Perditësimi i fundit January 23rd, 2021 8:33 PM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • 30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së
  • Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
  • Rëndësia e meditimit në Islam dhe teknikat e meditimit
  • Vëllazërimi dhe barazimi n’islamizëm
  • Abstracts no. 31
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi 0


 nuredin nazarkonga Nuredin Nazarko

Abstrakt

Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë errësimin prej zemërimit kur zbuloi shumën që mungonte. Si do të dilte para atyre që mund të kishte akuzuar, tashmë që e vërteta ishte krejt ndryshe? Sa gjëra do të kishin ndryshuar nga nxitimi i një çasti. Vetëpërmbajtja, durimi dhe sakrifica e zahireve personale për të ruajtur të paprekur drejtësinë i dhanë frytet e tyre. Sa shumë durim na duhet në jetë dhe sa të shumtë janë ata që e kanë humbur. Pasojat janë sheshit dhe vetëm ata që kanë sy e nuk shohin, kanë veshë e nuk dëgjojnë, kanë zemra e nuk kuptojnë, nuk mund t’i shohin, dëgjojnë e kuptojnë.  

 

U çua më herët se zakonisht. Gjumi i natës kishte qenë i sikletshëm. Ishte përpëlitur mjaft për të fjetur. Kishte menduar të pinte ndonjë çaj apo qetësues, por kishte hequr dorë. Çajrat para gjumit nuk i honepste ngaqë ndoshta çdo një apo dy orë do t’i duhej të prishte gjumin. Me qetësuesit donte të qëndronte sa më larg. Nuk e kishte aspak qejf shndërrimin në një pacient të farmaceutikës, të paktën aty ku ishte e mundur. Se në cilën orë e kishte marrë gjumi nuk e kishte kuptuar.

Pasi qëndroi një hop zgjuar, u ngrit përgjysmë dhe hodhi sytë nga dritarja. Qielli ishte i kthjellët. Ndihej i turbulluar kur hapi sytë, por kthjelltësia e qiellit i ndezi zjarrin e shuar nga lodhja e gjumit të sikletshëm. Në horizont përvijohej një brez i kuq, lajmës i diellit që po sillte ditën e re. I hodhi një sy orës.

  • Paskam ende kohë -, tha me vete.

U mbështet mbi brryla, duke e mikluar veten me ngrohtësinë e natës, që ende nuk ishte larguar prej shtratit. Mbylli sytë sikur donte të linte pas sikletin e natës, që sapo e kishte hedhur pas krahëve. Brodhi një copë herë të mirë në hapësirat e imagjinatës. Akrepat vraponin. Tik-taket e tyre e shkundën nga përhumbja. Ndihej presioni i kohës. U ngrit vrulltas. Lau fytyrën. Iu duk se ishte buhavitur pakëz. U ndje më energjik. Vështroi veten në pasqyrë. Pikat e fundit të ujit shkëputeshin nga faqet dhe i bashkëngjiteshin peshqirit që kishte hedhur në sup. I buzëqeshi vetes. Vërejti ngjyrën e verdhë që kishte mbirë mbi dhëmbë. Edhe ngjyrat e veshjeve kishin nisur të humbnin gjallërinë.  E kishte lënë veten disi pasdore, për shkak të rendjes pas angazhimeve të përditshme në mbikqyrjen e punës që drejtonte. I pëlqente të justifikonte veten.  

  • Lehtësohem disi këtë javë. Do i kushtoj më tepër hapësirë vetes. Duhen ribërë disa gjëra nga e para. Punët, përfitimet që vijnë prej saj janë të rëndësishme, por janë shndërruar në mulli që vetëm po na bluan. Po na bluan ditët më të bukura dhe më energjike dhe s’po mundemi ta ndalim gurin e këtij mulliri që s’ka të ngopur me bereqet. Sa e sa herë kam bërë ndërmend ta ndal rrotullimin e këtij guri! Sapo ka qenë gati në të ndalur, më kanë dalë para llogaritë, faturat, kontaktet e reja, qarkullimi i produkteve, përqindjet që fitoj dhe menjëherë guri i mullirit fillon e i shpeshton rrotullimet. Po më thinj ky mekanizëm.

Hëngri shpejt e shpejt mëngjesin që e kishte përgatitur qysh mbrëmjen e kaluar, më shumë duke hyrë e duke dalë sa nga njëra dhomë te tjetra. Kontrolloi çantën e punës. Çdo gjë në vendin e duhur. Nxori dokumentet me të cilët kishte punë atë ditë. I kaloi me kujdes, duke vërejtur çdo detaj. Pasi u bind se çdo gjë ishte në rregull, rivendosi dokumentet në çantë. U vesh me kujdes. Bëri ritualin e zakonshëm, duke u parë në pasqyrë para se të dilte për në punë.

Dielli ndriçonte pjesë-pjesë. Aty ku ndërtesat shumëkatëshe pengonin ngrohtësinë e diellit, ndihej ende e ftohta e natës. Mornicat i përshkonin trupin kur kalonte nën hijen e ndërtesave shumëkatëshe. Lëkura iu mblodh e iu kreshpërua. Rrëshqiti ngadalë rrugës për në punë. Në çdo hap e shoqëronin avujt e brymtë që nxirrte nga mushkëritë e që dukeshin si shtëllunga duhani. Pa e vënë re kishte mbërritur në vendin e punës. Ngjiti shkallët me një frymë. Korridori ishte gjysmë i ndriçuar. Hyri në zyrën që gjendej në katin e dytë të një ndërtese të re. Zyra kishte mjetet më të domosdoshme. Binte në sy një raft i vogël me libra të përzgjedhur me merak të veçantë. Çantën e lëshoi mbi tryezën e punës. U lëshua siç lëshohet një gur, mbi kolltukun e butë. Zyra shihte nga jugu dhe rrezet e diellit i kishin dhënë mjaftueshëm ngrohtësi edhe pse ende ishin momentet e para të paradites. Humbi një copë herë në botën e përfytyrimeve. Zilja e alarmit që vinte prej telefonit mobil ia ndërpreu çastet e magjishme të lirisë së përfytyrimit. Hodhi sytë mbi ekranin e telefonit. Ishte shfaqur lista e punëve që duhej të përfundonte për atë ditë. Parësore kishte kontrollin e faturave dhe likuiditetin me partnerin e vjetër tregtar. Nxori prej çantës faturat dhe i rreshtoi mbi tryezën e punës. Nga vështrimi i shpejtë që kaloi mbi to, mendoi se nuk do të kishte edhe aq shumë punë.

  • Ndoshta sot do të kem më tepër kohë të lirë. Të shoh ç’mund të bëj. Të rri të lexoj? Të dal në kafene? Apo të çelevit këmbët me një shëtitje? Më mirë do të ishte të mbaroja punën më së pari, pasandaj i ç’tensionuar mund të marr një vendim më të qartë.

Këto i thoshte vetes ndërsa kishte filluar të bënte llogaritë e para. Bota e shifrave e përpiu tërësisht. Kishte frikën e ndonjë gabimi nga pavëmendja, gabim që të kushton orë të tëra punë, të një pune të kryer. Mes mbledhjes së shifrave, filxhanit të kafesë dhe pushimeve të vogla, pasdreka e gjeti me rezultatet gati. Mbylli bilancin total të shitjeve. Përllogariti shumën që duhej të depozitonte në llogarinë e partnerit të vjetër tregtar si dhe pjesën që përfitonte vetë nga shitjet e realizuara.  

  • Paratë duhen depozituar sot në llogari. Mund edhe ta shtyj me ndoca ditë. E ç’do të fitoja përveç shqetësimit të vazhdueshëm se mos ndodh ndonjë gjë e papëlqyer me paratë dhe vetëm shtohen andrallat? Jo më kot është thënë, hesap i qëruar punë e mbaruar. E veç këtyre gëzoj dhe tregtarin e vjetër. Ndoshta kjo shumë parash mund të mos ia prishë balancën financiare, por sado pasuri të ketë njeriu, djersën që është e tij, qoftë edhe një pikë e vetme, e do. Dhe s’ka njeri në botë që të të falë qoftë edhe një pikë djersë nëse padrejtësisht ia merr atë. Atëherë, sa më shpejt ta heq këtë gajle, më mirë do të ndihem.

Numëroi paratë gjendje dhe i krahasoi me shifrat e faturave. Një therje zemre i shpoi kraharorin tej e tej. Nuk po u besonte syve. I ktheu e i rrotulloi nëpër duar edhe njëherë faturat. Rinumëroi paratë. Ajo çfarë dëshironte të ishte nuk ishte. U lëshua në kolltuk gati i pafuqishëm, sikur të ishte goditur prej rrymës elektrike.

  • Si mund të mungojnë para? -, belbëzoi, duke e shoqëruar belbëzimin me nxjerrjen e një ofshame që shprehte mërzi dhe vrunduj zemërimi.

Ishte më shumë se i befasuar. Çastet e para të tronditjes ishin të vështira. Ndjeu shqetësimin t’i mbërthente gjithë trupin. Muskujt i fërgëllonin prej nervozizmit. Nervat ishin kreshpëruar. Ende nuk mund dhe nuk donte ta besonte atë që i shfaqej para syve. Nuk donte ta besonte, sepse një fije e venitur shprese endej në zemrën e tij, duke mbajtur gjallë mundësinë e një gabimi njerëzor në përllogaritje.

  • Si është e mundur? Gjithmonë kam qenë i përpiktë dhe korrekt në përllogaritje. Çne që kësaj here ndodhi ndryshe?

E ndërsa brendësia ishte shqetësuar, me duart që i dridheshin mbushi një gotë ujë. Fyti i ishte tharë. Zagushia e zyrës sikur ia merrte frymën. E piu gotën me një frymë. Uji i freskët e solli disi në terezi. Nuk dëshironte t’i humbte ato para. Ishin fryt i lodhjes dhe i djersës së muajve të tërë punë. Si mund t’i humbiste ashtu papritur e pakujtuar?

  • Si është e mundur? Jo! Jo! Nuk dua të jetë e vërtetë ajo që mendoj në këtë çast.

U ul edhe njëherë në tryezën e punës, edhe pse nuk kishte shumë që ishte çuar prej aty. Ribëri llogaritë nga e para. Ripa gjithë faturat. Edhe pse ishte i tensionuar, shpresa se ndokund do të kapte ndonjë gabim që do t’i kthente shumën që mungonte e bëri edhe më të përqëndruar. Pasi djersiti mirë, rezultati doli po njësoj. Shqetësimi i mëparshëm u rikthye edhe më i fortë.

  • Po tani?

I humbi pothuajse fare shpresat. I erdhi t’i përmbyste të gjitha ç’ishin në atë zyrë. T’i thyente, t’i asgjësonte dhe të linte vetëm muret akull të ftohtë në shurdhmemecërinë e tyre.  E vetmja gjë që arriti të bënte ishte përplasja e grushteve mbi tryezën e punës. U përpoq të përmbahej me sa ishte e mundur. Shfryrja e inatit nuk ia kthente në favor situatën. Për t’u qetësuar u ul në kolltuk.

  • Si është e mundur? Kush mund të ketë zgjatur dorën? Kush mund të fshihet pas kësaj dore të fshehtë që më shkaktoi një trazim kaq të fortë, pikërisht kur dukej se punët kishin marrë për mbarë? Kush mund të jetë?

Mbështeti kokën në butësinë e kolltukut. U shtendos i gjithi. Mbylli sytë dhe mori frymë thellë. Pas disa çastesh humbi në të tjera përfytyrime. Dikush tjetër qëndronte përballë tij. Iu lut të qëndronte dhe të dëgjonte shqetësimin që e brente si krimbi pemën. Kishte shumë nevojë ta dëgjonte dikush. Të zbrazej. Të çlirohej. Angështia gati po i merrte frymën. Tjetri përballë qëndroi në heshtje, i palëvizur dhe u bë dëgjuesi për të cilin ai kishte aq shumë nevojë në ato minuta.

  • Rrjedha e jetës nxjerr në breg karaktere që jo se nuk e di se ekzistojnë, por thjesht i ke harruar në ekzistencën e tyre. Është harresa që dalëngadalë krejt pa e hetuar na dërgon në rrjedhën që është e jona, dhe na bën të humbim, të zhytemi në atë lloj bote që e duam dhe e nderojmë thellësisht; të marrim çfarë është haku ynë, pa i hyrë kujt në hak.

Duhet të shfaqet ndonjë tjetër që i ka përzemër djallëzitë që të na zgjojë nga kjo “përgjumje”. Dhe ka jo pak të tillë që as i vërejmë deri në çastin kur indi ynë muskulor ndjen përvëlimin e fortë nga helmi i djallëzisë. Zgjohesh dhe kupton në ç’rrethana gjendesh. Nuk i hidhërohesh helmit. Nuk i mërzitesh as indit që përvëlon prej helmit. Nuk zemërohesh as për dhimbjen, as për vuajtjen. Tjetër gjë bën të të mbërthejë inati dhe të kreshpërohesh si para një beteje vendimtare, për fatin e mëpasshëm.

Pse janë kaq të poshtër një skotë njerëzish? Kushedi sa gëzohen dhe fërkojnë duart kur përveçohen në qymezet e errët, me kulme të kalbura, strehë për akrepat, dhe të mbushur me rrjeta merimangash, për shkopinjtë nën rrota ndaj tjetrit. Pse kanë zili kaq ergërshane për mbrothësinë e tjetrit? Duan si e si  të të dëmtojnë, me çfarë t’u vijë ndoresh, qoftë edhe me një grimcë po të munden. Dhe në fund nuk të mbërthen inati me dëmin, por me mënyrën e të vepruarit. Shpesh merremi me dëmin, duke vajtuar fatkeqësinë, por harrojmë që dëmi është thjesht pasojë dhe për aq sa nuk korrigjohet shkaku, dëmi rivjen po aq herë sa aktivizohet shkaku. Duan të përdorin marifete dhe teknika nga më të ndryshmet që si e si ta bëjnë tjetrin qole dhe kësisoj të shfaqen të rafinuar e stërholluar në zgjuarsinë e tyre.

A është e mundur t’i njohim nga fytyrat e tyre që të dimë se prej djallëzisë së kujt të ruhemi?

Është tmerrësisht e vështirë. Kjo vështirësi vlen për atë pjesë njerëzish që poshtë fytyrave engjëllore në dukje, fshehin zjarrin e djallëzisë. Ka fytyra të tjera djallëzia e të cilave shquhet qartë, për shkak të errësirës së të keqes që u ka dalë në sipërfaqe dhe nuk ka industri makijazhi që ta mbulojë. Skota më e vështirë janë fytyrat engjëllore me shpirt djallëzor. Por edhe këta nuk durojnë dot pa e shfaqur djallëzinë që vlon në kazanin e tyre të brendshëm.

Duhet të ketë një ngjarje, që të ngacmojë nervin e reagimit, për të filluar lëvizjen e putrave dhe nxjerrjen e thonjve apo kthetrave sipas rastit. Nuk duhet harruar se mund të jenë putra të mbuluara me qime të buta si mëndafshi e të bardha si bora. Mund të jenë thonj të ngjyer e zbukuruar për merak. Mund të jenë kthetra të prera e të stiluara kaq bukur saqë hutohesh, shastisesh dhe syri gënjehet. Nëse gënjehet syri, mund të gënjehet mendja, zemra. Pikërisht në këtë çast gracka është gati dhe vetëm kur të vjen krejt befas pickimi djallëzor që të shkund nga përhumbja, tjetërsimi i realitetit apo ëndrrat me një shoqëri njerëzore ku virtytet janë në shkallën më të lartë. Ata që vështrojnë së largu do t’i qajnë hallin të pickuarit, duke e varrosur me analizat e tyre të stërholluara mbushur me përcaktime të llojit, duduk, idiot, budalla, njeri kot, njeri që nuk di të hapë sytë e të mbrojë veten, etj., etj.

Kjo skotë është në karakollin e vet dhe nuk ke si të mendosh se do të dalin prej aty e të të shtrijnë dorën e ndihmës. Helbete njeriu ka nevojë gjithmonë për njerëz që në çaste të caktuara t’i gjenden pranë më shumë sesa në ditët e zakonshme. Është nevojë e brendshme, e pashmangshme. Dora e ndihmës pa kushtëzime është melhem plagësh. Por do të ketë prej kësaj skote që do të fërkojnë duart dhe do të thonë:

  • Sa mirë iu bë! Sa na u bë qejfi! Po si, akoma nuk dha frymë, por shpëtoi? Kush ishte ajo dorë e nëmur që iu gjend pranë e se la të jepte frymë nga helmi djallëzor?

Kësisoj ziejnë brenda kazanit të mllefit e nuk gjejnë kurrsesi ndopak paqe në shpirtin dhe zemrën e tyre mbuluar me retë e errëta të smirës, hasedit e zilisë. Është vështirë t’i njohësh prej fytyrave këta tjerrës dhe endës të pëlhurave që vijnë nga fabrika “Thashethemnaja”. Janë të rafinuar në fshehjen e rrudhave dhe damarëve mbushur me ligësi, hipokrizi, arrogancë, urrejtje, paturpësi, zvetënim. Te disa syresh teknika e makijazhimit shkon përtej çdo përfytyrimi. Janë kaq të selitur në përzierje bimësh e aromash saqë pomadat e dala nga barnatorja e tyre, duhet të jetë më kuruesja me siguri. Dukja mbetet gjithmonë e tillë në këtillësinë e vet. Ajo nuk mund të ndryshojë ontologjiken. Prandaj me të tilla pomada ka vetëm mahisje të plagëve të dhimbjes dhe shërimi nuk duket kund në horizont. Ontologjikja mundet ta ndryshojë dukjen. Por jo të gjithë kanë këllqe për këtë.

Pas bisedës, tjetri u shkri sikur të mos kishte ekzistuar kurrë më parë dhe mbeti sërish vetëm. Përballë tryeza e punës që e cyste t’i jepte përgjigje gjendjes së krijuar.

  • Po tani si do të veproj? Drejt kujt do ta drejtoj dyshimin, akuzën? Mund edhe të dyshoj te çdokush që ka hyrë e ka dalë prej zyre. Mund të dyshoj tek ata që janë më afër, apo diçka më larg. Por dyshimi nuk përbën provë. Nëse do të akuzoja pa prova do të shfryja vetëm zemërimin që më djeg zemrën, por kjo do të më çonte në rrugë pa krye. Madje mund të humbisja shumë prej njerëzve që qëndrojnë afër meje. Durim! Durim dhe vetëpërmbajtje derisa të fashitet e të humbë zemërimi.

Dyshimet duhen provuar me patjetër. Por në rrethanat që gjendem nuk kam asnjë fill ku të kapem. Pa asnjë të dyshuar konkret nuk kam as se si t’i drejtohem organeve përkatëse për këto çështje. Atëherë çfarë duhet të bëj? Gjëja më e drejtë është të hesht. Të hesht dhe shumën që mungon ta paguaj nga ajo pak zahire që kam vendosur mënjanë për ditë të vështira. Kështu ruaj të paprekur miqësinë me tregtarin e vjetër dhe nuk dërrmoj miqësinë me rrethin e njerëzve që i kam më afër. Paskëndaj do punoj më shumë për të zëvendësuar atë çfarë humba.

Duheshin edhe dhjetë ditë që të takonte tregtarin e vjetër. Dhjetë ditë ethesh. Dhjetë ditë për të shuar zjarrin e dyshimeve dhe për të rimarrë energjitë e mpakura. Një pjesë të shumës do t’ia jepte në dorë tregtarit. Kishte marrë me vete zahiretë që duheshin për të plotësuar shumën që mungonte. Ditën që u takua me tregtarin e vjetër, ribënë llogaritë. Gjithë kohën ishte sy e veshë. Tregtari i vjetër bëri edhe zbritjen e një fature që duhej paguar nga një tregtar tjetër. Vështroi ngultas faturën. Nuk po u besonte syve. Shuma e munguar përputhej me shumën e kësaj fature të cilën gabimisht e kishte përfshirë në detyrimet e tij. Përfunduan llogaritë dhe u ndanë të kënaqur nga bashkëpunimi i frytshëm dhe i drejtë.

Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht që nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë errësimin prej zemërimit kur zbuloi shumën që mungonte. Si do të dilte para atyre që mund të kishte akuzuar, tashmë që e vërteta ishte krejt ndryshe? Sa gjëra do të kishin ndryshuar nga nxitimi i një çasti. Vetëpërmbajtja, durimi dhe sakrifica e zahireve personale për të ruajtur të paprekur drejtësinë i dhanë frytet e tyre. Sa shumë durim na duhet në jetë dhe sa të shumtë janë ata që e kanë humbur. Pasojat janë sheshit dhe vetëm ata që kanë sy e nuk shohin, kanë veshë e nuk dëgjojnë, kanë zemra e nuk kuptojnë, nuk mund t’i shohin, dëgjojnë e kuptojnë. 

Share

  • tweet
Në 30 vjetorin e lirisë së besimit Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • 30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së
    30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së

    Jan 23, 2021 0

  • Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
    Misteret e thesarit të Vrapit të...

    Jan 15, 2021 0

  • Rëndësia e meditimit në Islam dhe teknikat e meditimit
    Rëndësia e meditimit në Islam dhe...

    Dec 31, 2020 0

  • Vëllazërimi dhe barazimi n’islamizëm
    Vëllazërimi dhe barazimi...

    Dec 27, 2020 0

Me shumë në këtë kategori
  • Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër
    Ferit Mustafa Vokopola përmes një...

    Oct 26, 2020 0

  • Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
    Historiku i revistave si historishkrim...

    Jul 10, 2020 0

  • Ligjërimi që u bë gurkyç i fetarisë
    Ligjërimi që u bë gurkyç i

    Nov 21, 2019 0

  • “Nji andërr e imja” nga Hafiz Ibrahim Dalliu
    “Nji andërr e imja” nga...

    Feb 04, 2019 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Zhvillohet Simpoziumi i X Ndërfetar “Besimet fetare dhe sfidat e Covid 19”

Zhvillohet Simpoziumi i X Ndërfetar “Besimet fetare dhe sfidat e Covid...

Dec 16, 2020 0

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...
Departamenti i Shkencave Islame, Bedër partner ndërkombëtar në fushën akademike të Dialogut Ndërfetar

Departamenti i Shkencave Islame, Bedër partner...

Aug 11, 2020 0

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë boton librin “Ilmihal për fillestarë”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë boton librin...

Jul 15, 2020 0

Departamenti i Shkencave Islame, BEDËR zhvillon takim online me 7 brezat e diplomuar

Departamenti i Shkencave Islame, BEDËR zhvillon...

May 22, 2020 0

Studime

Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës

Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës

Jan 15, 2021 0

nga Hysen Kobellari  Abstrakt Vetëm përmendja e emrit “Thesar” zgjon te njeriu ndjenja nga më të çuditshmet, nga më interesantet… Veçanërisht kur ndërthuren vlera...
Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit në shoqërinë shqiptare

Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit...

Dec 06, 2020 0

Familja në kontekstin e dinamikave globale

Familja në kontekstin e dinamikave globale

Dec 02, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Gjuhë-letërsi

Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

 nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...
Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare

Historiku i revistave si historishkrim i...

Jul 10, 2020 0

Sociologji

Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit në shoqërinë shqiptare

Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit në shoqërinë

Dec 06, 2020 0

nga Dok. Klodjan Shaqiri[1] Dr. Matilda Likaj Shaqiri[2] Abstrakt Fluksi i të rinjve si një forcë pune jashtë Shqipërisë reflekton me mungesat e dinamizmit të popullsisë dhe...
Shtegdalja midis civilizimeve të mileniumit tonë, nga përplasja në dialog ndërcivilizues

Shtegdalja midis civilizimeve të mileniumit...

May 16, 2019 0

Rëndësia e dialogut ndërfetar në marrëdhëniet ndëretnike të shoqërisë së Maqedonisë

Rëndësia e dialogut ndërfetar në...

Feb 23, 2019 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë Nr. 30

Me te lexuarat

  • 30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së
    30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së

    Jan 23, 2021 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

  • Përshëndetja e kryetarit H. Selim Muça në promovim
    Përshëndetja e kryetarit H. Selim Muça në promovim

    Jul 06, 2013 0

  • nga Prof. Dr. Ferit Duka
    nga Prof. Dr. Ferit Duka

    Jul 06, 2013 0

  • nga Besnik Mustafaj
    nga Besnik Mustafaj

    Jul 08, 2013 0

  • nga Dr. Agron Tufa
    nga Dr. Agron Tufa

    Jul 11, 2013 0

Më të lexuarat

  • 30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së
    30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së

    Jan 23, 2021 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • 30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së
  • Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
  • Rëndësia e meditimit në Islam dhe teknikat e meditimit
  • Vëllazërimi dhe barazimi n’islamizëm
  • Abstracts no. 31

Na ndiqni ne Facebook

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al