Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jul 11, 2013 Zani i Nalte Aktivitete 0
I nderuar Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Selim Muça, i nderuar Myftiu i Kosovës z. Tërnava, i nderuar At Andoni, të nderuar kolegë, pedagogë, studentë.
Promovimet e revistave janë shumë të rëndësishme dhe në radhë të parë janë të rëndësishme sepse ato janë tribuna të mendimit, janë forume shkencore, akademike qofshin ku paralajmërohet se botës intelektuale i hapet një pistë, një perspektivë e re ku do të kontribuohet për çështje të caktuara. Çdo revistë është e domosdoshme në çdo lloj sfere qoftë sepse ajo në radhë të parë krijon një peizazh të plotë me anë të kapjeve, tendencave, ideve fizionominë e një sfere të caktuar, qoftë kjo nga kultura, nga shkenca apo nga filozofia. Në rastin konkret, domethënia e revistës “Zani i Naltë”, si gjest, është i shumëfishtë sepse realizon disa detyra, ndryshe po themi nga revistat e natyrës laike, domethënë intelektuale qofshin, kjo është një përgjigje e asaj nevoje të madhe shpirtërore, ringjallëse që ndjehet në Shqipëri pas një katastrofe gjysmë shekullore vlerash shpirtërore e morale. Dhe ringjallja, siç e dimë ne mirë, vjen pas ndërprerjes së të gjitha lidhjeve të traditave me traditat, të kohërave me kohërat, të brezave me brezat, të çdo lloj konstrukti moral që qe formuar deri atëherë pas një shkatërrimi dhe ploje të llahtarshme që ndodhi në jetën shpirtërore të shqiptarëve gjatë diktaturës komuniste dhe kjo ndodhi fatkeqësisht në një lloj për të gjitha besimet fetare në Shqipëri.
Sigurisht, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, besimtarët myslimanë, patën edhe ata pjesën e rëndë e të hidhur të kësaj ndërprerjeje dhe të përpunimit e shkatërrimit të njeriut me të gjitha metodat që kishte në dispozicion varianti më i keq i marksizmit – stalinizmit. Unë do të thoja që gjesti i parë që duhet të na gëzojë është se ringjallet një traditë vërtetë e lavdishme për tu respektuar, një traditë që hodhi themelet e edukimit shpirtëror, patriotik, intelektual dhe letrar në Shqipëri, siç ishte pra “Zani i Naltë” bashkë me revistat e tjera të këtij komuniteti “Njeriu” apo “Drita Islame”.
Lidhja me traditën e kësaj reviste në radhë të parë nënkupton ringjalljen e saj nga hiri, risjelljen edhe njëherë në vëmendjen tonë në kodin tonë kulturoro – shpirtëror të figurave që qenë edukatorët e parë, qenë pionierët e parë, qenë reformatorët e jetës shpirtërore, arsimore e kulturore në Shqipëri. Ne i dimë kontributet, e shumë prej jush i njihni e i keni lexuar e i keni studiuar, tashmë po bëhet dalëngadalë realitet edhe rikthimi i veprës së tyre për komunikimin me publikun e gjerë, rikthimi i veprës së plotë siç ka qenë me një botim luksoz të Hafiz Ali Korçës, do t’i kemi të gjithë veprat e atyre studiuesve, intelektualëve, përkthyesve siç ka qenë për shembull Ferit Vokopola, apo të teologëve të mirëfilltë sikundër se ka pasur, ne duhet t’i njohim, e kam fjalën të gjitha këto vlera prej të cilave na ndanë dhunshëm për një gjysmë shekulli apo më shumë. Ne duhet të njohim madje edhe përpjekjet për përkthimin e Kur’anit në vitin 1937, një përkthim me një gjuhë të lëvdueshme, me një gjuhë të mrekullueshme nëse s’gaboj nuk ka qenë një përkthim i plotë, por ka qenë një përkthim mbresëlënës me një gegërishte të ëmbël e të lehtë; do të thoja rikthimi i gjithë këtyre vlerave në panteon do të kompaktësonte, do të bënte që dijet tona të lidheshin dhe të shihnin se nga çfarë pike vërtetë intelektuale, tolerante dhe nga çfarë kuote humaniste pati filluar fondamenti, shtrati i edukimit i asaj ngrehine të besimit dhe të edukimit në Shqipëri.
Ne e dimë që sot revistat përmbushin, përveç rrafshit të thjeshtë informativ edhe një njohje të një peizazhi kaleidoskopik, do ta quaja, të jetës së besimtarëve. Realizimi i asaj detyre që quhet teologjike, diskursi teologjik për çështje të ndryshme, sepse sigurisht është e nevojshme që gjithçka të restaurohet dhe të mund të ripërtërihet për të ecur në frymën e kohës, për të pasur një ide të qartë, domethënë jo vetëm të doktrinës së besimit dhe sharteve të tij, por për ta interpretuar atë në një mënyrë, me një taktikë sa më të thjeshtë, të prekshme, të kuptueshme dhe këtë gjë zakonisht e bëjnë revistat përpara se atë ta bëjnë volumet e rëndësishme e bibliotekat e tëra. Në këtë kuptim revista gjithmonë është në pararojë, është lajmëse e asaj çka po ndodh, e asaj tendence të re të mënyrave të ndryshme të studimit por edhe të kërkimit. Informacioni dhe tendenca gjithmonë bëhet e mundur nëpërmjet revistave përpara sesa të studiohet në universitet. Për shembull shumë prej jush edhe kanë studiuar në mënyrë të përqendruar teologjinë, por jo të gjithë shqiptarët, aq më tepër kur sindroma ateiste ka qenë e stimuluar intensivisht, për më shumë se sa gjysmë shekulli, të gjithë kanë nevojë të dinë dhe gjëja më e shpejtë, më e saktë, më e mirë, më e ëmbël dmth. është komunikimi nëpërmjet mediave të specializuara dhe këtë e bëjnë mediat periodike siç është dhe “Zani i Naltë”. Tradita jonë ka qenë e artë, në fakt në të gjitha aspektet vitet ’20, ’30, ’40 kanë qenë kulmi i lulëzimit të revistave si për Komunitetin Mysliman, si për atë Katolik, ndoshta edhe për atë ortodoks për të cilin nuk kam shumë informacion kështu që të më ndjeni, por kulmimi i këtyre mediave, revistave krijoi një sferë të begatë dhe njeriu nuk gjendej përballë një krize identiteti shpirtëror, nuk gjendej përballë dilemave të sotme për shembull. Të gjithë kontribuuan dhe patën një gjë të mrekullueshme përveç edukimit fetar, patën edukimin patriotik. Kjo ka qenë unison për të tre komunitetet çka është edhe për tu marrë shembull.
Ndërsa unë do të thoja që revista “Zani i Naltë”, që siç e përmenda vjen e ringritur nga hiri, duhet të dëshmojë, pavarësisht dy numrave të parë, që është zgjedhur me mjaft strategji përbërja, menyja e revistës, por duhet të na ofrojë në të ardhmen, si një detyrë e një grupi të specializuar por një detyrë mbarë shoqërore për ta informuar atë që s’ka pasur mundësi të njohë sferën, ta lajmërojë dhe të kryejë një funksion edukative nëpërmjet sjelljes në këtë revistë herë pas here të profileve të veçanta të këtyre reformatorëve të edukimit shpirtëror e fetar siç kanë qenë Vehbi Dibra, Hafiz Ali Kraja, Hafiz Ali Korça dhe pafundësisht është një pasuri e madhe që nuk duhet të krijojmë distancë, por duhet t’i risjellim dhe të njihemi me kontributet e tyre, me veprat e tyre jo vetëm fetare por edhe veprat e tyre kulturore, letrare, filozofike të gjitha këto përbëjnë atë vatrën e ngrohtë e të nxehtë të besimit, edukimit, të mendimit dhe të gjitha këto gjëra ka shanse për t’i bërë një revistë për të cilën unë nuk kam pikë diskutimi do ta kryejë misionin e vet, rreth së cilës ofrohen elita më e mirë që tashmë ka pasur kohë të kualifikohet, të studiojë, të njohë risitë jo vetëm doktrinare të Islamit por edhe kulturore. Pra jemi përpara një domosdoshmërie për të luftuar atë situatë të rëndë që na ngeli historikisht në derën tonë pra shkatërrimin e njeriut, rindërtimin nga e para të njeriut me vlera të vërteta, me vlerat morale, estetike, me vlerat e besimit por edhe me shije.
Sfidat e sotme ne i dimë se janë të frikshme herë pas here, një lloj katastrofe e ka përfshirë si gjendje shoqërinë shqiptare nëpërmjet gjesteve që ne informohemi nga media, ato nuk janë veçse simptomat e një krize të thellë identiteti të besimit dhe edukimit moral vetëvrasjet, vrasjet, motivet, ka rënë shumë ulët pikëpamja për jetën e njeriut në veçanti dhe për jetën e njeriut si pjesë e pandashme e shoqërisë, të njeriut si një qenie e naltë që ka një destinacion për të përmbushur jetën e tij, të njeriut si element thelbësor të familjes. Të gjitha këto, dmth. revista “Zani i Naltë” por edhe revista të tjera, të Komunitetit Mysliman, madje dhe të gjitha feve të tjera, duhet që më së pari të ujitet ideja e Zotit, se ka një Zot, se gjërat nuk janë thjesht të rastësishme dhe nuk janë në dorën e njeriut dhe se ne duhet ta meritojmë duke pasur një nderim për rolin e padiskutueshëm të Krijuesit, rolin jo vetëm si Mirëbërës dhe Mëshirues, por si Kurajëdhënës në radhë të parë për të përmbushur detyrat tona thelbësore të paktën në jetën prej tokësori, gjë të cilën unë mendoj se pak nga pak duke krijuar atë traditë, madje duke vazhduar gjatë do ta sjellë mes nesh dhe ne duhet t’i japim asaj kuptim duke kontribuar secili madje duke menduar se si kjo të mund të funksionojë, të bëhet tribunë e vërtetë e mendimit intelektual islam, patriotik, kombëtar por edhe letrar e filozofik. Këtë pjesë unë e kam të veçantë dhe me shumë merak; risjellja qoftë e traditës por edhe kontributi konkret i bashkëkohësve të sotëm dmth. pjesën diskursive, filozofike dhe letrare duhet ta evidentojë sepse e ka pasur shumë mirë gjatë viteve ’30.
Unë shpresoj dhe jam plot besim për këtë ndërmarrje se ky forum, kjo revistë, ky medium intelektual që u konfirmua shumë bindshëm në vitet para Luftës së II-të Botërore, do ta realizojë qëllimin e vet për të qenë vërtetë përcjellëse e “Zanit të Naltë”, e asaj që neve të gjithëve na lartëson.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Sep 18, 2021 0
Jun 18, 2021 0
Jun 16, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...