Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jul 17, 2013 Zani i Nalte Filozofi, Retrospektivë 0
nga Hafiz Ali KRAJA
Po të shfletojmë faqet e historisë së jetës së popujve nuk ndeshemi në asnjë periudhë ku populli të mos ketë qenë i ushqyer me ndjenja fetare. Gjithmonë besimi ka paraqitur një interpretim të ndjenjave shpirtërore të popujve, sepse me të është përmbushur nevoja për besim, sido që të ketë qenë ai; i dërguar nga Qielli ose i shpikur nga njerëzit. Cili është faktori më i spikatur që i ka lidhur popujt në Besim? Vetë besimi, pse ka qenë një shpirtërore e popujve?
Filozofët të cilët lëvizjet e materies ose ato shpirtërore, të shkaktuara në sipërfaqen e dheut i shpjegojnë gjithmonë sipas fakteve besimtare, e përcaktojnë nevojën e besimit për njeriun me këto fjalë: Shpirti është një rruzullim i padukshëm. Kurse ky rruzullim të cilin e shohin sytë tanë është i dobët dhe, në një pjesë të këtij rruzullimi hyn edhe trupi ynë.
Gjendja e shpirtit në trup të njeriut brenda këtij rruzullim të materies, i ngjan zogut të mbyllur në kafaz. Meqë kafazi për zogun është si një banesë e mërzitshme e mërgimit, edhe ky rruzullim material për shpirtin tonë paraqet një banesë krejt të huaj, të errët dhe të mërzitshme. Zogu hidhet, përpiqet e vajton për dëshirë të fluturimit sa më parë ndër lulishtet erëkëndshme prej të cilave më parë është ndarë. Kështu, edhe shpirti dënesë e rënkon për t’u lartësuar në jetën e amshueshme; dëshiron të ngrihet në lumturi të pasosur, të hyjë në Mbretërinë e të Lumit Zot.
Por, shpirti kërkon një mjet për t’u kapur dhe të shkojë deri te kroi i lumturisë: Lyp besimin, sepse vetëm me këtë, me urdhra e premtime të tij, mund ta arrijë qëllimin.
Namazi është miraxhi i mu’minëve, thotë Muhamedi (a.s.), i lavdëruar qoftë emri i tij, ai Pejgamber, i cili në vete i ka plotësuar sekretet hyjnore. Një e vërtetë e pamohueshme në këtë tezën tonë, është se Miraxhi ka qenë një mjet për t’u lartësuar drejtë në Mbretërinë e Amshimit. E ja pra, me këtë arsyetohet pse shpirti ka nevojë për një Besim nëpërmjet të cilit ai ngjitet lart e të hyjë në atë sferë lumturie e drite, të cilës nuk i dihet mbarimi. Por shpirti, këtë mjet vetë nuk e ka gjetur apo krijuar. Shpirti kërkoi mjetin të cilin Zoti e krijoi për t’ia plotësuar atë nevojë për të cilën u përpoq aq shumë.
Se shpirti i njeriut kërkon të besojë, këtë kushdo mund ta provojë në veten e tij, vetëm atëherë kur ta largojë pak veten nga kujtimet e mendimet e paqëllimta të kësaj jete të rrejshme.
Ndodh ndonjëherë që njeriu të jetë i sëmurë, e sëmundja e tij vazhdon. Shpirti nis ngadalë të mërzitet, kërkon të marrë hov kah një jetë tjetër më e flladshme, më ngushëlluese. I sëmuri nuk është në gjendje t’ia ndalojë hovin shpirtit. I vijnë miqtë e të afërmit për t’i folur ndonjë fjalë të mirë e për t’i dhënë gajret në shtrat të sëmundjes; por ai përton të flasë sepse një fuqi, të cilin ai nuk e kupton, ka nisur ta bëjë për vete. Nëse sëmundja vijon, shpirti endet e fluturon porsi një zog në atmosferë të një nate të këndshme. E kush i ndien këto përshtypje të shpirtit? Ai i cili shpirtin e ka zhveshur për pak çaste prej mbulojës së trupit.
Në shumë raste shfaqen këto ndjenja të shpirtit: Një djalosh me zë të këndshëm lartëson kah hapësira e qiellit prej minares së bukur Ezanin që dëshmon për Njësinë e Zotit. Udhëtari i cili është duke kaluar atypari ndalet një herë, shtanget dhe qëndron si të ishte i ngrirë kur dëgjon këtë zë gati hyjnor. Duke u dridhur ky zë nëpër rrezet e ajrit, udhëtari tretet në habi dhe kujtimet e hidhura të këtij shekulli në atë çast i largohen nga mendja. E jo vetëm zëri i myezinit që i bën këto përshtypje udhëtarit, por edhe çdo zë tjetër që është i këndshëm dhe i përmallshëm.
Shumë të ndryshme janë përshtypjet e shpirtit të njeriut. Mjafton që njeriu të jetë në atë gjendje të ketë dobi të dëshirueshme: Një shteti në natë të verës nën qiellin plot me yje, gjithkah freski.. para e prapa sheshe të errëta …atje pak larg një gurrë me një gurgullimë të thekshme. Të gjitha këto pamje, të tëra këto bukuri lëmojnë ndjenjat e shpirtit të njeriut sa të harrojë se ndodhet brenda një rruzullimi të materies. E një zë që nuk dihet prej kah vjen, të zgjon prej kësaj habie, e cila nuk është fryt i imagjinatës së njeriut, por nevojë që njeriu të jetë i ndihmuar e përkrahur nga një fuqi e padukshme.
Këto shembuj i paraqita si fantastikë për ta konstatuar përpjekjen e lidhjeve të shpirtit me atë fuqi të paprekshme, e cila na imponohet në veprimet tona si urdhëra e porosi të Besimit. Besimi e Sheriati kanë për qëllim edhe sigurimin e interesave materiale të njerëzimit. Shoqëria njerëzore nuk është asgjë tjetër veçse një bashkësi e shumë njerëzve që kanë interesa të përbashkëta, kështu që shtylla e kësaj bashkësie interesash është pa dyshim ligji i moralit, të cilit shoqëria njerëzore duhet t’i nënshtrohet, nëse ajo ka për qëllim të jetë e qëndrueshme dhe harmonike. Ky ligj i moralit që e bind plotësisht shoqërinë njerëzore, nuk është gjë tjetër veçse Besimi.
Disa mendjelehtë thonë se Besimi nuk është një nevojë për shoqërinë njerëzore! Sipas arsyes që e shtrojnë këta, shoqëria njerëzore mund të përparojë dhe të zhvillojë një jetë të harmonishme edhe pa Besim!
A thua ku bazohen këta mendjelehtë dhe a mund të jetë e shëndoshë dërrasa nëpër të cilën shkelin? Le ta shpjegojmë: Sipas mendimit të tyre janë tri fuqi të cilat e shpërblejnë ose e dënojnë njeriun atëherë kur ky i respekton ose i kundërshton ligjet e moralit, e ato janë: “Ndërgjegja, Natyra dhe Shoqëria.
Ndërgjegjja – Ai “gëzim” të cilin ne e ndiejmë kur kemi kryer një detyrë apo ajo “pendesë” që na dërmon zemrën kur kemi bërë ndonjë faj, janë shpërblimi ose dënimi që dalin nga ligji i moralit. Mirë, por e vërteta a qëndron kështu? Më së pari, kur një njeriu nuk i flenë në zemër ndjenjat fetare dhe se qysh në fëmijëri nuk është edukuar në frymën fetare, ai nuk është në gjendje të ndiejë as “gëzim” as “pendesë”. Megjithëkëtë, këto nuk mjaftojnë për të qenë i siguruar dhe i fuqishëm ligji moral. Ndër njerëz të egjër nuk mund të ketë “gëzim” ose “pendesë”, të cilat i inspiron morali, ngase jeta dhe veprimet e tyre janë një argument i shëndoshë për këtë, për arsye se tek ata nuk ka ndjenja fetare. Do të ishte çudi që prej njerëzve të egjër, të cilët hanë edhe mishin e njeriut, të kërkohet “gëzim” apo “pendesë”, të cilat burimin e tyre e kanë në ligjin moral. Për këtë arsye, shumë filozofë moralistë kanë ardhur në këtë përfundim: Ndër popuj të egjër nuk ka moral!
Ta zëmë se morali paraqet një rregull ndër popujt e përparuar, dhe një “gëzim” a “pendesë” krijohet nga ndërgjegjja edhe tek afetarët e kësaj shoqërie të qytetëruar. Por, neve a mund të na sigurojnë ithtarët e kësaj teorie se ai “gëzim” e ajo “pendesë” nuk e kanë burimin në ndjenjat fetare me të cilat janë ushqyer ata njerëz në mjedisin e një shoqërie të qytetëruar e fetare? Por, edhe sikur të sigurojnë, a mjaftojnë këto prova për saktësinë dhe vlerën e ligjit moral? “Pendesa” ndryshon sipas ndjenjave të çdo njeriu fajtor. Ndër pjesëtarët e kësaj shoqërie njerëzore të qytetëruar ndeshemi me aso njerëzish që një krim sado të rëndë e cilësojnë një faj të lehtë, përkundër kësaj, takojmë edhe aso njerëz të cilët me dhembshurinë që kanë në zemrat e tyre, fajin më të vogël e zmadhojnë. Neve jemi duke parë se virtytet e “pendesës” janë duke u shuar dita-ditës ndër ato mjedise ku e keqja është bërë zakon, saqë nganjëherë edhe ndeshemi me përbindësha, të cilët ndiejnë një kënaqësi në zemrat e tyre kur duart e tyre i lyejnë me gjak të krijesave siç janë vetë ata. Shumë herë është vërtetuar se njeriu duke u mësuar me të keqen, ka ardhur në atë gjendje sa të mos ndiejë në zemër ose në ndërgjegje të vet asnjë “pendesë” kur prej dorës së tij është kryer ndonjë gjë e keqe apo një krim. Prej kësaj kuptohet se ndër njerëz afetarë “gëzim” dhe “pendesa” nuk mund të shërbejnë si argumente për vlerësimin e ligjit të moralit. Për të qenë ndërgjegjja një argument i fortë (Kuvveti-Muejjide), domosdo lypset që të jetë nën ndikimin e besimit dhe të zgjohet e të aktivizohet për herë nën këtë ndikim.
Natyra– Për këtë, që është argument i dytë dhe i fortë i ligjeve të moralit, thuhet kështu: “Përfundimet e natyrshme që dalin nga virtytet ose veset janë një argument i fortë për ligjin moral, sepse natyra nuk e le pa ndëshkim çdo kundërshtim që i bëhet ligjeve të saj. Prandaj, herët a vonë, ata që janë të dhënë pas veseve kanë për t’u ndeshur me dënimet e ligjeve të natyrës, duke u bërë ky dënim i tyre si një mësim për njerëzit e tjerë. E kështu, vazhdojnë natyralistët, pa nevojën e ndikimit fetar shoqëria njerëzore do t’i nënshtrohet ligjeve të moralit.”
Po, është e vërtetë se natyra nuk e le pa e dënuar veprën me të cilën i bihet ndesh ligjeve të saj. Natyra është hakmarrëse kundër atyre që i shkelin ligjet të cilat ajo i njeh si të vetat. Por, këto ligje kaq të pamëshirshme të natyrës nuk dënojnë imoralitetin; ato janë ligje të veta të asaj natyre hakmarrëse kundër krijesave të pafuqishme: p.sh. hidhet njeriu prej trenit që është duke ecur me shpejtësi të madhe dhe bëhet copë-copë, ose hidhet në det dhe mbytet, ose shkrep kokën për një gur dhe trutë i dalin jashtë, ose hidhet prej së larti dhe vdes. Por, natyra kaq e egër, qëndron indiferente kundër atyre që i cenojnë ligjet e saj morale. Asnjëherë nuk kemi parë që, një djalë që nuk e nderon babain e vet, të jetë i sukulluar në kthetrat e padhembshme të natyrës, ose nj njeri që e mbush barkun me gjellë të shijshme dhe gjithfarësh, kurse para pragut të derës së tij rrin e dridhet një i varfër prej të ftohtit dhe urisë. Ndodh që një pijanec e le jetën ndonjëherë për shkak të alkoolit të tepruar që ka përdorur, po a nuk janë të shumë pijanecët të cilët alkoolin e kanë bërë për vete? Pra, me këtë shihet se as ky argument i fortë, natyra, nuk mundet të sjellë dobi krye në vete.
Shoqëria– Më sipër theksuam se argumenti i tretë i fortë i ligjit të moralit është Shoqëria. Thuhet se çdo individ i cili nderon ligjet morale të një kolektiviteti, të shoqërisë, prej saj korr një shpërblim të merituar, që është gjë e kundërt me rastin kur një tjetër i kundërshton ligjet përmendura, ai ndeshet me dënimin e saj. Pra, çdo individ është i detyruar t’u bindet ligjeve morale. A thua ky pretendim përkon me të vërtetën? Shoqëria, për veprat e tij morale vepruesin a e shpërblen apo e dënon?
Po ta vërejmë e ta shqyrtojmë jetën dhe gjendjen e shoqërive, konstatojmë se asnjë shoqëri në raste të tilla nuk ka dhënë as shpërblim e as dënim. Ndoshta shoqëria kënaqet me mbrojtjen e vet. Sipas mendimeve të filozofëve të jurisprudencës, detyrat morale pa u vënë nën kushtet e duhura shoqërore, i janë lënë secilit individ në vullnet të vet; se përndryshe, vetëm dëshirohet të kryhen këto detyra. Aksioma e pranuar në këtë rast është: “Njeriu nuk i bindet fuqisë përdhunëse të Shoqërisë në kryerjen e detyrave morale si ndaj tij ashtu edhe ndaj njerëzimit. Çdo shoqëri i ka lënë pjesëtarët e saj të lirë në kryerjen e detyrave në fjalë për arsye se çdo ndërhyrje në këtë mes çmohet si një cenim i lirisë personale”.
Jurisprudentët janë të mendimit se një ndërhyrje në detyrat morale të njeriut paraqet një cenim, si u tha më sipër, i lirisë personale, gjë që nuk është e vërtetë. Vërtet, njeriu i zhvillon fuqitë individuale dhe këto i gëzon nën hijen e shoqërisë njerëzore në të cilën jeton, dhe kështu, ndaj interesit që ai ka nga ajo shoqëri, ngarkohet me detyra të ndryshme për t’u ndihmuar pjesëtarëve të shoqërisë. Por zhvillimin e fuqisë individuale ai duhet ta bëjë vetë, edhe pa qenë i detyruar duhet t’u ndihmojë të tjerëve. Po qe i shtrënguar nga shoqëria ta bëjë atë, atëherë ajo ndihmë e humb qëllimin e saj të mirë, dhe nuk i mbetet asnjë vlerë morale. Prej këtyre shpjegimeve kuptohet se shoqëria nuk ka kurrfarë të drejte të ndërhyjë në detyrat thjesht morale të pjesëtarëve të saj. Neve po shohim se fusha e veprimeve të shoqërive është e njëjtë në çdo vend. Nuk është dëgjuar ndonjëherë se shoqëria e ka dënuar ndonjë djalë të pavarur nga i ati i vet për ndonjë shok të pabesë apo për ndonjë kurorëzim të kryer në mënyrë sekrete. Ligjet e shoqërisë kanë parasysh vetëm veprimet në pikëpamje të së drejtës. Por, këto ligje, në të shumtën e herës, janë si rrjeta e peshkut prej ku është punë e lehtë që peshku t’u shpëtojë fijeve të saj. Shumë herë ka dalë në shesh se i kanë shpëtuar kthetrave të ligjit shumë njerëz keqbërës e dredhacak, e përkundrazi, shumë të pafajshëm janë kalbur në burgje. Një gjendje e tillë është krejt e natyrshme, sepse ligjet e shoqërisë ndalojnë apo dënojnë për faje të dukshme, ndërsa në anën tjetër kryhen me mijëra faje larg syrit të policisë. Pra, duke u mbështetur në baza të tilla të kalbëta, si mund të zbatohen ligjet morale në një shoqëri njerëzore?
Thuhet se ligjet morale zënë vendin e duhur në mendimin botëror. Krejt gabim! Dalin njerëz “të zotë” që me dredhitë e veta shumë bukur dinë ta përvetësojnë këtë mendim botëror. Si mund t’i jepet vlera një mendimi të tillë? Një mendim i tillë botëror kurrë nuk mund të japë gjykim për vepra të mira që bëhen tinëz. Pra virtytet më të mira janë ato që sendërtohen në terr pa i marrë vesh askush. Kështu mundemi të mendojmë edhe për vese dhe fëlliqësira, për të cilat mendimi botëror nuk është në dijeni, për arsye se ato paraqiten me shumë mjeshtëri në formën e virtyteve. Shohim shpesh se shumë kriminelë që i bëjnë lajka mendimit botëror me krimet e kryera, zënë pozita të larta. Prej kësaj kuptohet se mendimi botëror në këto raste mund të gënjehet, dhe kështu ai nuk mund të jetë kurrë një shtyllë për qëndrueshmërinë e moralit. Pra, për sigurimin dhe zbatimin e ligjeve morale dhe për mbajtjen e një harmonie në shoqëri, nuk ka tjetër mjet të fuqishëm, shtyllë të shëndoshë, veçse Feja.
Afetarizmi, ndryshe, shpartallon idenë e drejtësisë, për arsye se baza e të gjitha ligjeve është kjo ide. E drejta sendërtohet në marrëdhëniet në mes njerëzve, prandaj, në pikëpamjet të ligjit të moralit, kjo duhet nderuar, përndryshe lind nevoja e përdorimit të forcës. Sipas këtij definicioni që e përmendëm, ideja e drejtësisë mbështetet mbi themelet e shenjta morale. Nuk dyshon askush se “drejtësia”-adaleti, nuk është e shenjtë, për arsye se ky është një virtyt. Prej kësaj rezulton se aty ku morali bie poshtë edhe ideja e drejtësisë e mbështetur në të, bashkë me ligjet, shpartallohet ose me fjalë të tjera, ideja e drejtësisë dhe ligjet e humbin vlerën e tyre të shenjtë, dhe prej tyre mbetet vetëm skeleti. Andaj, është gjë e natyrshme se një rezultat i tillë fik në tërësi idenë e shoqërisë dhe lirisë. Besimi mban rregullimin dhe harmoninë e shoqërisë njerëzore. Shoqëria paraqet një trup, pjesëtarët e të cilit janë në harmoni me atë vend ku respektohen rregullat e moralit. Në pikëpamje morale, kjo harmoni e ka burimin në përbashkësinë e ndjenjave, si fetare ashtu edhe të tjera, të personave që përbëjnë shoqërinë. Po ta heqim Besimin prej mjedisit, kjo harmoni shuhet vetvetiu.
Nëse duke i shpjeguar këto të dhëna duhet t’ia bëjmë vetes një pyetje: Në mesin e njerëzve afetarë a mund të sigurohet një harmoni shoqërore? Po i përgjigjemi kësaj pyetje duke thënë: JO! Një individ afetar do të jetë rob i epsheve të tij, kështu që në rrugën e tij të veprimeve i prin mendjemadhësia, e cila është e kundërta e modestisë, në të cilën mbështetet qëndresa e shoqërisë, ndaj, një shoqëri në të cilën gjenden vetëm afetarët nuk mund të jetë e qëndrueshme. Afetarizmi është një rrezik si për shoqëri ashtu për pjesëtarët e saj që janë afetarë. Besimi, pra, është gurra e cila ia bën të këndshme jetën njeriut dhe i jep atij shpresa për lumturi. Ai që është larg kësaj gurre është fatmjerë dhe sikur t’i zotërojë të gjitha mjetet materiale që i duhen në këtë jetë; ai është i mjerë se i mungojnë ndjenjat e larta morale të cilat do ta bënin atë të lumtur. Në këtë jetë ai nuk ndien ndonjë gëzim shpirtëror dhe kur gjatë shtegut të jetës e trondit ndonjë kob, nuk i gjen vetes tjetër ngushëllim ose rrugë shpëtimi, përpos se t’i japë fund jetës së vet. Sikur edhe t’i ketë të gjitha gëzimet materiale, atë kanë për ta mërzitur shpejt dhe në pleqëri jeta e tij do të paraqesë një barrë të padurueshme. Ose vret veten, ose në këtë jetë sheh me sytë e tij mundimet e skëterrës.
Afetari po të jetë edhe i varfër, bëhet mjerim për shoqërinë njerëzore ku jeton dhe për vetveten. Duke qenë për të gjitha shtigjet e mbyllura, shtigjet e shpresës dhe të ngushëllimit, ai ose vret veten ose do të bëhet autor i ndonjë krimi. Mandej, mjerimet që i sheh një afetar në shoqërinë fetare, për të janë të tmerrshme. Për të nuk ka vlerë kuptimi i virtyteve, të cilat për shoqërinë janë të shenjta, si: dhembshuria, mëshira, njerëzia, bamirësia etj. Të gjitha këto norma etike që janë fryt i Besimit për të nuk paraqesin asgjë. Afetari lavdërohet se i njeh vetëm ligjet e natyrës. Mirëpo, në natyrë nuk vërehet tjetër gjë veçse një rivalitet, një degame e një gjakësie. Në jetën e gjallesave i forti e dëmton të ligun. Secila kafshë, secila bimë ekzistencën e vet e kërkon në dëm të tjetrës. Ata që nuk mund të jetojnë lirojnë vendin atyre që janë të aftë për këtë jetë. Me një fjalë, natyra nuk i shërben kujt, veç jetës individuale. Afetarët e kësaj ideje natyraliste, domosdo, në vend të kolektivitetit do ta marrin atë individualen, kështu që përfundimi i kësaj do të jetë zbritja e njerëzve në natyrë të kafshës. Po t’ua hedhim një sy këtyre studimeve kuptojmë shumë më lehtë përse nuk ndien në zemër kurrfarë përshtypje një anarkist afetar kur me një bombë që e gjuan mund t’i shtrijë përdhe me mijëra vetë. Afetarizmi nuk është vetëm një mjet shkatërrues për veten dhe për shoqërinë, por njëherazi edhe për familjen. Vetëm interesi afetarin e lidhe në familje. Kur ky biznes cenohet ose zhduket fare, natyrisht, atëherë këputen relacionet familjare. Pra, nga kjo shihet se i vetmi faktor për shpëtimin e shoqërisë njerëzore nga një shpartallim është Besimi.
Se Besimi është një nevojë për shoqërinë njerëzore dhe se njerëzit pa Besim nuk mund të jetojnë në formë të shoqërisë që u tregua edhe në manifestimet tragjikomike në kohën e revolucionit të madh francez. Revolucionarët të cilët ndienin një neveritje të thellë ndaj ekstremizmit të priftërinjve, deshën të krijojnë një besim të ri, si bie fjala, “Besimi i Vërtetë”, “Besimi i Qenies së Madhërueshme”, por prapë së fundi, duke u deklaruar në njërën anë për suprimimin e krishterizmit, në anën tjetër ktheheshin në krishterizëm.
Një numër i madh dijetarësh duke vënë re se krishterimi nuk shuan nevojën e Besimit, u çuan të krijojnë besime të reja, si “Besimi Natyror”, “Besimi Mendor”, me çka kishin për qëllim të sigurojnë disiplinë dhe harmoni brenda shoqërive. Kjo nevojë nuk u realizua ngase njerëzimi nuk mund të rrinte pa Besim.
Me të vërtetë, atë ditë që të fiket ideja e Besimit, po atë ditë njerëzimi është plandosur në humnerë të shkatërrimit. Besimi, me një fjalë, paraqet një institucion shoqëror, nën strehë të madhërueshme të të cilit gjen lumturinë njeriu, familja dhe shoqëria.[1]
[1] Marrë nga libri “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, botuar në vitin 1934 nga autori H. Ali Kraja, ribotuar disa herë dhe së fundmi botuar nga KMSH, Tiranë, 2010.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...