Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2013 Zani i Nalte Sociologji 0
Prof. Dr. Qazim Qazimi
Dekan i Fakultetit të Shkencave Islame, Prishtinë
“Gjithsesi Ne i kemi dërguar të dërguarit Tanë me argumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata Librin dhe peshoren (e drejtësisë) që t’i përmbahen njerëzit së drejtës…” – Kur’ani, sureja El-Hadidë, ajeti 25.
Njeriu-Individi është qeliza e parë e një shoqërie dhe guri themeltar i një qytetërimi. Për këtë krijesë, aq të vyeshme dhe të vetme të qytetëruar, fetë monoteiste flasin me admirim. Familja është institucioni themelor i bashkësive njerëzore. Bashkësia, e cila është formuar e pastër në rrugë sociale, pa u bazuar në tendencat instinktive dhe afrimet natyrore, është shoqëri e qytetëruar.
Lirshëm dhe bindshëm mund të themi se në botë nuk ka shoqëri ose bashkësi ku nuk ekziston aktiviteti fundamental i quajtur religjion ose fe. Feja është besimi aktiv individual ose shoqëror dhe institucional i një mjedisi të dalluar në jetën e njerëzve. Me anë të fesë, shoqërisë i ofrohet një jetë humane si një formë kënaqësie kuptimplotë e shpirtit dhe e trupit.
“Gjithsesi Ne i kemi dërguar të dërguarit Tanë me argumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata Librin dhe peshoren (e drejtësisë) që t’i përmbahen njerëzit së drejtës…”[1]
Shkaku dhe arsyeja kryesore e dërgimit të pejgamberëve për botën njerëzore, ishte për të vendosur drejtësi në botë dhe për t’i dhënë fund padrejtësisë në mënyrë qytetëruese. Për t’i drejtuar njerëzit, All-llahu xh. sh. i dërgoi Pejgamberët me prova, shenja dhe argumente të qarta, me Libra të shpallur. Ata përmbajnë sqarime, që tregojnë se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo, çfarë është mirë dhe çfarë keq, pa përkufizimin e tё cilave asnjëherë nuk do tё dihej ç’ёshtё e mirё dhe ç’ёshtё e keqe. Kjo nënkupton që ne, për ndërtimin e një shoqërie të qytetëruar e me premisa hyjnore, duhet të ndjekim rrugën e treguar nga Librat e shpallur dhe të shpjeguar nga Pejgamberët.
Është realitet që të gjitha fetë qiellore kanë ardhur për ta qytetëruar njeriun, për ta çliruar nga egërsia, për ta bërë të lumtur dhe për ta ngritur në lartësinë që ka dhe që meriton të ketë, por pa e mbivlerësuar. Disa nga fetë qiellore, misioni i të cilave ishte i përkohshëm, mbrojtjen e të cilave nuk e ka garantuar All-llahu i Madhërishëm, janë mbërthyer nga teprimet, tejkalimet, arroganca, përdhosjet e deri tek degjenerimet e asaj që është thelbi i tyre, me një fjalë i janë shmangur thelbores dhe kumtimit të së vërtetës.
Që nga momenti kur njerëzimi bëri hapat e parë në skenën e jetës dhe vuri themelet e qytetërimit, zëri i fesë ka tingëlluar fuqishëm nga thellësitë e brendshme të tij. Shkenca dhe dituria, sado përparimtare të kishin qenë, kurrë nuk kishin arritur t’i zgjidhnin problemet e shoqërisë njerëzore, as të pengonin eskalimin e tyre, përveç nëse do të ishin në lidhshmëri të përhershme me fenë.
Njeriu, si krijesë inteligjente, kur nuk ishte i udhëzuar nga shpallja e Zotit, ai vetë, me mendjen e tij, kishte kërkuar Krijuesin e Gjithësisë, po natyrisht, shpesh edhe kishte dështuar në gjetjen dhe përcaktimin e Tij. Dhe nisur nga kjo, nga ky dështim, ai kishte gabuar dhe kishte adhuruar krijesa të nivelit më të ulët se ai vetë: objekte, dukuri natyrore e kafshë, adhurimi i të cilave ishte një gjest i nivelit të ulët qytetërues.
Një pjesë njerëzish në shoqëritë njerëzore nuk kishin pranuar besimin monoteist të sjellë nga pejgamberët dhe, për pasojë, kishin ngelur të privuar nga rruga e drejtë. Në shoqëritë idhujtare, vazhdimisht, të fuqishmit i shtypnin të dobëtit dhe i skllavëronin sipas dëshirave egoiste. Nuk kishte një drejtësi që të mbronte të dobëtin. Të gjitha përfitimet në shoqëri u përkisnin të fuqishmëve. Por, sapo besimi, i orientuar nga vahji-dërgata, do të dilte nga nënvetëdija në vetëdije, duke marrë formën e tij të plotë, njeriu do të besonte. All-llahu i Madhëruar i dërgoi pejgamberët si qendër shërimi për plagët shoqërore të hapura prej dëshirave egoiste.
Feja komponent i domosdoshëm i qytetërimit njerëzor
Duhet sjellë në mend se bota është e krijuar në atë mënyrë që individët nuk mund të ekzistojnë krejtësisht më vete madje as shoqëria e vetmuar, e izoluar, nuk mund të jetë e lumtur në vete. Prandaj njerëzit krijojnë raporte të nduarduarta (ndërsjella) dhe shumë komplekse në mes tyre. Pikërisht këto raporte përbëjnë fondamentin e fenomenit të shoqërimit dhe socialitetit, si elemente përbërëse, nga të cilat ndërtohen kulturat dhe qytetërimet e veçanta, që si të tilla, kushtëzojnë zhvillimin e individëve.
Njeriu-Individi është qeliza e parë e një shoqërie dhe guri themeltar i një qytetërimi. Për këtë krijesë, aq të vyeshme dhe të vetme të qytetëruar, fetë monoteiste flasin me admirim. Familja është institucioni themelor i bashkësive njerëzore. Bashkësia, e cila është formuar e pastër në rrugë sociale, pa u bazuar në tendencat instinktive dhe afrimet natyrore, është shoqëri e qytetëruar.
Të jetosh në qytet, kjo, apriori nuk do të thotë se je edhe i qytetëruar. Qytetërimi i mirëfilltë dhe zhvillimi arrihen vetëm me besim të plotë dhe me edukatë fetare të lartë. Besimi është një arritje e madhe e qytetërimit botëror, sepse qëllimet fundamentale të tij përqendrohen në zhvillimin dhe rregullimin e jetës shpirtërore dhe fizike të qenies njeri, në zhvillimin e filozofisë së të menduarit, në humanizmin shpirtëror të njerëzimit. Askush nuk mund të mohojë rolin e fesë, në përgjithësi, dhe të edukatës fetare në veçanti, në një sistem shoqëror të caktuar, ngase ekziston një lidhje e brendshme, një sistem reciprok midis tyre. Kjo lidhje dhe ky bashkëpunim është historik, po edhe shumë aktual sot. Plutarku, një nga përfaqësuesit e hershëm të botës shpirtërore tek grekët e vjetër, në lidhje me këtë çështje, do të deklaronte: “Kudo që të shkosh, kudo të qëndrosh dhe sikur gjithë botën ta shëtisësh, ndoshta mund të gjesh qytete dhe fshatra pa mure, pa shkolla, pa mbretëri, pa teatër, pa monedha, por qytete dhe fshatra ateiste, që të mos kenë tempujt e adhurimit të Zotit, në të cilat banorët e tyre lusin dhe thërrasin Perëndinë, asnjë nuk ka gjetur dhe as të mos mendojë se do të gjejë. Pra, qytetërimi pa besim dhe mbështetje në Zotin Fuqimadh dhe të Gjithëdijshëm nuk mund të ekzistojë dhe, në qoftë se ekziston, ai kurrë nuk mund të jetë i qëndrueshëm”.[2]
Lirshëm dhe bindshëm mund të themi se në botë nuk ka shoqëri ose bashkësi ku nuk ekziston aktiviteti fundamental i quajtur religjion ose fe. Feja është besimi aktiv individual ose shoqëror dhe institucional i një mjedisi të dalluar në jetën e njerëzve. Me anë të fesë, shoqërisë i ofrohet një jetë humane si një formë kënaqësie kuptimplotë e shpirtit dhe e trupit.
S’do mend, inspirimi i kësaj kuptimësie në veten e njeriut (fisnikërimi) nuk gjallëron tek ata që njeriun e trajtojnë si kafshë, e cila është zhvilluar duke përjetuar evolucionin. Madje, kohët e fundit, edhe darvinistët modernë, anë e kënd botës, e kanë kuptuar dhe e pranojnë dallueshmërinë e qenies njeri nga krijesat e tjera.[3] Komunizmi, me demagogjinë e tij, në emër të shoqërisë dhe të shoqërizimit, individin e kishte lënë pa egon e tij, pa mendjen e tij, pa shpirtin e tij, duke aluduar se partia ishte ajo që kishte të drejtë për gjithçka. Ndërkaq ideologjia e marksizmit ishte bërë edhe zyrtarisht ateiste. Ka ideologji që marrin parasysh vetëm aspektin material-fizik të njeriut dhe nuk kanë konsideratë për aspektet dhe komponentet e tjera të krijesës njeri. Ata, pohojnë se njeriu është një “qenie ekonomike”[4], kafshë produktive dhe asgjë më tepër. Qytetërimi perëndimor sot është ekuilibruar në problemet e fitimit maksimal dhe prodhimit optimal. Nga kjo skajshmëri materiale, disa filozofi e fraksione të ndryshme, kalojnë në skajshmërinë tjetër, duke hyjnizuar qenien e njeriut. Ato e trajtojnë njeriun si një qenie të pavarur, pa Krijues, qenie që ekziston vetvetiu dhe që s’ka nevojë për të Madhin Zot.
Nga sa u tha deri këtu, duket se del e qartë që ata liderë që qortojnë qytetërimin bashkëkohor të Perëndimit – se është thjesht materialist, kanë arsye të plotë; me siguri dhe ekskluzivisht në këtë drejtim është bërë zhvillimi i tij, dhe nga çfarëdo pikëpamje ta shtrojë njeriu, ai gjithmonë ballafaqohet me pasoja pak a shumë të drejtpërdrejta të këtij materializmi.[5]
Islami dallon nga këto ideologji e fe, për botëkuptimin e vet gjithëpërfshirës në lidhje me qenien njeri dhe për depërtimin në thellësitë e natyrës njerëzore, për pranimin e të gjitha veçorive dhe të specifikave të kësaj qenieje madhore, pa anime dhe ikje në skajshmëri të papërfillshme për njeriun. Pikërisht prandaj njeriu i bëri qytetërimet si strehimore të përkohshme, si mekanizma për dhënien e kuptimit gjithë asaj që ndodh.
All-llahu i fali vazhdimisht gjinisë njerëzore të dërguar, për t’u treguar njerëzve rrugën e qytetërimit hyjnor me vlera sublime. Krijuesi ka dërguar shpallje të vazhdueshme për njerëzit, në mënyrë që ata të orientohen në kohë e hapësirë dhe të gjejnë përgjigjet e duhura për problemet e ekzistencës së shoqërive dhe qytetërimeve të tyre. Zoti dërgoi Pejgamberë me dërgatat e tyre – Shpalljet hyjnore, që ishin bazament i legjislacioneve të qytetërimeve. Qytetërimet e mirëfillta janë ato që bazohen dhe gjejnë mbështetje në ligjet hyjnore, në shpalljet e pejgamberëve dhe që i aplikojnë ato në jetën e përditshme.
Qytetërimi i njerëzimit, që nga vendosja e njeriut të parë në fytyrën e Tokës, Ademit (a.s.), është zhvilluar brenda ligjësive natyrore dhe sociale, të cilat i ka vendosur dhe caktuar Vetë Krijuesi Gjithësisë dhe sipas sprovave, që bën njeriu në pajtim me mundësitë e zgjedhjes ndërmjet së mirës dhe së keqes, ndërmjet së vërtetës dhe gënjeshtrës, që i janë lënë në dispozicion.
Dihet se Mëmëdheu i Ademit (a.s.) – vendbanimi i tij, ishte Mekja e sotme. Aty kishte filluar qytetërimi i parë i njerëzimit. Ademit (a.s.) ia mësoi Zoti të gjitha gjërat e nevojshme. Në Kur’an thuhet: “Dhe ia mësoi (All-llahu) Ademit emrat e të gjitha gjërave”.[6]
Nisur nga njeriu dhe Pejgamberi i parë, Ademi (a.s.), e në vijimësi, sa herë që njerëzit largoheshin nga qytetërimi me nuanca hyjnore, All-llahu u dërgonte pejgamberë, që me shpalljet-dërgatat e tyre t’i rikthenin njerëzit në rrugën parësore të qytetërimit.
Fataliteti si pasojë e rebelimit njerëzor
Në mungesë të vetëdijesimit njerëzor në aspektin qytetërues-fetar, me largimin e njeriut nga parimet themelore qytetëruese, me rebelimin e tij nga hyjnorja dhe largimin e shmangien e tij nga ajo, jo rrallë ka ndodhur që të pasojnë sanksione për ta disiplinuar dhe për ta rikthyer njeriun, këtë krijesë madhore e inteligjente, në qytetërim të mirëfilltë.
Ndodhitë më të frikshme që ka përjetuar njeriu në jetë për shkak të rebelimit të tij, të cilat janë edhe kërcënim hyjnor, janë tufanet, ciklonet, tërmetet, uritë, zjarret, pushtimet ushtarake, sëmundjet ngjitëse, epidemitë etj.. Këto lloj ndodhish, të cilat duken si dukuri natyrore, nuk ndodhin rastësisht a spontanisht, por janë të lidhura me shkaqe dhe urtësi të ndryshme. Këto lloj ndodhish të hidhura shkaktohen prej kundërshtimeve dhe mëkateve të njerëzve dhe ndëshkimet e rregullsisë hyjnore hyjnë në etapën e zbatimit të tyre. Ka raste kur All-llahu ka shpallur në Librat e shenjtë edhe epilogun e ndonjë nga ngjarjet e shënuara, si argument dhe si mësim për njerëzit, që janë rebeluar.
Është realitet i dokumentuar se, kur konsumohen fuqitë njerëzore dhe të pejgamberëve, kur zotëron e liga dhe devijimi nga qytetërimi, arrin ndëshkimi dhe shpagimi hyjnor. Nuhu (a.s.), që jetoi mbi 1.000 vjet në rrethinat e Kufes-Irak, 950 vjet thirri popullin e tij që t’i besonte Zotit të Vërtetë. Të tre djemtë e tij: Sami, Hami dhe Jafethi i besuan, kurse një tjetër-Ken’ani[7] nuk i besoi. Pas një durimi 950-vjeçar, Nuhu (a.s.) erdhi në pikën e mbarimit të fuqisë së vet: “Kështu, iu lut Zotit të vet: Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!”[8] Për shkak të devijimit nga rruga e All-llahut, populli i Nuhut, që ishte bërë idhujtar, si rrjedhojë e teprimeve të tyre, u dënua me përmbytje–tufan. Në atë situatë katastrofe ujore dhe tmerri të vërtetë, vetëm Nuhu (a.s.) me besimtarët dhe gjallesat që ndodheshin bashkë më të në anije, ishin nën mbrojtjen e All-llahut.[9]
Sipas zbulimeve arkeologjike, përmbytja e Nuhut (Tufani) ka ndodhur në ultësirën e Mesopotamisë, në mes të lumenjve Tigër dhe Eufrat, në drejtim të Gjirit Arab (Persik), që atëherë kishte një formë tjetër nga kjo e sotmja. Vlerësimi i provave të gjetura nga studimet e ndryshme, jep të kuptohet se përmbytja shtrihet përafërsisht 160 km nga lindja drejt perëndimit dhe 600 km nga veriu në jug. Nga Kur’ani mësojmë: “Kështu Ne hapëm portat e qiellit me ujë që derdhej me furi. Dhe bëmë që burimet të shpërthejnë nga toka. Kështu (ujërat e qiellit dhe të tokës) u takuan për një çështje të përcaktuar”.[10]
Ka mendime se shtrati i lumit Eufrat, nga këto ujëra të shumta, u ngrit së tepërmi dhe vërshoi vendbanimet rreth qyteteve: Urit, Erekut, Shurupakut dhe Kishit. Përmbytjen në kohën e Nuhut, në mënyrën e vet e kanë theksuar edhe Dhiata e vjetër (Teurati) sikundër edhe Dhiata e re (Inxhili), por të gjitha tekstet e tjera, që kanë përshkruar përmbytjen, me përjashtim të Kur’anit, kanë pësuar ndryshime dhe janë të mbushura me elemente mitologjike. Këtë përmbytje e gjejmë edhe në mitologjinë greke.
Duhet ditur se nga të tre djemtë e Nuhut (a.s.) – Sami, Hami dhe Jafethi, të cilët shpëtuan nga përmbytja, u shtua mbarë njerëzia..[11] Emërtimi si popull semit (Samit) nuk është i rastësishëm. Sami ishte njëri prej djemve të Nuhut, i cili mbijetoi nga përmbytja-tufani. Prej Samit u shtuan shumë popuj, të cilët, sipas përkatësisë racore, janë të ndryshëm, po gjuhët që përdorin, i kanë të përafërta dhe të ngjashme. Semitët janë trashëgimtarë të Sumerëve që patën jetuar në Mesopotami, në pellgun në mes Tigrit dhe Eufratit. Semitët kanë jetuar dhe jetojnë edhe në Azi, në Afrikën Lindore dhe në Afrikën Veriore. Popuj të zhdukur semitë ishin: asirianët, babilonasit, fenikasit; ndërsa të gjallë nga semitët janë: arabët, hebrenjtë dhe etiopianët.
Nga Hami dolën gjuhët hamite ose populli (indoevropian). Në familjen e gjuhëve indoevropianë bëjnë pjesë 12 grupe kryesore gjuhësh:
Indishtja, Persishtja (Iranishtja), Ermenishtja, Greqishtja, Shqipja, Italishtja, Keltishtja, Gjermanishtja, Sllavishtja, Baltishtja, Tokarishtja dhe Hetitishtja.
Nga Jafethi u shtuan aziatikët dhe lëkurëkuqtë, që mendohet të kenë kaluar në Amerikë nëpërmjet Ngushticës së Beringut.[12]
Ndëshkimet e zbatuara mbi popujt e harbuar e të egërsuar, të dalë prej qytetërimit dhe rrugës së drejtë, rrugës së besimit dhe moralit, janë të përmbushura plot me zemërim hyjnor.
Ibrahimi (a.s.) kishte lindur në Mesopotami, sipas disa të dhënave në qytetin e vjetër Ur. Edhe pse si Pejgamber ishte i dërguar në Babiloninë e lashtë (në Irakun e sotëm), për ta nxjerrë dhe larguar popullin e tij nga idhujtaria, atij, me tërë forcën, do t’i kundërvihej Nemrudi-Perandor shumë i fuqishëm i Babilonisë, por, më në fund, pas shumë vuajtjesh e mundimesh, do të ngadhënjente e drejta mbi të ligën.
Thënia e Nemrudit, pasi pa se zjarri nuk e dogji dot Ibrahimin a. s. të hedhur në të: “Unë nuk heq dorë prej hyjnisë sime, por për Zotin tënd do të pres katër mijë qe!”[13] nuk kishte asnjë vlerë. Nemrudin e vuri poshtë një insekt. Mbijetoi Ibrahimi (a.s.) e u shkatërrua pushteti i Nemrudit dhe lojalistët e tij.
Populli i Lutit (nipi i Ibrahimit a.s.) jetonte në fqinjësi me popullin e Ibrahimit. Studimet arkeologjike tregojnë se qyteti qe i vendosur në zonën e Detit të Vdekur, ku ishin të vendosur qytetet Sodoma dhe Gomora, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Jordanisë me territoret e pushtuara të Palestinës. Populli i Lutit ushtronte një veprim të ulët, deri atëherë të panjohur, të quajtur sodomizëm, që sot quhet homoseksualizëm (i cili në shumë vende të Evropës është legalizuar me ligje të hartuara nga njerëzit e në kundërshtim me ligjin natyror-hyjnor, të caktuar nga Zoti). Nga Kur’ani mësojmë se Luti (a.s.) kishte qortuar popullin e tij duke i thënë: “Si vallë kryeni marrëdhënie me burrat dhe lini mënjanë ato të cilat All-llahu i ka krijuar për të qenë bashkëshortet tuaja? Vërtet ju jeni një popull që ka kaluar çdo kufi”.[14]
Ajeti i 82-të i sures “Hud” tregon qartë mënyrën e shkatërrimit të popullit të Lutit. Zona ku ndodhej ky popull, u shkatërrua krejtësisht nga një tërmet i fuqishëm ose nga një shpërthim vullkanik, në mënyrë që ajo të shndërrohej në liqen (Deti i Vdekur), i cili ndodhet 400 m nën nivelin e detit. Aspekti mekanik i fatkeqësisë që i ndodhi popullit të Lutit, është zbuluar nga kërkimet e gjeologëve.[15]
Është një realitet se, për asnjë ngjarje që ka ndodhur dhe që ka ndikuar në fatet e popujve dhe të njerëzimit, studimet nuk mund të krijojnë një tablo të plotë për shkakun e fatalitetit të tyre, sikundër është një realitet i dokumentuar se mosbesimi, imoraliteti dhe padrejtësitë janë shkaqet më kryesore të shkatërrimit dhe asgjësimit të popujve dhe “qytetërimeve” të mbrapshta të tyre. Disa prej tyre janë zhdukur mu në kulmin e fuqisë së tyre. Mjafton të kujtojmë këtu popujt: Adin, Themudin, Inkët dhe Pompein.
Pra, popullatë tjetër dhe qytetërim i shkatërruar pas popullatës së Nuhut (a.s.), është ai i Adit, që është përmendur në Kur’an, në periudhën e Hudit (a.s.), rreth tetëqind vjet pas Nuhut (a.s.). Ky popull arrogant, që kishte bërë përparim të madh në infrastrukturë, u shkatërrua nga një ciklon-furtunë, kur u përmbys çdo gjë. Dhe, krejt kjo, mendohet të jetë rrjedhojë e idhujtarisë dhe mosbesimit në Zotin e Vërtetë. Qyteti-shtet i popullit të Adit, që u shkatërrua, mendohet të ketë qenë Ubari që ndodhej në juglindje të Gadishullit Arabik, në principatën e sotme të Omanit. Në Kur’an thuhet shprehimisht:
“Edhe tek Adi (ka gjithashtu tregues ndëshkimi), kur Ne dërguam tek ata erën shkretuese. Ajo nuk kurseu asgjë nga kaloi, por veçse e bëri çdo gjë pluhur e hi”[16]. Era shkatërruese zgjati shtatë net dhe tetë ditë dhe shkatërroi Adin krejtësisht.
Nga shkaqet e shkatërrimit të popullit Ad, ishin se ata u bënë heretikë, u bënë mendjemëdhenj, përdhunues dhe mendimet e idetë e tyre i mbanin mbi qëndrimet hyjnore- fetare.[17]
Një popull tjetër i quajtur Themud, me prejardhje nga Sami, biri i Nuhit (brezi nëntëmbëdhjetë nga Ademi a.s.[18]), që ka jetuar në El-Hixher (në mes Damaskut dhe Hixhazit)[19] është bërë legjendar për mënyrën e shkatërrimit të tij. Ishte populli i Themudit, që s’pati nxjerrë mësim nga shkatërrimi që pësoi populli i Adit për shkak të largimit nga udha e drejtë dhe kthimit të tyre në idhujtari. Atyre Pejgamber u ishte dërguar Salihu (a.s.). Me gjithë mrekullitë mbinatyrore që i kërkuan dhe me ndihmën e All-llahut – ua solli Salihu (a.s.), vetëm pak veta i besuan një Zoti të Vetëm. Mendimet dhe qëndrimet e tyre i mbanin mbi principet e fesë. Nuk u vinin veshin fjalëve të Pejgamberit, prandaj u shkatërruan me tërmet dhe ushtimë për fajin e tyre:
“Atëherë ata i rrëmbeu ajo lëkundja me ulërimë (tërmeti me ushtimë) dhe gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira”.[20]
Ato pallatet me gurë të gdhendur të Adit dhe të Themudit, që i patën ndërtuar, që dikur ishin krenari e një qytetërimi, me të drejtë, për shkak të devijimit dhe idhujtarisë së tyre, sot s’janë veçse gërmadha të zymta.
Mbretëria e Faraonit, që e quante veten Zot në Egjiptin e lashtë, që për ndërtimin e një varri-piramide mahnitëse të tij, sakrifikoi dhe shoi me mijëra jetë të të varfërve, – u përmbys pas daljes në skenë të “Teuratit” (Torës), me anë të shkopit të Musait.[21] Faraoni përfundoi në Detin e Kuq dhe supozohet se, në kërkimet e viteve të fundit në bregun e Detit të Kuq, është gjetur trupi i Faraonit, i cili ruhet në British Museum.[22]
Edhe Pompei, që ishte simbol i degjenerimit të Perandorisë Romake, ishte në shthurje e degjenerim të plotë moral.[23] Fundi i tij ishte i ngjashëm me atë të popullit të Nuhut (a.s.). Vullkani Vezuv, që ndodhet në Italinë e sotme, në të djathtë të Vezuvit ndodhej Napoli, ndërsa në lindje ndodhej Pompei, që u mbulua nga llava e Vezuvit brenda një çasti të vetëm, 2.000 vjet më parë – (shtatëdhjetë vjet pas lindjes së Isait). Kjo gjë nuk ishte e rastësishme, sepse imoraliteti kishte kaluar çdo masë. Numri i shtëpive publike nuk numërohej dhe sipas besimit Mitharik, organet dhe marrëdhëniet seksuale nuk duhej të mbuloheshin. Bënin marrëdhënie në mes veti edhe brenda një gjinie. Gjatë gërmimeve arkeologjike, të ngurtësuara u gjetën çifte të shumta gjatë aktit seksual, bile edhe çifte të së njëjtës gjini, të karbonizuara….![24]
Si pasojë e anarkisë etike, është rrënuar Perandoria Romake, ndërsa njësoj ka përfunduar edhe e famshmja Perandori Greke.[25]
Herakliu – perandor bizantin, nga një fitimtar i madh, përfundoi jetën e tij me një fobi (frikë e tmerrshme nga uji) dhe çrregullime psikike.
Ushtrinë e Ebrehasë të krishterë, me origjinë nga Abisinia, të shoqëruar me elefantë, që ishte nisur nga Jemeni, për ta shembur Qaben, për ta kthyer namin e saj në një kishë të madhe, që e kishte ndërtuar ai në Jemen, Zoti e thërrmoi – Ebrehanë me anë të ushtrisë së zogjve si gjeth të bluar, duke e kthyer në varrezë mjedisin përreth Mekës.
Po ashtu, ushtrinë e kurejshitëve idhujtarë, të armatosur me armatimin më bashkëkohor, sipas kohës, e të udhëhequr nga elita mekase, që synonin ta shuanin Islamin, All-llahu e shkatërroi në Bedër, duke e mbështetur Muhammedin (a.s.) me ushtri të padukshme si melekë, frikë, erë etj., për t’i hapur atij horizonte fitoresh të reja.
Dhe, krejt këto kataklizma, shkatërrime, shpërbërje dhe sprova të ndryshme njerëzore, duhej të ishin mësim për njerëzimin, që të ndërgjegjësohet, të vetëdijesohet dhe të kapet fort për qytetërimin e mirëfilltë me premisa hyjnore.
Kjo do të thotë se vargani i ngjarjeve në skenën e qytetërimeve dhe të fateve të protagonistëve të njerëzve në përgjithësi, ndodh sipas Vullnetit, Caktimit të Krijuesit të Botëve dhe veprave të njerëzve, fillim e mbarim. Nga Kur’ani mësojmë:
“Kushdo që drejtohet, ai drejtohet vetëm për veten e tij, e kushdo që humb (devijon), ai ka humbur vetëm vetveten. Askush nuk do të ngarkohet me barrën e tjetrit. E, Ne nuk kemi dënuar asnjë popull para së t’i dërgonim pejgamber.”[26]
Përshkrimet e Kur’anit dhe referencat e tij, për sa u përket rrethanave dhe ngjarjeve historike, si në kohën e të Dërguarit (a.s.), ashtu edhe më herët, duhet të cilësohen si shpjegime të gjendjes njerëzore. Ndodhia historike, për të cilën qe shpallur një ajet i veçantë, dhe një përshkrim historik i kohëve të mëhershme, duhet të përdoret me qëllim të nxjerrjes së urtësisë themelore të atij ajeti dhe rëndësisë së brendshme të tij ndaj mësimeve etike, që, marrë në tërësi, parashtron Kur’ani.
Vetëm përbrenda kuptimit të kësaj aksiome, mund të kuptohen drejt krijimi, ngritja dhe rrënimi i perandorive dhe qytetërimeve të mëdha, të cilat shpesh, mu në kohën kur arrinin një epërsi të jashtëzakonshme ekonomike, ushtarake dhe politike ndaj rivalëve, fillonin e rrënoheshin dhe për një kohë shpërbëheshin si të ishin kala-fortifikata prej letre.
S’do mend, edhe përvojat historike të shumë popujve dhe këto aktuale, dëshmojnë se qytetërimet, me gjithë dallimet në botëkuptimet dhe në mënyrat e ndërtimit të marrëdhënieve shoqërore, ekonomike dhe shpirtërore, kanë komunikuar dhe komunikojnë edhe sot në mes tyre, në mënyra të ndryshme dhe në këto marrëdhënie ka disa aspekte ku ato bien në kundërshtim ose krijojnë përvoja, që duken se nuk përkojnë, po kanë edhe përmbajtje të tilla që, jo vetëm se pajtohen, por madje janë edhe unike ose të ndërtuara nga ndikime të ndërsjella.
Do theksuar se në jetë, përveç momenteve të vështira, të rrezikshme dhe vuajtjesh të shumta, ka edhe më shumë çaste të bukura, të lumtura dhe shumë gazmore. Hareja e lumturia shfaqen më shumë në jetë, por duhen ditur mënyra dhe forma e përjetimit të tyre.
Po ashtu do theksuar që është feja ajo që na mëson për të arritur lumturinë dhe për tejkalimin e vështirësive në të dy botët. Është Feja islame ajo që na mëson se, përveç botës materiale, ekziston edhe bota shpirtërore. Jeta fizike dhe kjo botë janë të përkohshme, e shpirti dhe bota e pastajme (Ahireti) janë të amshueshme.
Përmbylljen e këtij artikulli dua ta bëj, sikundër edhe hapjen e tij, me një ajet kur’anor:
“Atë që e udhëzon All-llahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte”.[27]
[1] Kur’ani, sureja El-Hadidë, ajeti 25.
[2] Shaqiri, Artan, “Rritja e përgjegjësisë individuale dhe shoqërore nëpërmjet edukatës fetare”, “Edukata Islame”, nr. 70, Prishtinë, 2003: 217.
[3] Shih, “Nadharijjetu Darvin bejne muejjidiha we muaridiha”, një seperat prej Kajs El-Kirtasit.
[4] El-Kardavi, Dr. Jusuf, “Veçoritë e përgjithshme të Islamit”, Furkan ISM-Shkup, 2002: 84.
[5] Guenon, Rene, “Kriza e Botës Bashkëkohore”, “Drita e Jetës”- Gjilan, Prishtinë, 1997:139.
[6] Kur’ani, sureja El-Bekaretu, ajeti 31.
[7] Shih, Abdul-Uehab En-nexhar, “Historitë e Profetëve”, fq. 41, shtëpia botuese “Ringjallja e Trashëgimisë Arabe”, Bejrut – Liban 1934.
[8] Kur’ani, sureja El-Kamer, ajeti 10.
[9] Jahja, H., “Popujt e zhdukur”, fq. 31, “Dielli I. C.”, Istanbul, Mars, 2002.
[10] Kur’ani, El-Kamer, ajetet 11-12.
[11] الدكتور صبحي الصالح، “دراسات في فقه اللغة” الطبعة الأولى، ص. 48، دار العلم للملايين، بيروت،1968..
Dr. Subhi Es-Saleh, “Studime në kuptimin e gjuhës”, botimi I-rë, Shtëpia botuese “Shtëpia e Dijes për Milionat”, Bejrut, 1968, fq. 48.
[12] Topbash, Osman Nuri, “Vargu i Profetëve nën dritën e Kur’anit” , libri-1-, fq. 106-107, Stamboll, 2001. Shih, Abdul-Uehab En-nexhar, “Historitë e Profetëve”, fq. 53, shtëpia botuese “Ringjallja e Trashëgimisë Arabe”, Bejrut – Liban 1934.
[13] Topbash, Osman Nuri, vepra e cituar, fq. 185.
[14] Kur’ani, Esh-Shuara, ajetet 165-166.
[15] Jahja, H., “Popujt e zhdukur”, fq. 54-55, 60, “Dielli I. C.”, Istanbul, Mars, 2002.
[16] Kur’ani, sureja, Edh-Dharijatë, ajetet 41-42.
[17] Jahja, H., vepra e cituar, fq. 73-76.
[18] Topbash, Osman Nuri, Po aty , fq. 150.
[19] En-nexhar , Abdul-Uehab, “Historitë e Profetëve”, fq. 58, shtëpia botuese “Ringjallja e Trashëgimisë Arabe”, Bejrut – Liban 1934.
[20] Kur’ani, sureja A’raf, ajeti 78.
[21] El-Eshkar, Prof. Dr. Omer Sulejman Abull-llah, “Drejt kulturës origjinale Islame”, fq. 30, shtëpia botuese “El-Fais” Aman – Jordani, 1423 H – 2002 F.
[22] Topbash, Osman Nuri, “Vargu i Profetëve nën dritën e Kur’anit”, libri-II-, Stamboll, 2001: 173.
[23] Pompei ndodhet në Itali, e cila është simbol i degjenerimit të Perandorisë Romake. Edhe qyteti i Pompeit është i shkatërruar për shkak të perversiteteve seksuale (homoseksualizmit). Shpërthimi i befasishëm i vullkanit Vezuv, shtatëdhjetë vjet pas Isait (a.s.), llava e të cilit ka përfshirë qytetin, duke mos i dhënë mundësi askujt nga imoralët të shpëtojë. Mbeturinat e tyre të paprishura fare, duke ardhur gjer në ditët tona, shpalosin një mësim të madh për qytetërimet e degjeneruara.
[24] Jahja, H., “Popujt e zhdukur”, fq. 66-69, “Dielli I. C.”, Istanbul, Mars, 2002.
[25] Musavi Llari, Sejjid Muxhteba, “Islami dhe civilizimi perëndimor”, “Drita e jetës”, Gjilan, 2004: 83.
[26] Kur’ani, sureja El-Israë, ajeti 15.
[27] Kur’ani, sureja El-Kehf, ajeti i 17-të.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 30, 2022 0
Dec 16, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...