Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 06, 2014 Zani i Nalte Sociologji, Studime 0
Dok. Ana Uka (Bulku)
Universiteti BEDËR, Tiranë
Abstrakt
Dhuna në familje është një nga fenomenet më të përhapura dhe një nga krimet më të paraportuara në shoqërinë shqiptare dhe kjo e bën të pamundur matjen me saktësi të përmasave të një fenomeni të tillë. Dhuna në familje është trajtuar më shumë si një problem individual, i cili i përket vetëm anëtarëve të familjes dhe jo shoqërisë. Kjo është përgjegjësi e shtetit dhe individëve për të marrë hapa efektivë për të mbrojtur gratë dhe fëmijët dhe për të ndaluar dhunën. Statistikat tregojnë se vetëm 5 % e grave të dhunuara raportojnë dhunën. Studimet tregojnë se dhuna në familje, veçanërisht kundër grave dhe vajzave, është rritur gjatë periudhës së tranzicionit. Ky problem i komplikuar me rrënjët e tij në marrëdhëniet bashkëshortore, ka një ndikim negativ edhe në prindërim. Gratë që janë viktima të dhunës në familje kanë zakonisht vështirësi të përqendrohen dhe në mënyrë efikase të punojnë me fëmijët e tyre, janë më të prirura për shmangie apo mohim të situatës dhe e neglizhojnë ndikimin e dhunës mbi veten dhe fëmijët e tyre. Një strategji kombëtare është e nevojshme për të siguruar që të gjitha format e dhunës në familje të identifikohen, shkaktarët e dhunës të përcaktohen, ndikimet e saj të adresohen dhe politikat sociale dhe programe të ndryshme ndërhyrjeje të implementohen për të parandaluar çdo lloj pasoje që mund të dëmtojë familjen dhe mbarë shoqërinë shqiptare.
Fjalët kyçe: Dhuna, familja, gratë, prindërimi, fëmijët, ligji, shoqëria
1. Hyrje
Shqipëria, si një vend që ka kaluar një periudhë të vështirë tranzicioni, radhitet ndër vendet që ka pësuar më shumë ndryshime politike, sociale dhe ekonomike, të cilat kanë prekur jetën e shumë individëve dhe familjeve shqiptare. Në ditët e sotme, Shqipëria po përballet me shumë sfida në lidhje me dhunën në familje. Dhuna në familje është një nga fenomenet më të përhapura dhe një nga krimet më të paraportuara në shoqërinë shqiptare dhe kjo e bën të pamundur matjen me saktësi të përmasave të një fenomeni të tillë. Dhuna në familje është një kërcënim i përhapur dhe serioz për jetën dhe mirëqenien e grave. Vetëm 5 për qind e grave të dhunuara raportojnë dhunën. Çdo formë e ‘shuplakës’ që ushtrohet mbi një grua është shkelje e të drejtave të saj. Në shumë raste ajo e lë gruan me dëmtime psikologjike dhe fizike, duke dobësuar aftësinë e saj për të jetuar një jetë të plotë. Dhe fëmijët mësojnë atë çfarë ata shohin – fëmijët që janë dëshmitarë ose përjetojnë dhunë në shtëpi, shpesh rriten duke e ushtruar atë tek partnerët dhe fëmijët e tyre, duke u bërë shkak i përsëritjes së një cikli të dhunës, që vazhdon ndër breza (UNICEF, 2003). Sipas një studimi mbarëkombëtar i kryer në vitin 2003 nga UNICEF, të paktën 8 për qind e grave shqiptare kanë pësuar dhunë fizike në duart e një partneri intim, dhe 25 për qind kanë përjetuar dhunë psikologjike.
“Gazetat dhe media në përgjithësi raportojnë thuajse çdo ditë rreth këtij fenomeni të vështirë për t’u trajtuar dhe akoma më të vështirë për t’u raportuar, pasi të kuptosh dinamikat e dhunës shumë shpesh nuk është e lehtë” (GADC, 2008). Ajo është trajtuar më shumë si një problem individual, i cili i përket vetëm anëtarëve të familjes dhe jo shoqërisë. Të drejtat e njeriut janë shkelur shpesh në shoqëritë në tranzicion, ku kanë ndodhur shumë transformime të rëndësishme politike, sociale dhe ekonomike. Studimet tregojnë se dhuna në familje, veçanërisht kundër grave dhe vajzave, është rritur shumë sidomos gjatë dekadës së fundit. “Edhe në vitet e para të sistemit demokratik, problemi nuk kishte ato përmasa që ka sot, por ai është rritur gjatë pesë apo gjashtë viteve të fundit, duke u bërë një shqetësim real” (Lloja & Xhemali, 2005).
Përmirësimi i praktikave të të drejtave të njeriut duhet të jetë objektivi kryesor për reformatorët vendas, si dhe komunitetin ndërkombëtar (Horowitz & Schnabel, 2004). Ky punim do të ofrojë një përshkrim të gjendjes aktuale në lidhje me dhunën në familje në Shqipëri, si dhe ndikimet negative të saj ndaj fëmijëve, prindërimit, formimit të marrëdhënieve mes anëtarëve të familjes dhe zhvillimit të shoqërisë.
2. Një këndvështrim i shkurtër i dhunës në familje në Shqipëri
Dhuna në familje është bërë një problem serioz në Shqipëri. Sipas Raportit të Progresit të Shqipërisë (2008), të përgatitur nga Komisioni i Komuniteteve Evropiane, është konstatuar se dhuna në familje është një fenomen “i rëndësishëm, i cili ka ardhur në rritje”, për shkak të mungesës së mosmarrjes së masave të duhura në kohë dhe moszbatimit të ligjeve. Ata shprehen gjithashtu se një numër shumë i vogël rastesh të dhunës në familje raportohen, hetohen dhe ndiqen penalisht. Në fakt Kodi Penal e trajton dhunën në familje, si një sulm që të çon drejt një krimi të përgjithshëm. Vetëm plagosje e rëndë me dashje dënohet sipas nenit 88 nga tre gjer në dhjetë vjet burgim. Edhe pse ka disa rregulla në lidhje me këtë problem, problemi qëndron në atë që viktimat nuk e konsiderojnë dhunën në familje si një krim ose ata frikësohen nga raportimi i incidenteve pasi mund të shkaktojë turp mbi familjet e tyre.
“Gratë janë bindur të pranojnë se burrat janë më të fortë dhe më të zotë se femrat, ata e kuptojnë se shteti favorizon burrat, pozicionet e pushtetit janë të zëna nga burrat, dhe kjo reflekton kudo – në punësim, socializim, rrjete (Qendra për Paqe dhe Drejtësi).”
Statistikat tregojnë se të paktën një e treta e të gjitha grave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë fizike, ku shumë prej tyre kanë qenë të goditura, të rrahura, të përdhunuara dhe madje vrarë nga burrat e tyre, ish-bashkëshortët apo partnerët intimë. Dhuna kundër grave shpesh është toleruar dhe ajo kurrë nuk ka qenë konsideruar dhe trajtuar si një abuzim i të drejtave të njeriut, të grave dhe vajzave, duke përfshirë të drejtat e tyre mbi sigurinë, lirinë e fjalës dhe integritetit fizik dhe mendor. Një dhunë e tillë ka qenë gjithmonë e justifikuar për shkak të traditës apo “mentalitetit” shqiptar edhe nga ana e qeverisë dhe organeve gjyqësore.
“Duke ditur se gratë dhe vajzat e mitura shpesh nuk e raportojnë dhunën që ushtrohet kundër tyre, sepse ata shpesh nuk e kuptojnë që janë viktima të saj, por më shumë e konsiderojnë veten e tyre si pjesëmarrëse në dhunë, shteti duhet … të informojë gratë për të drejtat e tyre ligjore dhe t’i edukojë ata veçanërisht në lidhje me dhunën në familje. Në familjet tradicionale gratë duhet të ndjekin rregullat, ata duhet të jenë “vajza të mira” dhe dhuna është pjesë e kësaj tradite. Ata nuk e shohin dhunën në familje si dhunë; ata e shohin atë si normale” (SRVAW, Raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, 1996).
Roli i qeverisë dhe autoriteteve kombëtare ka qenë shumë i kufizuar ose më saktë jo-ekzistent në mbështetjen dhe sigurimin e ndihmës për viktimat e dhunës në familje në Shqipëri. Një rol aktiv në trajtimin e këtij fenomeni kanë luajtur organizatat jo-qeveritare (OJQ) të grave, të cilat kanë ofruar shërbime të shumta duke përfshirë linja ndihme dhe strehëza për të mbështetur dhe për të mbrojtur këto gra nga ushtruesit e dhunës. Për arsye mosbesimi ndaj policisë së shtetit apo mosnjohja e dhunës në familje, si një akt kriminal dhe duke pasur ndjenjën e turpit, gratë nuk janë të inkurajuara, që të ankohen në lidhje me dhunën, por më tepër ta pranojnë atë si fatin e tyre të keq. Arsye të tjera të mosraportimit të dhunës ose të mosankimit në lidhje me të, është pamundësia e tyre për të mbështetur financiarisht veten dhe fëmijët kur ata largohen apo divorcohen nga partnerët e tyre.
3. Efektet e dhunës tek fëmijët
Vitet e fundit, sjelljet e dhunshme kanë marrë përmasa të mëdha sidomos në zonat urbane prandaj dhe fëmijët kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës në shtëpi, shkollë dhe komunitet. Dhuna në familje është konsideruar si një formë e abuzimit të fëmijëve, ku fëmijët preken në mënyrë të pashmangshme nga ky fenomen (Lapierre, 2008). Dhuna në shtëpi mund të marrë formën e një ose më shumë incidenteve traumatike, që mund të shkaktojnë një ndryshim të papritur. Ndryshime të tilla shpesh vihen re në sjelljen e fëmijës, si p.sh. agresiviteti, apo mungesa e respektit ndaj grave. Dhuna në shtëpi gjithashtu ndryshon mënyrën se si fëmijët mendojnë dhe ndjehen – për veten, familjet e tyre dhe jetën në përgjithësi (Cunningham & Baker, 2007). Ata thonë se fëmijët janë vëzhgues të mirë dhe interpretues të dobët, pra ata janë në gjendje të dëgjojnë dhe të shohin atë çfarë ndodh, por ata nuk arrijnë të kuptojnë situatën si të rriturit. Fëmijët mund të jenë të zemëruar sepse nëna e tyre qëndron me një person të tillë, ata kanë frikë se ajo do të shkojë përsëri tek ai, ose shqetësohen se ajo mund të njihet me një partner tjetër abuziv. Pra, fëmijët nuk mund të besojnë se nëna e tyre mund t’i mbajë ata në një ambient të sigurt, madje mund të dyshojnë nëse ajo i do ata apo jo. Cilësia e marrëdhënieve që prindërit dhe sidomos nënat, krijojnë me fëmijët e tyre që në fëmijëri, është një parashikues i rëndësishëm i zhvillimit të fëmijëve dhe të të gjitha marrëdhënieve, që fëmija krijon gjatë jetës së tij (Bornstein 2002; McCain & Mustard 1999).
Ndonjëherë fëmijët mund të zhvillojnë edhe disa besime negative, që janë thelbësore për veten e tyre, si p.sh. të pyesësh veten: “A jam unë dikush që meriton të jetë i lumtur?” Besime të tilla formohen që në fëmijëri dhe prindërit luajnë një rol të rëndësishëm gjatë këtij procesi (Bancroft & Silverman, 2002). Hulumtimet tregojnë gjithashtu se fëmijët të cilët kanë qenë viktima të dhunës brenda familjeve të tyre kishin 24% më shumë gjasa të raportojnë sjelljen e dhunshme si adoleshentë, sesa ata që nuk kishin qenë të keqtrajtuar. Adoleshentët të cilët nuk kanë qenë të viktimizuar, por vetë ishin rritur në familje ku ndodhej një partner dhunues kishin 21% më shumë gjasa të raportojnë delikuencën e dhunshme, sesa ata që nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj saj (Baker & Jaffe, 2003). Përpjekjet që janë bërë për vlerësimin dhe trajtimin e shëndetit mendor për të rinjtë, të cilët kanë qenë dëshmitarë të dhunës kanë qenë shumë të kufizuara. Hulumtime të kufizuara tregojnë gjithashtu se si pasojë e ekspozimit ndaj dhunës, fëmijët mund të jenë në rrezik të shfaqin simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik, depresion dhe ankth ndarjeje, hidhërim dhe agresivitet, dëmtime të marrëdhënieve ndërpersonale me kolegët dhe lidhjeve me bashkëmoshatarët dhe arritje të dobëta akademike. Kjo është e mbështetur edhe nga gjetjet e studimit të Levendosky-t dhe bashkëautorëve të tij (2006), ku fëmijët me një të kaluar dhune familjare janë të predispozuar për të shfaqur sjellje problematike ne ambientin e jashtëm.
Në një tjetër studim me 103 fëmijë parashkollorë, të cilët ishin në rrezik të ekspozimit të dhunës në familje ndaj nënave të tyre, u gjet se dhuna në familje ndikonte negativisht në sjelljen ndërvepruese të fëmijëve me nënat, por e cila nuk ndikonte në raportimin e nënës për sjelljet problematike të fëmijës. Këto gjetje sugjerojnë se ndikimi i dhunës në familje fillon shumë herët, duke reflektuar më shumë në fushën e marrëdhënieve të ndërtuara me nënën dhe individë të tjerë, sesa në shëndetin mendor të fëmijës (Levendosky et al., 2003). Në një studim të Holden (1998), raportohet se dhuna martesore është e lidhur me një gamë të gjerë problemesh të sjelljes dhe përshtatjes si p.sh. probleme emocionale dhe të sjelljes së fëmijëve. Efektet e dhunës në familje janë cilësuar nga Rossman (2001), si efekte afatgjata, ku ekspozimi në çdo moshë mund të krijojë ndërprerje dhe çrregullime në të gjitha aspektet e zhvillimit të fëmijëve. Të jesh dëshmitar i një abuzimi të nënës nga partneri i saj për një kohë të gjatë, ndikon në perceptimin e fëmijës apo adoleshentit ndaj nënës si një viktimë e pambrojtur, emocionalisht e padisponueshme për të, një person vetëm me një autoritet legjitim prindëror, apo si dikush që nuk mund ta mbrojë atë. Shpesh herë në këto raste ndodh një ndërrim i roleve, ku fëmija kalon në rolin kujdestar ndaj nënës së viktimizuar duke lënë pas të gjitha ëndrrat dhe dëshirat fëminore.
4. Dhuna në familje dhe çështjet e prindërimit
“Dhuna ndodh kudo, në komisariatin e policisë, në shtëpi, në shkollë – është një cikël dhune në të gjithë shoqërinë, (Proni, Drejtor i HRDC). “
Dhuna ndaj grave është një kërcënim serioz për shëndetin e grave në të gjithë botën. Një dhunë e tillë mund të ndërhyjë në sjelljet e tyre prej nëne. Ky problem i komplikuar me rrënjët e saj në marrëdhëniet bashkëshortore ka një ndikim negativ në prindërim. Gratë që janë viktima të dhunës në familje kanë zakonisht vështirësi të përqendrohen dhe në mënyrë efikase të punojnë me fëmijët e tyre; janë më të prirura për tërheqje dhe shmangie dhe injorojnë ndikimin e dhunës mbi veten dhe fëmijët e tyre. Këto nëna rrezikojnë të vriten apo të plagosen seriozisht dhe në shumicën e kohës ata vuajnë nga dhimbjet kronike, depresioni, çrregullime psikosomatike, shtatzëni të padëshiruara, aborte spontane dhe kështu me radhë. Rolet që luajnë të gjithë pjesëtarët e një familjeje abuzive reflektojnë se si çdo person i përshtatet dhe mësohet me fshehtësinë, intrigat, dhe me situatën e rrezikshme në të cilën ata jetojnë. Një njeri abuziv shkatërron përpjekjet e një nënë për të prindëruar, qoftë duke e kundërshtuar atë, duke dobësuar besimin e saj si një prind, apo duke ndryshuar pikëpamjen e fëmijëve të saj ndaj nënës duke mos e konsideruar si një person të denjë për respekt. Ajo mund të ndryshojë stilin e saj të prindërimit (Bancroft & Silverman, 2002).
“Shumica e grave zakonisht nuk e denoncojnë dhunën në polici: ata nuk e kuptojnë se ajo është një vepër penale, dhe shumë prej tyre janë të dhunshme ndaj fëmijëve të tyre – ata e shohin atë si një mjet edukimi (Proni, Drejtor i HRDC ).”
Efektet e dhunës mund të vazhdojnë edhe pasi abuzimi ka ndaluar dhe efekte të tilla mund të jenë kumulative. Rezultatet e një studimi (Albania Reproductive Health Survey) të kryer nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2002, tregojnë se 11.5 për qind e grave shqiptare mes moshave 15-44 vjeç kishin fëmijë dëshmitarë të abuzimit prindëror. Gjithashtu individë meshkuj me të njëjtin profil shoqëror kanë raportuar se kanë vërejtur (47.4 për qind) dhe kanë përjetuar, (66.8 për qind) nivele të larta të dhunës si fëmijë. Një sondazh i kryer nga profesionistë në sektorin e shëndetësisë tregon një tjetër profil të një abuzimi të tillë. Ata gjetën se 37 për qind e grave që jetojnë në Tiranë kanë përjetuar dhunë fizike, ku femrat e moshës 25-34 ishin në rrezik më të lartë. Sipas gjetjeve të tyre, me rritjen e nivelit arsimor të grave, rritej edhe rreziku për t’u abuzuar. Gjithashtu edhe në familjet ku vetëm gratë ishin të punësuara, rreziku për t’u abuzuar ishte më i lartë. Gjetje të tilla janë në përputhje me teoritë që argumentojnë se dhuna është përdorur për të zbatuar hierarkinë gjinore (Burazeri et al., 2005).
Në ditët e sotme, vihet re një shqetësim i madh ndaj efekteve të dhunës mbi fëmijët dhe një vëmendje e kufizuar i ushtrohet efektit të dhunës ndaj nënave dhe prindërimit të tyre. Shqetësime të tilla kanë qenë gjithmonë të përqendruara më shumë tek fëmijët se sa tek gratë që luajnë një rol kyç në mirëqenien e fëmijëve të tyre. Megjithëse disa studime tregojnë se dhuna në familje nuk ka një ndikim të madh në sjelljet prindërore ndaj rritjes së fëmijëve, kjo nuk do të thotë se cilësia e prindit mbetet e njëjtë, si në një ambient të dhunshëm, ashtu edhe në familje jo të dhunshme (Holden, 1998). Për shembull, nënat e fëmijëve të ekspozuar ndaj dhunës në familje në fakt tregojnë një rritje të madhe të përdorimit të disiplinës pozitive dhe një rënie të lehtë në sjelljen e butë dhe të ngrohtë në krahasim me nënat e fëmijëve jo të ekspozuar ndaj dhunës (Levendosky et al., 2003 and Letourneau et al., 2007). Gjithashtu, është gjetur si i arsyeshëm ndërmjetësimi i lidhjes mes dhunës në familje dhe sjelljes prindërore nëpërmjet përfaqësive të brendshme mendore të nënës, ndaj vetes së saj, fëmijës dhe përkujdesjes së saj (Stephens, 1999). Ndonjëherë, gratë ndjehen si në kurth dhe ato luftojnë për mbrojtjen e fëmijëve të tyre nga abuzuesit. Në këtë kontekst, nëna luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si fëmijët ndikohen nga dhuna. Shumë studime janë fokusuar më shumë në gratë e abuzuara ku në lidhje me prindërimin, ato janë konsideruar si nëna të falimentuara. Një numër i pakët studimesh janë bërë rreth efektit të dhunës në familje mbi përvojat e prindërimit nën rrethana të tilla, pavarësisht nga pozita e nënës.
5. Përfundime dhe rekomandime
Deri tani, ky punim ka zbuluar disa nga vështirësitë që gratë hasin në lidhje me prindërimin nën rrethanat e dhunës në familje dhe ndikimin negativ të saj tek gratë dhe fëmijët. Në kontekstin e dhunës në familje, gjyqësorit shqiptar dhe institucioneve të tjera qeveritare u mungon vullneti për të përqendruar kompetencat e tyre në mirëqenien e fëmijës, grave dhe çështjeve të tyre që lidhen me prindërimin. Ky fenomen konsiderohet dhe trajtohet nga shteti dhe organet gjyqësore si një krim brenda familjes dhe mendohet se një problem i tillë do të zgjidhet menjëherë pasi dhunuesi të dënohet. Pas kësaj, asnjë program ndërhyrjeje apo rehabilitimi nuk ofrohet në shërbim të nënës dhe fëmijëve për rikuperimin e këtyre viktimave nga kjo traumë, nga ana e strukturave shtetërore. Në fakt, siguria dhe të drejtat e viktimave të dhunës në familje duhet të jenë prioriteti më i lartë në të gjitha aspektet e shërbimeve që ofrohen nga ana e institucioneve gjyqësore.
Gjithashtu, profesionistë të mirëqenies së fëmijës dhe familjes duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të vlerësojnë rrezikun për fëmijët dhe marrëdhëniet që krijojnë me nënat e tyre dhe të ndërhyjnë në mënyrë të përshtatshme dhe në kohën e duhur për parandalimin e këtij fenomeni. Kur në shumicën e rasteve janë partnerët meshkuj abuzuesit në familje, është e rëndësishme të bëhen edhe ata pjesë e këtij problemi dhe të përfshihen në programet e ndërhyrjes. Në këtë mënyrë, angazhimi i tyre si baba me fëmijët, mund të hapë mundësi për ndryshim.
Pra, strategjitë e dhunës në familje dhe programet e ndërhyrjes duhet të përparojnë premisën e tyre se dhuna në familje është një aktivitet kriminal dhe është një sjellje e mësuar, dhe prandaj është e ndryshueshme. Në fokusin e politikave sociale dhe praktikave të lidhura me dhunën në familje, duhet të jetë përmirësimi i sigurisë së grave dhe fëmijëve dhe parandalimi i sjelljeve abuzive, frikësuese dhe të dhunshme të keqbërësve ndaj kësaj kategorie të popullatës shqiptare.
Bibliografia
1. AI Interview with Andrea Gurakuqi. Peace and Justice Center. Shkodra.
2. Baker, L. L. & Jaffe, P. G. (2003). Youth exposed to domestic violence: A handbook for the Juvenile Justice System to enhance assessment and intervention strategies for youth from violent homes. Center for children and families in the Justice System, p. 7.
3. Bancroft, L. & Silverman, J. (2002). The batterer as parent: Adressing the impact of domestic violence on family dynamics.: Sage, Thousand Oaks, CA.
4. Bornstein, M. (Ed.). (2002). Handbook of parenting: Vol. 1: Children and parenting (2nd ed.). Mahwah, NJ: Erlbaum.
5. Burazeri G., Roshi E., Jewkes R., Jordan S., Bjegovi V., & Laaser U. (2005). “Factors associated with spousal physical violence in Albania: Cross sectional study”, British Medical Journal 331, 197-201.
6. Cunningham, A. & Baker, L. (2007). Little eyes, little ears: How violence against a mother shapes children as they grow. The center for children and families in the justice sistem (book).
7. Dhuna në familje në fokusin e medias – Udhëzues. (2008). Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC). E marrë nga: www.gadc.org.al
8. Holden, G.W. (1998). Introduction: the development of research into another consequence of family violence. In: Children Exposed to Marital Violence: Theory, Research, and Applied Issues (eds G.W. Holden, R.A. Geffner & E.N. Jouriles), p. 1–20. American Psychological Association, Washington.
9. Horowitz, Sh. & Schnabel, A. (April, 2004). Human rights and societies in transition: Causes, consequences, responses. United Nations University Press, Tokyo, New York, Paris.
10. Lapierre, S. (2008). Mothering in the context of domestic violence: the pervasiveness of a deficit model of mothering. Child and Family Social Work 13, 454-463.
11. Letourneau, N. L., Fedick, C. B. & Willms J. D. (2007). Mothering and domestic violence: A longitudinal analysis. Journal of Family Violence.
12. Levendosky, A. A., Huth-Bocks, A. C., Shapiro, D. L. & Semel, M. A. (2003). The impact of domestic violence on the maternal-child relationship and preschool-age children’s functioning. Journal of Family Psychology 17(3), 275-287.
13. Levendosky, A. A., Leahy, K. L., Bogat, G. A., Davidson, W. S. & von Eye, A. (2006). Domestic violence, maternal parenting, maternal mental health, and infant externalizing behavior. Journal of Family Psychology 20(4), 544-552.
14. Lloja, A. & Xhemali, B. (2005). Crime within the family. The Review of Albanian Legal Medicine 2, 9-16.
15. McCain, M., & Mustard, F. (1999). Early years study: Reversing the real brain drain. Ottawa: Canadian Institute of Advanced Research.
16. Rossman, B. B. R. (2001). Longer term effects of children’s exposure to domestic violence. Domestic Violence in the Lives of Children: The Future of Research, Intervention, and Social Policy (eds S.A. Graham-Bermann & J.L. Edleson), p. 35–65. American Psychology Association, Washington.
17. SRVAW, report to the Commission on Human Rights, (1996). AI Interview with NGO. Useful to albanian women.
18. Stephens, D. L. (1999), Battered women’s views of their children. Journal of Interpersonal Violence 14, 731–746.
19. How prevalent is domestic violence in Albania. Retrieved from: www.unicef.org
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...