëri pas tjetrit vijuan t’i dorëzoheshin kësaj “Shpate” dhe të pranonin Fenë. Kaq i mprehtë ishte tehu i kësaj “Shpate”. Ajo, thjesht fitonte zemrat; trupat dorëzoheshin vetiu.
Kjo është “Shpata” e së Vërtetës, shkëlqimi i thjeshtë i së cilës zhduk gënjeshtrën, mu ashtu siç fshin drita errësirën.
13. “Zani i Naltë” – Revistë e orientimit drejt reformave dhe progresit shoqëror
Adem Bala
Abstrakt
Dalja në dritë e revistës “Zani i Naltë” ka qenë një ngjarje e shënuar, një shprehje dhe tregues i qytetërimit.
“Zani i Naltë” u lind kur ende vazhdonin paqartësitë, kur lufta dhe progresi nuk zhvillohej në terren të butë, kur u shfaqën një mori rrymash mes të cilave vetëtinin vlera të vërteta e të guximshme për kohën, të cilat nxitnin progresin, duke u mbështetur në vlerat më aktive të mendimit islam dhe të atij shqiptar.
14. “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”
Prof. As. Dr. Gentiana Skura – Universiteti i Tiranës
Abstrakt
Botimi që sot kemi nderin të promovojmë “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar” është një pasqyrim i plotë për ndihmesën e dijetarëve e klerit mysliman për kombin shqiptar e shqiptarinë. Ky botim mbështetet në kumtesat e konferencës shkencore me të njëjtin titull të një viti më parë.
15. Dy fjalë për një botimi të veçantë shkencor
Dr. Tonin Çobani
Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit, Tiranë
Abstrakt
Botimi i materialeve të Konferencës Shkencore mbi “Kontributin e prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar” (Tiranë, 28-29 shtator 2012) shënon një ngjarje të rëndësishme kulturore, sepse synon në mënyrë të qëllimtë të vërë në një emërues të përbashkët veprimtaritë e një kombi, tek i cili religjionet nuk janë të një-njëshëm me shtetin që kremton 100-vjetorin. Me emërues të përbashkët unë kuptoj identitetin kombëtar shqiptar të tre religjioneve kryesore: mysliman, katolikë dhe ortodoksë.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...