Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2013 Zani i Nalte Histori 0
Dr. Hasan Bello
Ky artikull ka si objekt analizimin e politikës së ndjekur nga Austro-Hungaria për organizimin e institucioneve të fesë islame në vitet 1916-1918. Megjithëse kjo perandori ishte një shtet multi-etniko-konfensional, zyrtarisht ajo ishte një shtet teokratik katolik dhe në varësi të interesave gjeo-politike ndoqi një politikë specifike ndaj popullsisë myslimane të Shqipërisë. Kjo politikë në përgjithësi na rezulton pozitive, me gjithë rastet e papëlqyeshme që herë pas here nuk munguan, këtë më së miri e tregon edhe fakti se institucionet e bashkësisë islame në këtë periudhë njohën një zhvillim të hovshëm në aspektin praktiko-organizativ.
Hyrje
Ky artikull ka si objekt analizimin e politikës së ndjekur nga Austro-Hungaria për organizimin e institucioneve të fesë islame në vitet 1916-1918. Megjithëse kjo perandori ishte një shtet multi-etniko-konfensional, zyrtarisht ajo ishte një shtet teokratik dhe në varësi të interesave gjeo-politike ndoqi një politikë specifike ndaj popullsisë myslimane të Shqipërisë. Kjo politikë në përgjithësi na rezulton pozitive, me gjithë rastet e papëlqyeshme që herë pas here nuk munguan, këtë më së miri e tregon edhe fakti se institucionet e bashkësisë islame në këtë periudhë njohën një zhvillim të hovshëm në aspektin praktiko-organizativ.
***
Në janar të vitit 1916 në ndjekje të forcave serbe, ushtria austro-hungareze pushtoi një pjesë të madhe të Shqipërisë. Populli shqiptar nuk u bëri atyre ndonjë qëndresë të armatosur, për shkak se ato dëbuan ushtritë serbe dhe malazeze dhe se ende tek masat e gjera të popullsisë ishte i freskët kujtimi, që ato ruanin për rolin pozitiv që Vjena kishte luajtur për krijimin e shtetit shqiptar në vitet 1912-1913. Ndikim pati edhe përkrahja që i dhanë asaj në momentet e para të pushtimit disa prej atdhetarëve me reputacion në popull.[1] Kështu, me rastin e marrjes së Durrësit nga forcat ushtarake austro-hungareze si në katedralen ashtu dhe në xhaminë kryesore të qytetit të Shkodrës u mbajtën kremtime dhe u bënë lutje në prani të autoriteteve ushtarake e civile, nga kleri i dy besimeve, populli dhe nxënësit. Fjalime të tjera u mbajtën dhe nga arqipeshkvi, kryetari i bashkisë e nga komisari civil August Kral, përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë pranë komandës ushtarake. Në përgjithësi u konstatua një qëndrim simpatik i popullsisë, “më fort korrekt i katolikëve, i përzemërt e plot besim nga myslimanët”.[2]
Deri në fund të marsit 1916 nën sundimin e ushtrisë austro-hungareze ranë dy të tretat e vendit. Në kuadër të interesave të saj strategjike, Ministria e Jashtme në Vjenë, lidhur me Shqipërinë hartoi një plan masash të cilat synonin: sigurimin e operacioneve ushtarake; ruajtjen e interesave politike dhe ekonomike të Monarkisë, duke mënjanuar çdo influencë armike; sigurimin e jetës dhe pasurisë së shtetasve; ngritjen kulturore dhe ekonomike të vendit dhe popullsisë; edukimin e popullit për vetëqeverisjen e ardhshme me vetëdije kombëtare, etj. Gjithashtu, nga komanda ushtarake kërkohej të respektoheshin zakonet e banorëve vendas, kultura dhe gjuha e tyre, duke përjashtuar çdo gjuhë tjetër të huaj përveç gjermanishtes. Për çështjet fetare duhet të kishte tolerancë të plotë, por ndalohej kategorikisht çdo lloj propagande. Për përmbushjen e këtyre planeve komanda ushtarake austro-hungareze ngriti tre drejtori (finance, drejtësie, arsimi) dhe e ndau vendin në 6 njësi administrative. Me gjithë predispozitën e Vjenës për të ndjekur një politikë proshqiptare, nën kushtet e luftës nuk munguan edhe raste kur ushtarët me urdhër apo me iniciativën e tyre personale rekuizonin sende ushqimore e kafshë bartëse pa ndonjë plan. Shpeshherë popullsisë nuk i liheshin as kafshët bujqësore të nevojshme për punimin e tokës. Pagesat bëheshin shumë rrallë dhe jo me vlerën përkatëse, duke u lëshuar zakonisht vetëm dëftesa. Ushtarë të disa reparteve rrëmbenin orendi shtëpiake e stoli, prisnin pa mëshirë pemë frutore e drurë të tjerë të dobishëm për ekonominë e popullsisë. Disa xhami e shumë banesa për shkak të shqitjes së dërrasave kishin rënë e pothuajse ishin shembur. Reparte ushtarësh së bashku me kuajt e tyre strehoheshin nëpër shtëpitë e banorëve shpeshherë pa sistem. Ai opinion i mirë e miqësor i popullatës, që u duk në fillim erdhi duke rënë. Me gjithë urdhrat e rrepta që lëshonte komanda, mungesa e kontrollit dhe rraskapitja prej luftës bëri që shumë ushtarakë të krijonin një përshtypje të keqe në popull, pavarësisht se Vjena kërkonte të linte përshtypjen e mirë se ushtria austro-hungareze ishte në tokë neutrale dhe mike.[3] Këto rrethana bënë që më 24 prill 1916, një numër i madh i përfaqësuesve të popullit mysliman të Shkodrës të mblidhej në xhaminë “Plakë” dhe të nënshkruante një memorandum, të cilin, më pas ia dorëzoi komandës së ushtrisë austro-hungareze. Ky memorandum kishte gjithsej 6 pika dhe pasqyronte të gjitha shqetësimet e popullsisë myslimane, si më poshtë:
1) Popullsia myslimane ka respekt të thellë për Madhërinë e tij Perandorin dhe Mbretin e Austro-Hungarisë, i cili ka krijuar Shqipërinë e lirë dhe gjatë luftës me anën e trupave të tija trime dhe heroike e ka çliruar nga duart e armiqve aleat.
2) Duke qenë se parimet e besimit islam kanë ngritur midis burrave dhe grave një mur ndarës, populli mysliman nuk është i predispozuar të presë trupa ushtarësh në shtëpitë e familjet e tyre, kjo është e mundshme vetëm në ato shtëpi, të cilat, sipas urdhrave të qeverisë janë caktuar nga populli për këtë qëllim.
3) Megjithëse gjimnastika dhe ushtrimet ushtarake i shërbejnë përmirësimit të shëndetit fizik dhe vlera e tyre pranohet nga ne, prapëseprapë, vendimi përkatës konsiderohet sot si i parakohshëm, duke qenë se vendi ynë në vitet e fundit sidomos në vitin e fundit ka vuajtur shumë, veçanërisht nga zija e bukës, por edhe nga vuajtjet e tjera që na janë shkaktuar nga armiqtë.
4) Derisa të formohet qeveria e përgjithshme civile, ne i lutemi autoriteteve ushtarake që këto, lidhur me nevoja të ndryshme të tyre, t’i drejtohen Këshillit të Bashkisë, i cili, pastaj konform ligjit vepron me popullin.
5) Në këtë kohë, në të cilën rrugët e tregtisë janë të mbyllura, ushqimi i popullatës është i lidhur me vështirësi të posaçme, ne të gjitha shpresat e jetesës, i kemi varur tek bujqësia. Prandaj, ne lutemi që arat, fushat dhe kopshtet tona të ruhen si edhe të evitohen dëmtimet.
6) Populli ka shpresë dhe është i bindur se qeveria ushtarake e Austro-Hungarisë ka për të marrë parasysh me simpati dhe me dashamirësi këtë lutje të drejtë. Porse në qoftë se qeveria nuk do të jetë në gjendje t’i japi kësaj lutje rëndësinë që ajo meriton, atëherë tek popullata janë shfaqur rezerva mbi furnizimin e qytetit me ushqime në të ardhmen dhe lutjet përkatëse që paraqiten të transmetohen më lartë.[4]
Një pjesë e mirë e pjesëtarëve të këtij tubimi rreth 690 persona, u arrestuan nga komanda austro-hungareze, me pretekstin se kjo nuk kishte qenë një mbledhje për qëllime fetare, por akt demonstrativ, që kishte vazhduar ditë e natë nga e premtja e deri të dielën sa më në fund autoritetet ushtarake ditën e tretë vendosën ta shpërndajnë pasi i paralajmëruan disa herë të hiqnin dorë nga veprimi revoltues.
Në këtë rast u plagosën lehtë dy persona, duke u hedhur kundër bajonetave të trupave.
Propagandës lidhur me formimin e batalioneve vullnetare për një stërvitje 8 javore, me përjashtim të disa myslimanëve në Shqipërinë e Mesme, ata të Shkodrës, për arsyet e mësipërme nuk iu përgjigjën. Ky fenomen edhe sipas vetë autoriteteve austro-hungareze nuk duhej të interpretohej si një mungesë patriotizmi e shqiptarëve ose si një kundërshtim ndaj tyre, sepse edhe sikur të bëhej në zonat me civilizim më të lashtë një tentativë për rekrutim vullnetar do të jepte të njëjtin rezultat.[5]
Ankesa dhe pakënaqësi pak a shumë të njëjta ishin shfaqur edhe nga popullsia myslimane e Gjakovës, Pejës dhe Mitrovicës. Por, një major osman me emrin Hysni bej, i cili, siç duket bënte propagandë tek myslimanët shqiptarë në favor të Bllokut Qendror, u kishte deklaruar atyre të qëndronin të qetë e ta linin fatin e tyre në duart e trupave austro-hungareze, sepse, Austro-Hungaria e mbronte fenë myslimane njëlloj si dhe Perandorinë Osmane.[6] Një përfundim i tillë vinte si rezultat i aleancës që ekzistonte në vitet e Luftës së Parë Botërore midis vendeve të Bllokut Qendror ku bënte pjesë Perandoria Osmane, Austro-Hungaria dhe Gjermania. Me qëllim për të krijuar një klimë bashkëpunimi e simpati tek popullsia myslimane e Shqipërisë dhe për të ulur pakënaqësinë e akumuluar, komanda ushtarake austro-hungareze, urdhëroi afishimin në vendet publike dhe leximin në të gjitha xhamitë e Shqipërisë të fetvasë mbi luftën e shenjtë që Shejh-ul-Islami kishte shpallur më 23 nëntor 1914. Në këtë fetva artikulohej dhe u bëhej thirrje mbarë myslimanëve të botës që të bashkëpunonin me Monarkinë Habsburge kundër Anglisë, Francës dhe Rusisë. Kjo fetva u shpjegua në mënyrë të detajuar përpara besimtarëve edhe nga myftiu i Shkodrës Mehmet Tahiri. Sipas tij, në bazë të fetvasë së lartë e të shenjtë të gjithë myslimanët besnikë duhej t`i bindeshin autoriteteve civile e ushtarake të kajzerit të Austro-Hungarisë e të mbretit apostolik të Hungarisë, të kajzerit të Gjermanisë e të mbretit të Bullgarisë, të cilët ishin aleatë e miq të Kalifit; duhej luftuar kundër Italisë, Francës, Rusisë, Anglisë e shteteve të tjerë bashkëpunëtorë të tyre, të cilët, bënin luftë kundër kalifit si dhe miqve e aleatëve të tij në Shqipëri. Ai bënte thirrje se duhej luftuar edhe ndaj Esat Pashë Toptanit, i cili, duke qenë përkrahës i Antantës, konsiderohej se ishte armik i islamizmit e i Shqipërisë. Prandaj, sipas tij, si nga pikëpamja fetare, ashtu dhe nga pikëpamja patriotike, ishte detyrë e shenjtë e çdo shqiptari mysliman që t`i ndiqte këta armiq me rreptësinë më të madhe e t`i luftonte intrigat e tyre. Të gjithë ulematë dhe hoxhallarët shqiptarë duhej që t`ia shpjegonin këtë fetva besimtarëve të tyre, në mënyrë që të fitonin kënaqësinë e Kalifit e të mos ngjallnin urrejtjen e përbuzjen e gjithë patriotëve të mirë.[7] Kjo fetva pasi u pajis me një hyrje të shkurtër dhe me klauzolën e “legalizimit” të myftiut të Shkodrës, u shtyp në një numër të konsiderueshëm kopjesh dhe iu shpërnda të gjithë hoxhallarëve për ta lexuar përpara popullit mysliman.[8]
Në kuadër të masave të tjera që ndërmori komanda ushtarake austro-hungareze ndaj popullsisë myslimane ishte edhe urdhri, që ajo u dha trupave të saj për të respektuar në maksimum qarkoren për mos kontrollimin e shtëpive myslimane, pasi thirrja e klerikëve për mos hyrjen në dhomat e grave (haremeve) nuk ishte fakultative por e detyrueshme.[9] Më 7 shtator 1916 u inspektuan të gjitha xhamitë e qytetit të Shkodrës të cilat ishin dëmtuar si rezultat i luftës. Me përjashtim të xhamisë së Mëhallës së Re të gjitha të tjerat ishin përdorur nga serbët për strehim dhe ishin dëmtuar si rezultat i heqjes së materialit drusor. Nga inspektimi u konstatua se për restaurimin e tyre nevojiteshin 45-50.000 korona.
Tabela 1
Medreseja dhe xhamitë e qytetit të Shkodrës që kishin nevojë për restaurim
NNr. |
Xhamitë dhe medreseja | Shuma |
1 |
Xhamia e Mustafa Pashës | 12-18.000 korona |
2 |
Xhamia Kara Hasan Beg | 5-6.000 korona |
3 |
Xhamia e Haxhi Bajramit | 10-12.000 korona |
4 |
Xhamia e mëhallës së re | 3-4.000 korona |
5 |
Medreseja përkatëse | 10-12.000 korona |
Një gjendje e tillë ishte krijuar edhe si rezultat i keqpërdorimit të tyre nga ushtarët austro-hungarezë. Sipas një raporti të detajuar të komandës qendrore mësojmë se:
1) Xhamia e Vezir Mustafa Pashait në Shkodër (xhamia më e madhe dhe më e bukur) shfrytëzohet për stallë kuajsh, gjithë materiali drusor mungon, me përjashtim të tavanit, por dhe këtë kanë filluar ta shqyejnë e ta marrin. Tashti ushtarët në xhami bëjnë nevojën.
Medreseja që ish pranë xhamisë u shkatërrua krejt saqë tani ka vetëm muret në plate dhe fort pak material drusor, por dhe ky po merret. Para dy muaj ishte kati i parë bashkë me çatinë dhe shumë material drusor në gjendje.
2) Xhamia e Mëhallës së Re. Gjithë materiali drusor është marrë, ushtarët që janë aty afër e përdorin si nevojtore.
3) Xhamia e Kara Hasan beut në gjendje të papërdorshme; materiali drusor në pjesën më të madhe është hequr. Tyrbja që ekziston pranë xhamisë përdoret nga ushtarët si nevojtore.
4) Më 14 të këtij muaji (të premten) mejtepi i madh u shqye nga grabitqarët e regjimentit të fanterisë pa dijeninë e administratës së vakufeve ose të mualimëve, me këtë mbetën 700 fëmijë pa mësim.[10]
Për të ndaluar këto sjellje të pahijshme ndaj objekteve të kultit mysliman, para se popullsia vendase të shpërthente në ndonjë revoltë të mundshme, ushtarëve austro-hungarezë iu lexua një urdhër, sipas të cilit ndalohej në mënyrë kategorike çdo veprim i tyre nëpër xhami. Për të kënaqur gjendjen shpirtërore të popullatës myslimane u porosit të fillohej menjëherë nga restaurimi i xhamisë së Mustafa Pashës, duke caktuar dhe një inxhinier drejtues nga batalioni i prapavijës.[11] Këto veprime të ushtarëve austro-hungarezë kishin tërhequr edhe vëmendjen e aleates së Austro-Hungarisë, Perandorisë Osmane, e cila, ishte ankuar në Vjenë. Kjo e fundit kërkoi shpjegime nga komisari civil në Shkodër.
August Kral i shkruante MPJ se ishte e vërtetë se disa nga xhamitë e shënuara ishin dëmtuar pjesërisht nga trupat austro-hungareze me rastin e hyrjes dhe të kalimit të tyre nëpër Shqipëri. Por kjo kishte ndodhur në stinën e dimrit, gjatë të ftohtit dhe reshjeve të forta, kur ushtarët ishin detyruar të merrnin dru për zjarr, e jo nga arroganca ose me qëllim armiqësor ndaj popullsisë myslimane. Për t`u justifikuar ai shkruante se këto xhami që ishin dëmtuar rëndë nga trupat serbo-malazeze më përpara, kishin krijuar përshtypjen tek ushtarët austro-hungarezë se nuk përdoreshin më. Megjithatë komanda ushtarake kishte dhënë urdhër që ato të riparoheshin. Ndërsa ndaj ankesës së Perandorisë Osmane lidhur me keqtrajtimin e shqiptarëve, Kral shkruante se komanda ushtarake ishte përpjekur të tregohej skrupuloze në vlerësimin e cilësive të kandidatëve të ndryshëm për emërimin e tyre nëpër zyrat e juridiksionit të saj. Ankesa të tilla nuk ishin dëgjuar as nga shqiptarët myslimanë. “Në rast se disa persona e ndjejnë veten të lënë pas dore atëherë mjafton që këta të drejtohen haptazi dhe me plot besim Zyrës kompetente pranë Komandës së Korparmatës XIX, për të marrë mbi çështjen e tyre një sqarim të plotë”.[12] Një provë e re për favorin që u bëhej myslimanëve sipas tij ishte edhe riorganizimi i gjykatave të sheriatit, emërimi i kryemyftiut dhe formimi i një gjykate për të gjitha problemet juridiko-fetare.[13]
Për të rregulluar çështjet fetare të myslimanëve dhe për të vendosur kontroll të plotë mbi situatën politike, në tetor të vitit 1916, administrata civile dhe ushtarake austro-hungareze filloi të hidhte hapat e para. Por, që në fillim lidhur me organizimin dhe varësinë e bashkësisë islame u përvijuan dy linja kryesore. Sipas komisarit civil austro-hungarez, Kral, Shqipëria si një shtet autonom, e jo si një vend i aneksuar prej Monarkisë Habsburge, mund të pretendonte të kishte kryetarin e saj të fesë islame. Një lidhje shpirtërore me Sheh-ul-Islamin në Stamboll edhe mund të lejohej, por jo midis asaj dhe kryetarëve të fesë islame të vendeve të tjera ballkanike, me të cilët përderisa nuk ekzistonte një varësi politike, kurrsesi nuk mund të ishin mbi të, por vetëm se të barabartë. Në kohën e qeverisë së princ Widit komuniteti mysliman në Shqipëri ishte po aq autoqefal sa edhe komuniteti mysliman në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Rumani dhe Greqi. Në krye të klerit mysliman qëndronte kryemyftiu, i cili, ishte njëkohësisht shefi i të gjithë ulemave dhe i administratës së sheriatit.[14] Kral ishte në kundërshtim të plotë me propozimin e zëvendës shefit të shtabit të ushtrisë austro-hungareze me qendër në Shkodër, i cili i kishte kërkuar Vjenës që drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ta vinte në varësi të Reis-ul-Ulemasë të Sarajevës. Ai kishte menduar që këtë të fundit, ta ftonte në Shkodër dhe pasi t`i dorëzonte “detyrën” e re ta shëtiste nëpër Shqipëri, së bashku me disa hoxhallarë boshnjakë, me qëllim për t`i këshilluar myslimanët, që të silleshin mirë kundrejt autoriteteve ushtarake austro-hungareze. Kral, jo vetëm që e kundërshtonte një veprim të tillë, por i propozonte MPJ në Vjenë emërimin e një kryemyftiu vendas, duke marrë për këtë edhe një lloj miratimi nga Shejh-ul Islami në Stamboll.[15] Vjena e miratoi qëndrimin refuzues të Kral-it, për mosvënien e Komunitetit Mysliman Shqiptar nën varësi të Reis-ul-Ulemasë të Sarajevës, ndërsa marrjen e një lloj miratimi nga Shejh-ul Islami në Stamboll për emërimin e kryemyftiut të Shqipërisë, ajo e konsideroi si një veprim jo të përshtatshëm për arsye se:
a) Emërimi i kryemyftiut nga korpskomanda austro-hungareze nuk ishte definitiv, ai kishte një karakter provizor, ashtu si të gjitha urdhëresat e administratës ushtarake në Shqipëri
b) Marrja e një lloj miratimi nga Shejh-ul Islami i Stambollit për Reis-ul-Ulemanë e Sarajevës formonte një pjesë përbërëse integrale të atyre konditave, nën të cilat Perandoria Osmane në vitin 1909 aprovoi aneksimin e Bosnjës dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Në kundërshtim me këtë mënyrë veprimi, shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, u bë pa ndonjë rezervë të tillë. Prandaj, pozita e bashkësisë islame në Shqipëri nuk i ngjante asaj në Bosnjë dhe Hercegovinë, por asaj të vendeve krejtësisht të pavarura nga Turqia. Modifikimi i kësaj pozite sipas Vjenës ishte i pa nevojshëm si për interesat e Austro-Hungarisë, ashtu edhe për ato të Shqipërisë.[16]
Në tetor të vitit 1916, me urdhër të komandës ushtarake austro-hungareze, u krijua në Shkodër Gjyqi i Naltë i Sheriatit i përbërë nga Kryemyftiu H. Vehbi Dibra dhe dy anëtarë, kryesekretari dhe dy shkruesa.[17] Ndërsa në vitin 1917, komanda ushtarake austro-hungareze miratoi “Parashkresën e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri”,[18] e cila përbëhej nga 43 nene dhe deri në vitin 1923 luajti rolin e një statuti. Sipas “Parashkresës…”, në krye të bashkësisë myslimane dhe të organizimit të Sherisë në Shqipëri ishte Myftiu i Përgjithshëm. Nën kryesinë e tij, ishin të gjithë hoxhallarët dhe Gjyqtarët e Sherisë, ashtu dhe të gjithë zyrtarët e tjerë. Myftiu i Përgjithshëm kishte drejtimin dhe kontrollin e epërm mbi të gjitha çështjet e myslimanëve mbi institutet e bamirësisë dhe të arsimit. Bashkë me Myftiun e Përgjithshëm, pranë tij si ndihmës qëndronin dhe dy ulema. Këta të dy, bashkë me Kryemyftiun përbënin Këshillin e Naltë ose Gjyqin e Naltë të Sheriatit. Ky këshill ishte shkalla më e lartë për çështjet e besimit dhe të gjyqësisë. Ai kishte të drejtë të zgjidhte gjyqtarët e Sherisë, imamët, hatibët, hoxhallarët, mësuesit e besimit dhe nëpunësit e tjerë. Në Parashkresë, përcaktoheshin edhe detyrat e Kryemyftiut e të Këshillit të Lartë të Sherisë, të Myfti-Kadive, Naibëve, Vaizëve etj. Sipas nenit 18 të “Parashkresës…”, ligjëratat në xhami duhet të mbaheshin në shqip dhe arabisht, t`u përgjigjeshin nevojave të kohës dhe urdhrave të qeverisë. Vendimeve gjyqësore duhej t`u ngjitej përherë edhe një shkurtim në gjuhën shqipe.[19] Me interes të veçantë në këtë periudhë është dhe një qarkore që Myftiu i Përgjithshëm, Haxhi Vehbi Dibra, u dërgoi të gjitha sherive të qarqeve. Ai i urdhëroi ato se duke qenë se Shqipëria ishte një shtet i pavarur dhe nuk kishte ndonjë lidhje shtetërore me qeverinë osmane, lutjet të mos bëheshin në turqisht, por në gjuhën shqipe dhe sulltani të mos përmendej më si mbret i Shqipërisë.[20]
Në rregullore parashikohej ruajtja dhe funksionimi i gjykatave të sheriatit, të cilat do ta ushtronin veprimtarinë e tyre mbi bazën e jurisprudencës islame. Këto gjykata do të ishin nën varësi të Këshillit të Naltë. E drejta e zgjedhjes së gjyqtarëve të sheriatit i përkiste këtij organi.[21] Në bazë të nenit 9 të kësaj rregulloreje, gjykatat e sheriatit, që ishin nën drejtimin e një myfti-kadiu, quheshin gjykata të shkallës së I, ndërsa ato që ishin nën drejtimin e një naibi gjykata të shkallës së II.[22] Në marrëveshje me Këshillin e Naltë të Sheriatit, komanda ushtarake austro-hungareze, për t`i kontrolluar më lehtë të gjitha çështjet e kultusit islam, bashkoi postin e kadiut me atë të myftiut dhe ngriti gjykata në të gjitha kryeqendrat e qarqeve. Gjykata sheriati u ngritën në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat Lezhë, Pukë, Krujë, Mat, Durrës, Shijak, Kavajë, Peqin, Lushnjë, Gramsh, Fier, Ballsh, Skrapar, Peshkopi, Lumë, Gorë, Has dhe Krasniq.[23]
Gjyqet e sheriatit duhet t’i kryenin veprimet e tyre zyrtare në gjuhën shqipe, përjashtim bënin vetëm rastet kur për arsye fetare përdorimi i gjuhës arabe ishte i domosdoshëm; respektivisht atje ku gjykatësi nuk e dinte mirë gjuhën arabe ishte lejuar provizorisht edhe përdorimi i gjuhës osmane (turke). Gjyqi i Naltë i Sheriatit i paraqiti komandës austro-hungareze një projekt për tarifën dhe për rregullimin në mënyrë unike të taksave, të cilat megjithëse duhet t`i mblidhnin gjyqet e sheriatit, ato do të derdheshin në arkën e drejtorisë së financave. Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe organizimit të vakufeve. Me propozim të drejtorisë përkatëse u bënë përpjekje për të përkthyer në gjuhën shqipe disa rregullore, që kishin si qëllim t’u shërbenin komisioneve të vakufeve nëpër rrethe për kryerjen me korrektesë të detyrave të tyre.[24]
Me propozimin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit, i cili funksiononte si instanca më e lartë për çështjet e fesë islame, u bënë përpjekje edhe për riorganizimin e studimeve teologjike islame. Kështu, në vend të medreseve të vogla që gjendeshin me shumicë në të kaluarën, disa prej të cilave e vazhdonin akoma veprimtarinë e tyre me nga një mësues (myderriz), u projektua hapja e disa medreseve më të kompletuara në qytetet kryesore të Shqipërisë, si: në Shkodër, Elbasan, Berat, Tiranë dhe Durrës. Këto medrese do të kishin strukturën e shkollave të mesme, sipas modelit evropian dhe krahas lëndëve teologjike në to do të mësoheshin në gjuhën shqipe edhe lëndët laike. Për përgatitjen e mësuesve (myderrizëve) dhe gjykatësve të sheriatit ishte parashikuar hapja e një universiteti teologjie, në qendër të vendit, në Elbasan. Në këtë universitet do të studionin medresistët, të cilët aspironin për një përgatitje teologjike më të lartë. Pranë medreseve dhe universitetit do të ndërtoheshin konvikte për strehimin e nxënësve që vinin nga larg. Shpenzimet për financimin e studimeve teologjike islame si burim primar do të kishin të ardhurat e vakufeve, ndërsa burimet shtetërore do të ishin sekondare, në formë subvencionesh.
Me organizimin e studimit autonom të teologjisë islame në Shqipëri do të bëhej e mundur përgatitja në vend e një brezi të ri klerikësh, gjykatësish të sheriatit dhe i dijetarëve të teologjisë. Kjo do ta rriste shkallën e pavarësisë dhe eventualisht do bënte të hiqej dorë nga thirrja e kandidatëve të huaj nga Turqia, Egjipti, apo shtete të tjera myslimane.[25] Në shtypshkronjën shtetërore të Vjenës, për të plotësuar nevojat që kishin mësuesit e lëndës së mësim-besimit, u shtypën me tirazh të lartë edhe shumë kopje të dijeve themeltare të fesë islame.[26]
Për qëllimet e saj propagandistike komanda ushtarake austro-hungareze në Shkodër themeloi gazetën “Posta e Shqipnies”. Fillimisht myslimanët treguan një rezervë të madhe karshi gazetës, por numri i abonuesve nga mesi i tyre erdhi duke u rritur. Kjo si rezultat i kujdesit që u tregua nga redaksia, që gazeta nga forma e jashtme të ruante plotësisht parimin e paanësisë konfesionale.[27]
Një rëndësi më vete si nga komanda austro-hungareze ashtu dhe nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit iu kushtua edhe organizimit, forcimit dhe dendësimit të shërbimit fetar në drejtim të shtimit të posteve, përmirësimit të gjendjes ekonomike të imamëve dhe të zgjedhjes më me kujdes për sa i përkiste përgatitjes së tyre.
Duke marrë parasysh përparimet e mëdha, që bëri gjuha shqipe në aspektin e terminologjisë dhe frazeologjisë, përdorimi i gjuhës turke në gjyqet e sheriatit, e cila ishte toleruar pjesërisht, erdhi duke u kufizuar. Në regjistrimin e pasurisë së vakufeve u bënë përparime të dukshme, gjë që siguroi një përdorim më frytdhënës të të ardhurave dhe një zhvillim më sistematik të institucioneve të fesë myslimane.[28]
[1] Çami, Muin, “Hyrja në Shqipëri e pushtonjësve austro-hungarezë dhe qëndrimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, Studime Historike, nr. 2, 1976:48.
[2] Haus und Hof Staats Archiv, Wien, Politisches Archiv, Albanien (më tej: HHSt.A.PA.A.), në Arkivin e Institutit të Historisë. Vj. 26-9-987, Raport i komisarit civil Kral për MPJ Kontit Burian në Vjenë, Shkodër, 2.3.1916.
[3] HHSt. A.PA.A., Vj. 26-9-986, Raport i konsullit civil Kral për MPJ Kontit Burian në Vjenë, Shkodër, 2.3.1916.
[4] HHSt. A.PA.A.,Vj. 26-17-1776, Raport i Kolonel Forkes për MPJ Kontit Burian në Vjenë, Shkodër, 24.4.1916.
[5] HHSt. A.PA.A., Vj. 26-17-173, Raport i konsullit civil Kral për MPJ Kontit Burian në Vjenë, Shkodër, 12.6.1916.
[6] HHSt. A.PA.A., Vj. 26-15-1564, Telegram i oficerit të plotfuqishëm të Komandës eprore të armatës së Shkupit von Mackensen drejtuar Komandës eprore në Vjenë, Shkup, 26.6.1916.
[7] HHSt. A.PA.A., Vj. 26-15-1556, Komandanti më i lartë i trupave austro-hungareze në Shqipëri Trollmann, Shkodër, 7.7.1916. Megjithëse vlera juridike e kësaj fetvaje më vonë është vënë në diskutim nga teologë të ndryshëm, ne po e botojmë ashtu siç është për të treguar edhe arsyet shpirtërore të qëndrimit të popullsisë myslimane shqiptare ndaj ushtrisë austro-hungareze.
Fetva
1
Menjëherë që të vërtetohet se armiku kërcënon perandorinë, vret myslimanë, i plaçkit ose i zë rob e për derisa është shpallur lufta shpallet nga ana e kalifit në bazë të pjesës përkatëse të Kur’anit (“Mos u druaj- po të jetë nevoja-rrezikoni jetën në!) në gjithë myslimanët bëhet ftesa e përgjithshme, qoftë të rinj ose pleq, këmbë ose kaluar, të vrapojnë në kufij për të vënë jetën e tyre në dispozicion e të shpëtojnë jetën, e pasurinë e tyre.
Pyetje:- Kur është kështu mjafton detyra e myslimanëve që ju vë Kur’ani si farz?
Përgjigja: Siç do Zoti, po.
2
Pyetje: A është me të vërtet detyra e cilitdo nga mysliman t`i deklarojnë luftë çdo nënshtetasi të Anglisë, Francës e Rusisë, që bën luftë kundër Austro-Hungarisë e Gjermanisë që janë aleatët tonë e që prandaj veprojnë kundër interesit tonë e të luftojnë me të, që kurse ata me anijet e tyre të luftës e me fuqitë tokësore kërcënojnë vendin e perandorinë e selinë e kalifit dhe që duan të shuajnë dritën –Zoti na ruajt- të islamizmit?
Përgjigje: Siç do Zoti, po.
3
Pyetje: A do të quhen si fajtorë kundra Zotit do të dënohen- Zoti na ruajt- ata të cilët nuk do të shkojnë menjëherë në luftë? A nuk ndalohet kjo në çdo rast nga sheriati? Dhe a nuk do të shtyhen ata në ferr?
Përgjigje: Siç do Zoti, po.
4
Pyetje: Ata myslimanë, që janë nënshtetas të shteteve që bëjnë luftë me ne e që rrokin armët kundër Austro-Hungarisë e Gjermanisë, që janë aleatët tanë e që kështu veprojnë kundër interesave tona, a nuk do të dënohen rëndë dhe a nuk është ky një faj i madh?
Përgjigje: Allahu e di këtë, po ata do të dënohen rëndë.
[8] HHSt.A.PA.A.,Vj. 26-15-1555, Raport i komisarit civil Kral për MPJ Baron Burian në Vjenë, Shkodër, 7.7.1916.
[9] HHSt.A.PA.A.,Vj. 26-15-1572, Raport i komisarit civil Kral, Shkodër, 21.7.1916.
[10] HHSt. A.PA.A., Vj. 26-15-1591, Raport i komandës austro-hungareze, Shkodër, 10.10.1916.
[11] HHSt. A.PA.A., Vj. 26-15-1592, Raport i komandës së qytetit të Shkodrës drejtuar Komandës së Korpusit XIX, Shkodër, 10.10.1916
[12] Po aty.
[13] HHSt. A.PA.A., Vj. 26-18-1802, Raport i komisarit civil Kral për MPJ në Vjenë, Shkodër, 10.10.1916.
[14] HHSt. A.PA.A.,Vj, 26-1-172, Raport i komisarit civil austro-hungarez Kral mbi çështjet fesë islame në Shqipëri, Shkodër, 25.7.1916.
[15] HHSt. A.PA.A.,Vj, 26-1-173, Raport i komisarit civil austro-hungarez Kral mbi çështjet e organizimit të fesë islame në Shqipëri, Shkodër, 11.8.1916.
[16] HHSt. A.PA.A.,Vj, 26-1-174, Telegram i MPJ për komisarin civil austro-hungarez në Shkodër Kral, Vjenë, 22.8.1916.
[17] AQSH, F. 882, V. 1917, D. 19, fl. 30. Urdhër i Komandës Ushtarake Austro-Hungareze.
[18] HHSt. A.PA.A.,Vj, 27-63, Rregullore provizore e organizimit të çështjeve të sheriatit në Shqipëri, Shkodër, 25 qershor 1917. Kjo rregullore u botua edhe në formën e një broshure nën emërtesën Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri, Shkodër 1917.
[19] HHSt. A.PA.A., Vj, 28-70, Qarkore dërguar të gjithë qark-komandave mbi vendimin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit, Shkodër, 14.6.1918.
[20] AQSH, F. 882, V. 1917, D. 39, fl. 1. Urdhër i Kryemyftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, dërguar sherive të vendit, 26.6.1917.
[21] HHSt. A.PA.A.,Vj, 27-63, Rregullore provizore e organizimit të çështjeve të sheriatit në Shqipëri, Shkodër, 25 qershor 1917.
[22] Po aty.
[23] HHSt. A.PA.A.,Vj. 27-60, Raport mbi çështjet e kultusit të Shqipërisë, Shkodër, 25 qershor 1917.
[24] HHSt. A.PA.A.,Vj. 28-67, Raport i komisarit civil Kral për MPJ Kontit Burian në Vjenë, Shkodër, 23.3.1918.
[25] HHSt. A.PA.A., Vj, 28-67, Raport i korpskomandës austro-hungareze mbi çështjet e sheriatit dhe vakufit në Shqipëri, Shkodër, 23.3.1918.
[26] HHSt. A.PA.A., Vj, 28-80, Raport i korpskomandës austro-hungareze mbi çështjet e arsimit në Shqipëri, Shkodër, janar 1918.
[27] HHSt. A.PA.A., Vj, 28-9-920, Raport i përfaqësuesit të MPJ të Austro-Hungarisë në Shqipëri për MPJ Kontin Othkar Çzerninit në Vjenë, Shkodër, 27.2.1918.
[28] HHSt. A.PA.A., Vj.28-68, Raport i komisarit civil Kral për MPJ Kont Burian në Vjenë, Shkodër, 14.6.1918.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...