Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2013 Zani i Nalte Shkenca Islame, Studime 0
Ma. Dorian Demetja
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Të treguarit interesim, qoftë në mënyrë individuale ose kolektive lidhur me ndonjë çështje, është diçka që ndodh nga natyra e njeriut. Rasti që festohet mund të jetë një ngjarje që ndodh në të tashmen ose që ka ndodhur në të shkuarën. Nga festimet për një ngjarje të tashme, bëjnë pjesë gëzimi kur ai bëhet synet, gëzimi i martesës që kur ajo lidhet e deri në ceremoninë përmbyllëse të saj, gëzimi që shfaqet për pritjen e një miku dhe për ardhjen e dikujt, gëzimi për suksesin në provime ose për fitoren në betejë, për begati në prodhime dhe të korra etj. Pra, këto ngjarje e të tjera të ngjashme me këto, mund të kremtohen e festohen. Nga festimet e të shkuarës është të kujtosh ato ngjarje që kanë ndodhur në vende dhe në kohë të caktuara. Kujtesa i sjell ndërmend ato ngjarje me qëllim që të përtërihet gëzimi e kënaqësia për to, ose që të nxirren mësime e këshilla prej atyre ngjarjeve.
Këto raste të cilat festohen, mund të jenë thjesht raste që lidhen me këtë botë, mund të jenë fetare, ose te ato ka ndonjë damar feje si domosdoshmëri e mos ndarjes së plotë midis çështjeve të dynjasë dhe atyre të fesë. Islami në lidhje me ato festime që i përket dynjasë nuk të ndalon. Islami ndalon ato raste, kremtimi i të cilave nuk ka motive e qëllime të mira, kur në to ka shfaqje që dalin nga caqet e legjislacionit Islam ose shkaktojnë rezultate negative. Në kushtet e zakonshme, mes kohëve të ndryshme nuk ka ndonjë dallim dhe përparësi. Ndërkaq, disa data në historinë Islame kanë fituar veçanti dhe vlerë, ngaqë janë bërë skenë e disa ngjarjeve me rëndësi. Megjithëse këto kohë mbështeten në pretekste të ndryshme, janë raste shumë me vlerë që kanë një funksion të përbashkët në sigurimin e fuqizimit të besimit e të jetës besimore te myslimanët.
Ditët dhe netët e mira, ashtu siç i quan populli ynë, janë prej shenjave të Islamit dhe festohen prej shekujsh me radhë. Koha e këtyre është e përcaktuar sipas kalendarit hënor, e cila përmban 355 ditë, pra, 10 ditë më pak sesa kalendari ynë diellor. Për rrjedhojë, ditët dhe netët e mira si dhe festat fetare në Islam nuk fiksohen në një datë dhe muaj të caktuar, por lëvizin duke i përshkruar të gjithë muajt me radhë, e cila përbën një bukuri krejt të veçantë dhuruar nga Allahu Fuqiplotë. Ditët dhe netët e shënuara në fenë Islame janë kohë shumë të begata, ku dhuntitë dhe dhuratat hyjnore shfaqen në sasinë më të madhe nga ana ideore dhe shpirtërore. Entuziazmi ideor dhe shpirtëror i ditëve dhe netëve të mrekullueshme që shtrihen si rrugëlidhje, porta apo katapulta, të cilat formojnë tek njeriu një ndjesi krejt ndryshe, i bashkon e i bën një myslimanët.
Për çdo sëmundje apo dhembje që mund të kemi në trupin tonë, ne menjëherë interesohemi dhe shkojmë për vizitë tek mjeku. A nuk është e drejtë të përpiqemi me po aq forcë për të shpëtuar nga gjynahet që na errësojnë botën, na ngushtojnë shpirtin dhe na hapin plagë në zemër? Nëse jemi të bindur për këtë, atëherë le të mendojmë pak ç’mund të bëjmë! Përpjekja për të shpëtuar nga gjynahet në literaturën Islame e merr emrin teube dhe istigfar (pendim dhe falje). Ky veprim përveç se bëhet me gjuhë dhe me zemër, ka edhe disa kohë të veçanta ku fokusimi është akoma më i madh dhe më i përshtatshëm. Ne e dimë se falje mund të kërkohet në çdo kohë, por ekzistojnë disa intervale kohore në të cilat ne e kemi më të lehtë të fokusohemi me gjithë shpirtin tonë. Këto kohë janë pikërisht ditët dhe netët e mira, në të cilat ne kemi mundësinë të drejtohemi të vetëdijshëm në maksimum drejt faljes. Ky është vërtet një rast mjaft i volitshëm për të gjithë besimtarët myslimanë, që të largohen nga gjynahet dhe të hedhin hapa të rëndësishëm drejt mirësive. Ato kohë janë me të vërtetë momente mjaft të vyera për njeriun, sepse gjen rastin për t’iu lutur Zotit më afër, e përmend Atë dhe kërkon falje për gjynahet, që i kanë shkatërruar qetësinë shpirtërore. Kështu, ditët dhe netët e mira janë për ne si doktorët më të mirë që mjekojnë me ilaçet e tyre shpirtërore, shpirtin tonë.
Vlerat dhe përparësitë e ditëve dhe netëve të mira ndaj ditëve dhe netëve të tjera të zakonshme janë të shumta. Nuk duhet menduar se ngjarja e ndodhur i përket vetëm ditës apo natës kur ka ndodhur për herë të parë dhe kështu, më pas, ditës apo natës në fjalë nuk i mbetet ndonjë vlerë e veçantë. Edhe pse ngjarjet përkatëse nuk përsëriten, dita apo nata e mirë përsëritet çdo herë së bashku me të gjitha vlerat dhe përparësitë. Prandaj, në çdo përsëritje duhen bërë përpjekje për t’i përjetuar dhe gjallëruar ato. Ka shumë rëndësi që në këto ditë dhe net, besimtari të jetë i ndërgjegjshëm dhe t’i kalojë ato me adhurim e lutje. Adhurimi dhe lutja e bërë në këto kohë, bëhet shkak për më shumë mirësi, gjë që u jep atyre një vlerë të veçantë. Nga ana tjetër duhet te theksohet se një ndërgjegje të tillë ndaj Allahut, Krijuesit të gjithësisë, besimtari duhet të përpiqet ta gjejë në çdo ditë apo natë të jetës së tij.
Koha e një pjese ditësh dhe netësh të mira është saktësisht e ditur, kurse e një pjese tjetër, jo. Dita e Xhuma është një ditë e mirë dhe e bekuar. Mirëpo “ora e pranueshme e lutjeve”, nuk është e përcaktuar dhe është e fshehur në atë ditë. Edhe nata e Kadrit është e fshehur në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, sikurse Ismi Adham, i cili është i fshehur në Esmau’l Husna. Ndërkaq, edhe kohët e shënuara të papërcaktuara, ashtu si kohët e përcaktuara, i nxisin myslimanët për syçelësi, adhurim dhe shfrytëzim të dobishëm të tyre. Veçanërisht kohët e shënuara të papërcaktuara bëhen pretekst për vlerësimin dhe shfrytëzimin e një kohe më të gjatë.
Njeriu në jetën e tij herë pas here hyn në një proces ndryshimi. Dhe është tepër e rëndësishme që drejtimi i këtij ndryshimi të kthehet kah e mira, e dobishmja dhe e drejta. Parë në këtë këndvështrim, ditët dhe netët e mira u japin mundësi dhe u ndihmojnë njerëzve në këtë drejtim, duke u bërë faktor për një ndryshim pozitiv në jetën e tyre. Festimi i datave të shënuara në historinë Islame mund të jenë të përcaktuar me ndonjë citat nga legjislacioni Islam ose mund të jenë të papërcaktuar nga ai. Ato që janë të përcaktuara nga legjislacioni Islam, duhet të kryhen në mënyrën që janë përcaktuar dhe të mos dalin nga caqet e përgjithshme të fesë. Ndërsa për ato raste që nuk janë përcaktuar nga legjislacioni Islam, njerëzit në lidhje me këtë aspekt kanë dy qëndrime: Njëri qëndrim i ndalon duke thënë se janë bidate (risi), kurse qëndrimi tjetër i lejon festimet e atyre rasteve meqenëse nuk ka ardhur ndonjë verset Kur’anor ose ndonjë hadith që t’i ndalojë ato.
Le ta sqarojmë këtë që po themi: Nuk ka dyshim se në Islam, si nga legjislacioni Islam ashtu dhe nga aspekti historik, ndodhen raste të shumta që duhet t’u jepet rëndësi kremtimeve të tyre, pavarësisht nga emërtimi i tyre – festa.
Islami ka ligjëruar gëzimin në rastin e lindjes së fëmijës, therjen e një kurbani ose dy kur lind fëmija dhe kur i vihet emri, ai ka ligjëruar e lejuar të kënduarit në raste martesash dhe përgatitjen e gostive; ka lejuar të kënduarit e këngëve për pritjen e ndonjë miku të siç e pritën Profetin (a.s.) kur emigroi në Medine طَلَع البَدْرُ علَيْنَا مِنْ ثَنِيَتْ الوداعdhe siç e pritën atë kur u kthye nga beteja e Tebukut. Në legjislacionin Islam vlerësohej gëzimi për ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, vlerësohej urimi i ndërsjellët i myslimanëve me njëri-tjetrin. Në Kur’an shfaqet interesim për të ardhmen duke punuar për botën e përtejme, për t’u përpjekur në adhurime për hir të fitimit të xhenetit. Në të tregohet për të shkuarën me qëllim që të studiohet jetesa e profetëve dhe e popujve të mëparshëm. Në tregimin e tyre ka mësime e këshilla për ata që mendojnë. Në Kur’an ka udhëzim e orientim për të ecur në tokë dhe për të shikuar e studiuar gjurmët dhe veprat e të parëve. Madje në të ka legjislacione që lidhen me përkujtime që nuk harrohen. Ato me gjuhën e kohës quhen festa, të cilat shërbejnë për t’i përjetuar këto përkujtime. Këto festa përsëriten në ditë të ndryshme të cilave u jepet emërtimi ‘Id’ عِيدْ (festë).
Tregohet në një hadith të saktë të cilin e transmetojnë Nesaiu dhe Ibnu Habani me burim autentik se Enesi ka thënë:
“عَنْ أَنَسْ رَضِىَ اللهُ عَنْهُ قَالَ: قَدمَ النَّبِيُّ عَلَيْهِ السَّلاَمُ المَدِينَةَ وَ لَهُمْ يَوْمَانِ يَلْعَبُونَ فِيهِمَا فَقَالَ: قَدْ أَبْدَ لَكُمْ اللهُ تَعَالَى بِهِمَا خيرًا مِنْهُمَا يَوْمَ الفِطْرِ وَ يَوْمَ الأَضْحَى.”
“Erdhi Profeti Muhamed (a.s.) në Medine. Ata (njerëzit e Medines) kishin dy ditë në të cilat ata luanin, atëherë Profeti (a.s.) tha: Zoti (xh.sh.) ua ka zëvendësuar ato me dy të tjera më të mira. Ata janë dita e çeljes dhe dita e sakrificës (Dy Bajramet).” Këto dy ditë u quajtën ditë feste (Id). Gjithashtu edhe dita e xhumasë u quajt ‘Id’, festë. Kjo ka ardhur me shumë transmetime, midis të cilave është edhe kjo:
“رَوَى مُسْلِمْ أَنَّ أَبَا بَكْرٍ رَضِىَ اللهُ عَنْهُ دَخَلَ عَلَى عَائِشَةَ رَضِىَ اللهُ عَنْهَا فِى أَيَّامِ مِنِّى فَوَجَدَ عِنْدَهَا جَارِيَتَيْنِ تُغَنِيّانِ. فَلَمَّا إِسْتَنْكَرَ ذَلكَ قَالَ عَلَيْهِ السَّلاَمُ: يَا أَبَا بَكْرٍ إِنَّ لِكُلِّ قَوْمٍ عِيدًا، وَ هَذَا عِيدُنَا.” (رَوَاهُ مُسْلِمُ)
Tregon Muslimi se Ebu Bekri hyri tek Aisheja (Zoti qoftë i kënaqur me të), në ditën e Minasë. Ndërkohë tek ajo gjen dy vajza duke kënduar. Kur Ebu Bekri e dënoi këtë veprim, Profeti (a.s.) i tha atij: “O Ebu Bekër! Çdo popull ka festë, dhe kjo është festa jonë” (Muslim).
Në këto hadithe vërehen disa çështje: Profeti (a.s.) nuk i përkufizoi festat islame vetëm me dy Bajramet (festa e çeljes dhe festa e sakrificës), por përmendi vlerat e atyre të dyjave mbi vlerat e festave që festonte populli i Medines. Pra të dyja këto festa (Bajramet) u quajtën ‘Id’. Gjithashtu është edhe argumenti se Profeti (a.s.) e quajti ditën e Xhumasë me emrin ‘Id’ (عِيد) festë. Kështu, festat islame nuk ngushtohen vetëm tek dy Bajramet. Gëzimi dhe hareja janë prej dukurive të festave. Atëherë, përkrah faljes së posaçme, përmendjes së Zotit, sadaka-i fitrit dhe therjes së kurbaneve, gëzimi shfaqet edhe me argëtime të lejueshme nga të gjithë myslimanët. Meqenëse nuk ka ardhur ndonjë citat nga Kur’ani apo suneti që të ndalojë shprehjen e gëzimit dhe të haresë në raste të tjera përveç këtyre dy festave të Bajrameve, atëherë shprehja e gëzimeve në raste të tjera është një veprim i pakundërshtueshëm, si do që të jetë shprehja e gëzimit, individualisht apo kolektivisht, i përkohshëm apo i vazhdueshëm.
Profeti Muhamed (a.s.) kur i gjeti hebrenjtë duke festuar ditën e Ashuras si shenjë respekti, meqë Zoti (xh.sh.) atë ditë shpëtoi Musain (a.s.) dhe dënoi faraonin, tha:
“نَحْنُ أَوْلى بِمُوسَى مِنْهُمْ.”
“Ne jemi më të afërt me Musain (a.s.) se sa ata” (Muslim).
Pastaj Profeti Muhamed (a.s.) e agjëroi atë ditë dhe i urdhëroi myslimanët që ta agjëronin. Ky ishte një lloj këshille për të përvetësuar përkujtimin e ngjarjes dhe ishte me një legjimitet të përhershëm Islam. Gjithashtu Profeti Muhamed (a.s.) e ndjente mirësinë e Zotit që bëri në lidhje me lindjen dhe dërgimin e tij me misionin Profetik, saqë Profeti (a.s.) e festonte në shenjë përkujtimi duke e agjëruar ditën kur Zoti (xh.sh.) e nderoi atë me lindjen, e cila ishte dita e hënë (Muslim).
Në historinë Islame ka ngjarje e përkujtime që nuk duhet të harrohen kurrë. Ato duhet të vlerësohen e të ngrihen lart, pasi në festimin e tyre marrim forcë të re. A nuk është plotësimi i fesë dhe përmbushja e mirësisë për myslimanët, një rast që e mbush zemrën e besimtarit me gëzim e kënaqësi? Përcillet me një transmetim të saktë se një hebre i tha Omerit, Zoti qoftë i kënaqur prej tij: O prijësi i besimtarëve! Është një verset në librin tuaj që ju e lexoni. Në qoftë se ai ajet do të kishte zbritur tek ne hebrenjtë, ne do ta merrnim atë ditë si ditë feste. Hz. Omeri i tha: Për cilin verset e ke fjalën? Ai tha:
“أَليَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَ أَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِى وَ رَضِيتُ لَكُمْ الإِسْلاَمَ دِينًا.” (مَائِدة 3)
“Sot e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin si fe” (Maide 3).
Atëherë Omeri (r.a.) tha: Unë sigurisht e di ditën në të cilën ai verset u shpall dhe vendin në të cilin zbriti Profetit (a.s.). Ishte dita e xhuma në Arafat.
A nuk është hixhreti nga Meka në Medine një ngjarje e madhe historike me të cilën Zoti (xh.sh.) bëri ndarjen midis të vërtetës dhe të shtrembrës, dhe e përjetoi atë Hz. Omeri duke e bërë si fillimin e kalendarit Islam? Pasi iu bënë atij disa propozime për ngjarje të tjera, a nuk e dalloi ai hixhretin si ngjarjen më të përshtatshme e më të denjë për kalendarin islam? Hz. Omeri kur pa grumbullimin e njerëzve duke falur namazin e teravisë me xhemat pas një imami tha: “نعم البدعة هذه.”Sa bidat i mirë është ky! Dhe askush nuk e kundërshtoi atë.
Le të shpresohet se në kremtimin e këtyre rasteve të nxirren mësime prej tyre me qëllim që të lidhen zemrat e myslimanëve me fenë, me historinë dhe me lavditë e saj, si dhe të mos harrohen ato në bollëkun e festave të tjera të kësaj bote. Atëherë nuk vërejmë asgjë të keqe e të kundërshtueshme lidhur me kremtimin dhe festimin e çfarëdo rasti fetar apo jo fetar, me kusht që mënyra e festimit të mos dalë nga limitet e legjislacionit Islam dhe objektivi e motivi të jenë të shëndosha.
Adhurimet dhe lutjet që bëhen në ditët dhe netët e mira
Dijetarët myslimanë janë të mendimit që ditët dhe netët e mira të kalohen me adhurime dhe lutje të llojeve të ndryshme. Në këto kohë myslimanët falënderojnë Allahun që u ka dhënë mundësi t’i respektojnë dhe përjetojnë ato me shëndet, falin namaz, këndojnë ose dëgjojnë Kur’an, e përmendin Allahun dhe meditojnë, luten për mëshirë dhe paqe për Profetin, ndjekin predikime e këshilla, bëjnë vetëllogari dhe kalojnë nëpër sy të metat e gabimet, bëjnë pendesë për mëkatet; mes myslimanëve bëhen urime, agjërimi i ditëve përkatëse të këtyre kohëve është sevap dhe e këshillueshme. Kurse ata që kanë mundësi, i japin iftar agjëruesve në shtëpitë e tyre.
Adhurimet që bëhen në ditët dhe netët e mira mund t’i përmbledhim si më poshtë:
1) Pendesë, zikër dhe përpjekje për të hequr dorë nga veset dhe shprehitë e këqija.
2) Këndim Kur’ani; meditim mbi jetën, vdekjen dhe botën e amshueshme.
3) Përpjekje për kryerjen e kazave të farzeve të lëna në të kaluarën dhe shlyerja e detyrimeve.
4) Agjërim dhe salat e selam për Profetin.
5) Dhurata për fëmijët, ndihmë për të varfrit, vizita në varreza, dhurata për veprimtari të dobishme dhe për institucionet bamirëse.
6) Lutje për falje, për veten, për prindërit dhe të gjithë myslimanët.
Nata e mirë e Mevludit
Të gjithë kombet e popujt e ndryshëm, sipas rastit e vendit, festojnë ditëlindjen e njerëzve të tyre me zë, të dalluar për vepra trimërie, bamirësie, letrare, filozofike e shkencore, duke i shërbyer jo vetëm kombeve përkatëse, por edhe mbarë njerëzimit. Këta njerëz të mëdhenj, jo vetëm i kanë sjellë dobi e përfitim popujve të ndryshëm, por bëhen më vonë shembuj për brezat e ardhshëm që të shkelin në gjurmët e tyre. Po, nëse ka një ngjarje, e cila mund të shkaktojë me të vërtetë gëzim dhe pjesëmarrje të përbotshme, ajo është pa dyshim, lindja e Profetit të bekuar, Muhamed Mustafasë. Ai i solli mbarë botës mesazhin e paqes dhe harmonisë në atë kohë, kur ajo botë kishte nevojën më të madhe për të.
Fjala “mevlud” do të thotë lindje, i lindur, ditëlindje, jetëshkrim. Është fjala për vulën e profetëve, Hz. Muhamed (s.a.s.). Mëngjesi i asaj nate u bë i begatë sepse kishte lindur një ditë krejt e re, ishte hapur një periudhë drite për njerëzimin. Natën kur lindi Profeti, në pallatin e Kisras, perandorit të Iranit, janë shembur katërmbëdhjetë kolona, liqeni i shenjtëruar dhe shumë i njohur i quajtur Save u tha menjëherë, zjarri i pashuar qysh prej njëmijë viteve i zoroastrianëve është shuar dhe disa ngjarje të tjera interesante kanë ndodhur në botë. Të gjitha këto janë komentuar si shenja se në të ardhmen zjarri i mohimit dhe hipokrizisë do të shuhej me duart e Profetit, se do të përhapeshin drejtësia dhe virtytshmëria.
Kjo natë, domethënë kjo lindje është një favor i Allahut për të gjithë njerëzimin. Zoti ynë i Lartë urdhëron kështu në Kur’an:
“…Duke iu dërguar njerëzve, nga mesi i tyre, një profet që t’u këndojë ajetet e Allahut, t’i pastrojë, t’u mësojë librin dhe urtësinë, Allahu u ka bërë një dhuratë të madhe besimtarëve!” (El-Imran, 164) “…Ne të dërguam ty si mëshirë për botët!..” (El-Enbija, 107)
Fjala “mevlud” ka dhe kuptimin e festës fetare të myslimanëve në përvjetorin e lindjes së pejgamberit Muhamed (s.a.s.). Dhe prej saj kanë lindur shprehjet nata e mevludit, këndoj mevlud, ju ftoj për mevlud, etj. Me kërë rast organizohet ceremoni fetare festive popullore. Kjo festë jubilare kremtohet në mbarë botën myslimane në mënyrë të shkëlqyeshme. Në këtë ditë madhështore organizohen biseda dhe kumtesa rreth jetës së ndritshme të Muhamedit (a.s.), zhvillohen tubime e takime duke trajtuar probleme rreth personalitetit të të dërguarit të Zotit (xh.sh.), këndohen ajete të Kur’anit Fisnik, lirika fetare të quajtura ilahi, si dhe këndohen nga secili popull në gjuhën e vet poezitë liriko-epike të quajtura “Mevlud”, duke përzgjedhur ata që e kanë zërin e bukur dhe melodioz. Edhe këtu në Shqipëri të mëdhenj e të vegjël, të gjithë myslimanët mblidhen bashkë për të kremtuar këtë festë ndërkombëtare të ditëlindjes së Profetit me anë të aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe ceremonive të mevludit, duke rënë në salavat dhe duke u lutur për Profetin për paqe e mëshirë.
Ndërkaq duhet të përmendim se festimi dhe përkujtimi i këtij përvjetori, i kësaj ngjarjeje të shënuar për të gjithë myslimanët, nuk është domosdoshmëri fetare. Ky eveniment mbeti një vepër e mirë dhe e dobishme për mbarë besimtarët myslimanë, duke qenë se na kujton të Dërguarin e Allahut dhe na e forcon lidhjen me të. Rreth kësaj në një hadith që e transmeton Abdullah Ibn Mes’ud thuhet: “Atë që myslimanët e shohin se është vepër e mirë, që duhet të bëhet, do të konsiderohet e mirë edhe tek Allahu, edhe atë që myslimanët e shohin të keqe, që nuk duhet të bëhet, edhe tek Allahu konsiderohet e keqe” (Ahmed). Duke u nisur nga ky hadith dhe të tjerë të ngjashëm me këtë, themi se festimi i mevludit është një vepër e mirë, që sjell shumë dobi dhe efekte të mira për besimtarët myslimanë. Duke marrë pjesë në evenimente të tilla, ku pjesëmarrja e myslimanëve është tepër e madhe, është arritur që njerëzit jo vetëm kanë shtuar njohuritë rreth fesë Islame, jetës dhe veprës së pejgamberit të fundit, por me kohë kanë frekuentuar edhe xhamitë për të kryer adhurimet obliguese.
Këndimi i Mevludit duhet të ketë për qëllim kujtimin e Profetit dhe përjetimin e ndjenjave të dashurisë dhe respektit për të si rob dhe i dërguar i Allahut. Në kohën tonë ka marrë një formë shumë të përhapur këndimi i Mevludit me pretekste të ndryshme. Në të vërtetë, kjo është një gjë e mirë. Nuk ka dyshim se për ne është e mirë dhe e bukur çdo gjë që do të na e kujtonte e do ta bënte që ta donim Pejgamberin tonë. Mirëpo, në zhvillimet që ka pësuar kuptimi mbi këtë ceremoni përkujtimore si dhe praktika e saj, vihen re koncepte e qëndrime të skajshme e të padrejta. Në njërën anë, është gabim që Mevludi, duke e kapërcyer përmbajtjen dhe kuptimin e tij si ceremoni përkujtimore, të shndërrohet në një formë adhurimi. Në anën tjetër, është gabim edhe mohimi kategorik i Mevludit duke e quajtur risi (bid’at). Nëse në një drejtim janë bërë gabime, ato duhen rregulluar pa shkaktuar çorientim në drejtime të tjera. E rëndësishme është që të bëhen vlerësimet dhe rregullimet e duhura nga njerëzit dhe organet kompetente të fesë.
Për shekuj me radhë ne nuk e kemi respektuar Profetin aq sa e meriton dhe nuk mund t’ia festojmë siç duhet një ditëlindje, një javë apo një muaj të dedikuar vetëm kësaj lindjeje të bekuar. Kjo nuk do të jetë e mjaftueshme edhe sikur ta bëjmë për vite me radhë, megjithatë, “një mbret sillet ashtu siç i takon një mbreti dhe një shërbyes kryen punën e tij prej shërbëtori.” Prandaj, ne duhet të bëjmë çfarë të mundemi në këtë drejtim, çfarëdo që është brenda mundësive tona duke thënë: “më mirë kaq se asgjë.”
Rreth tekstit të Mevludit
Ceremonitë e para përkujtimore të quajtura “Mevlud” ndeshen për herë të parë në Egjipt, ndërsa në shtetin Osman ceremonitë e Mevludit kanë filluar të praktikohen pas periudhës së Muratit II.
Sipas mendimit të njëzëshëm të autoriteteve myslimanë, mevludi i parë është shkruar në gjuhën arabe në kohën e Ebu Said Muzaferudin Kokboriut, i cili vdiq më 1233 në Erbil. Ndërsa tekstin e mevludit, një poemë e gjatë 800 vargëshe në gjuhën turke, e përpiloi poeti i shquar turk Sulejman Çelebiu me titull “Vesiletu’n-Nexhat” (Shkaku i shpëtimit), të cilën e pati përfunduar në vitin 1409 në Bursa. Mevludi bën fjalë për jetën e pejgamberit tonë plot ndjenja dashurie e respekti me një shprehje shumë të sinqertë e intime. Ai përmban nëntema të tilla si nderi që i solli botës Pejgamberi (a.s.) me lindjen e tij, ardhja e profetësisë, ngjarja e Miraxhit, shpërngulja në botën tjetër etj., si dhe pjesë me lavdërime për të, përgjërime dhe lutje. Në këtë kontekst, Mevludi ka një vlerë që nuk mund të krahasohet kurrë me asnjë poemë tjetër në botë. Greku Homer, Francezi La Fonten, Anglezi Shekspir, Gjermani Gëte, Rusi Pushkin; asnjë nga veprat e këtyre poetëve nuk është recituar më shumë se Mevludi Sherif.
Hartimi i mevludeve në gjuhën shqipe ka një traditë të hershme mbi 250 vjeçare, ku njihen mbi 15 autorë. Mevludet e para në gjuhën shqipe nisin me Mevludin e parë të Hasan Zyko Kamberit, e vazhdojnë deri në ditët tona. Më 1878 Hafiz Ali Riza Ulqinaku bëri një përkthim të përsosur të Mevludit të Sulejman Çelebiut. Ky nuk ishte vetëm një përkthim nga Mevludi në fjalë, por edhe një përshtatje famoze në poezinë epike shqiptare.
Mevludet e para në gjuhën shqipe kanë qenë të shkruara me alfabetin turko-arab e më vonë në alfabetin shqip. (Mevludi në Shqipëri këndohej në gjuhën turke dhe sipas zakonit lutjet bëheshin në gjuhën arabe). Këto mevlude kanë qenë përkthime, përshtatje dhe origjinale, si dhe kanë përfshirë të gjitha zonat e Shqipërisë, trojet shqiptare dhe diasporën. Në gjuhën shqipe sot mund të numërojmë më shumë se njëzet Mevlude të botuara në kohë të ndryshme, të cilat janë trajtuar edhe në veprën “Mevludet në gjuhën shqipe” të autorëve Faik Luli dhe Islam Dizdari.
Mevludet në gjuhën shqipe kanë pasur përhapjen e tyre në zona të ndryshme. Shumë prej tyre janë ribotuar disa herë në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Turqi, në Amerikë, Belgjikë e kudo ku ka shqiptarë. Nga Mevludet më të njohura të autorëve shqiptarë mund të veçojmë Mevludet e Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ali Korçës, Fahrudin Osmanit, Hafiz Abdullah Zemblakut dhe Tahir Efendi Popovës.
Mevludi, një vepër e cila i prezantoi botës poemën më të recituar në botë, është e rëndësishme sepse pasqyron në mënyrë objektive ndjenjat fetare të shoqërisë myslimane. Shpresojmë që vepra të tilla të rrënjosura në kulturën e popullit tonë do të ndihmojnë ata që duan të dinë rreth Islamit, të kuptojnë botën e brendshme të myslimanëve, dashurinë që ata ushqejnë për Profetin dhe lidhjet shpirtërore midis tyre dhe atij në mënyrë korrekte.
Disa vargje nga Mevludi i Hafiz Ali Korçës:
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Për nder të Muhamedit mos kurse rahmetin,
na dhuro neve o Zot bukurinë e xhenetit.
Sado faje të kemi shpresën nuk e presim,
Zot i madh prej Teje shumë mëshirë presim.
Madhështia Jote na jep shumë shpresë,
mëshira që ke, nuk na lë pa pjesë.
Nëse na i fal gabimet tregona bukurinë,
nëse na përzë, prapë tek Ti ne vijmë.
Me zemër të djegur Allah të thërresim,
me Allah në gojë Zot, edhe kur të vdesim!
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...