Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 12, 2013 Zani i Nalte Sociologji, Studime 0
nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi
– Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, Departamenti i Sociologjisë
& Dr. Genti Kruja
– Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Drejtoria e Kulturës
Abstrakt
Ndikimi i dhunës dhe dialogjeve vulgare të filmave televizivë në modelet e sjelljeve të dhunshme në familjet shqiptare
Gjatë 20 viteve të fundit kemi vënë re një shtim të akteve të dhunës fizike dhe veçanërisht të dhunës verbale mes anëtarëve të familjes shqiptare. Në mënyrë të veçantë, adoleshentët e shkollave të mesme janë bërë më agresivë dhe më të dhunshëm.
Modelet e komunikimit dhe sjelljet e dhunshme mes adoleshentëve, në familje, influencohen nga dy faktorë kryesorë: rrethi i ngushtë i shkollës ose fqinjësia mashkull dhe femër, dhe filmat televizivë me akte të dhunshme ose programet televizive me fjalor vulgar.
Në këtë kërkim, do të merremi me influencën e filmave televizivë me akte të dhunshme dhe programet televizive me përmbajte të fjalorit vulgar në komunikimin dhe sjelljen e dhunshme të rinisë adoleshente në qytetin e Tiranës dhe rrethinat e saj. Në të vërtetë, në këtë rajon jetojnë rreth 1 milion njerëz (rreth 1/3 e gjithë popullsisë së vendit) të cilët kanë ardhur nga pothuaj të gjitha qytetet e komunat e Shqipërisë. Për këtë arsye, popullsia e këtij rajoni përfaqëson, në një masë domethënëse, popullsinë e të gjithë Republikës së Shqipërisë nga pikëpamja e formimit psiko-kulturor.
Ky punim do të bazohet në të dhënat e një studim-anketimi të detajuar të realizuar nga 1244 nxënës adoleshentë të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Sfera e influencës së filmave televizivë me akte të dhunshme dhe programet televizive me fjalor dhe shprehje vulgare në sjelljen e dhunshme dhe modelin e komunikimit në familje të nxënësve adoleshentë do të analizohet duke u bazuar në variabile si: 1- përkatësia gjinore; 2- përkatësia fetare dhe niveli i besimit fetar; 3- banimi (fshat ose qytet); 4- niveli i avancimit të edukimit shkollor; 5- niveli i edukativ i prindërve; 6- niveli ekonomik i familjes, etj.
Këto probleme do të shqyrtohen në dritën e problemeve sociologjike për familjen, mbi marrëdhëniet familjare mes prindit dhe fëmijës, mbi edukimin e të rinjve në familje, etj.
1- Në vend të hyrjes: Traditë e vyer e familjes shqiptare
Familja shqiptare tradicionalisht është karakterizuar nga lidhje të shumëllojshme ekonomike, shpirtërore, emocionale, përgjegjësie të ndërsjellë ndërmjet gjithë anëtarëve të saj, veçanërisht ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Në mjaft krahina të Shqipërisë janë të përhapura proverbat: “Nëna vdes çdo ditë nga meraku për fëmijët”, “Babai u numëron gjurmët fëmijëve gjatë gjithë jetës” (Panajoti, J. dhe Xhogolli, A., 1983: 792-793), d.m.th. ndjek me shqetësim e përgjegjësi të lartë prindërore ecurinë e fëmijëve në shkollë, në punë dhe në gjithçka, gjatë gjithë jetës.
Në shoqërinë tradicionale shqiptare familja konsiderohej si një minishtet i mirëorganizuar, në të cilën çdo anëtar kishte të përcaktuar qartë statusin e vet dhe përpiqej t’i kryente me përpikmëri rolet e përcaktuara nga vlerat dhe normat kulturore mbizotëruese të shoqërisë (Frashëri, P., 1944: 9-12). Familja shqiptare si një strukturë shoqërore solide ka funksionuar deri në fund të shekullit XX. Për gjatë viteve 1991-2000 mjaft sociologëve të huaj, veçanërisht italianë, amerikanoveriorë e të tjerë u kanë bërë përshtypje të veçantë lidhjet e ngushta, përkushtimi i veçantë, deri në vetësakrifikim i anëtarëve të familjes shqiptare për njëri-tjetrin, veçanërisht i prindërve për fëmijët. Mjaft emigrant ose emigrantë shqiptarë, që punojnë e jetojnë prej vitesh në vendet e Perëndimit, kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë ekonomikisht me shuma të konsiderueshme financiare, jo vetëm prindërit, vëllezërit dhe motrat e tyre, që jetojnë në hapësirën shqiptare, por herë-herë edhe kushërinj të tyre të afërt. Mjaft prindër shqiptarë të rinj, të moshës së mesme ose dhe në prag të pensionimit braktisin karrierën e tyre profesionale, politike dhe shoqërore, atë të mjekut mjaft të kualifikuar, të pedagogut në universitet ose të punonjësit kërkimor-shkencor, të avokatit apo të noterit të suksesshëm, të politikanit të niveleve të ndryshme, të drejtuesit të organizatave jofitimprurëse dhe emigrojnë në vende të tjerë, kryesisht në vendet më të industrializuara të Perëndimit, ku kryejnë punë fizike të rëndomta rraskapitëse. Përvoja tregon se në shumicën e rasteve motivi kryesor, që e nxit këtë kategori prindërish të bëjnë një sakrificë të tillë është dëshira e zjarrtë për t’u siguruar fëmijëve të tyre një të ardhme sa më të mirë dhe sa më të sigurtë, veçanërisht dëshira për të arsimuar fëmijët e tyre në universitetet më prestigjioze të Perëndimit.
2-Aspekte të metodës së studimit
Veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit konstatohet një farë dobësimi i marrëdhënieve midis anëtarëve të familjes shqiptare. Është rritur numri i akteve të dhunës brenda familjes shqiptare, janë rritur dhe janë ashpërsuar konfliktet e shumëllojshme ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, ndërmjet vëllezërve dhe motrave dhe ndërmjet vëllezërve të grup-moshave të ndryshme etj. Një faktor që ka nxitur dukuri të tilla ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe dhuna që emetohet nga ekranet e televizionit, veçanërisht dhuna e filmave artistikë. Për të zbuluar se si ndikojnë filmat televizivë me dhunë në marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të familjes shqiptare të ditëve tona kemi realizuar një studim-anketim me të rinj adoleshentë të qytetit të Tiranës në muajin maj 2012.
Janë anketuar 1244 nxënës. Pyetësori përmbante 20 pyetje: 3 të lira dhe 17 të strukturuara, të cilat ofronin rreth 110 alternativa përgjigjesh më të mundshme. Anketat u plotësuan nga nxënës të shkollave të zonës qendrore të Tiranës, si: Shkolla e Mesme “Petro Nini Luarasi” dhe ajo “Qemal Stafa” dhe nga nxënës adoleshentë të shkollave nëntëvjeçare “Fan Noli” dhe “Dora D’ Istria”. Anketa u plotësua dhe nga nxënës adoleshentë të shkollave në periferi të Tiranës, si: shkolla e mesme “Myslym Keta” dhe shkolla nëntëvjeçare “Shyqyri Peza” në lagjen “Kombinat”, ku janë përqendruar më shumë nxënës të ardhur me familjet e tyre nga qytetet dhe krahinat jugore të Shqipërisë, ndërsa në shkollën e mesme “Eqrem Çabej” mësojnë më shumë nxënës të ardhur me familjet e tyre për gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, kryesisht nga qytetet dhe krahinat veriore të Republikës së Shqipërisë.
Kolegji Turk “Mehmet Akif” dhe “Medreseja” e Tiranës u përzgjodhën, jo vetëm se kanë nxënës të klasave të teta e të nënta nga gjithë hapësira shqiptare, por edhe ngaqë kanë kohën e pasmësimit të programuar sipas standardeve të disiplinës së kolegjit. Ndërsa Shkolla e Mesme Artistike “Jordan Misja” u përzgjodh si shkollë artistike me traditë të konsoliduar, ku mësojnë nxënës të talentuar nga gjithë Republika e Shqipërisë. Nxënësit e kësaj shkolle jo vetëm janë më të lidhur me forma të ndryshme të artit, por edhe janë karakterizuar më parë e karakterizohen aktualisht nga një frymë disi më liberale, nga prirja për t’u përditësuar më shpejt me dukuritë autentike e kulturore të shoqërive më të urbanizuara të Perëndimit.
I përzgjedhur sipas kritereve të tilla ky kampion përfaqëson në një shkallë të konsiderueshme nxënësit e klasave të teta e të nënta të shkollave nëntëvjeçare dhe të shkollave të mesme të Republikës së Shqipërisë. Në këtë artikull do të paraqesim disa nga rezultatet kryesore të këtij studimi-anketimi të plotësuara dhe me opinione të grumbulluara përmes intervistave dhe bisedave të lira me nxënës, prindër dhe mësues.
3- Nxënësit adoleshentë përballë ekranit të internetit dhe televizionit
Veçanërisht në vitet 1960-1990 programet televizive në vendet më të industrializuara u shtuan, u pasuruan dhe u përsosën me ritme të shpejta. Ndërkohë u perfeksionua shumë dhe teknikat e transmetimit televiziv. Por strukturat përkatëse të regjimit socialist totalitar i izoluan në mënyrë të skajshme shqiptarët nga këto përparime të vrullshme të kulturës televizive. Në rrethana të tilla në shoqërinë shqiptare shpërbërja e sistemit socialist totalitar u përjetua dhe si liri për të ndjekur programe televizive nga e gjithë bota. Nga pajisjet e para, që blinin familjet shqiptare në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, ishin televizorët me ngjyra dhe antenat parabolike. Kjo dëshirë e shqiptarëve për të komunikuar me kulturat e botës përmes ekranit të internetit ose të televizionit është ende e fortë edhe ndër nxënësit adoleshentë. Këtë e provojnë edhe të dhënat kryesore të anketimit dhe të detajuara sipas përkatësisë gjinore dhe tre niveleve kryesore të përparimit në mësime, të cilat paraqiten në grafikun vijues. (Nr. 1)
Siç shihet nga të dhënat e grafikut është e lartë (56.7 për qind) pesha specifike e nxënësve adoleshentë, që navigojnë në internet nga 2-5 orë për gjatë një ditë-nate. Në krahasim me atë të djemve (60.7 për qind) është pak më e ulët rreth (5.9 për qind) pesha specifike e vajzave (54.8 për qind), të cilat komunikojnë me programe të ndryshme të internetit rreth 2-5 orë për gjatë një ditë-nate. Nga bisedat me nxënësit kemi arritur në përfundimin se vajzat e përdorin më shumë internetin për informacione të dobishme për formimin e tyre, për zgjidhjen e detyrave në lëndë të ndryshme që mësojnë në shkollë dhe për të zhvilluar modele komunikimi më të mirë me të tjerët. Ndërsa djemtë e përdorin më shumë internetin për informacione, që shuajnë kureshtjen, por nuk shoqërizojnë me vlera kulturore më të pëlqyera prej shumicës së anëtarëve të shoqërisë. Gjithashtu djemtë përdorin programe të ndryshme interneti për lojëra ose për të bërë shaka me njëri-tjetrin.
Nga shqyrtimi i të dhënave të tabelës rezulton se vajzat dhe djemtë adoleshentë kanë tregues të përafërt kryesorë të “komunikimit” me ekranin e televizorit. Por në tregues të tillë dallohen ndjeshëm ndër nxënësit me përparim shumë të mirë në mësime nga ata me përparim të mirë dhe të dobët. Është dukshëm më e lartë pesha specifike (29.3 për qind) e nxënësve me përparim të shkëlqyer në mësime, që kalojnë përballë ekranit të televizionit rreth një orë përgjatë një ditë-nate. Kjo mund të konsiderohet kohë e domosdoshme për informacione të domosdoshme. Gjatë një bisede të lirë një nxënëse e klasës XI në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, e cila i kishte të gjitha notat maksimale, ndër të tjera, tha: “Televizori është edhe shoku më i mirë, të hap sytë për shumë gjëra në pak sekonda, por është dhe hajduti më i keq, sepse të vjedh kohën e mësimeve, të vjedh kohën e librit. Ime motër shpesh bën shaka me mënyrën sesi unë shoh televizorin me minuta duke kaluar pultin në tre stacione brenda një minute. Kur unë kap pultin e televizorit ime motër më pyet: -Nuk po zgjidh dot detyrat apo u lodhe duke lexuar librat? E dua televizorin, por më shumë librin”. Nxënësit, që mësojnë pak, përgjithësisht “vrasin” shumë kohë përballë ekranit të televizorit.
4- Sa kohë “vrasin” nxënësit adoleshentë përballë akteve të dhunës televizive
Siç shihet nxënësit adoleshentë, që banojnë në qytetin e Tiranës shohin shumë orë programe televizive. Natyrshëm shtrohet pyetja: Sa shpesh shohin filma televizivë me akte dhune? Të dhënat kryesore të anketimit dhe të detajuara sipas përkatësisë gjinore dhe tre niveleve kryesore të përparimit në mësime jepen në grafikun e poshtëshënuar. (Nr. 2)
Nga të dhënat e grafikut shihet se është e lartë (10.5 për qind) pesha specifike e nxënësve adoleshentë, që shohin filma televizivë me akte dhune çdo ditë. Është 6.1 herë më e lartë pesha specifike e djemve (20.7 për qind) se ajo e vajzave (3.4 për qind), që, si të thuash induktohen çdo ditë nga dhuna e filmave televizivë. Ndërkohë është 3 herë më e lartë pesha specifike e djemve se ajo e vajzave, që shohin shpesh, 2-3 herë në javë filma televizivë me akte dhune. Kësisoj më shumë se gjysma e djemve adoleshentë të anketuar (52.6 për qind) ndodhen dendur çdo ditë ose të paktën 2-3 herë në javë nën trysninë ndikuese të filmave televizivë me akte dhune.
Në shoqërinë shqiptare të ditëve tona djemtë janë më të dhunshëm. Studiuesit kanë vënë në dukje se në këtë dukuri psikokulturore mjaft komplekse lidhja shkaksore vepron aktivisht në dy kahje, ose, siç karakterizohet ndryshe, në mënyrë rrethqarkulluese: nga njëra anë, shikimi i filmave me dhunë televizive i nxit një pjesë të të rinjve të jenë më të dhunshëm në modelet e sjelljes së tyre dhe, nga ana tjetër, të qënit me prirje për sjellje agresive i nxit ata të shohin më shumë programe televizive me veprime dhe mendësi të dhunshme (Wimmer, R. Dominick, J., 1987:537).
Parapëlqimi i nxënësve adoleshentë për filma televizivë me akte dhune është në përpjesëtim të zhdrejtë me ecurinë e përparimit të tyre në mësim. Është ndjeshëm më e ulët pesha specifike e nxënësve me përparim të shkëlqyer në mësime (23.5 për qind) që, si të thuash, vetbombardohen nga aktet e dhunës televizive çdo ditë ose dy-tri herë në javë në krahasim me atë të nxënësve me përparim të mirë (32.3 për qind) dhe me përparim të dobët në mësim (44.0 për qind). Të dhënat e publikuara nga strukturat e zyrave përkatëse të shtetit shqiptar, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, provojnë se ndër të rinjtë adoleshentë, që kryejnë vepra penale ata me përparim të dobët në mësime ose ata që kanë braktisur shkollën, janë më të shumtë.
5- Vetëpërceptime: më të dhunshëm apo më humanë nën ndikimin e filmave me dhunë?
Natyrshëm shtohen pyetjet: Si e vetëpërceptojnë nxënësit adoleshentë ndikimin e filmave me akte dhune në modelet e komunikimit dhe sjelljes së tyre, veçanërisht në marrëdhëniet me prindërit? Po në marrëdhënie me vëllezërit dhe motrat?
Të dhënat kryesore të anketimit për këtë problematikë dhe të detajuara sipas përkatësisë gjinore dhe tre niveleve kryesore të përparimit në mësime jepen në grafikunj që vijon. (Nr.3)
Duke shqyrtuar rrjedhojat e ndikimit të dhunës televizive në kompleksitetin e vet, studiuesi Erić Maigret, ndër të tjera, shkruan: “Çështja e marrëdhënies midis dhunës reale dhe dhunës mediatike është mjaft emblematike për shqetësimet e shkaktuara nga mediat. Ajo rëndon si një këmishë hekuri në marrëdhëniet mes mediave dhe të rinjve, që prej fillimit të shekullit XX” (Maigret, E. 2010:64). Veçse sipas këtij sociologu dhe mjaft sociologëve të tjerë bashkëkohës nuk ka korrelacione krejtësisht të sakta ndërmjet shikimit të programeve televizive me akte dhune dhe provokimit prej tyre të modeleve të sjelljeve agresive të të rinjve adoleshentë. Por, gjithsesi një ndikim i tillë rilevohet në një masë të konsiderueshme dhe në një kuadër të përgjithshëm.
Siç shihet nga të dhënat e grafikut të mësipërm është e lartë, afro 14 për qind, pesha specifike e nxënësve të anketuar, të cilët nuk i kanë dhënë përgjigje pyetjes se si ndikon dhuna televizive në marrëdhëniet e tyre me prindërit. Dhe është 5.2 herë më e lartë pesha specifike (72.5 për qind) e nxënësve adoleshentë të anketuar, që kanë pohuar se marrëdhëniet e tyre me prindërit nuk ndikohen fare nga shikimi i filmave televizivë me akte dhune.
Vetëm 11.6 për qind e nxënësve adoleshentë të anketuar kanë pohuar se janë të ndikueshëm nga dhuna televizive në kahjen e së mirës ose të se keqes. Rreth 5.2 për qind e nxënësve adoleshentë të anketuar kanë pohuar se shikimi i filmave televizivë me tmerre që shkakton dhuna i bën të jenë më të njerëzishëm në marrëdhëniet me prindërit e tyre. Gjatë një bisede të lirë një nxënës në klasën XI të shkollës “Myslim Keta”, ndër të tjera, tha: “Kam parë shpesh filma me dhunë e me vrasje. Nga veprime të tilla, ata, që qajnë më shumë janë nënat. Ato, që dhunohen ose vriten mund të jenë fajtor ose të pafajshëm. Por nënat, që qajnë për to janë gjithmonë të pafajshme. Sa më shumë shoh filma me dhunë aq më mirë sillem me nënën time. Ndërsa me babanë komunikoj me rrallë, sepse ai është emigrant në Milano të Italisë”.
Është e vogël pesha specifike e nxënësve adoleshentë, të cilët kanë pohuar se dhuna televizive i nxit të manifestojnë sjellje të vrazhda ose të dhunshme. Siç shihet nga të dhënat e tabelës ka një diferencë të lehtë ndërmjet djemve dhe vajzave, ndërmjet nxënësve me përparim shumë të mirë në mësime dhe atyre me përparim të dobët.
Pse këto diferenca?
Vajzat adoleshente shqiptare kanë qenë dhe janë më pak të dhunshme se djemtë bashkëmoshatarë, jo vetëm jashtë mureve të shtëpisë, por edhe në marrëdhënie me prindërit. Ndërsa djemtë janë më të prirur drejt modeleve të sjelljeve të dhunshme edhe në marrëdhënie me prindërit. Gjatë bisedës së lirë një mësues në shkollën e mesme “Eqrem Çabej”, ndër të tjera, vijoi: “Djemtë çapkënë, në oborrin dhe korridorin e shkollës, në rrugicat e lagjeve e kudo, filmat televizivë me akte dhune i kanë si leksione ilustruese për të perfeksionuar veprimet e tyre të dhunshme”.
Filmat televizivë me akte dhune reflektohen edhe në marrëdhëniet e nxënësve adoleshentë me motrat ose vëllezërit e tyre. Të dhënat kryesore për këtë çështje dhe të detajuara sipas përkatësisë gjinore dhe tre niveleve kryesore të përparimit në mësime jepen në grafikun e poshtëshënuar. (Nr. 4)Nga shqyrtimi analitik i të dhënave të kësaj tabele rezulton se në treguesit kryesorë, shikimi i filmave televizivë me dhunë ndikon përafërsisht njëlloj në marrëdhëniet e nxënësve adoleshentë, si me prindërit ashtu dhe me vëllezërit dhe motrat. Por bie në sy se është 5 herë më e lartë pesha specifike e nxënësve me përparim të shkëlqyer në mësime (4.2 për qind) në krahasim me atë të nxënësve me përparim të dobët në mësime (0,8 për qind), të cilët kanë pohuar se nën ndikimin e filmave televizivë me dhunë, bëhen më të dhunueshëm në marrëdhënie me vëllezërve dhe motrave. Pse një diferencë e tillë ndërmjet nxënësve me përparim të dobët dhe atyre me përparim shumë të mirë në mësime?
Vëzhgimet e kryera në terren provojnë se nxënësit me përparim të dobët në mësime janë më të dhunshëm në konflikte reale me shokët e shoqet e shkollës, me persona të tjerë jashtë mjedisit familjar se sa me vëllezërit dhe motrat. Ndërsa nxënësit me përparim të shkëlqyer në mësime shfaqin një pamje të kundërt. Këtë përfundim e provojnë edhe të dhënat e anketimit. Është afro 2 herë me e lartë pesha specifike e nxënësve me përparim të dobët në mësime (29.3 për qind) në krahasim me atë të nxënësve me përparim të shkëlqyer në mësime, të cilët konfliktohen dendur me shokët dhe shoqet e shkollës çdo ditë ose dy-tre herë në javë. Në diskutimin rreth këtij problemi, një mësuese e lëndëve shoqërore, ndër të tjera, tha: “Nga përvoja ime prej tridhjetë vitesh si mësuese e lëndëve shoqërore, jam bindur se është më vështirë të menaxhosh konfliktet, kur përfshihen nxënësit e shkëlqyer, sesa nxënësit e dobët. Këta janë më harrakatë, por e nxjerrin të keqen duke u konfliktuar hapur me nxënësit e tjerë. Ndërsa nxënësit e shkëlqyer, vështirë të hapen, ata e mbajnë të keqen brenda vetes, por kjo e keqe mund t’u shpërthejë në mjedise sociale më të ngushta, siç janë mjediset familjare e të tjera.” Mendimtari dhe dijetari Gylen thotë: “Nxehja e njeriut që nuk nxehet kurrë, është e veçantë…” (Gylen (a), 2003: 133) Kjo ide provohet edhe nga mjaft vëzhgime e biseda me nxënës, mësues, me prindër dhe psikologë të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme.
6. Edhe rritje e intensitetit të konflikteve në familje, një rrugëzgjidhje…
Para 15 vitesh, në vitin 1997 është realizuar një studim anketim mbi konfliktimin e nxënësve adoleshentë të qytetit të Tiranës me prindërit, me njëri-tjetrin, me nxënësit dhe me njerëz të tjerë jashtë mjedisit shkollor dhe familjar. Rezultatet kryesore të këtij studimi-anketimi janë pasqyruar në punimin monografik të Zyhdi Dervishit me titull: “Adoleshentët, bashkëjetesë me demonët e konflikteve”, të botuar për herë të parë në vitin 2001 dhe të ribotuar më pas disa herë. Sipas këtij studimi rreth 17.3 për qind e nxënësve adoleshentë përfshiheshin në konflikte me prindërit e tyre të paktën një herë në muaj (Dervishi, Z., 2009: 54).
Që nga viti 1997 deri në ditët tona, pesha specifike e nxënësve adoleshentë, që përfshihen në konflikte me prindërit është rritur shkallë-shkallë. Këtë e provojnë edhe të dhënat e anketimit, që po paraqesim në këtë kumtesë. Rreth 53.8 për qind e nxënësve adoleshentë të anketuar përfshihen, të paktën një herë në javë në konflikt me njërin nga prindërit, me nënën ose babanë. Të dhënat kryesore të anketimit dhe të detajuara sipas përkatësisë gjinore jepen në grafikun e poshtëshënuar: (Nr.5)
Siç shihet është mjaft e lartë pesha specifike e nxënësve adoleshentë të anketuar, që konfliktohen dendur me prindërit çdo ditë ose dy-tre herë në javë. Madje më të stresuara nga konflikte të tilla janë nënat, të cilat në shoqërinë shqiptare të ditëve tona ndihmojnë më shumë se baballarët për mirërritjen dhe mirëshoqërizimin e fëmijëve të tyre. Vetëm 27.2 për qind e vajzave të anketuara kanë pohuar se nuk konfliktohen me nënën, ndërkohë që me babanë nuk konfliktohen 52.3 për qind e tyre. Rreth 49.0 për qind e djemve adoleshentë kanë pohuar se nuk konfliktohen as me nënën dhe as me babanë. Natyrshëm shtrohet pyetja: Pse është më e lartë pesha specifike e vajzave, që konfliktohen më dendur me nënat?
Rritja e shkallës së konfliktimit të nxënësve adoleshentë me nënat e tyre është, jo vetëm shprehje e dobësimit të marrëdhënieve emocionale ndërmjet anëtarëve të familjes, por edhe rrjedhojë e dobësimit të rolit shoqërizues të familjes. Një situatë e tillë reflekton edhe dobësimin e rolit shoqërizues të shkollës në Republikën e Shqipërisë. Këtë e provojnë edhe të dhënat e anketimit. Në mënyrë të veçantë në ditët tona, meqë prindërit janë zhytur me gjithçka në punët e përditshmërisë, ata në një farë mënyre e kanë lënë pas dore komunikimin me fëmijët, sidomos me adoleshentët.
Për rolin e pazëvendësueshëm të familjes në procesin kompleks të shoqërimit të fëmijëve dhe për respektin e fëmijëve për prindërit e vet, dijetari erudit e vizionar Fethullah Gylen, ndër të tjera ka shkruar: “Familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe detyrave të njëri-tjetrit, aq e shëndoshë është shoqëria. Fëmija duhet të jetë jashtëzakonisht i respektueshëm e i bindur ndaj prindërve; edhe prindërit, duke i dhënë jetës shpirtërore të fëmijës po aq rëndësi sa edhe trupit dhe shëndetit të tij, duhet t’ia dorëzojnë atë sa më parë edukimit të të urtëve më të aftë.” (Gylen (a), 2003: 159)
Duke qenë idealist i mendimeve më të larta, Fethullah Gylen ka argumentuar domosdoshmërinë e krijimit të mjediseve sociale sa më të mira, mundësisht të përsosura, të cilat të ndikojnë në edukimin e përsosur të fëmijëve, të të rinjve. Ndër të tjera, ai ka shkruar: “Që fëmijët tanë të mund të rriten në mënyrë të përsosur, është kusht që edhe mjedisi ku rriten dhe edukohen të jetë i përsosur. Sigurisht, çdo fëmijë formësohet sipas mjedisit dhe në një kuptim konsiderohet fëmija i atij mjedisi. Në krye të elementëve të mjedisit në fjalë vjen familja. Pastaj, shkolla. I treti, shokët dhe miqtë. I katërti, rrethi shoqëror i mësimeve dhe i studimit.” (Gylen (b), 2003:77) Është pikërisht kjo filozofi që udhëheq jo vetëm arsimimin, por edhe edukimin e nxënësve në kolegjet turke dhe në medresetë e vendit tonë.
Kolegjet turke dhe medresetë që nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX e në vijim kanë qenë dhe mbeten mjaft të parapëlqyera prej mjaft prindërve shqiptarë, së paku për tri arsye kryesore:
Së pari, në shkolla të tilla, nxënësit adoleshentë shoqërohen me moral të shëndoshë, me virtytet më të pastra dhe jo thjeshtë e vetëm me moral fetar.
Së dyti, mjediset e kolegjeve turke dhe të medreseve i mbrojnë më mirë të rejat e të rinjtë adoleshentë nga batica e llumit të veseve, të sjelljeve deviante, që kanë pllakosur shoqërinë shqiptare, sidomos në vitet e tronditjeve sociale pas vitit 1991. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit ndër mjaft prindër shqiptarë, me banim në qytete dhe sidomos në fshatra, janë përhapur mensësitë: “nuk ka mjedise më të sigurta për vajzat dhe djemtë adoleshentë se kolegjet turke dhe medresetë”, “disiplina dhe fryma e kolegjeve turke dhe medreseve i mbron të rejat dhe të rinjtë nga veset e rrugës”, “kolegjet turke dhe medresetë iu mësojnë adoleshentëve disiplinën e studimit e të punës” etj.
Së treti, në kolegjet turke dhe medresetë, të rejat dhe të rinjtë adoleshentë përvetësojnë, si të thuash, mekanizma komunikimi më të qeta me të tjerët, sidomos me prindërit.
Këto përfundime i pranojnë edhe të dhënat e anketimit.
Kështu në Medresenë e Tiranës është ndjeshëm më e ulët (rreth 12.0 për qind), në krahasim me atë të gjimnazeve, pesha specifike e nxënësve adoleshentë, që konfliktohen me nënën. Morali i shëndoshë edhe me përmbajtje fetare, që propagandohet e praktikohet nga mësuesit dhe nxënësit medresistë shërben si faktor i rëndësishëm për shoqërizimin e nxënësve adoleshentë me modelet e sjelljes humane më të fisme, jo vetëm në marrëdhënie me nënën e pjesëtarët e tjerë të familjes, por edhe me gjithë të tjerët.
Mendojmë se disa elementë të mekanizmave shoqërizues, që realizohen nëpërmjet moralit fetar dhe disiplinës së kolegjeve, mund të praktikohet edhe në shkollat e mesme të përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të neutralizohen ndikimet çoroditëse të modeleve të sjelljeve deviante në jetën e përditshme, filmave televizivë me akte dhune, të programeve të tejngarkuara me vulgaritete.
“Lartësimi ose rënia poshtë e një kombi,- ka shkruar Fethullah Gylen- varen nga shpirti dhe vetëdija me të cilat do të pajisen brezat e tij, nga arsimi dhe edukata që do të marrin. …Kombet me brezat e rinj të përgatitur mirë, janë të paracaktuar të përparojnë paprerë, regresi i kombeve që i nënvleftësojnë ata, është i pashmangshëm!..” (Gylen (a), 2003: 153)
Populli shqiptar është i prirur për të përballuar çdo sfidë në rrugën e përparimit edhe duke investuar më shumë për formimin profesional dhe edukimin e shumanshëm me vlerat më humane të të gjithë shqiptarëve, veçanërisht të brezit të ri.
Literatura kryesore
Abertrombie, Nicholas; Longhurst, Brian: Audiences. A. Sociological Theory of Performance and Imagination, Sage, London 1998.
-Backer, Martin;Petley, Julian: Effects. The Media -Violence, Debate, Routledge, London 1997
-Dervishi Zyhdi: Adoleshentët, bashkëjetesë me demonët e konflikteve, Shtëpia Botuese “Emal”, Tiranë 2009
-Frashëri, Pandi M, Familja shqiptare, Botues Ismail Mal Osmani, Tiranë 1944.
-Gauntlett, David: Media, Gender and Identity, Routledge, London 2002.
-Gylen, Fethullah (a): Kriteret ose Dritat e Rrugës – ese, gjykime, aforizma, Shtëpia Botuese “Prizmi”, Tiranë, 2003.
-Gylen, Fethulah (b): Nga fara te lisi, Shtëpia Botuese “Prizmi”, Tiranë, 2008.
-Panajoti, Jorgo,; Xhagolli, Agron (mblodhën dhe përgatitën për botim), Fjalë të urta të popullit shqiptar, Botuar nga Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë 1983
-Maigret, Eric: Sociologjia e komunikimit dhe e mediave, Botimet “Papirus”, Tiranë 2010
-Silvestone, Roger: Television and Everyday Life, Routledge, London 1994.
-Wimmes, Roger D., Dominick Joseph R.: Mass Media Research, Wodsmorth Publishing Company, Belmont 1987
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...