Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 29, 2013 Zani i Nalte Retrospektivë 0
nga Vehbi Agolli – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
Shoqëria njerëzore, çdo komb, çdo shtet dhe individ të veçantë-personalitete të fushave të ndryshme, e ushtrojnë veprimtarinë duke lënë gjurmë në kulturë, duke krijuar një memorie ku vend të rëndësishëm zënë arkivat.
Nga kjo ligjshmëri nuk ka bërë përjashtim as kombi shqiptar, i cili historinë e tij të shquar, luftën e përpjekjet e vazhdueshme për liri e pavarësi e ka shoqëruar me krijimin e një kulture e memorie të pasur, që me gjithë mungesën e shtetit e të segmenteve të caktuara për trajtimin e kësaj trashëgimie kulturore, ka ditur ta vlerësojë, ta ruajë e t’ua transmetojë brezave të sotëm.
Pikërisht kjo memorie e kombit shqiptar, në formën e dokumenteve origjinale e autentike, e krijuar nga shekulli i VI-të e deri në ditët tona, ka mundur t’i shpëtojë në një masë të rëndësishme veprimeve antishqiptare të pushtimeve të huaja dhe të qeverisjeve anormale që ka kaluar ky vend dhe që sot ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit.
Arkivi Qendror i Shtetit që meriton të quhet kombëtar, në këtë gjysmë shekulli të veprimtarisë së tij, ka kryer një detyrë fisnike e me përkushtim për grumbullimin dhe ruajtjen e këtij dokumentacioni, për përpunimin e tij për ta vënë në përdorim të nevojave të ndryshme të shoqërisë.
Pjesë e kësaj pasurie janë edhe fondet arkivore të institucioneve fetare, të cilat i shpëtuan rrebeshit të diktaturës komuniste të vitit 1967, falë edhe meritës së stafit drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, që arriti të bindë qeveritarët, që ky dokumentacion të mos pësonte fatin e keq të institucioneve fetare dhe të njerëzve të kultit dhe të përqendrohej në Arkivin Qendror.
Midis këtyre fondeve arkivore spikat ai i Komuniteti Mysliman, që paraqitet në përgjithësi i plotë e me një dokumentacion të pasur e cilësor dhe me shtrirje kohore 50 vjeçare.
Ky fond përbëhet nga mbi 4 mijë dosje me rreth 500 mijë fletë dokumente, duke zënë një vëllim prej 48 ml. Vëllimi i dokumentacionit është më i madh në periudhën 1926 – 1943, mesatarisht 110 – 120 dosje çdo vit, dhe më i pakët në vitet e para 1917 – 1922 dhe në vitet e fundit 1961 – 1967, mesatarisht 40 – 60 dosje në vit.
Dokumentacioni i këtij fondi është përpunuar në vitin 1978 nga një grup punonjësish të kualifikuar, duke u klasifikuar sipas viteve dhe fushave të veprimtarisë me sistemim të plotë të dokumenteve deri në dosje, për çdo çështje. Inventarët e dosjeve sigurojnë ekzistencën fizike të dokumenteve dhe në të njëjtën kohë shërbejnë si mjet kërkimi për informacionin e dëshiruar.
Krahas sistemimit është kryer edhe skedimi i dokumentacionit të këtij fondi, i përfshirë në skedarin sistematik, duke rritur cilësinë dhe efikasitetin e marrjes së informacionit nga çdo studiues apo person tjetër i interesuar.
Në gjithë sasinë e madhe të dokumentacionit dallohet ai i vitit 1923, ku me një masë të konsiderueshme dokumentesh cilësore pasqyrohet ngjarja që përkujtohet sot, Kongresi i Mëvehtësisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Kjo ngjarje e shënuar paraqitet nëpërmjet dokumenteve pothuajse në të gjitha aspektet e saj, që nga përpjekjet në fillimin e vitit 1923 për mbledhjen e kongresit, masat përgatitore që u morën, hartimin e rregulloreve e udhëzimeve përkatëse, zgjedhjen e delegatëve, caktimin e vendit e datës së kongresit, përgatitjen e raportit të statutit, ftesat për qeveritarët, shpenzimet që nevojiteshin etj.
Prej tyre meritojnë të përmenden këto dokumente:
– Telegrami që Gjyqi i Naltë i Sheriatit i dërgon prefekturave e nënprefekturave më datën 10 shkurt ku njoftohet thirrja e mbledhjes së përgjithshme (kongresit) të delegatëve myslimanë shqiptarë për formimin e xhama’atit Islamije.
– Rregullorja për zgjidhjen e delegatëve, si dhe telegrame njoftime të tjera nga prefekturat për caktimin e tyre.
– Lista emërore e delegatëve të kongresit.
– Raporti për projektin e statutit dhe procesverbali i mbledhjes së kongresit.
– Statuti i Trupit Xhema’atit Mysliman Shqiptar, i dalë nga kongresi.
– Njoftimi i kongresit drejtuar Qeverisë për përfundimin me sukses të punimeve të tij, i cili zgjodhi si kryetar H. Vehbi Dibrën.
Përveç tyre nuk mund të lemë pa përmendur edhe disa telegrame nga prefekturat si Shkodra etj. ku shprehen ankesa për ndonjë parregullsi në zgjedhjen e delegatëve jo direkt nga populli, por të caktuar nga organet shtetërore si Bashkitë etj., propozimet në ndonjë rast për delegatë edhe deputetë të parlamentit etj.
Kongresi i parë i 24 shkurtit 1923 mbetet ngjarje e shënuar në historinë e kombit e të shtetit shqiptar e në veçanti të klerit mysliman, pasi shpalli de jure mëvetësinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Me këtë akt filloi të kryhej institucionalizimi i tij, ashtu si krijimi i shumicës së institucioneve të shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës.
Themi de jure se në fakt një veprim i tillë pothuajse është kryer apo filloi të kryhet që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 1912 në vazhdimësi. Kjo vërtetohet nga dokumentet që ndodhen në Arkivin Qendror e që i takojnë vitit 1917 e deri në vitin 1922, të krijuar nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit, fondi arkivor i të cilit është njësuar me atë të Komunitetit Mysliman.
Në këto dokumente pasqyrohet veprimtaria organizative e Gjyqit të Naltë të Sheriatit, kompetencat e tij, organet vartëse si gjyqet e sherive, drejtoritë e vakëfeve, etj., marrëdhëniet me shtetin (në periudhën e luftës së Parë Botërore edhe me komandat e ushtrive pushtuese si ajo austro-hungareze etj.)
Sipas këtyre dokumenteve, këto institucione fetare (myslimane), duhet të kishin nëpunës shqiptarë, të përdorej gjuha shqipe e folur dhe e shkruar në korrespondencën zyrtare, ndaloheshin lutjet (fetare) për sulltanin dhe në emër të sulltanit, si ish mbret i shqiptarëve, ndalohej përdorimi i gjuhëve turqisht e persisht, i vulave turqisht në dokumente etj., tekstet e librat fetare të miratoheshin në Ministrinë e Arsimit etj.
Një pjesë e këtyre dokumenteve si qarkore, vendime, rregullore etj., janë hartuar nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit për organet e tij vartëse, nënshkruar nga H. Vehbi Dibra.
Këto masa erdhën duke u shtuar nga viti në vit dhe morën karakter më kategorik pas vitit 1920 dhe u sanksionuan në vitin 1923 në Kongresin që po përkujtohet.
Komuniteti Mysliman pas kongresit ka tashmë statut themelor dhe legjislacion tjetër plotësues, ka forumet e tij si kongresi, i cili mblidhej çdo vit, Këshillin e Përgjithshëm, aparatin e tij administrativ dhe rrjetin e institucioneve vartëse në gjithë vendin, të cilat pasqyrohen në mënyrë të plotë në dokumentet e këtij fondi arkivor.
Ky dokumentacion i shumtë pasqyron edhe drejtimet e ndryshme të veprimtarisë së këtij institucioni që krahas asaj fetare, zë vend të rëndësishëm edhe ajo ekonomiko-financiare, ku spikatin buxhetet e të ardhurave e shpenzimeve dhe dokumentacioni i zbatimit të tij, regjistrat e të ardhurave e shpenzimeve.
Vend të rëndësishëm në dokumente zë dhe veprimtaria arsimore, kryesisht e “medresesë” dhe shkollave të tjera fetare; ajo kulturore si përcaktimi i institucioneve të kultit me vlerë artistike, ngritja e bibliotekave me libra fetare etj.
Po ashtu në mjaft raste trajtohen edhe marrëdhëniet me shtetin, me qeveritë dhe institucionet e tjera shtetërore. Në dokumente dalin në pah edhe presionet që bëhen në momente të caktuara nga shteti për të vënë Komunitetin Mysliman, ashtu si dhe institucionet e tjera fetare, nën tutelën e tij, por edhe elozhet që bëhen herë pas here nga drejtuesit e institucioneve fetare për qeveritarët, më të theksuara këto në periudhën e sundimit të diktaturës komuniste.
Presioni i kësaj të fundit mbi institucionet fetare, i pasqyruar në mjaft dokumente, erdhi duke u shtuar deri sa arriti në luftën e hapur kundër tyre, i shkatërruan apo ia dorëzuan të ashtuquajturave komitete revolucionare të rinisë, veprime që dalin në pah shumë qartë në dokumentacionin e fillimit të vitit 1967.
Fondi arkivor i Komunitetit Mysliman, që ndodhet në Arkivin Qendror ruhet e administrohet në mënyrë shkencore, njëlloj si gjithë fondet e tjera dhe është i hapur për t’u shfrytëzuar nga studiuesit, por dhe nga qytetarë të ndryshëm sipas interesave që kanë.
Me këtë rast i bëjmë thirrje drejtuesve të Komunitetit Mysliman t’i kushtojnë kujdes dokumentacionit, që krijohet aktualisht në veprimtarinë e tij të përditshme, pasi ky siguron vazhdimësinë e atij institucioni që nga krijimi i tij, pavarësisht se tani ai vepron në kushtet e demokracisë pluraliste.
Gjithashtu u drejtohemi të gjithë personave për dorëzimin e dokumentacionit që mund të kenë pranë familjeve e që ka vlera historike si dorëshkrime, shtypshkrime e sidomos fotografi me të cilat edhe Arkivi Qendror ka mangësi. Ju sigurojmë se dorëzimi i tyre vullnetarisht apo në forma të tjera pranë këtij arkivi do të garantonte ruajtjen dhe jetëgjatësinë e këtyre dokumenteve, duke siguruar dhe pronësinë e dorëzuesve, gjë që garantohet edhe nga legjislacioni arkivor i sotëm i cili është bashkëkohor dhe sipas modeleve evropiane.[1]
[1] Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Drita Islame”, nr. 4 (135), shkurt-mars 1998, fq. 3 dhe ribotuar në revistën Zani i Naltë, nr. 2, janar, shkurt, mars 2013.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...