Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jul 15, 2013 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
nga Prof. As. Dr. Gentiana SKURA
Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, Universiteti i Tiranës
Vitet pas shpalljes së pavarësisë për Shqipërinë ishin periudhë e përpjekjeve të rëndësishme për një shtet të pavarur e për formësim të vetëdijes kombëtare shqiptare dhe për përparimin e shoqërisë shqiptare.
Gjatë kësaj periudhe edhe media e shkruar shqiptare pësoi një hov të rëndësishëm, qoftë në larmishmërinë e gazetave dhe revistave, qoftë në tematikën e rëndësishme që paraqiste. Kjo natyrisht do të pasqyrohej edhe në shtypin fetar shqiptar, i cili përkrah shkrimeve me natyrë fetare do ta shihte si detyrë themelore edhe trajtimin e çështjeve të rëndësishme që preknin shoqërinë, duke filluar nga ato ekonomike, sociale, kulturore; trajtesat e shumta rreth reformave të ndërmarra nga qeveria e Mbretit Zog, si dhe ndikimin e tyre në shoqëri, pa lënë më pas dhe përpjekjet për vetëdijësimin kombëtar si dhe harmoninë fetare në vend.
Në këtë punim do të merret në shqyrtim revista “Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Janë shfrytëzuar të dhënat parësore nga hulumtimi i kësaj reviste që nga numri i parë i saj, e deri në 1939, në shtrirje kohore prej 14 vitesh botimi. Vlen të përmendet fakti se përgjatë periudhës deri në mbylljen përfundimtare, komunitetet fetare nëpërmjet botimeve të tyre ngritën në diskutim çështje shumë të rëndësishme e jetike të shoqërisë shqiptare, jo vetëm çështjet e besimit, por po ashtu edhe interpretime shkencore e filozofike, morale dhe etike. Në këtë revistë kanë qenë të pranishëm emrat më të shquar të elitës klerikale, njëkohësisht figura të rëndësishme të filozofisë, sociologjisë, letërsisë, gjuhës shqipe – Hafiz Ali Korça, Nebil Çika, Haki Sharofi, Hasan Tahsini, Ferit Vokopola etj.
“Zani i naltë” filloi botimin në tetor të vitit 1923 me devizën “Revistë fetare, merret edhe me filosofi, moral, literaturë kombëtare, sociologji”. Drejtori i saj, Ismail Maçi në parathënien dhe qëllimin e revistës thekson faktin se botimi i saj u pa si një nevojë e domosdoshme për të bashkuar elementin mysliman shqiptar “i mbetun deri më sot i ndamun e i pa bashkumun në mes të tij”[1]. E ndër pikat kryesore të programit të kësaj reviste do të ishte bashkimi në një trup të fortë e të qëndrueshëm të popullit mysliman shqiptar; sipas statutit me “plotsue vllazinn ndermiet të gjith elementeve në Shqipëri” si dhe “me forcuem edhe themelet e nji politikës së shëndoshë e thjesht kombëtare në Shtetin t’onë”.
Pra që në fillim kjo revistë do të përcaktojë si një nga qëllimet e saj edhe bashkimin e shqiptarëve të çfarëdo feje qofshin për forcimin e identitetit kombëtar dhe shtetit shqiptar.
Në të njëjtin numër do të flitet për Hytbenë e parë[2], e cila pasi ka filluar në gjuhën arabe më pas “gjuha amtare me gjith forcën e saj filloj të përndaj shpresë…”. Më tej myftiu i përgjithshëm në këshillat e tij drejtuar besimtarëve (Këshilli i Naltë, Këshilli Ministruer, shumë deputetën dhe vllazën të Krishterë) do të veçojë “kemi vllazën edhe nji vllazni q’i gjinden në atdhenë tonë të dashtun t’onën qi këjo vllazni jo se asht vetëm me fjalë, po i madhi Zot në “Kur-ani Qerim” këtë vllazni e vërteton e thotë: jo se ishin në kombin e vet me nji fe, po ishin vllazën atdheje. Këjo vllazni asht nji vllazni atdhetare e lypet t’a forcojm e t’a sigurojm”[3]. Siç vihet re Komuniteti Mysliman shqiptar e sheh si një detyrë themelore atdhetarinë, pasi besimtari mysliman nuk mund ta ndajë besimin shpirtëror me atë atdhetar. Po ashtu, dashuria për atdheun shkon dhe me respektin e dashurinë për gjuhën amtare.
Atdheu, gjuha, mirëkuptimi ndërfetar janë pikat kyçe, mbi të cilat mbështetet veprimtaria e Komunitetit Mysliman. “Feja myslimane të shtrëngon ma shumë/Për atdhen e dashur të derthsh gjak si lumë/Feja myslimane mos kurse të thotë/As shpirt as fëmijë fare gjë në botë./Po çkriji të gjitha veç shpëto atdhenë/Se n’atdhet të dashur mund t’a mbash fenë/Gjakun edhe nderin, rracën pasurinë/Mund t’i mprosh po mprojte atdhenë, lirinë… Shqipërija, kombi në lumtëri rroftë.”[4]
Në numrin 9 të qershorit 1924 Hafiz Ali Korça shkruan rreth ndryshimit të shpejtë kombëtar; i këndohet mëmës Shqipëri dhe bijve të saj që “si kush le ta dijë s’ka shqipëtar sot/rënkimet e mëmës t’i durojë dot/mëmë po më duket se çunat e tu/pësimet e tua i shkruan ndër tru/bijtë për ty betohen për ty me u shkri/ndë kto ment ndodhet plak dhe i ri/të mos qe bashkimi a bahej kështu?/të mos qe Bashkimi a vinin këtu?…”. Apo, “Më fetar i saktë shkrihet për atdhenë/Atdheu kuti është feja zhevahiri/Rron në kutit brenda e ruhet floriri/Mos ki turp ahere nga myslimanizma/Me atë ringjallet nacionalisma”[5].
Pothuajse në çdo numër të saj revista “Zani i Naltë” i drejtohet besimtarëve myslimanë, që përveç dashurisë për Zotin të ushqejnë në shpirtin e tyre edhe dashurinë për atdheun, sepse vetëm me një atdhe dhe të bashkuar shqiptarët do jetojnë në harmoni, e nuk do të jenë pjesë e ngatërresave të shumta të kohës.
Megjithatë nëse vërejmë në mënyrë kronologjike konstatohet se prijësit e Komunitetit Mysliman Shqiptar ngrenë probleme themelore patriotike edhe për trojet e aneksuara të Shqipërisë. E pikërisht për këtë i kërkohet qarqeve të huaja evropiane, që të mbajnë qëndrim ndaj plagëve shqiptare. Kështu në lidhje me bombardimin e Serbisë në Drenicë ditën e Kurban Bajramit nëpërmjet poezisë “Vajtimet e atdheut”, Hafiz Ali Korça do të ngrejë pyetjen “Qytetërimi ku është vallë?/përse Europa nuk iu sheh hallë?” e mandej do të vazhdojë se Kosova “M’i madhi krahu i Shqipërisë/M’e madhja çerdhe e trimërisë… vuan e të gjithë shqiptarët duhet të qajnë Kosovën e Çamërinë, “gjëmëzezët”, për të cilët duhet të zgjasin zinë![6] Siç vërehet, revista përpiqet të përcjellë mesazhe kuptimplota për etninë e trojet shqiptare anembanë. Jemi vetëm pak vite nga Konferenca e Londrës, por Komuniteti Mysliman Shqiptar i sheh Kosovën dhe Çamërinë pjesë të pandashme të Shqipërisë.
Vetëdijësimi kombëtar shqiptar do të shprehet fuqishëm sidomos në përkujtimet rreth ditës së pavarësisë. Muaji nëntor do të marrë vlerësimet më të mëdha si muaji më i lartë dhe më i madhërueshmi ndër muajt e tjerë, ai konsiderohet si muaji kur shqiptari nisi të marrë frymë lirisht e nisi “me shiju amëlsinë e vllaznimit të rracës shqiptare”[7]. Komuniteti e kremton ditën e Pavarësisë si ditën më të lumturuar e të dëshiruar të kombit shqiptar dhe simbolin kombëtar, flamurin si “shpresë e nderit, madhëri”, si “shenjë e bukur shum e shtrenjtë”, flamurit që nuk mund t’ia çmosh vlerën e që duhet t`i vijë “rreth e rrotull kufisë/Në Kosovë e Çamëri”[8].
Komuniteti Mysliman kërkon nga besimtarët përgjegjësi të madhe në përpjekjet dhe ndihmesën e madhe për zhvillimin e shtetit shqiptar nëpërmjet reformave të ndërmarra nga Mbreti Zog. Ai i bën thirrje myslimanëve se është detyra e tyre të përmirësojnë ekonominë e vendit. Në një shkrim të janarit 1927 revista i mëshon me forcë “shkundjes nga plogështia” dhe kthimit të vëmendjes ndaj ekonomisë së vendit në mënyrë, që të sigurohen njëherë e mirë nevojat e vendit. Po ashtu revista ngre në vëmendjen e besimtarëve myslimanë shqiptarë se duhet të shohin se ç`po bëjnë popujt e përparuar dhe të qytetëruar e “të ndjekim dhe na gjurmët e tyne në lamije të blerta të përparimit e në fushata të njoma të revolucionit.”[9]
Kjo do të përforcohet sërish më vonë në fjalën e mbajtur nga Mehdi Frashëri në inaugurimin e medresesë në Tiranë[10]. Duke iu referuar reformave të Ataturkut, Mehdi Frashëri do të ngrejë zërin e tij se për Shqipërinë përparimi është shumë më tepër i nevojshëm e i domosdoshëm. Duke ndjerë ndjenjën atdhetare shqiptare Frashëri do të theksonte se shqiptarët janë të rrethuar nga vende që duan t`i zhdukin kështu që, “prandaj përparimi me të shpejtë për ne shqiptarët asht nji nevojë e jetesës; se në këtë botë për të mjeruemit s`ka mëshirë” dhe do të nënvizojë më tej se “Ay popull qi rrëzohet me këmbët e veta, s’ka të drejtë të ankohet”[11]. Duke iu referuar shifrave të popullsisë shqiptare, (1 milion brenda dhe 1 milion i roptuem jashtë vendit), Frashëri thekson se barrën më të madhe të përparimit të Shqipërisë e ka pikërisht elementi mysliman (1 milion e 700 mijë myslimanë, 200 mijë ortodoksë e 100 mijë katolikë), i cili sa “më i shpejtë dhe i fortë të jetë aq më shumë ka shpresë qi të lirohet dhe ay 1 milion tjetër që lëngon n’robnit”[12].
Për revistën “Zani i Naltë” përparimi i kombit nuk duhet të varet nga përngjasimi me “të huajën”, por shqiptarët duhet të mbështeten vetëm tek burimet dhe prodhimet e veta. “Për ne (“Zani i Naltë”) çdo gja duhet të jetë shqiptare; pasqyrim i ekonomisë kombëtare, e cila është në krizë shkaku është se produktin kombëtar po e lufton produkti i huaj e jokombëtar.”[13] Më tej revista vijon, se tregun shqiptar e ka mbërthyer produkti i huaj, ndërsa prodhimi shqiptar nuk shihet me sy. Mania që shqiptarët t`u ngjajnë të huajve nuk bëri gjë tjetër veçse i varfëroi, por rrugën e shpëtimit revista e gjen në propagandën e “Panshqiptarizmës”, dhe e përfundon me “Çdo gja duhet të jetë vetëm shqiptare”[14].
Padashur t`i hyjmë edhe polemikave që revista në fjalë ka ndërmarrë edhe me revista të tjera të këtij lloji ose jo nuk mund të mos theksohet edhe gjuha e fortë ndaj fenomeneve të tilla si politizimit të jetës shqiptare apo dhe qëndrimet ndaj kombit (Ç’detyrë kanë intelektualët?).
Duke analizuar problematikën shoqërore dhe ekonomike në vend theksohet se “shqiptari përpara interesës së naltë t’Atdheut din me ba sakrifica dhe këto sakrifica i ban me vullnet të patundun duke qenë gati me vuajte… Këjo sjellje dëshmon se morali i kombit shqiptar asht i naltë dhe nuk tronditet në dobi t’Atdheut”[15]
Po ashtu “Zani i Naltë” do të mbajë qëndrim edhe për zhvillimin demografik të popullsisë shqiptare dhe këtë do ta lidhë sërish me nevojat dhe të ardhmen e atdheut. Duke u bazuar në Statistikën e 1927-1932 e Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë revista e sheh të nevojshme patjetër organizimin e institucioneve të posaçme, si edhe rishikimin e zakonit të martesës si në Veri ashtu edhe në Jug të vendit, i cili sipas saj është shumë i kushtueshëm e për këtë arsye njerëzit druhen të martohen. Ky zakon për të është i vjetëruar e nuk e le shoqërinë të marrë frymë lirisht, apo të jetë më bashkëkohore. Kanë ardhur kohë të reja e zakonet e martesës i takojnë një të shkuare (nuk mundet që shqiptarët të vazhdojnë të “blejnë” nuset). Po ashtu revista kërkon nga mjekësia, si dhe organizatat intelektuale të propagandojnë në favor të shtimit të popullsisë pasi përndryshe kjo “është krim dhe tradhëti kundër Atdheut e shoqërisë”[16]
Me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë revista do ia kushtojë gjithë hapësirën e saj historisë, traditës, kulturës. Ajo do nënvizojë faktin se Zoti e do Shqipërinë e s`mund ta lërë atë, si dhe të merret nëpër këmbë një popull, i cili zotëron gjuhë, tradita e zakone, një popull që dëshëron të jetojë me nder, një popull, lashtësinë e të cilit e dëshmon bota dhe historia. Shqiptarët i kanë dhënë të kuptojë Botës se “në qoftë se ju preket liria kanë dhënë besën e deri sa të bëhen fli të gjithë ahere mundet me ju prekë liria e tyre!”[17]
Ky do të jetë nga shkrimet më në zë të kësaj reviste ndër vite. Përpos të tjerave revista do ketë në faqet e saj dhe një ekspoze të martirëve myslimanë, të cilët ndër vite kanë luftuar e dhënë jetën për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Ajo iu drejtohet atyre duke theksuar, “Mësoni o burra të pa vdekshëm se sot (martirët e lirisë kombëtare) se, gjith Shqipnia asht ba nji trup i kondesuem dhe sot me nji zemër feston nji të katërtën e shekullit të mëvehtësisë së saj, at çast gëzimi që Juret e lajtit me gjakun dëshmor tuej; se Shqipnia u ba dhe vete drejt Qytetrimit… Krejt ambiciet e maparshme janë zhduk dhe janë zëvendësue me bashkim. Shqiptarët janë të bashkuar dhe dorë për dore ndihmohen për të arrirë shokët e tyre”[18]. Më poshtë revista do të theksojë se këngët patriotike këndohen me forcë e se mbahen si të shenjta – “Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin Shqiptar/Zemërën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr…” ka mbushur zemrën e çdo shqiptari. Kjo krenari e lartë kombëtare do të përçohet me nota të larta sidomos kur i drejtohet Ditës së Pavarësisë, 28 nëntorit të cilës myslimanët i drejtohen “Për ne nuk duhet të ketë çast ma të lumnueshëm se sot që arritëm këtë ditë, e cila dikur dukesh si në harresë!”[19].
Siç u përmend më lartë në këtë numër “Zani i Naltë” rendit një pjesë të emrave të hoxhallarëve më të njohur për kontributin e tyre për pavarësinë e Shqipërisë të renditur sipas prefekturave (43 emra).
Nga gjithë paraqitja e lartpërmendur mund të thuhet se Komuniteti Mysliman ka luajtur një rol të rëndësishëm në vetëdijësimin kombëtar shqiptar. Për të feja dhe kombi janë të pandashëm, një besimtar mysliman nuk mund të jetë i tillë nëse nuk është atdhetar i mirë e nëse kur e lyp nevoja nuk jep jetën për atdheun.
Për intelektualët e shquar, penat e “Zanit të Naltë”, lumturia e vendit dhe kombit janë pavarësia dhe zhvillimi, qytetërimi, të cilat arrihen me dashurinë dhe përkushtimin ndaj atdheut, si dhe me dashurinë mes njëri tjetrit, qofshin myslimanë apo edhe të krishterë. “Zani i Naltë” i drejtohet besimtarëve myslimanë, por jo vetëm, i drejtohet gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve për të dhënë mesazhet e dashurisë dhe paqes, për të dhënë mesazhet e forcimit të dashurisë ndaj vendit dhe kombit shqiptar.
Për këto arsye si përfundim mund të themi se “Zani i Naltë” përgjatë gjithë historisë së botimit të tij, por jo vetëm është një nga kontributet më të çmuara të historisë moderne të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Bibliografia:
Revista “Zani i Naltë” – 1923-1939
Dela Roka, Roko Moroco. Pa vit botimi. Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944. Elena Gjika: Tiranë
Shtojcë
Rreth revistës “Zani i Naltë”:
Fillon botimin në muajin tetor 1923 me drejtor Ismail Maçin dhe vazhdoi deri në nr. 5, Maj 1939.
Me një shkëputje prej 6 muajsh fillon ribotimin në mars të vitit 1925 në shtypshkronjën Mbrothësia të Kristo P. Luarasit në Tiranë, (v. II i botimit).
Numrat 11 dhe 12 të vitit të dytë të botimit nuk janë botuar, rifillon botimin në muajin gusht 1926 në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës” në Shkodër pas një ndërprerjeje prej 8 muajsh. Drejtor sërish Ismail Maçi.
Në vitin e tretë të botimit janë botuar 5 numra.
Ndërpritet sërish në korrik-nëntor 1927.
Nr. 4, Nëntor 1926 – drejtor Shyqyri Miftiu.
Nr. 5, dhjetor 1926 – drejtor Hafiz Isa Domni.
Maj-nëntor 1929 ndërpritet botimi.
1 shtator 1931, Haki Sharofi emërohet drejtor i revistës.
Maj 1939 – numri i fundit.
Shënime
Disa nga titujt më domethënës të shkrimeve për vetëdijësim kombëtar:
Nr. 4, Janar 1924: Hafiz Ali Korça “Myslimanizma dhe nacionalizma”, 105-109.
Nr. 5, Shkurt 1924: Hafiz Ali Korça “Si ishim e si jemi”, 152-158.
Nr. 9, Qershor 1924: Hafiz Ali Korça “Ndryshimi i shpejtë kombëtar”, 272 – 276.
Nr. 12, Dhjetor 1928: Hafiz Ali Korça “Hytbe mbi dashurinë e atdheut”.
Nr. 2, Shkurt 1936: Ejjub Kraja “Paqa, bashkimi kombëtar dhe Islamizma”.
Nr. 12, Dhjetor 1938: “28 nandor fatbardhësia e Shqipnisë”, 363-364.
[1] Nr. 1, V. I, Tetor 1923, Parathënie dhe qëllim, fq. 2.
[2] Bëhet fjalë për hytbenë e Myftiut të përgjithshëm.
[3] Nr. 1, v. I, Tetor 1923, Parathënie dhe qëllim, fq. 2.
[4] Nr. 3, v. I, Dhjetor 1923, Pseudonimi H “Mirë se ke ardhur”, fq.75 .
[5]Nr. 4, v. I, Janar 1924, Hafiz Ali Korça “Myslimanizma dhe nacionalizma”, 105-109.
[6] Nr. 11, v. I, Gusht 1924, Hafiz Ali Korça, “Vajtimet e atdheut”, 349-351.
[7] Nr. 11, v. II, Nëntor 1925, Hafiz Ali Korça, “Ç`asht ky flamur”, fq. 18.
[8] Po aty.
[9] Nr. 7, v. IV, Janar 1927, Sali Vuçiterni “Mbi nevojën e reformave”, fq. 195-207.
[10] Nr. 6, v. VIII, Janar 1932, Fjala e mbajtur e Mehdi Frashërit në inaugurimin e Medresesë, Tiranë.
[11] Po aty, fq. 157.
[12] Po aty.
[13] Nr. 1, v. IX, Shtator 1933, “Detyra e jonë” fq. 16.
[14] Po aty.
[15] Nr. 12, v. IX, Gusht 1934, “Tue kremtue “Festën e Mbretëris Shqiptare” fq. 361.
[16] Nr. 2-3, v. IX, Tetor-Nëntor, 99-102.
[17] Nr. 11, v. XII, Nëntor 1937, “Dy fjalë mbi 25 vjetorin”, fq 322, njëkohësisht kopertina e revistës.
[18] Po aty.
[19] Po aty.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...