Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2013 Zani i Nalte Sociologji 0
Xhemal Balla
Myslimanët në themel të ndërtimit të jetës udhëhiqen nga besimi në “Zotin Një”, që e shoqëron atë në të gjithë aktivitetin jetësor nga lindja deri në vdekje. Për besimtarët, feja ka lozur rolin më të rëndësishëm si kod etiko – moral, që ka ruajtur të pastër familjen e shoqërinë. Feja tek ne nuk ka njohur konflikte, por është karakterizuar nga toleranca e humanizmi. Islami ka kultivuar në ndërgjegjen e besimtarëve shumë elemente pozitive të normave etiko – morale, të praktikuara në jetën familjare e shoqërore. Ajo ka ushqyer shpirtin e tyre në ndërtimin e jetës, që është manifestuar në ceremoni të ndryshme gëzimi e hidhërimi. Megjithatë është ruajtur uniteti me fetë e tjera për çështjen kombëtare. Të bashkuar, myslimanë, katolikë e ortodoksë kanë luftuar për të mbrojtur interesat e vendit, që nga përpjekja për shpalljen e pavarësisë më 1912 e deri në ditët e sotme.
Feja e ka shoqëruar njeriun gjatë gjithë epokave, nga fillimi i jetës njerëzore e deri më sot. Por gjatë rrugës ka pësuar devijime, duke u shmangur nga e vërteta, nga besimi në Një Zot. Kur’ani, fjala Hyjnore është shpallja e fundit dërguar njerëzimit, nëpërmjet të zgjedhurit të veçantë, profetit Muhamed (s.a.v.s), i cili i vuri kufi të vërtetës nga e pavërteta. Pra, është feja islame që sanksionon identitetin e vërtetë të besimtarit islam si individ dhe besimtar pa kufi kudo në “botë”.
Në vendin tonë, islami ka shërbyer si një element i rëndësishëm në strukturimin shpirtëror të besimtarëve, të cilët kanë përbërë shumicën, duke e veçuar atë nga vendet fqinje. Me një fjalë, u dallua si një element identifikimi etnik kombëtar, që ka ruajtur vendin tonë të mos asimilohet nga të tjerët. Besimi islam është zhvilluar në përputhje me ligjet dhe udhëzimet Hyjnore të shpallura në Kur’anin Famëlartë dhe në hadithin e Profetit (a.s.).
Myslimanët në themel të ndërtimit të jetës udhëhiqen nga besimi në “Zotin Një”, që e shoqëron atë në të gjithë aktivitetin jetësor nga lindja deri në vdekje. Për besimtarët, feja ka luajtur rolin më të rëndësishëm si kod etiko-moral, që ka ruajtur të pastër familjen e shoqërinë. Feja tek ne nuk ka njohur konflikte, por është karakterizuar nga toleranca e humanizmi. Islami ka kultivuar në ndërgjegjen e besimtarëve shumë elemente pozitive të normave etiko-morale, të praktikuara në jetën familjare e shoqërore. Ajo ka ushqyer shpirtin e tyre në ndërtimin e jetës, që është manifestuar në ceremoni të ndryshme gëzimi e hidhërimi. Megjithatë është ruajtur uniteti me fetë e tjera për çështjen kombëtare. Të bashkuar, myslimanë, katolikë e ortodoksë kanë luftuar për të mbrojtur interesat e vendit, që nga përpjekja për shpalljen e pavarësisë më 1912 e deri në ditët e sotme.
Ne festuam 100 vjetorin e pavarësisë, por gjithnjë ka qenë e do të mbetet e nevojshme për zhvillimin shoqëror, që njerëzit t’i referohen përkrahjes dhe mbështetjes tek Zoti i Madhërishëm. Te Ai do të gjejnë ngushëllimin shpirtëror, ushqimin e ndërgjegjes kombëtare për të përballuar çdo vështirësi në jetë. Në Kur’an sure “El-bekare” ajeti 186 thuhet: “E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” Ndjenja fetare është faktor i rëndësishëm në krijimin e një kulture materiale e shpirtërore, të një niveli më të lartë zhvillimi të shoqërisë sonë.
Prandaj, edukimi fetar duhet të fillojë që në fëmijëri dhe adoleshencë, për të pasuruar brendinë e tyre shpirtërore, që në moshën e rinisë marrin pamje dhe konsolidohen tiparet e personalitetit. Në këtë moshë merr formë botëkuptimi fetar i tyre, bindjet me të cilat e ka edukuar familja. Këtu fillojnë të zënë rrënjë normat etiko-morale me të cilat i riu është edukuar.
Bota shpirtërore emocionale, e ushqyer me udhëzimet Hyjnore, pasuron tiparet e karakterit të tij si besimtar, vetëdijen e vullnetin e mirë për çdo gjë, si dhe ndjenjën e miqësisë e të dashurisë për të tjerët. Për këtë arsye, është domosdoshmëri ushqimi shpirtëror i brezit të ri, pa dallim gjinor, me mësimet e islamit, për të kuptuar kontradiktat e brendshme e të jashtme, që shfaqen midis të riut dhe faktorëve të mjedisit social ku ai jeton.
Së pari ato ushqehen midis kërkesave të tij dhe mundësisë së plotësimit të tyre, por këto janë të jashtme. Sigurisht ndodhin edhe kontradikta të brendshme midis formimit të bindjeve me të cilat i riu ushqehet, e që manifestohen në sjelljen e tij, në marrëdhëniet me të tjerët. Vetëm feja islame përcaktoi vizionin e qartë për rrugën që duhet të ndjekë i riu ose e reja në ndërtimin e jetës, në vlerësimin e normave etiko-morale që ruajnë të pastër personalitetin e secilit. Në Kur’an, surja “En-nur”, ajeti 64 thuhet: “Pa dyshim, Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai e di se çfarë bëni. Dhe Ditën kur ata do të kthehen tek Ai, do t’i njoftojë për veprat që kanë bërë. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë!” Njeriu duhet të ushqehet me besimin e tij, se çdo gjë në botë e dokumenton ekzistencën e Zotit. Kjo është rruga më e mirë drejt diturisë dhe pasurimit shpirtëror; rruga e drejtë për sjellje të mirë dhe moral të shëndoshë, që janë udhërrëfyesit më të mirë për suksesin e njeriut në jetë. I vetmi, Allahu fuqiplotë është Ai që cakton se ç’është e lejuar dhe ç’është e ndaluar; i Cili cakton vlerat etike dhe parimet e sjelljes.
Rol të rëndësishëm për edukimin e ndjenjave fetare luan familja dhe veprimtarët shoqërorë islamë, të pajisur me kulturë të mirëfilltë islame dhe kanë pozicione vlerësuese në shoqërinë ku jetojnë. Kjo për arsye se rinia e sotme është e pajisur me horizont të gjerë kulturor e shkencor, që dallohet për aftësitë dhe pjekurinë e saj për problemet e zhvillimit, e të përparimit të jetës. Prandaj duhet marrë parasysh personaliteti i rinisë sot, për ta integruar drejt atë, vetëm në unitet me figurën e pastër etiko-morale.
Sot ka të rinj myslimanë, që janë të pjekur e të brumosur me besimin e thellë tek Zoti i Madhërishëm, të pastër dhe të shëndetshëm moralisht dhe të gatshëm për të vënë energjitë e tyre në shërbim të fesë islame, të myslimanëve dhe të shoqërisë shqiptare.
Në kushtet e tranzicionit që po kalon vendi, personaliteti në formim i rinisë mund të pësojë dhe devijime.
Ai vjen i pastër, por delikat dhe i prekshëm në kushtet e një edukate jo të shëndoshë. Si rezultat janë shfaqur vese negative si përdorimi i alkoolit, drogës, bixhozit, prostitucionit e deri te kriminaliteti. Këto probleme negative sociale janë shqetësuese për familjen e shoqërinë, që kanë rrjedhur si rezultat i prirjeve të tyre për t’iu kundërvënë vlerave morale të shoqërisë, traditave e zakoneve të mira që ka trashëguar populli ynë. Për këtë arsye kërkohet si domosdoshmëri ushqimi shpirtëror i tyre me besimin tek Zoti. Këto duhet të bëhen objekt i një ndikimi edukative të intensifikuar, të kualifikuar e të kombinuar; të drejtpërdrejtë e të tërthortë nga moshatarët e tyre të formuar e të pajisur me vlera të larta morale.
Krahas këtyre veseve negative, duhen parë edhe prirjet ekstravagante që shihen në mjedise të caktuara rinore e deri te individë të veçantë. Këto kërkojnë t’u imponojnë të tjerëve si normë diçka të huaj, të huazuar në veshje e shije, që është në kundërshtim me normat e shijet tona të trashëguara brez pas brezi. Mjafton të përmendim këtu veshjen lakuriqe të vajzave e promovimin e seksit të lirë si nevojë biologjike. Ne nuk duhet të nënvleftësojmë kulturën perëndimore ku duam të integrohemi, por pa e hiperbolizuar rolin e saj. Ne duhet të depërtojmë te thelbi i saj, të marrim atë që është e qenësishme dhe jo atë që është kalimtare. Ajo që mbetet ka vlerë të përjetshme. Për këtë arsye duhet njohur mirë brezi i ri, prirjet e tyre, për të ndikuar në botën e tyre shpirtërore, për t’i ushqyer ato me vlerat etiko-morale islame. Në Kur’an sure “Ez-zumer” ajetet 53-54 thuhet: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë.”
Feja islame është e vetmja doktrinë legjislative e shoqërore që shpjegon drejt këto shtrembërime pikëpamjesh e idesh, që nuk përputhen me moralin e shoqërisë, duke nënvleftësuar problemet delikate të formimit e të edukimit social të rinisë.
Islami është elementi social më human e më i arsyeshëm, që krijon mundësi më të përshtatshme për edukimin etiko-moral të brezit të ri dhe trajtimin e drejtë të kontradiktave të këtij procesi. Pikërisht për këtë arsye feja islame nuk pajtohet me qëndrimet pasive e indiferente, neglizhente e toleruese, sentimentale etj. në respektimin e normave të edukatës morale qytetare në familje e shoqëri.
Dihet që në moshën e rinisë fillojnë të kristalizohen cilësitë e personalitetit. Pikërisht për këtë, familja duhet të ushqejë anën e brendshme të këtij personaliteti, me udhëzimet Hyjnore, që të përcaktojë rrugët konkrete, që fëmija duhet të marrë në jetë, i mbështetur në bindje me besimin tek Zoti; me qëllim që të shndërrohet në një stimul të konsolidimit të personalitetit të tij. Këto tipare të përgjithshme të etikës e të moralit, me brendi të thellë të besimit, vijnë e shfaqen më vonë në të gjitha aspektet e jetës individuale, familjare e shoqërore. Një brez i ri i edukuar me mësimet islame, i pajisur me atribute e vlera morale, përbën një potencial të fuqishëm për t’u integruar në shoqëri e për t’u bërë barrikadë ndaj veseve negative.
Një moment spikatës i fesë islame në zhvillimin e brezit të ri është strukturimi gjithnjë e më i dukshëm, i përcaktuar së brendshmi, i veprimtarisë dhe i sjelljes në jetën praktike. Në themel të tyre duhet të qëndrojnë shtysa e motive të ushqimit shpirtëror nga brenda. Motivimi i ushqyer nga besimi në Krijuesin, është një nga shfaqjet më themelore të personalitetit të njeriut. Ai krijon lidhje të pasura në mes motiveve të brendshme e të jashtme, të çastit e të perspektivës, me zhvillimet specifike etiko-morale për familjen e shoqërinë. Për brezin e ri është domosdoshmëri pasurimi me ndjenja fetare si në gjerësi e në thellësi të botës shpirtëror, si tipare të rëndësishme të karakterit të tyre. Kjo edukatë duhet të synojë stimulimin e tipareve pozitive të karakterit të të riut, që të shërbejë si element frenues ndaj shfaqjeve negative. Promovimi nga ata i cilësive më të çmueshme të personalitetit të tyre si sinqeriteti, çiltërsia, reagimi ndaj padrejtësive dha akteve amorale, do të ndihmojë në parandalimin e shfaqjeve të shëmtuara e deri te kriminaliteti. Nëpërmjet lidhjeve shoqërore e miqësore, me qëllime të përcaktuara, me ato që përjetojnë fenomene negative, do të ketë një ndikim të fuqishëm humanizues e fisnikërues që lë gjurmë në jetën e tyre.
Duke përdorur fenë si element strukturor të botës shpirtërore, veçanërisht të brezit të ri, do të arrijmë që secili të rrisë kërkesat ndaj vetes, ndaj fjalës e sidomos ndaj veprimeve. Feja përbën atë element të atij vetedukimi që e pasuron veprimtarinë jetësore të njeriut. Prandaj detyra e çdo myslimani është të përhapë urtësinë, bamirësinë, dashurinë ndaj prindërve, të afërmve, ndaj jetimëve e ndaj çdo personi tjetër. Sinqeriteti i besimit në Allahun e Madhërishëm e adhurimi ndaj Tij, përbën qëllimin kryesor të ardhjes së njeriut në këtë botë.
Mbi njohjen, nxitjen dhe edukimin e interesave të brezit të ri
Për të saktësuar më mirë detyrat dhe përgjegjësitë e prindërve në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre, së pari, duhen njohur mirë aftësitë dhe prirjet e tyre, interesat për të ardhmen, me qëllim që edukimi i tyre të fillojë nga motivet që i shtyjnë ata për ndërtimin jetës. Suksesi i punës edukative për nxitjen e interesave të fëmijëve varet edhe nga mjedisi kulturor i prindërve dhe përkatësia e besimit fetar, sa ata ndjehen përgjegjës përpara Zotit Fuqiplotë. Dihet që kjo moshë ka prirjen për pavarësi, për vetëveprim, me përpjekjen drejt së resë, të përparuarës, modernes. Pikërisht kjo është pika më delikate kur fëmijët dalin jashtë vëmendjes së prindërve. Qëndrimi indiferent apo liberal, me moton se “tani ata janë të rritur”, dëmton shumë edukatën e tyre.
Për të ruajtur ekuilibrin në jetë, baraspeshën me të cilën ndeshet brezi i ri, për të realizuar prirjet apo interesat e tyre, është domosdoshmëri edukimi fetar, besimi në Zotin, Krijuesin dhe Arkitektin kryesor të botës, Fillimtari i jetës dhe Furnizuesi i të gjitha gjallesave që ekzistojnë. Në Kur’an, surja “Ihlas”, ajeti i parë thuhet: “Thuaj! Ai, All-llahu është Një.” Atëherë çdo i ri apo e re do të ruante të pastër ndërgjegjen nga veset negative si mashtrimi, gënjeshtra e deri te përdorimi i alkoolit, bixhozit, drogës, prostitucionit etj.
Rinia zë një pozitë të rëndësishme sociale, së cilës i takon një rol i veçantë në shoqëri. Ajo gjen qetësinë shpirtërore kur ushqehet me udhëzimet Hyjnore dhe do të karakterizohej nga vlera të veçanta morale e materiale. Në ndërtimin e jetës çdo i ri do të ndeshet me problemet ekonomike por edhe ideologjike e politike. Jo vetëm kaq, por do të ndeshet dhe me fenomene negative, me narkomanë, me amoralë, me kriminalitet etj. shfaqje të shëmtuara në shoqëri. Të gjitha këto çorodisin mendjen e të rinjve e krijojnë shqetësime në familje e shoqëri.
Prandaj kujdesi i prindërve si dhe përgjegjësia që mbajnë përpara Zotit, duhet të jetë primare në vlerësimin e prirjeve dhe interesave të fëmijëve të moshës rinore. Ajo ka veçoritë e veta sociale e psikologjike, që luan një rol të veçantë në zhvillimin e shoqërisë. Ajo njëkohësisht përjeton një nga periudhat më të bukura, më energjike e plot vitalitet të jetës, për të cilën duhet marrë në konsideratë. Për këtë arsye duhen edukuar me cilësitë më të bukura morale, që të jenë plotësisht të aftë për jetën, për punën, për veprimtari të pavarura e deri te adhurimi ndaj Zotit të Madhërishëm. Nën ndikimin e kushteve të jetës, të punës, kur ajo udhëhiqet nga besimi në Zotin, bëhet e aftë të përballojë vështirësitë që i dalin përpara për jetën familjare e shoqërore.
Është e vërtetë që rinia është gjithnjë e prirur për të përqafuar çdo gjë të re progresive, që synon drejt idealeve më të larta shoqërore; por ato marrin vlerë kur çdo gjë bëhet në emër të Zotit. Në Kur’an thuhet: “Thuaj: Ai, All-llahu është Një!”, “Thuaj: “mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i vetëm; pra, a jeni myslimanë?” (21:108). Kur’anin e solli Zoti për njerëzit, jo vetëm që t’u thotë të vërtetën por edhe t’i çojë tek ajo. Vetëm besimtarët myslimanë që mbështeten tek Ai, mund të korrin suksese në plotësimin e interesave të tyre, të rriten të gëzuar e të lumtur e me moral të lartë.
Rinia është e ardhmja që do të zëvendësojë brezat e do të çojë përpara zhvillimin e vendit. Realiteti në të cilin jetojmë dëshmon qartë se mjaft të rinj e të reja e kalojnë kohën kafeneve, diskotekave, të dhënë pas epshit e pasionit, pa ideale në jetë. Për këtë arsye është detyrë emergjente e familjeve dhe e opinionit të shëndoshë shoqëror islam, të ftojnë në fenë islame, e cila do t’i shpëtonte ato nga rruga e gabuar. Kthimi me vetëdije me besim tek Zoti, do ta ruante rininë gjithnjë të pastër dhe me moral të lartë.
Ekzistojnë mënyra të ndryshme për ta njohur Zotin dhe ka shumë gjëra për të treguar lidhur me të. Çuditë e mëdha dhe mrekullitë impresive të botës u ngjajnë librave të mirëfilltë ku mund të lexojmë për Allahun. Kështu duke menduar për natyrën, duke i dëgjuar fjalët e lajmëtarëve dhe duke i lexuar zbulimet e amshueshme, mund të përfitojmë diturinë më bindëse për Zotin (xh.sh.) dhe ta gjejmë rrugën e drejtë për tek Ai. Ashtu siç thuhet në Kur’an, surja “Al Imran”, ajeti 18, ku shprehet: “All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit.” Pra, njeriu frikësohet vetëm prej një force dhe përgjigjet përpara një gjyqtari të vetëm. Ai kthehet vetëm nga një kible dhe shpresat e dëshirat e veta i drejton vetëm nga një burim i vetëm. Çdo gjë tjetër është gënjeshtër dhe e kotë. Të nënshtruarit vetëm Atij, ai është ligji më i lartë i qenësisë.
Njësimi i Zotit të Madhërishëm është fillimi e baza e fesë që quhet islam. Ky është devotshmëri, që përbën në vetvete besnikëri. Ai është fillimi dhe fundi. Në Kur’an, surja “el-Bekare”, ajeti 131, thuhet: “Kur Zoti i vet atij i tha: “Dorëzohu”! Ai tha: “Iu kam dorëzuar Zotit të gjithësisë”!”
Për këto arsye në edukimin fetar kërkohet këmbëngulje e durim. Realizimi i pikësynimeve edukative me normat e moralit islam kërkon lodhje e mundim, energji fizike e shpirtërore, kërkimi e sprovim rrugësh efikase, gjetjen e njeriut rezultativ, për ta shmangur rininë nga rruga e veseve negative.
Fatkeqësisht, në edukatën tonë familjare dhe në shoqëri, këto cilësi nuk i shohim të kultivuara në shkallën e duhur. Nuk i arrihet qëllimit me një të thënë, me një porosi, me një këshillë apo qortim. Dhe kur nuk e arrijnë këtë ndodh që të mërziten e të demoralizohen, të dekurajohen, të humbasin besimin te fëmija i tyre, por njëkohësisht të humbasin besimin dhe tek vetja e tyre si prind.
Familja në të tilla raste duhet t’i kthejë sytë te vetvetja, sa ajo udhëhiqet nga mësimet e fesë islame.
Vetëm Allahu ekziston. Vetëm Ai është i vërtetë, çdo gjë tjetër është e vërtetë në sajë të vërtetësisë së Tij. Vetëm ai është i pavarur, i mjaftueshëm për vetveten, i panevojshëm për askënd dhe për asgjë. Ai ushqen çdo gjë, kurse Atë nuk e ushqen askush. Të gjithë janë të nevojshëm për Të, të gjithë do t’i përgjigjen Atij kurse Ai askujt. Ai i do krijesat e Tij, është i mirë për ta, është i mëshirshëm dhe u ndihmon atyre.
Në këtë këndvështrim edhe vetë prindërit, që të edukojnë drejt fëmijën e tyre, duhet të edukohen dhe vetedukohen me mësimet e islamit pa ndërprerje gjatë gjithë jetës.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 30, 2022 0
Dec 16, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...