Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2013 Zani i Nalte Histori, Studime 0
Dr. Mahmud Hysa
Konstituimi i shtetit
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë më 28 Nëntor 1912, nga Ismail Qemali me idealistët tjerë që e shoqëruan, ishte akti i parë që shënonte kthesën politike të kombit shqiptar për shtetin që do të formohej menjëherë pas fillimit të Luftërave Ballkanike, të Shqipërisë, një shtet që do të pavarësohej nga Perandoria Osmane pas pesë shekujve robërie. Fjalimi që mbajti Ismail Qemali me këtë rast para opinionit kombëtar dhe botëror se : “Plot me gaz e me lot në sy nga mallëngjimi pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot, edhe në këtë minutë, Kongresi shpall mëvetësinë e Shqipërisë duke lajmëruar gjithë botën e mbarë për këtë punë…” paraqet aktin e dytë që simbolizon ëndërrën qindravjeçare të popullit shqiptar. Megjithate, këto dy akte të shumëpritura dhe të shumëdëshiruara paraqesin vetëm aspektin politik, psikologjik e moral. Ishte më se i nevojshëm akti i tretë, ai juridik, kushtetues e ligjvënës që të mund të arrihej konstituimi i shtetit të ri, që, sipas të drejtës ndërkombëtare, shteti i ri të fitonte të drejtën që ka si shtet i ri dhe obligimet që ka shteti i ri ndaj shteteve tjera.
Shqipëria kishte fatin e madh që në krye të odisejadës për formimin e shtetit të ri, që i kërcënohej rrezik i madh nga faktorët e jashtëm dhe të brendshëm, e pati si udhëheqës strategun, diplomatin, vizionarin, diturakun, urtakun, Ismail Qemalin që i parashikoi në mënyrën më të përsosur të gjitha ecuritë procedurale politike dhe juridike për krijimin dhe finalizimin e shtetit të ri. Ismail Qemali e mendoi që përpara se pas aktit të parë dhe të dytë, po të njëjtën ditë duhet të fillojë punën edhe akti i tretë, kuvendi, që do ta formonin delegatët nga të gjitha viset etnike shqiptare të cilët kishin arritur të vijnë në Vlorë apo që kishin lajmëruar se do të vijnë brenda kohës më të shkurtër. Kuvendi do të formonte organet ekzekutive, (kryetarin e qeverisë dhe qeverinë me propozimin e kryetarit), këshilluese, (kryetarin dhe anëtarët e pleqësisë), sistemin qeverisës, (kushtetues demokratik), ligjet e para, komisionet dhe organet përciellëse të kuvendit.
Çështja më primare për stabilizimin, formësimin dhe fuqinë juridike të një shteti të ri është struktura e delegatëve të kuvendit, që ata të zgjidhen në mënyrën më demokratike, njerëz që kanë një të kaluar të pastër kombëtare, njerëz me përgatitjen e duhur intelektuale, njerëz me ndërgjegje të lartë kombëtare e morale-etike që do të vënë interesat kombëtare mbi ato personale, fetare e krahinore. Nga struktura e delegatëve të zgjedhur, shihet se përfaqësimi krahinor, fetar dhe intelektual u realizua në mënyrën më demokratike, pa imponime, paragjykime, ideologjizime, partishmëri, nepotizëm. Kështu në Kuvendin e Parë kishte nga Berati 3 delegatë, Skrapari 2, Lushnja 3, Dibra 2, Mati 3, Ohri e Struga 6, Durrësi 4, Tirana 2, Shijaku 3, Kruja 1, Elbasani 4, Peqini 1, Gramshi – Tomorrica 1, Çamëria 4, Gjirokastra 6, Përmeti 2, Tepelena 1, Janina 2, Delvina 1, Korça 3, Kosova-Pllava-Gusia (këtu është edhe Tetova) 11, Shkodra 1, Vlora 6, Pogradeci 3 dhe Kolonia Shqiptare e Bukureshtit 3. Pra, gjithsej ishin 77 delegatë me ate që një delegat, Aristidh Ruci, përfaqësonte dy krahina, Janinën dhe Vlorën, prandaj numri me të drejtë vote del 76 delegatë. Prej këtij numri 61 ishin myslimanë, 13 ortodoksë me ate që Aristidh Ruci ishte në dy njësi, dhe 2 katolikë.
Kuvendi mbajti shtatë seanca-mbledhje për të cilat është mbajtur procesverbali “si shkronjës i parë z. Luis Gurakuqi”dhe “si shkronjës i dytë” delegati i Elbasanit “z. Shefqet Be Daiu”. Procesverbalet nuk janë mbajtur në stilin stenografik, por të reduktuar, janë shënuar vendimet, emrimet, delegatët, por jo edhe diskutimet e delegatëve me përjashtim të fjalës së Ismail Qemalit për gjendjen politike momentale të vendit. Në seanca është ruajtur fryma demokratike, edhe Ismail Qemalit iu refuzua propozimi që Pleqësia të ketë 12 delegatë, por ka ekzistuar sa fryma e debateve, e diskutimeve dhe e shoshitjeve të problemeve, aq edhe toleranca dhe mirëkuptimi fetar që si kryetar i qeverisë të zgjidhet Ismail Qemali, por si nënkryetar Nikollë Kaçorri, si kryetar i Pleqësisë Haxhi Vehbi Dibra dhe si nëkryetar Lef Nosi. Kuvendi i ka mbajtur mbledhjet në shtëpinë e Xhemil Beut, kushëririt të Ismail Qemalit, në orare të ndryshme, janë shënuar me orën e re (allafrënga) 2 pas dite (sot 14) ose 4 pas dite (sot 16) dhe jo allaturka, siç e kanë respektuar realisht kohën.
Materialet për seancat e Kuvendit janë shfrytëzuar nga studimi që kohë më parë dhe i ka botuar arkivisti më i njohur kosovar Akif Bajrami që me të drejtë e quajnë “arkivi i gjallë që ecën, që flet dhe që shkruan”. Materialet janë botuar nga autori në formën më burimore, pa asfarë intervenimi as redaktorial, as gjuhësor dhe ashtu do të shërbehemi edhe na.
Shtatë seancat e mbledhjeve të Kuvendit
Taksativisht seanca e parë është shënuar “Mbledhja e parë e Kuvendit Kombëtar të Përgjithshëm 15/28 të vjeshtës së tretë 1912”, data e parë 15 me kalendarin e vjetër, e dyta 28 me të rinë,ndërsa muaji,vjeshtë e tretë, vetëm me të vjetrën, jo me të renë, nëntor.
Ashtu siç është pritur, mbledhjen e Kuvendit e hap Ismail Qemali si “nisjatori i parë i mbledhjes” duke treguar qëllimin e mbledhjes dhe realitetin e hidhur e kërcënues se “s’bashkut të marrim masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i math ku ndodhet sot” se vështirë arrihet qëllimi, por më vështirë është të ruhet ajo që arrihet.
Më pastaj bëhet akti procedural, vërtetimi i delegatëve dhe i dëshmive të secilit që pastaj të vërtetohet në procesverbal vendi dhe delegatët që kanë arritur dhe që kanë telegrafuar se do të arrijnë ku shihet se për momentin janë prezent 39 delegatë dhe pritet të vijnë edhe 6 të tjerë. Kështu nga Berati janë prezent: Eljas Be Vrioni, Hajredin Be Cakrani, Xhelal Be Skrapari, Dut Karbunara, Taq Tutulani, pritet të vijë Sami Be Vrioni; nga Dibra, Myfti Vehbi Efendiu; nga Durrësi, z. Abas Efendiu, Mustaf Agai, Jahja Efendiu, pritet të vijëDom Nikoll Kaçorri; nga Elbasani, z. Shefqet Be Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu e Midhat Be Frashëri; nga Gjirokastra, me telegram janë lajmëruar z. Azis Efendiu, Veli Efendiu, Elmas Efendiu; nga Ipeku (Peja), z. Rexhep Beu, Bedri Beu, Sali Gjuka e Mithad Be Frashëri, këta zotërinj janë delegatë edhe të Gjakovës, Plavës dhe Gusinjës; nga Kruja, z. Abdi Be Toptani dhe Mustafa Asim Efendiu; nga Lushnja, z. Kemal Beu, Ferit Be Vokopola e Nebi Efendi Sefa; nga Ohri e Struga, z. Zyhdi Beu, Dr Myrtezai e Nuri Efendi Sojliu; nga Shijaku, z. Xhemal Beu, Ymer beu e Ibrahim Efendiu; nga Tirana, z. Abdi Be Toptani e Murad Be Toptani; nga Vlora, Ismail Kemal Beu, Zyhni Efendiu, Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga e Ekrem Beu; nga Kolonia e Shqiptarëve të Bukureshtit, z. Dhimitër Zografi, Dhimitër Mbroja, Dhimitër Berati e Dhimitër Ilua që pritet të vijë.
Mbledhja vazhdon seancën me propozime për pranimin e delegatëve nga dy krahina që kanë vështirësi objektive që s’kanë ardhur. Deputeti nga Peja, Sali Gjuka thotë se duhet t’u pranohet legjitimiteti i deputetëve të zgjedhur nga Korça që s’mund të vijnë pse qyteti është i rrethuar nga ushtria siç janë: z. Pandeli Cali, Athanas Floqi e Spiro Ilua. Kuvendi e pranon me vota të plota propozimin. Delegati nga Kruja, Mustafa Asim Efendiu, të njëjtën e kërkon për Luigj Gurakuqin aq më tepër që ky “ka qenë edhe në të tjera mbledhje kombëtare përfaqësonjës i saj”. Edhe këtë propozim e pranoi me vota të plota. Nga Përmeti i vjen Kuvendit një telegram që e lajmëron se në se delegati i tij, z. Veli Be Klisura, nuk ka ardhur, vendin e tij ta zënë z. Syreja Bej Vlona e Mithad Frashëri. Po me telegram nga Ohri, z. Hamdi Beu dhe Mustafa Barotçiu e lajmërojnë Kuvendin se janë duke ardhur si delegatë të Ohrit dhe të Strugës. Për të dy këto raste thuhet vetëm se “Si u mbaruan këto punë”, do të thotë se edhe këto delegatë janë pranuar, por nuk thuhet në mënyrë decidive si për dy të parat.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit
Rexhep Beu (Mitrovica), delegati i Pejës, dha propozimin më sublim të ditës, propozoi që “si kryetar i Kuvendit të Zgjidhet z. Ismail Kemal Beu” pa qenë nevoja të japë edhe arsyetimin i cili do të ishte i tepërt pse bëhet fjalë për një personalitet shumë të njohur që ka merita të veçanta për gjithë këtë që u arrit gjer në këtë moment. I njëjti propozoi edhe shkronjësin e parë dhe të dytë dhe të gjitha propozimet u pranuan unanimisht me aklamacion e duartrokitje: “delegatët e pëlqyen këtë kërkim e emnuan të propozuarit me të përplasura duarsh.”
Më pas u zhvillua diskutim rreth numrit të votave të delegacioneve dhe “pas shumë bisedimesh” që nuk shënohen, u vendos që çdo kaza të ketë një votë, pavarësisht numrit të delegatëve që do të thotë të respektohet principi i konsenzusit, princip i barazisë së prezencës krahinore dhe jo i supremacisë numerike kur thuhet: “u vendos që çdo ngastër (kaza) të ketë vetëm nga një za (votë) pa vënë ‘re numërimin e delegatëve”.
Delegati i Krujës, Mustafa Asim Efendiu, kërkoi të diskutohet për dy çështje politike: për gjendjen e sotme të Shqipërisë dhe për mendimin dhe qëndrimin e Evropës rreth Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Për këtë temë nisi të elaborojë kryetari i posazgjedhur i Kuvendit i cili kishte informacione më burimore dhe kish marrë pjesë në rrjedhat dhe në zgjidhjen e shumë prej tyre. Në aspektin e brendshëm, konstaton Ismail Qemali, shqiptarët, edhe pse ndenjën me shekuj nën robëri, nuk i humbën dy veçoritë më karakteristike: gjuhën dhe ndjenjën e kombit. Për këtë argumenton Qemali, janë kryengritjet e vazhdueshme, por sidomos këto të katër viteve të fundit. Qeveria bëri diçka në kohë të fundit, mendon pas 23 korrikut 1908, por jo me vullnet të mirë, prandaj edhe plasi Lufta Ballkanike me pretekst që katër shtetet t’i mbrojnë vëllezërit e tyre. Këtë më vonë e harruan dhe nisën ta përçajnë dhe ta ndajnë trofenë e luftës, Shqipërinë. Shqiptarët panë se Turqia nuk ishte më në gjendje ta shpëtojë vendin e tyre, këtë e nisën ta bëjnë vetë. Ismail Qemali nisi nga Stambolli, shkoi në Bukuresht, në Vjenë dhe arriti marrëveshje me fuqitë e mëdha. Në këtë rast jep një vlerësim historik të rëndësishëm që askush nuk e ka theksuar: shqiptarët e panë se me luftë nuk mund ta fitojnë pavarësinë, si rrugë e vetme u mbeti shpallja e pavarësisë nga Turqia. Për këtë ide Ismail Qemali gjeti përkrahje nga Austria e Italia, prandaj edhe u thirr kuvendi në Vlorë, u mblodhët sot këtu dhe para këtij Kuvendi shtrohen tri plobleme: Të bëhet Shqipëria më vehte nën një Qeveri të përkohëshme, të zgjidhet një Pleqësi për ndihmë e kontroll të Qeverisë dhe të dërgohet një komision në Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare para Mbretërive të Mëdha. “Të gjithë delegatët me një za i pëlqyen fjalët e Z. tij Ismail Kemal Beut dhe vendosën që SHQIPËRIA TË BËHET QË SOT E LIRË E PAVARUR”. Gjithë këto fjalë u prenuan me aklamacion dhe duartrokitje dhe “Kryetar i Qeverisë së Përkohëshme u sgjodh Z. e tij Ismail Kemal Beu,nënkryetar Z. e tij Dom Nikollë Kaçorri”
Mbledhja e dytë u mbajt me 17/30 vjeshtë e tretë 1912 me ate që 16/29 nëntori ka qenë ditë e lirë. Edhe pse nuk e dimë a ka pasur rregullore për punën e Kuvendit, por protokolli është respektuar, janë shënuar emrat e delegatëve që munguan dhe të atyre që kanë ardhur rishtazi si Z. Mehmet Pashë Derralla, Isa Bej Boletini, Ajdin be Draga, Dervish Be Ipeku, nga Kosova, Sani Be Vrioni nga Berati, Dervish Be Elbasani dhe Mahmut Efendi Kaziu nga Peqini e me telegrame u emënua Ismail Beu nga Gramshi e nga Tomorrica. Si e don rregulli, procesverbali u lexua dhe u aprovua. L. Gurakuqi propozon që të mos nënshkruhet procesverbali nga delegatët çdo ditë, por të lihet për në fund. Mendimi i tij u pranua unanimisht.
Kuvendi vazhdon të plotësohet me delegatë të rinj dhe procedura shkon sipas rregullave. Azis Efendiu (Gjirokastra) kërkon që Kuvendi ta shohë si delegat z. Meksi (Kristo Meksin) nga Janina si delegat të Tepelenës, ndërsa z. Lef Nosi, delegat nga Elbasani, kërkoi që të njihet si delegat i Dibrës z. Sherif Efendiu (Langu). Mbledhja i pranoi me të gjitha votat të dy propozimet.
Delegatët filluan të shtrojnë pyetje konkrete për ekzekutivin. Dervish Beu (Biçaku) delegat i Elbasanit e pyeti kryetarin e qeverisë se sa ministri do të ketë qeveria e tij dhe mori përgjigje nga kryetari se hëpërhë do të ketë 6 dhe ate: të punëve të jashtme, të punëve të brendshme, të ushtrisë dhe sigurisë, kursimit, drejtësisë dhe mësimit e i punëve të përbotshme. Nuk u diskutua për numrin e ministrive, por që zgjedhjen e ministrave ta bëjë kryetari me ate që ministri nuk mund të ndërrohet derisa të mblidhet kuvend tjetër dhe të krijohet qeveri e re. Kjo është veçori e shteteve parlamentare.
Zgjedhja e kryetarit të Pleqësisë
Luigj Gurakuqi propozoi që të kalojnë në pikën e dytë të rendit të ditës dhe të zgjidhet kryetari i Pleqësisë dhe këshilltarët. Ismail Qemali propozoi që Pleqësia të ketë 12 këshilltarë, por ai nuk mund të kryente atë funksion pse ishte kryetar i Qeverisë dhe propozoi të zgjidhet një person tjetër. Principi për mosdyfishimin e pozitave është normë demokratike që e respektoi edhe Ismail Qemali dhe propozoi që të zgjidhet një tjetër. Luigj Gurakuqi propozoi për kryetar z. Myfti Vehbi Efendinë. Mehdi Frashëri kërkoi që kryetari apo nënkryetari të zgjedhen me vota dhe ashtu u veprua “me plotësien e zanave u zgjodhën z. Myfti Vehbi si kryetar e z. Lef Nosi si nënkryetar”. Për numrin e anëtarëve të pleqësisë u zhvilluan diskutime dhe kundërshtime duke u ndarë në tri grupe: ata që kërkonin të ketë 12, ata që kërkonin të ketë 18 dhe ata që kërkoni të jenë të gjithë. Pas votimit kemi këto rezultate: për të gjithë votuan 4 delegatë, për 12 votuan 16 delegatë dhe për 18 votuan 27 delegatë që do të thotë se fitoi varianti me 18 delegatë. Kryetari i posazgjedhur lajmëroi që mbledhja do të vazhdojë nesër, nga ora 1 pas dreke, ndërsa Luigj Gurakuqi propozoi rendin e ditës dhe ate 1. Formimi i ministrive (i Qeverisë), 2. Zgjedhja e Pleqësisë dhe 3. Zgjedhja e delgacionit për në Evropë.
Mbledhjen e tretë që u mbajt me 8/1/ 11 1912 e udhëhoqi për herë të parë kryetari i posazgjedhur, Haxhi Vehbi Dibra që pati qëndrim shumë fleksibil ndaj disa temave të mprehta që u zhvilluan. Në këtë mbledhje u paraqiti plasaritjet e para në mes kryetarit të qeverisë dhe kuvendit. Ismail Qemali kishte mbetur i pakënaqur nga votimi për anëtarët e Pleqësisë edhe për faktin se votimi ishte qenë kundër rregullores se do të votohej sipas kazave e jo sipas delegatëve. Me këtë ai konstaton se “mund të thuhet se lindi një kundërshtim në mes të Qeverisë e të Kuvendit”. Për këtë çështje “shumë delegatë muarën fjalën e shumë bisedime u banë”, por në procesverbal nuk shënohen. Atmosferën e qetësoi Luigj Gurakuqi që mendoi me të drejtë se këtu nuk bëhet fjalë “për kundërshtim a mosbesim ndaj Qeverisë” se ajo do të ishte vetëm po të kundërshtohej programi i Qeverisë. Në këtë rast bëhet fjalë për një çështje “pa rëndësi themelore” me të cilën u pajtuan të gjithë. Ismail Qemali kërkoi që zgjedhja e qeverisë të mbetet derisa të vijnë edhe delagatët tjerë, ndërsa Aidin Be Draga, delegat i Kosovës, propozoi që të shtyhet edhe zgjedhja e Pleqësisë derisa të vijnë delegatët e Gjirokastrës, Çamërisë e të Tepelenës. U vendos që komisonin për bisedime me Evropën ta zgjedhë Qeveria.
Mbledhjen e katërt, që mbahet me 20/3/ 11 1912 nën drejtimin e Myfti Vehbi Efendiut, e karakterizojnë disa veçori: përplotësimi i Kuvendit me delegatë, autorizimet e delegatëve, dispozitat e ministrave, lista e mundshme e emrave të ministrave dhe anulimi vendimmarjes për shkak të disproporcionit fetar. Siç e do rregullorja e Kuvendit, lexohen emrat e atyre që mungojnë pa arsye dhe me arsye dhe fillojnë të lexohen telegramet nga krahinat për delegatët që kanë zgjedhur. Nga Kavaja lajmërohet se kanë zgjedhur si delegat z. Abdi Bej Toptanin; nga Tepelena lajmërojnë se Sheh Maksuti dhe Sami Beu të zgjedhur si delegatë nuk mund të vijnë për shkak të sëmundjes dhe ata i zëvendësojnë me z. Myfit Bej Gjirokastrën dhe z. Fehim Efendinë, kryetar i klubit të Janinës, me z. Kristo Meksin dhe Aristidh Rucin; lajmërohet se kanë arritur delegatët e Gjirokastrës: Myfit Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopullo,Hysen Efendi Gjirokastra dhe Veli Bej Klisura; Myfit Bej Gjirokastra thotë se me Çamërinë nuk punon telegrafi dhe është mirë të pranohen delegatët e Çamërisë si z. Veli Gërra Reshadia, Vesel(Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati dhe z. Rexhep Demi nga Filati; kryetari i mbledhjes propozoi për delegat të Pejës z. Qerim Beg. Të gjithë këta me votat e të gjithëve bëhen delegatë.
Në diskutim paraqitet një problem statutar se a mundet një delegat ta autorizojë një tjetër si zëvendës, ashtu siç ka kërkuar z. Jahja Efendi Durrësi në letrën e tij se e lë “si ndërkëmbës z. Abdi Benë”. U zhvilluan diskutime rreth kësaj kërkese, që nuk jepen në procesverbal, dhe “kërkimi i Z. së tij s’mori fund”.
Ismail Qemali, “kryetar i Qeverisë së Hëpërhëshme”, së pari tregoi për dispozitat që duhet të ketë një ministër, ndër të tjera të jetë i njohur brenda në Shqipëri dhe në botën e jashtme. Pastaj e nxjerr listën me emrat që ai propozon si ministra pa dikasteret dhe ate: z.z. Mehmet Pashë Tetova(Derralla), Myfit Bej Gjirokastra, Aziz Pasha, Vehbi Efendi (Dibra), Abdi Be Toptani, Midhat Be Frashëri. Mirëpo, Z. Dud Karbunara bën vërejtje parimore në këtë propozim “se s’gjendet asnjë i krishterë”. Me këtë vërejtje pajtohen edhe diskutues të tjerë si z. Pandeli Cali, D. Berati dhe Qemal Be Elbasani (Karaosmani). Vërejtjet i konsiderojnë të arsyeshme dhe zgjedhja shtyhet për ditën tjetër.
Zgjedhja e Qeverisë dhe e Pleqësisë
Mbledhja e pestë e Kuvendit mbahet me 21/4/ 11 1912 nën drejtimin e kryetarit myfti Vehbi Dibrës ku trajtohen disa çështje nga ekzekutivi dhe legjislativi siç ishin propozimi i Ismail Qemalit që të zgjidhen ministrat nga ana e Kuvendit, votimi për minstrat dhe për anëtarët e Pleqësisë. Duhet thënë se edhe kjo seancë nuk kaloi pa diskutime, debate, kundërshtime, gjithmonë në frymën e tolerancës dhe të kulturës parlamentare që flet për nivelin intelektual dhe diplomatik të delegatëve të Kuvendit.
Kryesuesi respekton me përpikmëri rregulloren e Kuvendit që të konstatohet kush dhe sa mungojnë dhe sa janë në sallë, nga 63 mungojnë 6. Konfirmohet dhe kërkohet aprovimi i kërkesës së Lushnjës se delegati i zgjedhur, z. Mehmet Ali Pasha, për shkaqe shëndetësore, nuk mund të vijë dhe e dërgojnë si zëvendësim të birin, Avni Benë që Kuvendi e pranon.
Kryesuesi kërkon të respektohet rendi i ditës dhe ate 1. Zgjedhja e ministrave dhe 2. Zgjedhja e Pleqësisë. Për pikën e parë, i pari diskutoi Ismail Qemali që kërkoi një ecuri tjetër për zgjedhjen e ministrave që ngjalli polemika dhe kundërshtime te delegatët. Ai barrën e zgjedhjes së ministrave ia hudhi Kuvendit dhe propozoi që të zgjidhen 8 e jo 7, siç ishte thënë, dhe atë 4 myslimanë dhe 4 të krishterë. Për kërkesën e parë, rreth zgjedhjes së ministrave, thuhet se “delegatët flasin kundër këtij propozimi dhe kërkojnë që më parë kryeministrit t’i mbetet kjo barrë” megjithëse nuk shënohen as emrat, as tekstet e polemikave, por vetëm përfundimi se “më së fundit mbetet që t’i zgjedhë kuvendi ministrat”.
Menjëherë fillon votimi i delegatëve për ministrat dhe jepen rezultatet e votimit megjithëse nuk tregohet mënyra e votimit, por ajo nënkuptohet se ka qenë e fshehtë. Votimi është shprehje e besimit të madh apo më të vogël të delegatëve, por nuk janë ato që janë pritur. Nga rezultatet del se Luigj Gurakuqi ka fituar 54 vota, Myfit Bej Gjirokastra 52, Mehmet Pashë Tetova 42, Abdi Be Toptani 34, Midhat Be Frashëri 35, ndërsa 12 të tjerët të votuar nuk e kanë plotësuar kushtin e rregullores që të kenë vota më shumë se gjysma e votuesve. Për këtë qëllim përsëritet votimi edhe për 3 të tjerë dhe rezultati ishte ky: z. Petro Poga fitoi 40 vota, Pandeli Cali 39 dhe Lef Nosi 37, ndërsa 5 të tjerët morën më pak se gjysma e minimumit. Nga kjo shihet se u respektua kërkesa që të ketë 50 % të krishterë. Me këtë u formua qeveria e parë e Ismail Qemalit e dalë nga vota e kuvendarëve në përbërje: Luigj Gurakuqi, Myfit Bej Libohova, Mehmet Pashë Tetova (Derralla), Abdi be Toptani, Midhat Frashëri, Petro Poga, Pandeli Cali dhe Lef Nosi. Ndarjen e resoreve do ta bëjë më vonë vetë Ismail Qemali.
Para se të fillojnë votimet për pikën e dytë të rendit të ditës, zgjedhjes së këshilltarëve për Pleqësinë që do të kishte 18 delegatë, njëri nga shkronjësit e Kuvendit, z. D. Berati, u lutet delegatëve që për Pleqësinë të ndiqet një ecuri tjetër që të pranohen si këshilltarë ata që fitojnë më shumë vota pa marrë parasysh sasinë e votave. Delegatëtë e pranojnë këtë propozim dhe kalojnë në votim. Nga votimi tregohen këto rezultate: z. Iljas Bej Vrioni pat 55 vota, Sami B. Vrioni 54, Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Be Toptani 42, Eqrem Be Vlora 40, Myfti Vehbi Efendi dhe Kristo Meksi nga 39, D. Berati 38, D. Zografi dhe Bedri Be Ipeku nga 35, Sali Gjuka, Veli Be Klisura dhe Hajredin Be Cakrani nga 32, Xhelal Be Skrapari dhe Shefqet Daiu nga 30, Dervish Be Elbasani 29, dhe në fund Ajdin Be Draga 27 vota. Këta 18 delegatë e formojnë Pleqësinë e Kuvendit të Vlorës, ndërsa të tjerët, 15 prej tyre, mbeten vetëm si delegatë të Kuvendit.
Zgjedhja e Komisionit për Evropë
Në Mbledhjen e gjashtë që mbahet me 23/6 11 1912, nën drejtimin e Myfti Vehbi Efendiut, që në fazën e parë të konstatimit të numrit të delegatëve, paraqitet një dukuri indikative që evidentohet se në mbledhje mungojnë 26 delegatë që është më se 1/3 e tërë numrit të delegatëve megjithëse kjo seancë nuk trajtoi çështje të rëndësishme për delegatët e Kuvendit. Diskutimin e hapi shkronjësi Shefqet Daiu që kërkoi nga Kuvendi që të zgjedhë delegatët që do të formojnë Komisionin i cili do ta përfaqësojë Shqipërinë në forumet në Evropë dhe do të bisedojë për çështjet e saj më kruciale. Për këtë çështje përgjigje dha kryetari i Qeverisë se kjo zgjedhje do t’i mbetet në kompetencë Qeverisë e cila “punon pa rreshtur për me i dhanë një fund të dobishëm dhe të shkëlqyeshëm”. Për këtë propozim të Kryetarit nuk pati diskutime dhe u pranua si e tillë.
Kryetari i Qeverisë shtroi çështjen e faljeve të të burgosurve dhe duhet që Qeveria të mirret vesht paraprakisht me organet e krahinave. Nga Mustafa Asim Kruja u shtrua një çështje e rregullores së Kuvendit se si do të zëvendësohen ata këshilltarë të Pleqësisë që për disa arsye largohen. Për këtë shpjegim dha shkronjësi D. Berati se vendin e tij do ta zërë ai që ka fituar më shumë vota nga ata që s’janë pranuar.
Tone më të ashpra në mes delegatëve
Mbledhja e shtatë dhe e fundit për të cilat ekziston edhe procesverbali që e kemi në shqyrtim, mbahet me 24/7/ 11 1912, nën drejtimin e kryetarit Myfti Vehbi Efendiut, kaloi me tone më të ashpra që u zhvilluan në mes kryetarit të Qeverisë dhe një delegati.
Sipas rregullores jepen emrat e nëntë delegatëve që mungojnë në këtë mbledhje, pastaj pranohen delegatët nga Ohri, Hamdi Beu dhe Dervish Hima, nga Starova, Hajdar Blloshmi dhe Mustafa Efendia dhe nga Mati z. Ahmet Muhtar Beu dhe Kurt Agai.
Diskutimet i hapi Kristo Meksi që kërkoi nga kryetari që para se ta mbyllë mbledhjen e Kuvendit, të sqarohen dy çështje: si të quhen delegatët e Pleqësisë dhe si të quhet vetë Pleqësia? Për delegatët ka tri verzione: këshilltarë, deputetë e senatorë dhe organi që formohet nga 18 vetë të quhet Senat. Të këtij mendimi janë edhe z. Sami Vrioni dhe Murad Be Toptani. Mendimin e K. Meksit e kundërshton kryetari i Qeverisë, Ismail Qemali, ato i konsideron si tendencioze, se ato kanë marrë fund “ditën e zgjedhjes së Pleqësisë”. Kryetari e akuzoi Meksin se don t’i vëjë “ndërkëmbësen Kuvendit”, t’i ndryshojë ingerencat e Pleqësisë, por ajo edhe më tutje “do të bashkëpunojë me Qeverinë të hëpërhëshme, do ta kontrollojë dhe ta këshillojë kur të jetë nevoja”. Këtij mendimi i bashkohen edhe Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri dhe Shefqet Daiu. Mendimin e Meksit, e shpreh më haptas Mustafa Kruja që mendon se Pleqësia të ketë të drejtë që, kur puna e një ministri nuk u pëlqen, t’i kërkojë atij llogari dhe, kur ai nuk e jep ate, edhe të shkarkohet nga Pleqësia. Këtë mendim e kundërshtoi përsëri Ismail Qemali me argumentin se kjo tregon se duket sikur Kuvendi “s’ ka besim të plotë te Qeveria. Në fund u shtroi të gjithëve pyetjen :”ka apo jo kevendi besim të plotë ndë veprimet e Qeverisë?” dhe mori përgjigje unanime: “Të gjithë përgjigjen po!”. Me këtë vendoset nga shumica se “Pleqësia s’ka të drejtë të rëzojë një ministër”. Natyrisht Meksi mbeti i pakënaqur nga vendimet dhe kërkoi ta dorëzojë lejen si kuvendar, ndërsa kryetari i Qeverisë i lutet Meksit që ta marrë prapë lejen dhe nga Kuvendi kërkon “të mos ia pranojë kërkesën”.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...