Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 09, 2013 Zani i Nalte Filozofi 0
nga Prof. Dr. Gjergj Sinani
Ngjarjet e fundit që u provokuan nga filmi dhe karikaturat mbi profetin Muhamed shtruan edhe një herë një problem shumë të madh dhe delikat që lidhet me lirinë e ndërgjegjes. Në të njëjtën kohë u ballafaquan edhe dy mënyra të menduari dhe të vepruari që treguan ndryshimin e madh kulturor që ekziston ndërmjet këtyre dy mënyrave të të menduarit. Për njeriun perëndimor liria e ndërgjegjes është një nga liritë themelore të njeriut dhe ajo duhet mbrojtur në mënyrë absolute dhe asnjë autoritet temporal nuk mund ta cënojë. Këtu ne ndeshemi me tri terma shumë të rëndësishërn; liria e ndërgjegjes, pluralizmi dhe toleranca. Pyetja që lind është kjo; a kanë të njëjtin objekt? Në qoftë se dikush mendon se zotëron të vërtetën dhe është i lirë që ta përhapë atë, a mund të priret ai drejt intolerancës, në qoftë se dikush tjetër nuk ka të njëjtën pikëpamje me të dhe mund ta konsiderojë si armik? Për më tepër, liria e ndërgjegjes, a nuk parakupton, në vetvete pluralizmin? Pluralizmi, nga ana e vet, nënkupton një larmi mënyrash mendimi dhe besimesh, por edhe kjo kërkon një nivel të caktuar të zhvillimit social. Atëherë ne ç’marrëdhënie janë mbijetesa individuale, kohezioni social dhe progresi? Në ç’raport janë liria e ndërgjegjes dhe toleranca?
Këto pyetje themelore janë shfaqur dhe shfaqen përpara shoqërive gjatë historisë dhe, gjithashtu, përgjigjet kanë qenë të ndryshme. Megjithatë, ekziston një vështirësi në pajtimin e lirisë së ndërgjegjes dhe pluralizmit, bindjes me tolerancën.
Duke parë reagimin e turmave dhe heshtjen e autoriteteve temporale të këtyre vendeve çështja që del është kjo; e drejta a mund të tërhiqet përpara integrizmit? E drejta a mund të tërhiqet para “raison d’etat”? Në filozofinë dhe të menduarit demokratik, liria e shprehjes është liri e brendshme, ontologjike e njeriut dhe ajo nuk mund të kufizohet, ashtu siç është e drejta e atyre që fyhen, që t’i drejtohen gjykatës për fyerjen. Limiti i vetëm vjen nga ndërgjegjja e autorit, i cili duhet të karakterizohet nga përgjegjësia e akteve të tij, qofshin këto edhe akte të mendimit. Kështu, në rastin konkret, mungesa e sensit të përgjegjësisë të autorit të filmit (i cili edhe artistikisht ishte shumë i dobët dhe u dënua edhe nga Klinton dhe Obama) nuk mund të përligjë reagimet e dhunshme të njerëzve.
Eshtë e vërtetë se dialogu kulturor dhe respektimi i simboleve të shenjta të tjetrit i shërben më shumë tolerancës se sa reagimet e dhunshme. Toleranca është ajo që na ndihmon që të kuptojmë fetë dhe besimet e ndryshme, qofshin tradicionale ose të reja, tepër të njohura ose më pak familjare, ndryshe dallimet dhe urrejtja do të vazhdojnë që të ekzistojnë. Dija do të ndikojë në një kuptim më të mirë të njeri-tjetrit.
Nuk duhet të harrojrnë se kritika ndaj fesë nuk nënkupton përbuzjen e besimtarit. Le të ndalemi më nga afër në këtë ide, nga e cila Europa nuk pa ndonjë gjë të keqe. Poeti gjerrnan Hajne do të shkruante këto fjalë për Kantin, duke e quajtur “Roberspieri i filozofisë. Thuhet se shpirtërat e natës tmerrohen kur shikojnë sëpatën e xhelatit. Por nga «çfarë tmerri do të tronditeshin ata kur t’u paraqitej Kritika e asyes së kulluar të Kantit!.. Me thënë të drejtën, ju të tjerët, dhe francezët, keni qenë më të butë dhe të moderuar në krahasim me ne gjerrnanët; ju keni mundur të vrisni një mbret dhe, për më tepër, në këtë rast, ju e bëtë duke u rënë tambureve, duke bërtitur dhe përplasur këmbët dhe duke tronditur tërë globin. Maksimilian Roberspierit i bëhet shumë nder duke e krahasuar me Emanuel Kantin. Maksimilian Roberspieri, sehirxhiu i madh i rrugës Saint – Honore, kishte, pa dyshim, ndikimin e tij shkatërrues kur ishte fjala për mbretërinë dhe ai rropatej në një mënyrë mjaft të zjarrtë në epilepsinë e tij mbretvrasëse; por kur bëhej fjalë për Qenien Supreme, ai fshinte shkumën që zbardhte gojën e tij, lante duart e tij të përgjakura, nxirrte nga sirtari veshjen e tij blu të të djelave me butona te pasqyrta, dhe vendoste një tufë lulesh para jelekut të tij të gjërë”.
Të mos harrojmë se këto fjalë të Hajnes datojnë në vitin 1858. Përfundimi i tij është i qartë; “ka patur vetëm një të krishterë dhe ai vdiq në kryq”. Le të kujtojme këtu edhe filmin e Martin Scorcezes, “Tundirni i fundit i Jesu Krishtit”, apo shkrime të tjera, por kjo nuk ka shpënë në një frenezi kolektive të besimtareve, si po e shohim me historinë e filmit “Pafajësia e myslimanëve”. Është interesant fakti se regjimet despotike nuk i kanë qejf satirikët. Monteskjë na tregon se Sula i vriste satirikët. Madje periudha diktatoriale e Romës jipte dënime kapitale per autorët satirikë dhe poetët. Por kjo, për Monteskjenë, nuk ka të bëjë me “gjeninë e republikës, ku populli do që t’i shikojë të mëdhenjtë të poshtëruar. Por, njerëzit që duan ta përmbysin lirinë kanë frikë nga shkrimet që mund t’u kujtojnë shpirtin e lirisë”[1]. Me këtë dua të them se ata që përfitojnë nga besimi i sinqertë i njerëzve dhe manipulimi i tyre janë ata që jetojnë në lluks dhe janë hipokritë në raport me Zotin.
I përmenda këto fakte jo për të fyer ndjenjat e besimtarëve, por për të treguar se nga liria e shprehjes dhe e ndërgjegjes nuk vjen asgjë e keqe, përkundrazi, pavarësisht ekceseve të mundshme, kjo liri, në rast se cënohet, mund të shndërrohet në vegël të propagandës së demagogëve dhe sharlatanëve që i favorizojne “kohët e barazisë”, siç shprehej Tokëvili. Në këtë kontekst, media ka një rëndësi të madhe në trajtimin e problematikës së fesë. Këtu vlen të theksojrnë disa momente themelore:
1. Media duhet të shpalosë dije dhe një koncepsion modern të kuptimit dhe të zbatimit të lirisë së fesë. Për këtë duhet mbajtur parasysh si përvoja jonë e tolerancës fetare, por edhe përvoja e vendeve të ndryshme të demokracive të përparuara në rregullimin e kësaj lirie.
2. Krahas kritikës së fenomeneve të shëmtuara, që bien ndesh me moralin dhe zakonet e mira, media duhet të ndalet në përmbajtjet morale të feve. Te mos harrojmë se aktualisht po përjetojmë një krizë të thellë morale, e cila përforcohet edhe nga shpirti i përfitimit që karakterizon shoqërinë tonë trazicionale. Shpesh ne harrojmë se demokracia ka nevojë për moralizim. Kjo përforcohet edhe nga fakti se jeta jonë po bëhet shumë e trishtuar, meskine dhe kjo situatë e shtyp mendjen dhe ia pret krahët shpresës. Kështu përhapja e ideve që do të shërbenin për zgjimin dhe qytetërimin e njerëzve, përpunimi i ideve që të shërbejnë si parime drejtuese të veprimit të përbashkët politik janë një imperativ i kohës. Kuptohet se ngritja morale vjen përmes filozofisë, letërsisë dhe ideve politike, por një ndikim të madh kanë edhe idetë fetare. Në kushtet tona kur idetë filozofike, politike dhe letrare dolën të kompromentuara me regjimin, ndërsa feja u ndalua me ligj, ngritja morale kërkon që këto ide për një jetë më të mirë morale të venë sa më shpejt në mendjet e njerëzve. Duke u mbështetur në problemet e fundit të ngritura nga media në lidhje me fenë dhe klerikët mendoj të evokoj një mendim të Nolit. “Fetë nuk janë të liga siç janë, por siç ua mësojnë shqiptarëve të farmakosura dhe të shtrembëruara janë të rrezikshme për vdekje. U mor vesh më së fundi se mjerimi ynë s’ish aq te ndryshimi fetar, sa ndër krerët fetarë të huaj dhe për meshtarët shqiptarë që vepronin si vegla të tyre të verbëra. Na duheshin e na duhen priftërinj e biskupe si dhe hoxhallarë e myftinj të vërtetë. Jo vegla politike të huaja, por meshtarë prej çdo feje qe t’i kenë me të vërtetë frikë Perëndisë dhe të përhapin me drejtësi dhe me zell urdhërimet e Tij dhe vetëm urdherimet e Tij…
Jam, pra, i mendjes që priftërinj e hoxhallarë të mirë do t’i ndreqin punët e Shqipërisë, po të jetë që të gjejmë meshtarë, të cilët të përhapin ndriçimin e çdo feje veçan dhe kuptimin e thellë që Perendia, kur dërgoi profetët e Birit, s’i dërgoi që të na venë që të vritemi me njëri-tjetrin, po që të kemi dashuri në mes tonë dhe të rrojmë fatbardhë me qetësi e me liri”[2].
3. Nisur nga pluraliteti fetar, shoqëria duhet të komunikojë dije pozitive mbi fetë dhe evolucionin e tyre historik, qoftë ky paqësor apo i përgjakshëm. Kjo për faktin se përdorimi dhe instrumetalizimi politik i tyre ka shpënë në intolerancë dhe konflikte të përgjakshme ndërmjet popujve, por edhe në obskurantizëm. Vlen të theksohet ky moment, sepse, nisur nga ndalimi i fesë prej komunizmit, po shfaqet paragjykimi që të mbulohen aspektet e pakëndshme të historive të feve, kur edhe vetë Vojtila e kritrikoi inkuizicionin, duke thënë se gjatë kësaj periudhe kemi largim të fesë nga misioni i saj për t’u martuar me fronin, pra me politikën. Interpretimet glorifikuese dhe mistifikuese të fesë nuk i shërbejnë lartësimit shpirtëror, por thellimit të krizës shpirtërore. Nuk duhet të harrojmë të vërtetën e thjeshtë se askush nuk mund ta kuptojë njerëzimin pa kuptuar besimin e tij, qoftë në formë naive, qoftë në formë të lartë, qoftë të ashpër, qoftë përrnes urrejtjes dhe dashurisë gjatë tërë historisë. Respektimi i të drejtave të njeriut i ka rrënjët në besimin e dinjitetit njerëzor. Kështu, të drejtat e njeriut bazohen mbi vlerat morale.
4. Kur flitet për lirinë e fesë duhet të mbajmë parasysh dy parime të rëndësishme:
a) Çdo njeri ka të drejtën të gëzojë lirinë e fesë ose të besimit. Kjo liri përfshin besimet teiste, ateiste, jo teiste, qofshin tradicionale ose te reja. Duhet shmangur çdo trajtim i ngushtë, ose diskriminues.
b) Liria e fesë dhe besimit ndërvaret dhe ndërlidhet edhe me të drejtat e tjera të njeriut. Të drejtat e njeriut nuk nënkuptojnë favorizimin e disa të drejtave dhe kufizimin e disa të tjerave. Më shumë se konkuruese, të drejtat e ndryshme përforcohen në mënyrë reciproke.
5. Shoqëria mund dhe duhet të dënojë konfliktet fetare dhe intolerancën, sepse ende ekzistojnë paragjykimet dhe intoleranca fetare. Feja, në vetvete, nuk është shkaku i konflikteve, por mund të përdoret si një faktor dhe simbol i konflikteve.
Bota e sotme karakterizohet nga një ndërvarësi dhe kooperim ndërmjet popujve, grupeve, institucioneve dhe kombeve. Në të njejtën kohë, konfliktet etno-fetare dhe ndërfetare, si dhe instrumentalizimi dhe përdorimi politik i feve kanë shkaktuar dhe shkaktojnë shumë konflikte. Për shkak të marrëdhënieve ndërrnjet fesë dhe kombësisë, etnicitetit, statusit social, madje dhe me aspiratat politike, çështjet fetare kanë ndikuar në konfliktet e armatosura dhe në konfliktet brenda kombeve. Të mos harrojmë se emocionalisht feja ndikon shumë në ndergjegjen e njerëzve dhe pasionet shkatërrimtare mund të dominojnë arsyen. Në fakt, përdorimi i simboleve dhe gjuhës fetare mund të jenë një nga “armët” strategjike më efikase në një konflikt. Ne jemi deshmitare se si feja ka kontribuar në konfliktet ose përshkallëzimin e konflikteve. Që të shmanget një situatë e tillë, toleranca dhe respekti për besimin dhe fenë e tjetrit është fryma, që duhet të karakterizojë shoqërinë.
5. Kuptimi i laicitetit në marrëdhëniet e shtetit me fenë. Eshtë e rëndësishme që shoqëria të ndalet në sqarimin e këtij nocioni dhe të praktikave perëndimore të realizimit të tij, pasi laiciteti francez, për shembull, ndryshon nga përvoja të tjera perëndimore.
Nocioni i laicitetit përmban një ideal universialist të organizimit të qytetit dhe rregullimin juridik, që bazohet mbi të dhe e realizon. Fjala që cilëson parimin “laicitet”, i referohet unitetit të popullit, të konceptuar si një realitet të pandashëm, domethënë, që nuk pranon privilegje. Një unitet i tillë bazohet mbi tri kërkesa të pandashme; liria e ndërgjegjes që del nga emancipimi personal, barazinë e të gjithë qytetarëve pa dallim origjine, race, seksi ose bindjesh shpirtërore dhe synimi i interesit të përgjithshem, si e vetmja arsye e të qenurit të shtetit.
Laiciteti konsiston në ruajtjen e tërësisë së sferës publike nga çdo gjurmë që ushtrohet në emër të një feje, ose të një ideologjie të veçantë. Ai e ruan sferën publike nga çdo kredo të detyruar si dhe nga çdo parcelizim komunitarist ose multikonfesional. Ky neutralitet konfesional bazohet mbi vlera të shpallura dhe të siguruara nga shteti laik. Ky neutralitet nuk duhet të ngatërrohet me një indiferencë të përgjithshme, ose një relativizëm që do të mbante një balancë të barabartë ndërmjet të drejtës dhe të padrejtës, të vërtetës dhe të gabuarës. Abstenimi që bëhet fjalë, ka të bëjë me zgjedhjet shpirtërore të qytetarëve, duke i lënë në lirinë e tyre, dhe të çliruar nga çdo hierarkizim. Prandaj, hapësira laike, e konceptuar në këtë mënyrë, nuk është plurikonfesionale, por jo konfesionale. Këtu vlen të theksojmë disa momente të rëndësishme të kuptimit teorik të kësaj çështje, pavarësisht nga fakti se publiku ynë nuk i pëlqen trajtesat teorike. Duhet të kuptojmë se këto trajtesa, sado të lodhshme për mendjet apatike, janë të domosdoshme për leximin e një realiteti dhe projektimin e zgjidhjeve që synojnë paqen sociale.
Së pari, kjo do të thotë se shteti i së drejtës synon më shumë që ta çlirojë sferën shpirtërore nga çdo diskriminim, si dhe nga çdo tutelë. Besimtarë, ateistë të ndryshëm dhe agnostikë, efektivisht janë të lirë dhe gëzojnë të drejta të barabarta, ndërsa sfera publike shqetësohet vetëm për promovimin e interesit të përbashkët për të gjithë. Ky është thelbi i të drejtës laike.
Së dyti, kur kjo e drejtë nuk është vendosur ende, ose është në proces e sipër, evokimi i historisë së mendimit dhe historisë politike, është i domosdoshërn për të mos i ripërsëritur gabimet e të tjerëve. Dhunat dhe padrejtësitë e shumta nën emrin e fesë kanë treguar dhe po tregojnë për lidhje të rrezikshmë ndërmjet fesë dhe politikës.
Së treti, njohja e mendimit filozofik, që ka denoncuar persekutimet që janë mbështetur në justifikime nga më të ndryshmet, ndikon në zhvillimin e arsyes për të kundërshtuar dhunën ndaj ndërgjegjes dhe trupit. Por, duhet të ruhemi nga leximi i instrumentalizuar për qëllime dominimi, nga i cili kemi vuajtur më parë. Aspirata laike nuk profilohet si, kritikë e besimeve si të tilla, por si ç’mistifikim të obskurantizmit që bazohet në aleancën teologjiko – politike.
Së katërti, njohja e burimeve filozofike të emancipimit laik bën të mundur paraqitjen e vlerave dhe të parimeve të përpunuara si nga filozofët e ndërgjegjes së lirë dhe të atyre që kanë kërkuar një shoqëri të bazuar mbi drejtësinë. Të mos harrojmë edhe formulën e Shën Agustinit që thoshte se drejtësia është guri themeltar i shoqërisë civile. Larmia e autorëve si dhe bindjet e tyre shpirtërore nxjerrin në pah universalitetin e emancipimit laik.
Së pesti, njohja e mendimit shërben në njohjen e elementeve konceptualë të bazimit laik të shtetit. Aty do të gjenden referencat mbi limitet e shtetit, respektin e sferës private, domosdoshmërinë e ndarjes së autoritetit politik nga ai fetar. Në këtë drejtim, njohja e disa ligjeve, si për shëmbull e ligjit francez të vitit 1905, mund të shërbejë si moment reflektimi.
Së fundi, njohja e kësaj përvoje ka rëndësi për t’u përballur me problemet e kuptimit të laicitetit shkollor që shoqëria jonë nuk mund ti anashkalojë dhe, aq më keq, t’i lërë jashtë vëmendjes. Duhet kuptuar roli i shkollës laike në formimin e qytetarit, kuptimi i neutralitetit fetar të shkollës, si dhe problemi i deontologjisë laike të mësimdhënësve. Në këtë rast, pikënisja duhet të jetë ideja se shkolla, institucion që vjen në jetë dhe mbahet për arsye të vullnetit politik, shërben për të promovuar arsimimin për të gjithë. Të gjithë fëmijët e qytetit, në qoftë se do të përdorim emërtimin e mendimit antik grek, të popullit, në gjuhën moderne, pranohen nga shkolla e republikës, për të cilën nuk ka as të huaj, as persona inferiorë nga fakti i origjinës ose të bindjeve shpirtërore. Ajo që është për të gjithë nuk mund të parcelizohet sikur është e disave.
Në përfundim të kësaj paraqitjeje skematike, do të doja të paraqisja disa drejtime ku mund të përqëndrohet aktiviteti i medias dhe botimeve të ndryshme në lidhje me problematikën fetare. Shkurtimisht këto drejtime mund t’i paraqesim si më poshtë:
1.Trajtimi i problemeve të kuptirnit të jetës shpirtërore dhe pushtetit temporal.
2.Njohja e historisë së zezë të shtypjes teologjiko-politike.
3. Laicizimi i ndërgjegjeve përrnes kritikës së shtypjes, që abuzon me referencat nga doktrinat e shenjta.
4.Njohja e vlerave të idealit laik, sidomos të kuptimit të lirisë së ndërgjegjes.
5.Njohja e parimeve të shtetit të së drejtës dhe sidomos të ndarjes laike.
6.Kuptimi i laicitetit shkollor.
Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe fesë – përvoja europiane
Analiza tradicionale e marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe besimeve fetare na tregon tri modele:
a) Sistemet e bazuara në marrëveshje ose konkordate ndërmjet shtetit dhe besimeve fetare. Si shembull mund të sillet Portugalia, Italia, Spanja dhe Gjermania.
b) Sisteme që karakterizohen nga egzistenca e një Kishe shtetërore, ose të një kishe kombëtare, si rasti i Finlandës, Danimarkës dhe me disa specifika, Anglia, etj.
c) Sistemet ku ekziston ndarja ndërmjet shtetit dhe besimeve fetare, si Franca, Vendet e Ulëta, Belgjika, Irlanda, etj.
Kjo ndarje e vendeve europiane në shtete me konkordate, separatiste dhe që kanë një kishë shtetërore është, si nga pikëpamja kulturore dhe juridike, e vjetëruar dhe për pasojë, nuk mund të përbëjë një model interpretativ të adaptueshëm.
Nga pikëpamja kulturore kjo situatë varet nga një koncepsion i Europës Perëndimore të ndarë në tri pjesë; vendet protestante (që kanë një kishë shtetërore), katolike (konkordatare) dhe laike (të përfaqësuar nga Franca). Si rezultat i shekullarizimit, të përshtatjes katolike, sidomos pas Koncilit të II-të të Vatikanit dhe rishikimit të konceptit të laicitetit (debat që shihet jo vetëm në Francë, por dhe në vende të tjera), këto ndarje e kanë humbur kuptimin e dikurshëm.
Nën një kënd më të ngushtë juridik, kjo ndarje i kushton vëmendje të madhe burimit të të drejtës – konkordatar ose unilateral – që rregullon marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe kishës, si dhe cilësimeve të tyre formale të tillë si prezenca ose mungesa e një kishe shtetërore. Nga ana tjetër, i kushton pak vëmendje përmbajtjes reale të këtyre marrëdhënieve.
Përtej këtyre limiteve epistemologjike, përdorimi i kësaj ndarje shtron edhe një problem tjetër, Ajo nuk mundëson që të formulohet çështja kryesore nëse ka një model europian perëndimor të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe besimeve fetare. Përgjigjja pohuese e kësaj çështje bazohet në konstatimin se ka tre parime të përbashkëta që shfaqen në sistemet juridike të çdo vendi.
A) Mbrojtja e lirive individuale dhe liria e fesë.
Një pjesë e madhe e vendeve të Europës Perëndimore, por dhe e vendeve të Europës Lindore, kanë pranuar nenin 18 të “Paktit mbi të drejtat civile dhe politike”, ose neni 9 i “Konventës europiane për të drejtat e njeriut”. Nga ana tjetër, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë nënshkruar “Kartën e të drejtave themelore”, ku në nenin 10, ka një përmbajtje të ngjashme. Sigurisht formulimet e këtyre neneve nuk janë identike. Kështu, nuk është pa kuptim që një shtet ka nënshkruar njerin ose tjetrin dokument. Por, duke u vendosur në nivelin e modeleve teorike, dallimet ndërmjet këtyre normave nuk janë përcaktuese. Ato përmbajnë një bërthamë qendrore, që synon garantimin e respektimit të lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, si dhe pranimin e të drejtës për të shfaqur, individualisht ose me të tjerë, në publik ose privatisht, fenë ose besimin e vet, duke patur si limite vetëm ato të parashikuara me ligj që janë të domosdoshme për të garantuar disa vlera themelore si rendi publik, shendeti dhe morali publik, të drejtat e tjetrit dhe liritë themelore.
Në qoftë se shikojmë normat kushtetuese të vendeve të Europës Perëndimore, por edhe ato të Europës Lindore, do të shikojmë se ato përmbajnë një dispozitë që garanton lirinë e fesë sipas disa modalitetesh dhe limitesh.
Në këtë nivel mund të thuhet se në Europë ka marrë formë një nocion i unifikuar i lirisë së fesë. Ky nocion i lirisë së fesë nënkupton idenë e përparësisë së ndërgjegjes individuale. Kjo do të thotë se në fushën e fesë, çdo person ka të drejtën që të marrë, në liri të plotë, vendimet që i konsideron të përshtatshme me ndërgjegjen e tij, pa nënkuptuar se një zgjedhje e tillë, do të ketë pasoja negative në planin juridik. Nga ky koncepsion dalin dy pasoja që kanë rëndësi për t’u shpjeguar pasi ndikojnë në çështjen e statusit juridik të Islamit dhe të grupeve të tjera fetare në Europë. Nga njëra anë, si në Europën Perëndimore dhe atë Lindore, po aq ndërmjet katolikëve dhe protestantëve dhe ortodoksëve, apostati, ateisti dhe besimtari i një feje minoritare nuk janë subjekt i asnjë lloj zvogëlimi të të drejtave civile dhe politike – a priori të garantuara për çdo qytetar – për shkak të zgjedhjes fetare dhe të ndërgjegjes. Kjo nënkupton se çdo individ ka jo vetëm të drejtën për të marrë, por edhe atë për të lënë ose ndryshuar fenë.
Nga ana tjetër, liria e fesë duhet të manifestohet në respekt të disa vlerave themelore që neni 9 i Konventës europiane të të drejtave të njeriut i identifikon se i takojnë rendit publik, shëndetit dhe moralit publik, të drejtave dhe lirive të tjetrit. Besimtari i një bashkësie fetare, që do të shkelte këto limite me veprimet e tij, shkrimet ose fjalët, do të ndëshkohet si çdo individ tjetër dhe nuk mund t’i bëjë thirrje ndonjë thënieje të fesë së tij për të mos u ndëshkuar. Këto kufizime të lirisë kanë të bëjnë me manifestimet e një feje dhe jo me përkatësinë në një fe; askush nuk mund të dënohet për të vetmin fakt se bën pjesë në një grup fetar.
B) Inkompetenca e shtetit në çështjet fetare dhe autonomia e konfesioneve fetare.
Kjo e gjen konfirmimin më të qartë, në planin juridik, në pohimin e pavarësisë dhe të autonomisë së konfesioneve fetare. Shpesh ky pohim është futur në kushtetuta si në Gjermani (neni 140), në Itali (neni 8), në Irlandë, (neni 44), shpesh ndodhet në vendimet e gjykatave kushtetuese, si në Hungari. Ky parim ndodhet në të gjitha konkordatet dhe marrëveshjet ndërmjet shteteve dhe konfesioneve fetare si në Spanjë, por edhe në Poloni dhe Kroaci.
Dallimi më i rëndësishëm që mund të shihet ndërmjet shteteve europiane në lidhje me autonominë e konfesioneve fetare dhe të inkompetencës së shteteve në këtë fushë, ka të bëjë me shtrirjen e kësaj autonomie. Në shumë vende, ajo ka të bëjë me aspektin doktrinal, domethënë këto bashkësi kanë të drejtën për të përcaktuar lirisht sistemin e vet të besimit, si dhe aspektin organizativ, pra të kenë strukturën e vet juridike dhe të vetqeverisen. Në vende të tjera kjo autonomi ka të bëjë vetëm me aspektin e parë. Por edhe në vendet e grupit të dytë, që janë ato të Europës Veriore, ku ekziston akoma një sistem shtetëror i kishës ose nacional, duket se pushtetet publike janë më pak të prirur për ndërhyrje në organizimin e brendshëm të kofesioneve fetare edhe kur e kanë mundësinë juridike. Në përgjithësi, autonomia doktrinale dhe organizative kanë prirjen të shfaqen më gjerë.
Nga ky parim rrjedhin disa pasoja të rëndësishme. Më e rëndësishmja lidhet me marzhin e autonomisë organizative dhe doktrinale. Kjo do të thotë se grupet fetare nuk mund të dalin jashtë ligjit për faktin e thjeshtë se doktrina e tyre do të përmbante thënie që do të binin ndesh me normat shtetërore. Për shembull, një mysliman nuk mund të ketë pasoja penale për shkak të një martese poligame. Në një shoqëri demokratike, duhet të bëhet e mundshme mbështetja e idealeve të ndryshme nga ato të shumicës së popullsisë.
Kjo pikë delikate duhet saktësuar, për të shmangur ekuivoke të rrezikshme. Kështu, të predikosh dhunën për të arritur një objektiv, edhe të natyrës fetare, e kapërxen autonominë e pranuar ndaj konfesioneve fetare, pasi bëhet fjalë për një kapërcim të të njejtave rregulla të lojës demokratike, për të cilat bien dakort që të gjithë. Po kështu, në rastin kur vihet në diskutim një e drejtë themelore e personit e garantuar në terma absolute, apo kur predikohet inferioriteti i një race në raport me një tjetër.
C) Bashkëpunimi “selektiv” ndërmjet shtetit dhe besimeve fetare
Në Bashkimin Europian, por dhe më gjerë në bashkësinë europiane, kooperimi ndërmjet shteteve dhe besimeve fetare përbën një rregull dhe jo një përjashtim, Ky bashkëpunim mund të zërë hapësira të ndryshme, të përfshijë aktorë të ndryshëm dhe të realizohet në forma juridike të ndryshme. Ndërkaq, pas përvojës komuniste, në të gjithë Europën ka një sistem kooperimi ndërmjet pushteteve publike dhe grupeve fetare.
Shpesh ky bashkëpunim është selektiv; është i gjerë ku ka një sintoni ndërmjet vlerave që drejtojnë një shoqëri fetare dhe atyre që drejtojnë shoqërinë civile; është më pak e gjerë kur kjo sintoni nuk ekziston.
Megjithatë, pavarësisht larmisë së përvojave, mund të dallohen linjat kryesore të një modeli piramidal që përsëritet, sigurisht në variante të caktuara, në shumë vende të Bashkimit Europian. Në bazë të piramidës ndodhen një grup besimesh fetare, me të cilat bashkëpunimi i shtetit është shumë i kufizuar. Në përgjithësi, ato mund të fitojnë një personalitet juridik sipas formave të parashikuara për shoqatat, domethënë janë të afta për të ushtruar veprime që janë të domosdoshme për ekzistencën e tyre si për shembull, si të marrin dhe të shesin të mira, të marrin donacione dhe të ndërmarrin kontrata. Përgjithësisht ato përfitojnë mbështetje financiare nga ana e shtetit, nuk kanë akses në mjetet e komunikimit masiv dhe nuk mund ta mësojnë doktrinën e tyre në shkolla. Zakonisht, këto grupe fetare i nënshtrohen ligjit të përgjithshëm, domethënë të drejtës së zakonshme që rregullon të gjitha shoqatat.
Një grup i dytë besimesh fetare zë një pozicion më të privilegjuar. Ato marrin mbështetje nga ana e shtetit në formën e përjashtimeve ose lehtësirave fiskale, përfaqësuesit e kultit të tyre mund të kryejnë ceremoni fetare që kanë pasoja civile – të celebrojnë martesa -, parashikohen subvencione për ndërtimin e vendeve të tyre të kultit etj. Në përgjithësi, këto konfesione drejtohen nga norma speciale, të ndryshme nga e drejta e përgjithshme e shoqatave dhe kalimi nga grupi i parë në të dytin përcaktojnë dhe format e regjistrimit, që nënkupton dhe kontrollin e shtetit.
Në nivelin e tretë ekzistojnë konfesione fetare, që gëzojnë një bashkëpunim maksimal nga ana e shtetit. Këtu bëhet fjalë per kishat nacionale ose shtetërore, për kishën katolike në vendet konkordatare, ose për kishën ortodokse në Greqi. Në të gjitha këto raste, ekzistojnë norma specifike që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe një besimi të veçantë.
Ky selektivitet dhe shkallëzim i autonomisë, në Europë, nuk është vendosur pa një kritikë, sepse ato favorizojnë, në praktikë, besimet fetare më të rëndësishme nga pikëpamja e numrit të besimtarëve, të traditës historike dhe të kuptimit social. Kjo kërkon një vëmendje të veçantë, sepse në përgjithësi, këtu bëhet fjalë për një besim fetar, që ekziston për një kohë të gjatë në një vend, që ka një numër të madh besimtarësh dhe është shumë i ndodhur në strukturat sociale dhe ka kontribuar në formësimin e identitetit kulturar dhe social të një populli. Në këtë rast kemi një sintoni me vlerat që i referohet një popull. Duhet theksuar se këtu futemi në një diskutim të pafundëm mbi kuptimin e identiteteve të veçanta dhe integrimin e tyre.
Në këtë perspektivë, modeli europian i marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe fesë mund të konsiderohet si një instrument i dobishëm i integrimit. Kushti i parë është garancia e një hapësire të gjerë të lirisë për të gjitha besimet fetare, përfshirë edhe ato që janë më të reja dhe shumë larg vlerave sociale të pranuara tradicionalisht. Atyre u duhet garantuar një mundësi për mbijetesë, por edhe që të zhvillohen përmes instrumentesh juridike që janë të domosdoshëm për garantimin e lirisë individuale dhe kolektive të fesë, si dhe respektimin e autonomisë së brendshme të grupit fetar. Sigurisht, kjo ndoshta brenda limitesh të karakterit ligjor të sjelIjeve individuale dhe kolektive.
E rëndësishme është që të mbahet një përpjestim i caktuar ndërmjet bashkëpunimit dhe mbështetjes që shtetet u ofrojnë besimeve të ndryshme fetare. Në qoftë se hendeku është shumë i gjerë ndërmjet shtresave të ndryshme të piramidës, jo vetëmn barazia ndërmjet besimeve, por edhe liria individuale e fesë do të kenë pasoja.
Përvoja europiane tregon edhe për rëndësinë që ka garantimi i mobilitetit të besimeve fetare në të gjitha nivelet e piramidës. Modeli europian i marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe fesë dëshmon për karakterin e hapur ndaj ndryshimeve historike. Në këtë kuptim është thelbësore një përputhje ndërmjet realitetit social dhe realitetit juridik për të shmangur çdo çarje traumatike, që mund të shfaqet në qoftë se sistemi i marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe besimeve fetare nuk pasqyron, në mënyrë të ekuilibruar, ndryshimet që kanë ndodhur në panoramën fetare të Europës bashkëkohore. I rëndësishëm është respektimi i parimit të mosdiskriminimit.
Do të doja ta mbyllja këtë referim me një citim të gjatë nga libri “Fjalë të një besimtari” të abatit francez Felicité de Lammenais.
Nga besimi ai nxjerr një mësim humanist: “Kur do t’ju thonë për ata që zotërojnë mbi tokë një fuqi të madhe: “Ja zotërinjtë tuaj”, mos i besoni aspak. Në qoftë se ata janë të drejtë, ata janë shërbëtorët tuaj; në qoftë se nuk janë, ata janë tiranët tuaj…
Në balancën e të drejtës së përjetshme, vullneti juaj peshon më shumë se sa vullneti i mbretërve; sepse janë popujt që bëjnë mbretërit, dhe mbretërit bëhen për popujt dhe popujt nuk bëhen për mbretërit.
Ati qiellor nuk i ka formuar gjymtyrët e fëmijëve me qëllim që ato të thyhen nga hekurat, as shpirtin e tyre që të vdesë për skllavërinë.
Mos e lini veten që të mashtroheni nga fjalët e kota. Shumë do të kërkojnë që t’ju bindin që ju jeni qënie me të vërtetë të lira, sepse ata kanë shkruar mbi një fije letër fjalën liri, dhe do ta afishojnë atë në të gjitha kryqëzimet e rrugëve.
Liria nuk është një pllakatë që lexohet në një qoshe rruge. Ajo është një fuqi e gjallë që ndjehet në vetvete dhe sidomos nga vetvetja, qenia mbrojtëse e vatrës shtëpiake, garancia e të drejtave sociale dhe e para nga këto të drejta.
Shtypësi që mbrohet nën emrin e saj, është më i keqi i shtypësve. Ai bashkon gënjeshtrën me tiraninë dhe me padrejtësinë profanacionin; sepse emri i lirisë është i shenjtë.
Pra, ruajuni nga ata që ju thonë: Liri, Liri, dhe që e shkatërrojnë përmes veprave të tyre. A jeni ju ata që zgjidhni ata që ju qeverisin, që ju urdhërojnë që të bëni atë dhe të mos bëni atë tjetrën, që ju imponojnë të mirat tuaja, industrinë tuaj, punën tuaj? Dhe në qoftë se nuk jeni ju, si jeni ju të lirë?
A mund ta ushtroni kultin tuaj pa shtrëngim, të adhuroni Zotin dhe t’i shërbeni publikisht pa shtrëngim? Dhe në qoftë se ju nuk mund ta bëni këtë, atëherë si mund të jeni të lirë?
A mund të vendosni ju për fëmijët tuaj si e mendoni, t’i besoni atij, që ju pëlqen kujdesin për t’i mësuar dhe për të formuar zakonet e tyre? Dhe në qoftë se ju nuk mund ta beni këtë, atëherë si mund të jeni të lirë?
Zogjtë e qiellit dhe, madje edhe insektet, mblidhen për të bërë bashkarisht atë që asnjë prej tyre nuk do të mund që ta bënte vetëm. A mund të mblidheni ju për t’i trajtuar së bashku interesat tuaja, për të mbrojtur të drejtat tuaja, për të fituar diçka lehtësuese për të këqijat tuaja? Dhe në qoftë se ju nuk mundeni për këtë, atëherë si jeni ju të lirë?”[3]
Në këshillin e ministrave Gizoi këto fjalë i quajti një “kësulë të kuqe mbi kryq”. A ka fjalë më të denja për të mbrojtur ndarjen e pushtetit temporal nga ai spiritual?
[1] Montesquieu, De l’esprit de lois, Flammarion, Paris, 1979, f. 217.
[2] Plagët tona, Dija, 2000, f. 138.
[3] Felicité de Lamennais, Paroles d’un croyant, Pocket, 1998, kreu XX.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Jun 26, 2021 0
Dec 08, 2020 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...