Perditësimi i fundit January 15th, 2021 9:48 PM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
  • Rëndësia e meditimit në Islam dhe teknikat e meditimit
  • Vëllazërimi dhe barazimi n’islamizëm
  • Abstracts no. 31
  • Zhvillohet Simpoziumi i X Ndërfetar “Besimet fetare dhe sfidat e Covid 19”
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) II

Jul 08, 2019 Zani i Nalte Histori, Studime 0


syrja-vlora

Syrja bej Vlora

Abstrakt

Libri i Syrja bej Vlorës “Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909)” është një punim enciklopedik me vlera të padiskutueshme për historiografinë shqiptare. Kjo për faktin se: e para, përbën përpjekjen e parë në këtë drejtim, në një kohë kur institucionet tona shkencore nuk ishin themeluar ende, e dyta, informacioni që ofrohet për disa personalitete historike përbën një risi.

Në një shënim të faqes një të dorëshkrimit shqip të këtyre biografive, përkthyesi Jonuz Tafilaj shkruan se ato janë përgatitur si aneks i veprës së Syrja bej Vlorës të përkthyer më parë nga Ali Asllani.[1] Megjithatë, për nga volumi i tyre, këto biografi përbëjnë një libër më vete. Prandaj, duke pasur parasysh se ato nuk janë integruar më parë në asnjë version të librit tashmë të botuar të Syrja bej Vlorës, e sjellim për botim për herë të parë në revistën shkencore “Zani i Naltë”.

Ky dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe, së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe, gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë.[2] Ai ka 78 faqe në osmanisht dhe 120 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve osmane në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi (26 qershor 1963).[3] Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.

Megjithëse ky përkthim në dorëshkrim është në dialektin verior dhe përmbante një sasi të konsiderueshme gabimesh, ne jemi përpjekur që të ndërhyjmë vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Kjo, sepse dialektet, së bashku me përkthimet e realizuara në një periudhë të caktuar, janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe mbajnë vulën e kohës.

Në libër jepen të dhëna mbi personalitetet më të shquar të Shqipërisë së Jugut, e cila, nga pikëpamja administrative, në këtë periudhë, përfshihej në Vilajetin e Janinës. Aty flitet shkurtimisht, e ndonjëherë edhe më gjatë, për formimin, rolin dhe kontributin e emrave të njohur të botës shqiptare. Madje, nuk mungojnë edhe detaje, të cilat, duke pasur parasysh se janë shkruar si pjesë integrale e një libri me kujtime, nuk gjenden në asnjë libër tjetër. Kjo e pasuron dhe e bën më të bukur për lexuesin, por edhe më të vlefshëm si burim historiografik për studiuesit.

Pavarësisht nivelit të përkthimit dhe gabimeve, botimi i këtij libri pjesë-pjesë te “Zani i Naltë” mendojmë se është i nevojshëm. Kjo si homazh për autorin e harruar dhe anatemuar padrejtësisht, për përkthyesin e nderuar, orientalistin Jonuz Tafilaj dhe, në fund, për historiografinë dhe memorialistikën shqiptare. 

Dr. Hasan Bello 

 

II

  1. Timur (Demir) Pasha, Alizoti, prej Gjirokastre, grada Bejlerbej i Rumelisë. Timur Pasha pati një farë kulture simbas kohës e në përpjesëtim me shokët e vet. Kuptonte pak shumë arabisht, persisht dhe shkruante mjaft korrekt. Qe prefekt në Berat, në Prevezë e ndër shumë vende të tjera. Por gjatë kësaj karriere që bani nuk u tregue as fort i shkathët as fort i plogët. Gjithmonë zgjodhi mesin, dhe pat qëllim vetëm si e si me mbajtë për të gjatë kohën e nëpunsit që kishte. Qe i sjellshëm dhe xhentil në fjalë. Pau shumë në jetë e ndodhi ndër shumë punë. Në bisedë qe i drejtë, në marrëdhënie fort vedikatif dhe intrikant, i çveshun prej vetishë të besës. Po t’u ngjit një herë nuk të lëshonte fort kollaj, dhe nuk humbte rastet kur kishte nevojë me t’u lëvyrë. Sillej mirësi ndaj mikut ashtu dhe ndaj anmikut. Qe pjestar i sektit Bektashi. Disa ditë para se vdes ka pa n’ander “hazreti Alinë”, i cili i paska thanë: “çka rrin ma, çou, eja”. Ç’prej kësaj dite Timur Pasha i ashtë kushtue vullnetit të Zotit, dhe pa shti një kafshatë bukë në gojë ka pritë çastin e vdekjes, gati-gati si një vetëvrasës, tue thirrë “O Ali”. Dhe djali i tij i madh Asim beu, kur qe në Gjirokastër hypi në kulm të shpisë, e cila ishte shumë e naltë dhe tue thanë “jardëm Ali, medet “(o Ali ndihmë) u hodh poshtë dhe u ba cop-copë. Timur Pasha pat vdek në Stamboll.

 

  1. Syrja bej, Mehmed Vlora, grada Bala. Kujtimi i emënimit t’atij që shkruen këto rreshta kështu e fillon këtë përshkrim. Syrja Vlora midis këtyre personaliteteve zen një vend vetëm për gradën që gëzoi ndërsa jetëshkrimin e tij e gjeni ndër faqet e mbrame të kësaj monografie. Prandaj, u la djemvet të mij me mbushë letrën e bardhë të jetës s’eme, dhe këtyne e nipavet u jap këto këshilla e t’afërmëve e miqvet iu la këto kujtime:
  • Në mos doni me jetue nën zgjedhë të miqvet t’uj, të farefisit bile dhe të vëllaznve t’uej të njaj nane e të njaj babe ruenu mos u zbuloni këtyne mëshefsinë e zemrës s’uaj dhe qëllimet e tuaja të veçanta.
  • Të jeni të sigurtë se besë e njerëzi s’ka në këtë botë, këto janë relative dhe të lidhuna n’interesa.!! Prej një zemërimi ma të vogël ose prej një refuzimi të një kërkesës s’uaj ma të thjeshtë kjo besë e njerzi thyhet.
  • Nëqoftëse shpresoni me pasë shpërblimin e të mirave që i keni ba kujt të shtyem vetëm e vetëm prej instiktit t’uej fisnik, gaboheni fort; mbeteni përballë një deziluzioni! Nuk them gja tepër në qoftë se pohoj që unë në jetën t’eme u kam pa të keqen atyne që u kam ba mirë. Me të vetmen garantinë t’eme përpara një Sulltani tiran si ç’ishte Abdylhamidi, hyri në seli të naltë njëri ndër vëllaznit e mij; tjetrit vëlla, i hudhun në një skaj të harruem posi një kufomë e kalbun, i shpëtova jetën nëpër aperacione të bam prej mjekësh që gjeta unë. Kap prej këtyne dy vllazënvet e kalo nga i dobëti e deri tek ma i fuqishmi, kujdo që i bana mirë, nuk pashë prej tyne veçse keq!! Këta sa i siguruen vedit një shërbim të naltë, më sollën shpinën; dhe kush i ra ndër kambë Sulltanit me m’internue në Bagdadë, kush u përpoq me hjekë dorë fare pasuninë që kishëm fitue me mundin t’em, në të cilën pasuni pjestova dhe ata tue ba kështu sakrificë, kush doli kundra meje si dëshmitar gënjeshtar ose si shpifës, kush tue përdor gjithfarë falsifikiesh më hangri paret në një kohë që zotnonte miliona, kush akuzoj me spiunazh në favor të hujvet tue shti në punë lloj lloj intrigash me qëllim që me më shue votrën e kush kërkoi mënyrën si e si me u tërheq prej meje që të mos kërkoj shumë prej tyne ndonjë nderë!!
  • Në doni me qenë të qetë, e të sigurtë nga jeta, mundoni me fitue besimin e qeverisë, ma i vogli dyshim i saj ndaj juve ka me ju gatue ma të madhin rrezik t’uejin.
  • Në doni që punët e sjelljet e juaja të mos u ndërlikohen dhe të shpëtoni prej mërzitjes që ju shkaktojnë nëpunsat, të vegjël e të mëdhej, ruenu të mos jeni në detyrim (të mos i hyni borxh) qeverisë.
  • Mos i hyni dorëzanës kërkujt, bash as vëllait t’uej! Ai të cilit i jeni ba dorëzanës, sado i sinqertë që të jetë nuk ka me ça kryet me pague borxhin, dhe vonë a herët ka me gjetë një shkas më keq me jue!! Unë, kujdo që i jam ba darëzanës i kam pa damin. Dhe kur kam dhanë hua, veç që nuk kam marrë paret e mija, por kam humbë edhe miqsinë e atyne që i kujtojshim për miq.
  • Mos merrni hua prej miqsh, as mos u jepni këtyne hua. Të jeni të sigurtë se të dyja rasat kanë me u ba shkak të prishet miqësia.
  • Me miqtë të jeni të sinqertë, ndër hesape të jeni të drejtë. Në kurrgja e n’as një punë mos u shtyeni në tepri.
  • Sa të jetë e mundur ngushticën tuej të mos ja zbuloni tjetrit. Miqt e t’afërt t’uej kur të marrin vesht se ju ndodheni ngusht, ose kanë me u largue prej jush ose kanë me ju sulmue si armiq, tue dijtë se ju jeni të çarmatosun!

“Syrja Vlora”

 

  1. Xhelal Pasha, Merush, prej Narde, grada Mirmiran. Djali i tij,Xhevat beu pat marrë mbiemnin “Merush’’. Pretendonte se kishte një titull noblesë, të mbetun e të trashiguem prej Gazi-Turhan-Bejlerëvet (princa të dinastisë otomane, sh.i.përk.). Xhelat Pasha ka nji krushqi me Abedin Pashë Dinon, dhe nuk mori kurrë nëpunësi në jetën e tij, dhe as që pati ambicie me qenë nëpunës. Jetoi me pasuni të vet, dhe u fërgue, si thuhet në vojin e vet. Qe i mbetë nga kultura dhe jo i shoqnushëm. Njeri i mirë, simpatik, por mizantrop. E bija e tij Safet Hanëmi asht e shoqja e Rasih beut, asht dhandri i Vejsel pashë Dino’s.

 

  1. Xhelaleddin Pasha, Mustafa, Vlora, prej Vlore, grada Bejlerbej. Është djali i Ferid Pashë Vlorës, vëllaut t’em të madh dhe i Refet Hanëmit, së bijës së Adem beut, pari e Libohovës. Lindi në Stamboll më 1886, dhe mbasi mbaroi mësimet fillore në Stamboll shkoi në Paris e në Lozanë për plotsimin e tyne, dhe qe për një kohë sekretar i dytë i Ambasadës osmane në Paris. Në vitin 1912 u ba dhanër i Abas Hilmi Pashës Khedivit të Misirit, dhe me një herë iu dha grada Misir Kapu-Qet’hudasi bashkë me bejlerbej i Rumelisë. Ditën që do t’u bante celebrimi i martesës, ra Edreneja (ndër duer të Bullgarëvet, sh.i.p) dhe dasma u ba e thjeshtë pa kurrfarë pompoziteti e ceremonie. Kur më thirri Xhemal Pasha, Komandant i Stambollit për me më nxjerr jasht Stambollit, numuroj si shkak dënimi edhe këtë rast martese (ba në një ditë fatale për otomanët, kur binte Edreneja ndër duer të armiqvet, sh.i.p) pa mendue se Xhelaledin Pasha s’mund e ndrronte ose pezullonte ditën e martesës me një bi khedivi, dhe provoj me këtë akt se Ittihatçijt janë në gjendje me marrë nëpër kambë çdo të drejtë për hir të mënivet të tyne personale!! Disa ditë më parë se futet në luftë të përgjithshme Perandoria Osmane, Khedivi Abas Hilmi Pasha i bani një vizitë Kryeministrit Said Halim Pashës, i përcjellun prej Qet’hudajt (dhandrit të tij Xhelal Pashës, sh.i.p.) Kur me karrocë po hyjshin në Portë të Naltë, një njeri i mallkuemun, i shtyen tinzarsh prej Ittihatçijvet kriminelë, ndër sy të policvet e të kompanisë ushtarake që qëndronte aty afër, shtin me revolver prej një skaji të Portës kundra Khedivit, plagosi atë në një brinjë, në kambë të dhandrit Xhelal Pashën, që i duel përpara për t’a mbrojtun, tue e lanë këtë çal. Atentatori, siç u ç’pallë ma vonë, qe një nacionalist arab, dhe u vra aty për aty prej policve, për të mos u zbulue organizimi gjaksor i atentatit. Në vitin 1923, e shoqja e Xheladin Pashës, princesha Atije Hanëmi, u arratis nga foleja konjugale, u hodh në rrugë t’epshëvet e t’aventuravet, tue abandonue dy fëmitë. Për këtë shkak, Xheladin Pasha e ndan gruan e vet, la dhe funksionin që kishte si Qet’huda i Misirit. Kjo martesë, mjerisht, që nga fillimi deri në mbarim, qe ogur-zezë për familjen. Xheladin Pasha ishte mjaft i praktikuem ndër gjuhët frëngjisht, anglisht e turqisht. Zotronte virtyte të mira. Por tash s’merret më me ndonjë funkcion zyrtar, tani kujdesin e ka të përqendrum në edukatën e dy fëmivet të vet. Ka një natyrë të butë e zemër të mirë. Rruga e jetesës së tij është krejt e ndershme, ashtu siç asht dhe vetë i ndershëm në jetën sociale.

 

  1. Hasan Pasha, prej Preveze, grada Bejlerbej i Rumelisë. Qe njeri me influencë n’at rreth që patën formue Dinollarët. U ndodh ndër shumë vende si Nënprefekt, brodh poshtë e nalt; qe një pashë i tipit të vjetër që i kishte kanda me ekzagjerue ndër bisedë e kallzime. Kur qe prefekt në Prevezë lajmëroi befas Sarajin Mbretnor se kishte mbjellë ma se njëzet mijë rrajë portokallesh në dy anët e rrugës në mes të Prevezës e Lorosit. Sulltani ia shpërbleu këtë shërbim. Më vonë, kur portokallet mendohej se kanë arrijtë në gjendje me dhanë kokrra, Ministria e Botores dërgoi një nëpunës për me mbledhë produktin, i cili konstatoi se jo ma portokallë me dy anët të rrugës, po në një shesh aty-larg s’kishte kurrfarë druni veç ferravet. Natyrisht këtë gjendje nëpunësi ia kishte raportue autoritetit të vet epëror. Ky marifet i Hasan Pashës, për t’a paraqitë të paqënunën të qenun ishte ba proverbial në gjuhët të popullit, dhe ai vetëm për këtë gja kishte lanë një kujtim të paharrueshëm.

 

  1. Hysejn Pasha Dino, prej Preveze, grada Bejlerbej i Rumelisë. Hysejn Pasha Dino’ja asht i afërm (akreba) i Ahmed aga Dino’s, që njihet si themelues i familjes së “Dinovet”; ashte djali i Ibrahim aga Dinos dhe vëlla prej nane i Vejsel Pashës dhe i Abedin Pashës. Hysejn Pasha ç’faqet para syvet t’anë si një përmendore e ndërtume me materjalin e tepruem t’epokës së feudalizmit. Mban një pozë, e cilasuigeneris asht e vetja prej natyre, dhe duket se don të qëndrojë në shkallën e naltë të të parëvet te tij.Kishte zakon me folë fjalë të mëdha, por këtyne ia kishte pa dënim, aq sa kishte sjellë prej vehte mëninë e urrejtjen e një njeriu si Gani Toptani. Ky i pat hangër bile dhe shumë pare. Megjith këtë, Hysejn Pasha s’hoq dorë nga vesi i tij, dhe gjithmonë mbet po ai që ishte: Fjalë të mëdha, lavde e gaz. Dhe ndër kohën e tij ma të ngusht ai përmendë gjithnjë milionat; por n’anë tjetër s’don t’ia dijë kush në realitet sasinë e cilësinë e pasunisë së tij. Nuk i shporret lehtë një pune që ka kapë në dorë një herë, dhe nuk mërzitet për t’ia dalë në krye qëllimit. Ka qëndrim të fortë dhe asht i zoti me shti ujët në mulli të vet. S’ka ndonjë kulturë të madhe, por ka një inteligjencë të lindun e eksperiencë. Kështu, një herë më thonë se humbi pozitën e naltë morale që kishte në sy të tjervet dhe as një her nuk i ra shpinda për dhe. Grekët e morën nëpër këmbë, iu kërcënuen, e lanë ndër vuejtje e ndër mjerime. Hysejn Pasha as s’u tund, as s’u tremb. Nuk u nda as nga puna as nga Atdheu!. Për me shpëtue prej grekëvet vu përpara tyne si mburojë shtetsinë e tij turke dhe titullin e pashajt që mbante. Gjithë pasurinë e regjistroi si shtetas turk dhe shpresoj se grekët do t’a pranojshin këtë pretendim të tij. Mendonte se në i realizohej kjo dëshirë do të bahej zot i dyzet milion dhrahmivet. Kujtonte se ka gjetë talizmanin e visarvet të tij dhe kështu bante gjumë t’amël!! Hysejn Pasha nuk i jep krah pares ma fort se gjeneroz asht i shtërnguet. I miku i thotë mik armikut armik. Nuk iu përulet kujt, dhe gjithë ambicja e tij asht me u tregue një plak i ri dhe me ba një jetë të patravajë. Asht një plak i lumtun dhe i fuqishëm, pse, si thotë vetë, i kanda me fjetë gjithmonë çift (vet’i dytë).

 

  1. Hysejn Pasha, Vrioni, grada Mirmiran. Është djali i madh i Omer Pashë Vrionit dhe babaj i Mehmed Ali Pashës, i Aziz Pashës dhe i Skënder Beut. I parë kur asht nevoja me ruejtë dinjitetin e vet dhe m’e tregue vehten se kush asht, nuk idhimen paret. Në moshë të vogël tue qenë, me 3 Xhemaziulahar 1237 h (3 shkurt 1822) mori gradën Mirmirane dhe u ba Pashë. Shumë kohë ndej në Berat si prefekt, shtypi tmerrësisht rebelët që çuan krye me rastin e çpalljes së Tanzimatit, dhe u përpoq me revendikue, në mënyrën ma t’egër, gjakun e të vëllait të tij të vogël Jusuf beut që u vra bashkë me disa shokë. Një Kaninas që shtini në dorë, i cili njihej një ndër të pandehunit e këtij krimi, e mori në lagjen e vet ushtarake që kishte ngrehë n’Ujë të Ftoftë, dhe mbasi mori vesht gjithsesi ngjarjen nga goja e tij, e dogji atë në zjarm. Flitet në popull se ky kaninasi mbasi humbi çdo shpresë shpëtimi, mori prej silahlleku (fushëkores) një copë mëlçi dhe tue iu drejtue Hysejn Pashës, i thotë: “Qe kështu e kam ngrën mëlçinë e Jusufit” dhe e kafshon mëlçinë me dhambë, tue mendue se me këtë vepër i shite trimni Pashës.

 

  1. Hifzi Pasha, Janinot, gjeneral brigade. I dalun prej Akademisë Ushtarake u ndodh për një kohë si komandant i artilerisë që ruante fortesën e Çatëllxhas, me gradën gjeneral brigade. Në kohën e Sulltan Hamidit pozita e tij qe e ndritun, kurse në ditët e Ittihatçijve qe e veshkun. Tue mos ra d’akord me partinë shizmatike t’Ittihatçijvet, mënjanoj kahë partia e Antantës dhe Ittihatçijt e ndoqën e s’e lanë të qetë. Në luftën e Ballkanit megjithse u dallue për ndershmëni dhe zotësi ushtarake, si provuen gjith kolegët e tij që pati në komandë, Ittihatçijt prap nuk e falën, dhe por sa qëndroj në fuqi ata e mërzitën me qortimet e tyne. Mbas pushtimit të Janinës dhe mbas mizorivet të padurueshme nën të cilat vuante populli, ai u shtrëngue me emigrue, dhe nga ky shkak ra në një ngushticë ekonomike. Burri i butë dhe i sjellshëm, kapërcej ndër grada të nalta i ri tue qenë, vetëm për hirë të zotësisë së tij. Vetëm se pleqnin e kaloj ndër vuajtje.

 

  1. Kristaq Zografos, prej katundit Erindi, grada Rutbei-Bala. Tue qenë një esnaf i pa shpirtë, u fut ndër ndrëmarrje të dhjetash, u ba i famshëm dhe u pasunue me huanat qu u jepte të mdhanjvet (njerzvet me influencë); fitoj simpatinë e Sulltan Muradit kur ky ishte edhe princ trashëgimtar dhe si hypi në fron ra n’ujdi me dhandrin e Sulltanit, Nuri Pashën, nga i cili mori katër përqind mij lira kundrejt xhevahiresh e sendesh të kushtueshme që i shiti aty për Sulltanin tue mbyllë kështu me këtë shumë borxhet që kishte; dhe mandej u hodh në Paris, tue marrë me vedi pengjet që i kishin lanë borxhlijt. Prej këtyne grabitjevet të vlefshme fitoj një miljon e gjysëm lira dhe kështu mandej u ba zoti i milionavet. Nuk u kthye ma në Stamboll. Zgjodhi si vend banim herë Parisin, herë Athinën. Në shpi e në familje të Zogrofosit flitej shqip; por ai vetë u çvesh prej ndjenjavet kombëtare fare. Me një pjesë të pasunisë së tij ngriti një ndërtesë madhështore n’Athinë, së cilës i dha emënin e vet, derdhi shuma të mëdha të hollash për vepra bamirsie në Greqi, dhe djali i tij Zografosi bashkë me të dhandrin Karepanos i hapën një plagë vendit t’onë. Zografosi i biri punoj për qëllimet greke si prefekt i Gjirokastrës e si delegat i Epirit të Jugut dhe u përpoq fort me shkëputë prej Shqipnie prefekturat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Mbrapa ky me Karapanosin u banë të vetmit shkaktarë të akordit të famshëm të Korfuzit. Karapanos (baba) erdhi në Vlonë dhe qëndroj disa ditë në shpi të Xhafer beut të Selim Pashës, ku kishte ra si mik i Ismail Qemal beu. Në këtë kohë mori nga Pojani tre statuja mermeri që ishin kryevepra artistike të vjetra dhe i nisi për në Greqi nëpër Vjosë me një barkë. Karapanosi qe përkrahë në këtë ndërmarrje prej Ismail Kemal beut e prefektit të Vlonës Ahmed Hilmi Efendi Bendos. Këto tri statuja çmohen sot si vepra të rralla greke dhe mburret Greqia me to. Tue kujtue emnat e Zografosvet, at e bir, këtu kam qëllim me kujtue një rast të hidhun dhe me përmendë me mallkim dy renegatë që mohuen atdheun e vet dhe që i “ranë shqelm të miravet që patën prej mbretnis otomane; se për tjetër s’meritojshin këto të kujtohen. Por këto s’gjetën as në Greqi shpërblimin e tradhëtisë së tyne, aq sa Grekët përbuzën veprën e tyne dhe ua mohuen simpatinë!!

 

  1. Halil Pasha, Ibrahim, Alizoti, prej Gjirokastre, nga Vezirët otomanë. Djali i Demir pashë Alizotit dhe dhandri i vezir Ahmed Rasim Pashës, i cili qe biri i një Jeniçeri dhe martohet me një vajzë greke n’Athinë në kohën e kryengritjes së Moresë. Vdes para se me lanë Athinën ushtria otomane. Ahmed Asim Pasha e mëson ndër shkolla greke të birin dhe e edukon në fenë ortodokse. Kur ky mbrriti në moshën tetëmbëdhjet vjeç, pyet se cili qe i ati i tij. E ama i thotë se një turk dhe i jep një letër turqisht që i kishte pas marë atij para se vdes. Djali merr letrën e shkon në Stamboll, ku takon n’ungjin e vet qe çibukxhi n’Uzunçarshi. Ungji e prêt mirë; dhe djali, tek i cili ndjenjat fetare ishin ma të forta se ato kombëtare, bahet mysliman. Plotëson mësimet në Stamboll, hynë në shërbim të shtetit dhe mbërrin ma në fund me u ba ministër. Halil beu, në Gjirokastër, në Janinë e kudo që qe me punë i atij, kreu mësimet fillore e të mesme dhe në Stamboll hyni në Kryeministri, në zyrën e përkthimevet. Ndër përkthime në turqisht nga frëngjishtja u tregue i zoti, dhe u emënue kryekonsull në Haxhebek në kohën kur u ç’pallë lufta ruso-otomane. Mbas luftës u emënue prefekt në Jenishehir e si ra ky qytet ndër grekë në Serfixhe, e ma mbrapa në gradë bejlerbej i Rumelisë u dërgue në Vilajetin e Vanitsi vali. Mbrapa u trasmetue në Sivas, prej këtu në Bejrut e mandej në Bursa, ku mori dhe titullin e Vezirit. Në një kohë, në saj të miqvet që kishte fitue në Jëlldëz (pallati ku banonte Sulltan Hamdi, sh.i.p.) iu propozua posti i Kryeministrit dhe me dekret mbretnuer u thirrë në Stamboll nga Bursa. Ju dha urdhën t’i paraqitëte Sulltanit një projekt mbi mënyrën e administrimit të mbretënisë, me kusht që të mos dilte nga pallati. Halil Pasha nuk e pritte një provim të tillë, dhe s’kishte një pregatitje kulturore as prespektiva për me qitë në krye këtë punë, për të cilën qe urdhënue. Megjith këtë ai redaktoj këtë projekt, por i kufizoj mendimet e veta vetëm ndër masa që duhej të merreshin me sigurue qetësinë e Sulltanit dhe për këtë propozonte tamam me taktin e një xhandari, nevojën me mbajtë Stambollin nën një kontroll të vazhdueshëm, tue zmadhue kështu rrjetin e spiunazhit dhe tue zbatue dënimet ma të randa kundra atyne që mbajshin pak a shum një qëndrim të dyshimtë. Sulltani kishte çfaqë vetëm kënaqsinë e tij ndaj këto mendime sirkonspekte të Halil Pashës dhe e kishte urdhënue me kthye me një herë në vend të vet, tue i dhanë sihariqin se në rasë nevoje mund t’a sillte në Stamboll si Ministër të Xhandarmërisë. Halil Pasha në vend që të prite të zbresi prej selisë së kryeministrit në këtë post, preferoj ma mirë të kthej në Bursa. Un pata rastin një ditë me e pyet se për ç’nevoj ia kishte shtrue Sulltanit ato mendime, e ai mu gjegj, tue pohue se “për t’u rujtë të mos përdorte as ma të thjeshtën fjalë që jepte aluzione të një trajte regjimi konstitucional”. Halil Pasha pati një natyrë të butë, por ndër funksione të nalta që pati nuk u tregue i zoti dhe u ba vegël e disa materialistëve që e rrethojshin. Disa thonë se qe i fortë në frëngjisht; por kush s’ka pa ndonjë prodhim të pendës së tij. Turqishten e flitte si një xhandarë analfabet, në një idiomë shum të dobët. Kjo provon se nuk ia kishte fort haberin letërsisë otomane. Ishte fatalist dhe i lidhun fanatikisht me bektashizmin. Në çashtje paresh i dinte mirë punët e veta, të varfnit dhe dervishët i ndihmonte shum. Prej të vjehrrit trashgoi një pasuni të madhe. Veç kësaj pat dhe vet një pasuni prej pesëdhjet-gjashtdhjetë mijë lirash, që e la mbas vdekjet. Kur qe në Bejrut u hapi rrugën e emigrimit për n’Amerikë me mija sirjanëve, megjithse emigrimi ishte i ndaluem, dhe la me hye në Siri me qindra-mija armë të ndalueme. Ka shumë asish që e ngarkojnë me këto faje, të cilat vënë në dyshim karakterin e tij të drejtë. Por për deri sa erdhi si vali në Sivas u njoft për ndershmëninë e tij; vetëm këtu akuzohet si në masakara kundra armenvet. Qe mjaft ambicioz për pozita të nalta! Thuhet se kur dëgjoj që u ba vezir Ferid Pasha qau dhe u smue prej nakarit (smirës). Kur qe në Sefixhe u zu me Vexhhi Efendi Libohovën, dhe ky e paditi. Çashtja e këtyne të dyvet preokupojë me vjetë zyrën e Këshillës së Shtetit. Por mbrapa u hynë ndërmjet dhe u pajtuen Pasha me Vexhhi Efendinë. Ç’prej atëherë Halil Pasha filloi të simpatizojë shqiptarët dhe të mbrojë ata me të cilët kishte bashkpunim. Mbas luftës së përgjithshme u dërgue në Paris si delegat pranë Konferencës së Paqit nga Kolonia e Shqiptarëve të Turqisë. Por këtu ma tepër se me mbrojtë interesat kombëtare të shqiptarëve, ngau mbas interesave të veta personale dhe u muer me grindjet e Ittihatçijve. Në Paris qe kundërshtar i delegacionit që u dërgue nga Durrësi. Një dervish e paralajmëroi se do të vdiste në vendlindjen e vet. Dhe me të vërtete, mbas dyzet vjet nostalgjie që pasoi për vendin e vet, në vitin 1923 kthehet në Gjirokastër, ku vdiq e ku u varros, në teqen e Ali Babait.

 

  1. Halil Pasha, Ibrahim, Kolonja, prej Kolonje, gjeneral brigade. Qe djali i tretë dhe ma i vogli i plakut qindvjeçar të Sulejman Haki Pashë Kolonjës. Nana e tij qe e bija e Abdyl bej Selimit, prej Delvine. Mbasi mbaroj mësimet në Liceun mbretnor dhe n’Akademinë Ushtarake plotsoj mësimet për katër vjet me rradhë në Gjermani. Dhëndër i ish-Kryeministrit Ferid Pashës, për hirë të përkrahjes që pati prej tij, në një kohë të shkurtër e në moshë të re mbërriti me pasë gradën e gjeneralit të divizionit. Por mbas adaptimit të ligjit mbi “likuidimin e gradavet” u zbrit nga pashallëku, dhe mbasi punoj do kohë si kolonel në seksionin e Shtat Madhnisë së Përgjithshme, u gradue prap si gjeneral brigade. Kur hypi Sulltan Muhamedi V, dhe Halil Pasha qe n’atë tufë që u dergue me i lajmnue Sovranët e Balltikut për këtë eveniment. Në luftën e kahershme të Balltikut qe kryetar Shtat-madhenie në një armatë tëperëndimit.

Xhavit Pasha, ky armik i famshëm i shqiptarëve, i cili iku nga droja e serbëvet dhe grekëvet ishte midis tepricave të atyne ushtrinavet që u strukën në Berat nga disfata që pësuan. Ky gjeneral gjakpirës që nuk qe ngopë me gjak të derdhun shqiptarësh të pa faj, me një lodër tradhtare desht me i ra Vlonës. Dhe disa mendje-lehtë që kishte afër vedit deshën të bashkohen në veprën kriminale të kësaj bishe. Por në saj të masave t’urta të Ismail Qemal beut u pengua kjo tentativë e mallkueme e Xhavit Pashës. Në këtë projekt të dështum pati rolin e vet efikas dhe Halil Pasha, i cili bindi gjithë komandantët e ushtrisë, tue fillue prej komandantit të madh Ali Riza Pashës për me marrë një qëndrim kundra projektit të Xhelal Pashës dhe me kërkue indirekt një strehim në qeverinë e Vlorës, tue sigurue në këtë mënyrë gjendjen normale të vendit. Prandaj aq sa meriton të çmohet traktati politik që tregoj në këtë rast Ismail Qemal beu aq duhet t’i jemi mirënjoftës dhe Halil Pashës për rolin efikas që luajti në dështimin e këtij projekti mizor të Xhavit Pashës. Në luftën e përgjithshme Halil Pasha qe në Bernë si atashe-ushtarak pranë Ambasadës otomane, dhe, dashtë e padashtë, partizani i Enver Pashës. Halil Pasha asht i zgjut dhe i zoti e njeri me dinjitet. Përveç turqishtes dhe shqipes, njeh dhe frëngjishten e gjermanishten. Rron në Stamboll në pension, larg nga bota. Ban një jetë të rregullt dhe asht egoist. Kuvendtar e i mbatun.

 

  1. Hajredin beu, Leskoviku, grada Rutbei-Bala. Djali i vetëm i Nedim beut. Qe interpret (dragoman) në Kryeministri, e mbas shpalljes së konstitucionit shef-protokolli në Ministri të Jashtme. U tregue i kulturës me mbledhjen e botimin e disa vepravet historike. Zotnon gjuhë të hueja dhe u njoft si një shkrimtar. Rron në Stambollë në një skaj t’Ajostefanosit, i larguem nga travajet e punës. Nuk morri as një herë pjesë në pregatitje e në lëvizje kombëtare, por mbeti gjithmonë një nëpunës otoman. Megjith këtë u njoft për njeri i ndershëm e i zoti, i pajisun me virtyte të mira.

 

  1. Hajredin Pasha, Arsllan Pashalliu, Janinot, grada, Mirmirane. Është nga dera e Arsllan Pashës që sunduen në Janinë djalë mbas djali për katër shekuj me rradhë me tituj vezirësh e me funksione valijsh, nip i Asim beut koh baba e prap nip i Ali Pashë Tepelenës kah nana. Njeri vërtetë fisnik, me vetitë ma të mira që mundet me pasë një njeri. Për shumë kohë qe në Janinë Nufus Nazir (Drejtor i Gjendjes Civile), dhe Drejtor i Pasunivet Shtetnore dhe Prefekt i Gjirokastrës. Punoj në Stamboll dhe aty vdiq në 1327 h (1909). Qe i nderuem e i dashun prej të vetëvet, shumë bemirës e i shkueshëm megjithëse i pa kulturë.

 

  1. Hajri Efendi, Defterdari, Janinot, grada Bala. Qe defterdar ndër shumë vilajete. Ma shum se me mësue me hesape (llogarina), mësoj metodën se si me sigurue interest e veta personale. Njeriu i kohës, i zoti me zbulue sekretet e të tjerëvet, bemirës në dukje. Kur qe defterdar në Hixhaz hyni në Traikat (u ba bektashi). Nuk u muerr me punë kombëtare. Djali i tij Rauf beu, qe martue me Fatime Sulltanën, të bijën e Sulltan Muradit V, e cila pat ngel e ve nga Vasif Pasha; por e ndau ma mbrapa, dhe kështu i shpëtoi grushtit që u dha Gazi Mustafa Qemali, themeluesi i Republikës Turke, gjith pjestarëve të shpisë mbretnore osmane dhe atyne që kishin krushqi me këtë shpi. Nga ky shkak qe përdorë nga qeveria e Republikës si funksionar i Ministrisë së Jashtme.

 

  1. Daviçon Efendi, Davi, Janinot, grada Ula-Evveli. Qe ndër ma të hatrueshmit, ndër çifutët e Janinës, i zoti i punës dhe administrator i mirë. Në të parin Parlament otoman qe deputet, dhe u njoft për aftësinë e tij. Shum kohë qe kryetar i Gjykatores së Tregtisë së Janinës dhe qe i nderuem nga valijt.

 

  1. Dervish Pasha, nga Preveza, grada Bejlerbej i Rumelisë. Kur ke fatin e bardhë me qenë i përkrahun prej një t’afërmi si i ndjeri Abedin Pasha, ç’vlerë kanë virtytet, dekoratat e gradat, Dervish Pasha ishte edhe krushk edhe nip i Abedin Pashës dhe në saj të kësaj afërmënije dy-krahëshe kishte mbërrijtë me pasë gradën Bejlerbej qysh në moshë të re. Se ç’farë kulture e zotësie kishte Dervish Pasha as nuk pyet kush, si dhe un as nuk shoh nevojën me cekë këtë çështje! Ai që shkruan këto rreshta për shtat vjet ka qenë kryetar i komisionit të Doganavet, ku Dervish Pasha ishte anëtar. Por një herë me thanë ky s’erdhi në Komision dhe as nuk u muer me punët në lidhje me funksionin e tij. Një herë, si befas, erdhi në Komision, dhe të tjerët që ishin prezent pyetën se cili ishte ky anëtar!! U muer vesht grada e personi i tij. Ma mbrapa Pasha vjen tek kryetari, dhe mbasi shpjegon shkrimet e meritat e tij, tregon se rroga prej katërmij e pesqind grosh që merrte nuk i dilte, prandaj kërkonte t’i shtohej rroga e mbetun nga vdekja e njanit nga shokët. Mbas përgjigjes që mori, e cila natyrisht qe negative, Pasha iku e nuk u duk ma në zyrë! Nga sjelljet e çuditshme të Dervish Pashës, dikush e merrte për të çmendun dhe dikush e merrte për materialist, njeri që “çka të këputesh prej byrekut të Hasanit, qar (fitim) e ke”, dhe të gjith mbyllshin sytë para gabimeve e hesapeve të tij, tue dijtë përkrahjen morale e materiale që ai kishte prej dajës së vjehrrit të vet Abedin Pashës. Me gjithë këtë, të tana këto thashetheme u ban një andër, një legjendë, pse koha e rrethanat shkrinë pasuninë e të ardhunat dhe pesëmbëdhjetë lirat e verdha të mbetuna trashgim familjes, së Dinojvet. Grekët ia zaptuan gjith pronat kesaj familje dhe e hodhën këtë në mjerimin ma të madh. Por Dervish Pasha vdiq në Stamboll pa e pa me sy këtë mjerim.

 

  1. Zeqerja bej Dino, prej Filati, grada U Senefi-Sani. Vëllai i Abdylvehap Pasha Dinos. Nëpunësija e parë dhe e fundit e tij qe ajo që pati në komision të Doganavet si anëtar. Pat relacione me shqiptarin Tahir Pashë Krajën, Krye-armtar (titull nderi) i Sulltanit dhe kishte kulturë, por ishte me veti të mira. Për çështje kombëtare ishte indiferent, jo inteligjent dhe nuk i kandej me hye në bisedime.

 

  1. Rasih bej Dino, nga Preveza, grada Bala. Djali i Abedin Pashës e një shtyllë e familjes së Dinojvet. I njoftun për kulturën e tij, për zgjuarsinë natyrale e për vetitë e mira. Mori pjesë me shpenzime të veta në Konferencë të Londrës i shtyen nga patriotizmi dhe u përpoq sa i erdhi për dore për të mbrojtun interesat t’ona kombëtare. Pesëmbëdhjet vjet qe antar i Komisionit të Doganavet; i emërum Kryetar i Këshillit të Kontrollit para Konstitucionit, u pushua nga puna me t’ardhmen në fuqi t’Ittihatçivet megjithse i papushueshëm. U orvat me mbrojtë të drejtat e veta, u njoft për zotësi, njifte gjuhë të huaja, njeri simpatik e zemër mirë. Meriton mirënjohjen e kombit për shërbimet që solli për të mbrojtë interesat e veta e të bashkëqytetarvet të tij çamë që ngelën nën mizoritë e grekut. Mbasi në Prevezë pasunia e tij kaloi ndër duer grabitqare të grekut, zgjodhi si vend banimi Adanan për të administrue tokat e shumta që i pat lanë aty trashgim baba i tij. La një kujtim të mirë të paharrueshëm.

 

  1. Rustem Pasha, Jakupagalliu, prej Leskoviku, grada Mirmirane. Në za për pasuninë e madhe që kishte, ndihmonte për sa i vinte për dore shqiptarët që shkojshin e vijshin në Stamboll. Punën e etekun (kindin) që kapte një herë s’e lëshonte ma, dhe s’e kishte për kurrgja me mërzit të tjerët!! Mun për këtë karakter të tij qe qujtë në Stamboll midis të personave të çquem me mbiemnin përbuzës “rriqën”. Megjithse injorant, interesat e veta i dinte fort mirë dhe kishte zotësi në të grumbulluem të pasunivet. Prudent e i matun, por i dhanun së tepri mbas vizitavet. Sesa larg i kishte punët e provoj me suksesin që pati në të shtime në dorë një pasuni ndër rrethe të Sirqexhiut në Stamboll. Por të bijt Vehip e Qani Pasha ia qitën ujit kësaj pasunie që ishte një visar me vlerë të madhe. Megjith këtë për të qenë i paanshëm duhet t’ia kujtojmë një veti të tij të mirë: Ndihmën materiale që i bani Shemseddin Sami beut që përpiqej me hapë një shtypshkronjë. Ashtë për t’u çuditë se të parat porosi që iu dha djemve të vet në shtratin e vdekjes qenë këto: “Jam i sigurt se do t’a shitni pasuninë. Por t’a keni porosi prej meje që trojet e Sirqexhis shitni ma në fund. Mas u ngutni, krejt pasunia është e juaja.” Me gjithë këtë të bijt këto troje i shitën ma të parat dhe pësuen dame të mëdha.

 

  1. Reshid Pasha, Myfti, zade, Janinot, vezir. Prej një familje janinote e njoftun me emnën Myfti-zade. Bir i kësaj familje, Reshid Pasha, u rrit në Stamboll, shërbeu me misione n’Evropë, kohët e fundit qe delegat në Komisionin që nënshkroi traktatin e paqes me Italinë dhe ma në fund Ministër i Jashtëm mbas armisticit. Jo kryenaltë, i shkueshëm me të huej gjithmonë ankues nga gjendja e vet, i mbytun ndër borxhe, dyshues ndaj këdo. Bujar në dukje, por egoist në realitet dhe hipokrit, nuk la një kuptim që të provojë se pati zotsi e takt dhe as ia pa kush të mirën! Kur qe Ministër i Jashtëm, tue marrë për pretekst se nuk u aprovua nga Porta e Naltë indipendenca e Shqipnisë, ua ngatrroj punën shqiptarëvet, dhe megjithse iu kujtue që qeveria kishte pranë vendimet e Konferencës së Londrës ndër të cilët vendime ishte dhe ai i indipendencës së Shqipnisë, ai s’u vu veshin këtyne fjalëvet të drejta, kinse për të provue patriotizmin e tij të tepruem.

 

  1. Rashid Pasha, Kolonja, gjeneral divizioni; nuk kam takue në ndonjë shënim të biografisë së këtij zotnie. Vetëm di se qe shok i pa ndam i Selami Pashë Kolonjës dhe njeri i mirë.

 

  1. Selami Pasha, Ahmed, Kolonja, prej Kolonje gjeneral divizioni. Nga parësi e Kolonjës dhe ndër komandantë në za t’ushtrisë otomane. Mbasi kreu dhe plotësoi mësimet në gjimnazin e Manastirit dhe n’Akademi Ushtarake, doli prej këtu si oficer i Shtat-madhënisë, dhe la kudo emën të mirë në saj të trimërisë dhe t’inteligjencës natyrale që kishte. Bani shërbime të vlefshme në të te shuemen të kryengritjes e të masakrës që shkaktuen banorët e mallkuem t’Otlluk-Koj’it e t`Avret-Aillam-Koj`it në vitin 1877 dhe në luftrat me Rusinë, tue iu çmue shërbimi me gradat e famën që fitoj. Pati simpatinë dhe besimin e gjith ushtarëve dhe të komandarëvet t’ushtrisë dhe kushdo shpresonte prej tij shërbime të mëdhaja. Por pallati mbretnuer nuk e simpatizonte dhe prandaj vetë Sulltani nuk e kishte në sy të mirë personin e tij. Në sa qe n’Edrena midis krenëvet ushtarakë t’Armatës së Dytë, u mbajt nën vërejtje dhe spiunët nuk e lanë të qetë. I fortë fizikisht dhe shpirtërisht, i urtë, prudent, trim e largpamës; punëvet ua mendonte fundin dhe i studionte mirë.

 

  1. Sami bej Shemseddin, Duma, Frashëri, grada Ula-Evveli. Megjith trupin e dobët e shqetsimet e jetesës, Sami beu qe një kolos me zellë e energji që tregoj në të prodhuem të një shumice veprash. Kamusul’aalamin, këtë vepër prej gjashtë vëllimesh e mijë faqesh, vepër e një mendje e erudite që do t`i kushtonte një kohë prej dy vjetvet tue punue bile me një ndamje punësh, ky dijetar i nderuem i mbaroj dhe i botoj mbrenda një vjetë e gjysëm, tue pregatitë ndër tri katër ditë një fashikull. Ndër vepra të tija të botueme janë dikcionarët e mëdhej turqisht-frëngjisht e frëngjisht-turqisht, një dikcionar arabisht i pa mbaruem e tjera. Në vitin 1288 h (1872) shkoi në Stamboll dhe menjëherë hyni në zyrë të shtypit. Pati nëpunësina në xhezairi-Bahri-Sefit (ishujt e Egjesë që ishin nën sundimin otoman, përbënin, të gjith një vilajet, i cili kishte këtë emën. sh.i.për.) e në Tarabullusgarb (Tripoli) dhe ma në fund vdiq në vitin 1881, qe Kryesekretar në Komisionin e Kontrollit Ushtarak të formuem në Saraj mbretnuer. Megjith këtë preokupacion që i jepte kjo punë nuk i preu relacionet që kishte me fletoren e përditshme “Sabah”; s’e kaloj një ditë me thanë kohën kot dhe mbrrijti me botue, veç një të përkohshmes, edhe nja tridhetë vepra të çmueshme. Vepra e tij theatrale “Besa” ku vehen në dukje ndjenjat t’ona kombëtare, një vepër e zgjedhun, asht e njoftun prej gjithëkujt ndër të dyja gjuhet që u botue, në turqisht e në përkthimin shqip. Për me lehtësue dhimbjet prej të cilavet vuante bante injekcion morfini dy herë në ditë me dorë të vet. Dhe në këtë gjendje tue qenë, punonte për ditë rregullisht. Sami beu flinte pak, por ndëgjuesin e magjepste me kulturën e tij. Larg thanethashavet, gjithë dashunia e tij ishte te kultura. Në jetën e tij një herë me thanë s’i prishi zemrën kujt dhe s’tha një fjalë të keqe për kënd. Martesën e tij me të vejën e të vëllait të vet të madh Abdyl beut, të cilin e kishte në kambë të babës e shiquen bota me një sy turpi, sepse ishte në kundërshtim me zakonet t’ona kombëtare dhe e dënuen veprën e tij si imorale. Abdyl beu me këtë zojë pati djalin Mid`hatin e vajzën Emine Hanëmin. Kjo është një çashtje ndërgjeje dhe që e dënon relativish, mirë a keq, publiku. Por un se vë në balancë këtë ngjarje për ta dënue si turp, mbasi nuk shof nevojë me pakue aspak nderimin e veçantë që kam për Sami bejnë. Në sy t’anë ai mbetet gjithnjë simboli e mishërimi i një ndershmëriee dhe personi i tij qe i mveshun prej të tanë virtyteve. Në fjalë e në pendë qe i matun dhe me sjelljet e tija tërhiqte nderimin e dashurinë e gjithkujtë. Megjith famën e dinjitetin që kishte dhe i zoti me hypë në ma të naltën zyrë, sepse qe i lirë me kërkue çka të dëshironte prej Sulltanit, nuk adhuroi pozita dhe nuk iu përul kërkujt. Vdiq në Stamboll, tue lanë mbas vedi një emën të pavdekshëm në veprat e tij, që s’kanë me marrë mort kurrë. Lindi në Frashër në 1850. Në Janinë mësoi shkencat orientale dhe në shkollën greke Zosimea xuni frëngjishten, greqishten e italishten.

 

  1. Selim Pasha, Tepedelenli-Zade (i biri i tepelenasit), Sirri Vezir. Kur Çerkez Reshit Pasha i cili për njëzet e pesë vjet rresht ra si një rrufe qiellore dhe mbi Shqipni shpartalloi shpitë e vjetra dhe nxorri dekretin e vrasjes së Mustafa Pashë Shkodranit me qellim për t’i zaptue pasunitë, qe prefekt në Kutahja, këtu qenë internue Veli Pasha bashkë me djalin e vet të madh Mehmed Pasha, dhe këta ishin kinse të sigurtë për jetën e tyne, tue besue në pseudo-drejtësinë e Çerkes Reshid Pashës. Por ky i vrau të dy, xheladi i pa shpirtë ia fali jetën vetëm Selim Pashës, mbasi ky ishte ende i ri. Selim Sirri Pasha mbas pesë vjetëvet mori pjesë në shpartallimin e Jeniçerëvet, dhe atëherë tue marrë titullin “Haxhegjani divini humajune” u emënue në roje të portës afër Dikili-Tashit. Mbrapa dalë-kadalë u njit ndër pozita të nalta, dhe prej Nënprefekturës s’Ajvallëkut, në muajin Ramazan të vitit 1820 u ba vezir bashkë me të vëllain e vet të vogël Ismail Rahim Pashën, dhe ai vetë, Selim Pasha u emënue rojtar i Beligradit. Sulltan Abdylmexhidi desht të tregonte një simpati kundra pjestarvet të kësaj familjeje që u masakrue prej Sulltan Mahmudit, dhe për t’a dëshmuar këtë simpati i ktheu një pjesë të vogël të pasunivet të konfiskueme dhe i lidhi rrogë. Por Selim Pasha s’e harroi kurrë epopenë e tragjedisë së familjes së vet dhe mjerimi qe shok i tij i pandamë. Prej zemrës së tij s’u shlye asnjë herë ndjenja e urrejtjes së trashigueme ndaj shtetit otoman. Thonte se nuk asht për t’u besue otomanëvet. Nënprefekt në Qesendre. Aso kohe një çetë hajdutësh kishte grabitë e çue në mal një grup anglezësh që bajshin një shëtitje në vilajetin e Selanikut. Sirri beu kishte ndjekë e kapë këto hajdutë, dhe si shpërblim të këtij shërbimi ishte emënue nënprefekt i qendrës së Selanikut. Kishte fitue besimin e simpatinë e valiut Hasan Fehmi Pashës. Veç kësaj simpatie ai u njoft dhe me krenët e Ittihatçijvet, tue sigurue simpatinë e besimin dhe të këtyne. Kur qe Prefekt në Serez iu provue dhe ma tepër zotësia, prandaj me gradim u dërgue prefekt në Ballëkesir. Me rastin, e zgjedhjevet të deputetvet, vuni kandidaturën në prefekturën e Ballëkesirit, pa dhanë dorëheqjen si e donte rregulli; dhe doli deputet, por krenët e Sheref-Sokakut (emni i rrugës ku kishte qendrën partia e Xhan-Turqvet “Ittihad-ve-Terakki” (“Bashkim e Përparim”, sh.i.përk) nuk ia pranuen këtë mandatë të popullit. Kështu u kthye në Selanik, jo ma si funksionar shteti, por në punë të vet private. Sirri beu asht një administrator i zoti, i ndershëm e patriot, kryenaltë, këmbëngulës në mendimet e tija, aktiv në punë dhe i fortë n’arsyetim sa me bindë adversarin. Grekët ia grabitën pasuninë si këtij ashtu dhe të vjehrrit Qani pashës, prandaj përpiqet në Selanik për të mujtë m’e shpëtue. Sot vuen ekonomikisht megjithse dikur i pasun.

 

  1. Selim Pashë Vlora, Sirri, prej Vlore, grada Mirmirane. Idhnak në punë, vullnet-fortë e trim. Prefekt në Gjirokastër e në Berat, dhe një kohë të gjatë në Vlonë. Këtu rivendosi qetësinë e prishun, zemroi disa nga parsia. Analfabet por i zgjut. Selim Pasha asht ungj i em dhe djali i madh i Beqir bej Vlorës. U martue dy herë: Të parën me të bijën e… (?) e me të cilën pati një djalë me emën Xhafer Sadik beun dhe të dytën, mbasi dan gruan e parë, u martue me të bijën e Ahmed Pashës të birit të Pasho Ismail Pashës nga parësi e Janinës. Me këtë martesë të dytë pati prap një djalë, të qujtun Hamid bej, por ky vdiq në moshë të njomë. Xhafer beu vdiq në vitin 1308 h (1890), tue lanë djemt Xhemil bejnë e Sirri bejnë dhe vajzën Ismet Hanëmin. Sirri beu u vra tradhtisht prej një dore të poshtër në vitin 1921. Xhemil beu u martue me të bijën e Mehmed Ali Pashë Delvinës, me të cilën pati një vajzë. Selim Sirri Pasha dhe të birit Xhafer beu e Hamid beu kanë qenë të varrosun pranë Xhamisë së Tabakhanes në Vlonë; por varret që qenë aty u shembën me urdhën të Bajram Fevziut, të cilin rastet e hudhun si prefekt në Vlonë, i rritun si parazit në shpi të Sulejman Pashë Kolonjës. Unë i mblodha eshtrat e tyne dhe i vuna pranë Xhamisë që pat ngrehë vëllai i em Neshet Pasha në kujtim të birit Server (Surur) beut. Siri beu qe martue me Sadije Hanëmin, bijën e Ismail Pashë Vërlacit, parsi e Elbasanit dhe motër e Shefqet bej Vërlacit, dhe pat lanë tri goca jetime. Selim Pasha pat një karakter fisniku, dhe krenohej me qenë shqiptar. Kundra osmanllivet kishte gjithmonë urrejtje. Veçse ishte i pa shoqnushëm dhe egoist në kulm; kryeneç e idhnak. Në 1291 h (1874) vdiq në Korfuz dhe kufoma e tij qe sjellë në Vlonë me një vapor të pajtuem ndergut.

 

  1. Sulejman Pasha, Haki, Kolonja, gjeneral i parë Divizioni. Si doli oficer prej Akademisë Ushtarake u emënue këtu si mësues me gradë gjeneral brigade mori pjesë në luftën ruso-turke të vitit 1877-të; mbas mbylljes së Traktatit të Berlinit u emënue prefekt në Tashllëxha, ku kreu shërbime të mira. Në kohën e Sulltan Hamidit u gradue gjeneral i parë i Divizionit dhe në kohë të Konstitucionit u zgjodh antar i Senatit. Sot asht ma se njëqind vjeç. I ndershëm dhe i çquem për ndjenjat e tij kombëtare. Po të marrim parasysh profesionin që pati n’Akademin Ushtarake si mësues duhet t’a gjykojmë për një njeri me kulturë të mjaftueshme. Në të rijt e vet qe dhe trim. Asht i ati i gjeneralvet Ali Riza Pashës e i Halil Pashës dhe dhandri i Abdyl bej Selimit prej Delvine. Djelmëvet iu dha kulturë, bani ndaj tyne detyrën e vet si at dhe në sajë t’ekonomisë bani edhe pasuni. Asht një plak i shëndoshë dhe me fytyrë të qeshun. Mbas çpalljes s’indipendencës së Shqipnisë erdhi në Vlonë, tue ia la kështu borxhin që i kishte Atdheut.

 

  1. Shahin bej Dino, grada Ula-Sani. Lindi në Sinop, kur i ati i tij qe aty prefekt. U rrit në Stamboll, doli me diplom fort të mirë prej Fakultetit të Drejtësisë dhe u emënue në Seksionin e Këshilltarëvet të Ministrisë. Ndër zgjedhjet e dytë doli deputet i Prevezës dhe mbrojti me zotësi e dinjitet të drejtat t’ona kombëtare. Asht i zgjuet e patriot, nuk i përulet kujt dhe fjalën e drejtë se kursen.

 

  1. Sadik Pasha, janinot, grada Mirmirane. Është prej një familjeje të ndershme të Janinës. Nuk trashëgoi ndonjë pasuni të madhe, u rrokullis ndër shpenzime e ndër borxhe. Por me iniciativën e tij than një kënetë në Loas, nga e cila me tokat e gjana që qiti në dritë edhe vetë u ba i pasun edhe vendin e shpëtoi prej ndyrësinash e smundjesh. Në kohën e sundimit otoman nuk u muerr me kurrgja veçse me punët e veta. Qe i urtë e në Janinë i ecte fjala. Nëpunësit e naltë të vilajetit kishin për të gjithmonë simpati, sepse kishte sjellje të mira. Qe bamirës e zemër-mirë. Si janinot me zemër e për natyrë e ndinte vehten për shqiptarë, dhe kërkonte gjithmonë raste me u ndihmue shqiptarët. Mbas zaptimit të Janinës dy ndër fëmitë e tij morën shtetësinë shqiptare e vetëm njëri qe regjistrue shtetas turk. Por n’asnjë mënyrë nuk mund e skapulluen këtë pasuninë prej trojevet grabitqare të grekëvet, dhe tue qenë dikur të pasun, ranë në skamje e në mizerje. Sadik Pasha vdiq në Janinë në vitin 1915 dhe varri i të ngratit ashtu si familja e tij u shuen në Janinë.

 

  1. Salih Pasha, Salahi, Vrijoni, beratas, grada Mirmirane. Salih Pasha asht ma i vogli djalë i Kahreman Pashës. Relativisht me natyrën e dy vëllaznvet të tij, Omer e Galip Pashës, Salih Pasha pat një natyrë t’egër, por një inteligjencë të zjarrtë. Shpesh bahej rob i kryeneçësisë dhe i zemërimit të tij, por me gjith këtë ishte i drejtë. Nuk qe madhshtuer. Por s’donte dhe me u tregue gjithmonë modest. Herë me heshtjen e tij donte me kallzue zemërimin e vet, herë me bindë adversarin me fjalë ironike! Shum i hidhun me kombësi, sa qe farefisi i vet e thirrte “Salih Shqipja” e ky ishte i kënaqun prej këtij titulli që i jepej. Qe ndër ma zelltarët e familjes së vet që u përpoq me u mësye shqipen atyne. Në shpirtë të tij reflektone drita e shqiptarizmës e zemra e tij ishte përplot mbushë me ndenja kombëtare. Preokupacioni i tij shkencor që i kufizuen, me gjithë këtë studimet e tij mbi historinë e Shqipnisë ishin të thella. I kishte kanda me folë gjithmonë mbi Shqipni dhe me kuvendue në gjuhë shqipe. Ndera ma e madhe në sy të Salih Pashës ishte me qenë Shqiptar. Dëshira kombëtare, me pa të begaten e të lumtun kombin. Këndonte e shkruante turqisht. Por si natyrën e tij ashtu dhe pendën e kishte t’ashpër, nuk ishte fanatik, megjith këtë kishte nderime për principet fetare dhe shkonte mirë me dijetarë e të devotshimtit e fesë. U martue me Rukije Hanëmin, bijën e Jusuf bej Biçakut prej Elbasani, dhe mbas vdekjes së saj me Afife Hanëmin, bija tjetër e tij. Me të parën grue u lindën djemt e mëdhej Kahreman e Hysameddin beu dhe Nafije Hanëmi e shoqja e Mehmed bej Këlcyrës dhe me të dytën Nexhmeddin beu, Hadije Hanëmi, gruja e djalit t’em Eqrem beut; Rukije Hanëmi, gruja e tjetrit djalë Safa beut dhe Adedije Hanëmi. Vdekja e gravet të reja njena mbas tjetrës tue lanë shtatë jetima e mjeruen së tepri; kështu nën peshën e randë të këtij mjerimi vdiq, mund të thuhet në një moshë të re më 21 Fruer 1911. Zoti derdhteë mbi të mëshirat e veta të pambarim.

 

  1. Suphi bej, Arsllan Pashaliu, grada Ula-Evveli. Ësht djali i madh i Hajredin Pashës të Sylejman beut, nga familja e Arsllan Pashaliut prej Janine. Asht ndër të parët që dolën prej shkollës së Mylqyes, dhe pati diplom me nota të mira. U emënue në Ministri të Botores, mbrapa n’atë të Tregtisë, në kohën e Konstitucionit prefekt në Kudus (Jeruzalem) e mandej vali e kryetar Bashkie në Stamboll. Në cilësinë e tij si Kryetar Bashkie mblodhi qejt e Stambollit, mbetun nga stërgjyshat e tyne trashigim që nga kohët e Bizantit i grumbulloj në një ishull-shkret dhe këtu i mbyti. Mandej shembi dhe një varr midis të rrugës Shehzade-Bashi, që pengonte kalimin. Kur u pushue prej postit që kishte në Stamboll dhe u dërgue si vali në Xhezairi-bahri-Sefid me qendër në Rodos, këtu ra rob ndër duer t’italjanëvet. Njerzit supersticioz këtë fat të keq që pësoi Suphi beu ia veshën këtyne dy vepravet të tija, të mbytjes së qejvet dhe të shembjes së varrit. Por Suphi beu shpëtoi Stambollin prej një fatkeqsie që as vetë pushtuesit të Stambollit që s’kishte dhimbje për jetën e njerzvet si ra ndër mend ta bante, me mbytje, e qejvet të cilët me shekuj kishin helmatos ajrin e Kryeqytetit me ndysin e tyne dhe kishin shqetsue banorët me të lehuna e me ungërima! Populli, përgjithësisht, ekzistencën e këtyne shtazëve të ndyet, të qejvet, e gjykonte si një shej lumtunie e begatie, dhe besonte se kushdo që do t’i prekte këta, do të ngrante shuplakën e Perëndisë!! Sa për varrin që zhduku, qe i Osman babait, në za dhe i njoftun si person i venerueshëm prej të madhi e të vogëli. Mirë po dihej prej historie se ky njeri që thirrej Osman baba qe një brigand në shërbimin t’Oxhakut të Jeniçerëve, i vramë mbas sa e sa krimeve e punësh të poshtra çnjerzore, dhe shokët e kishin kallë në dhe mu aty ku ishte vram. Sulltan Mahmudi që zhbini baballarët e Bektashijvet dhe shembi e shpartalloj Oxhakun e Jeniçerëve, varrin e Osman babajt s’e preku. Jeniçerin brigand, Osman babaj sikur s’la të qetë botën në të gjallë të vet ashtu dhe mbas vdekjeje, një baba për të gjallët. Vjetë me radhë nuk guxoi me vu kush dorë në këtë varr që numurohej i shejtë. Gjithkush bante fjalë për mrekullitë e shejtit dhe kërkonte mbrojtjen e tij. Suphi beu i dha fund këtyne bestytnijvet, liroi rrugën dhe lehtësoi kalimin e publikut. Si kjo vepër ashtu dhe pastrimi i Stambollit prej qejvet, qenë një shërbim dhe një sukses i Suphi beut. Flitet dhe për një kavi të tretë që e hudhi në disgrace e në mjerim Suphi bejnë. Si Kryetar Bashkie Suphi beu qe i detyruem me marrë pjesë në ceremoni mbretnore të së premtes. Një të premte, Sulltan Mehmedi V i fërkoj mjekrën me simpati dhe e përkëdheli. Mbas tri ditësh Suphi beu u pushue, u qit nga Stambolli dhe u çue vali në Xhezairi- Bahri-Sefid. Shumë kohë mbeti në disgrac, s’mujt me drejtue kurrizin nga mjerimet dhe ma në fund ra dhe rob ndër duer t’italianëvet n’ishullin e Rodosit!! Sulltan Mehmedi V ishte i njoftun në popull për sy të “keq” që kishte. Kudo që vente ai kambë e këdo që të shikonte, aty e n’atë kishte për të shkrepë mënija e Zotit! “Vëllai i em Ferid Pasha kur qe Sadriazam (Kryeministër), erdhi një natë vonë në shpi, deri n’atë kohë kishte qenë n’audiencë te Sulltani. Kur e pyetën shkakun e vonesës, ma kallzoi këtë histori tejet interesante: Atë natë Sulltan Abdylhamidi në bisedim e sipër e ka pyet Ferid Pashën se a e ka takue ndonjë herë kund princin Reshad Efendinë!! Ferid Pasha ashtë ngrejtë në kambë dhe i ka gjegjë se nuk e ka takue as një herë kund dhe m’e takue do të kthente rrugë, pa marrë parasysh termalet ose tërposhtet e saj. Sulltan Hamidi mbasi ka hudhë mbi te një shikim kurioz, i ka thanë: fjalë me vend! Sigurisht njeriu pëson një rrezik po të ndeshet në sy të tij. Dhe ka shtue: një ditë më thotë Aishe Sulltan se porsa shikoj me sy një kalë princi Reshadi, një kalë që ajo e donte fort i ngordhi menjëherë kali ndër duar kur po i jepte tagji. Sulltan Abdylhamidi në fund ia ka pritë me të shame: Kur do të hypi në fron em-vëlla, do të dojshim me pa kobin që do t’i binte mbi kokë kombit dhe shkatrrimi i Pushtetit Otoman!! Pse kamba agur-zezë e tij jam i sigurtë do t’a bijë këtë shkatrrim. Me këto fjalë ka mbarue bisedën Sulltan Abdylhamidi! Dhe me të vërtete ogur-lig qe Sulltan Mehmed Reshadi V-të. Kudo vuni ai kambën, aty ra mjerimi, këdo që preku syni i tij apo këdo që afroj ai e preku prej vedit, atë e preku menjëherë murtaja. Dhe këto ngjarje përligjën besimin e popullit të formuem e të përhapun për të. Mbasi ai hypi në fron u përbys Perandoria, me fjalë ma të hapta sundimi i tij shënoi epilogun e saj. Suphi beu qe një ndër personalitete që la emën të mirë me zotësin, me dinjtetin me drejtësinë e me të gjitha virtytet e mira që zotnoi. U ç’que kudo në punë për meritat e tija. Ma në fund qe vali në Konic. Këtu ngjan një kacafytje midis popullit dhe të turqve nacionalistë kemalistë. Suphi bej nuk u përzie as me njanën as me tjetrën anë. E pushuen nga puna e nxorrën jashtë, dhe e vunë në pension për mos me i dhanë ma punë kurr. Pasuninë që pati në Janinë ia zaptuen grekët, dhe u përpoq mjaft për t’a shpëtue.

 

  1. Zija Pasha, Myfti-Zade, janinot, Vezir. Ësht vëllai i madh i Myfti-Zade-Reshit-Pashës. Shëtiti Europën me misione të mëdha e të vegjël dhe u ndodh në ngjarjen fatale që i kushtoi jetën dhjetmijë vetëve në fushën e Udinkës me rastin e kunorzimit të Car Nikollës së dytë. Në kohën e Sulltan Hamidit qe me vite Ministër i Kadastrës, e mbas Konstitucionit u emënua Ambasador në Ëashington. Si në kohë të regjimit absolut të Sulltan Hamidit dhe n’atë të Konstitucionit qe i nderuar për zotësinë e largpamjen e tij, dhe i zoti me mbajtë pozitat me dinjitet. Njihej ndër poetë, njihte gjuhë të huaja dhe i shikueshëm në shoqëri. Ndër kohëna të fundit qe senator; por mbasi erdh Gazi Mustafa Kemal Pasha u harrue në një skaj në midis personaliteteve që patën funksione në Perandorinë e vjetër Otomane.

 

  1. Turhan Pasha, Hysni nga Përmeti, vezir. Ësht djali i Jahja beut, nga Përmeti. U fejue në moshë të njomë me të bijën e Tako beut, i afërmi (akraba) e mik i t’et. Mbas vdekjes së Jahja beut, e mori Turhan bejnë nën mbrojtje. Tako beu dhe vëllau i këtij Halim beu u martue me nanën e Turhan beut. Halim beu qe nënpunës në Doganë të Janinës, ku e mbante me vehte dhe Turhan bejnë, të cilin e mësoj ndër shkolla myslimane dhe greke, tue e dërgue dhe n’Athinë për plotësim të mësimevet, e mandej në Stamboll. Këtu, Turhan beu hyni në Terxhume Kalemi (në zyrë të Përkthimeve), tue qenë në moshën njëzet e dy vjeç (1866). Turhan Pasha me shpejti përparoj dhe në vitin 1871 u emënue sekretar n’Ambasadë të Berlinit; në vitin 1877 këshilltar n’Ambasadë të Petërsburgut. Në vitin 1878 ishte ambasador në Romë. Kur befas erdhi në Stamboll me leje, dhe kur po përgatitej më u kthye në Romë, u emënue prefekt n`Antalja e mbrapa n’Urfa. Ky ndryshim nëpunësie qe për Turhan bejnë një disgracë dhe e hudhi në mjerime. Mbi rrethanat e kësaj ngjarje vetë Turhan beu i ka dhanë këto shpjegime Rum-Bej-Ogllu-Fahredin-Beut kur ky ishte Këshilltar i Ambasadës: ishëm ambasador në Romë, ku kishëm dhe një stimë të naltë shoqërore. Një ditë mora një telegram, me të cilën ftoheshim me shkue në Stamboll pa lajmnue kërkend, as qeverinë pranë së cilës ishëm i akredituem. U nisa menjëherë. Rashë në shpi t’Arifi Pashës, të cilin e kishim përbujtë në banesë t’Ambasadës kur pat ardhë te Papa me mision të posaçm. Me të nesërmen shkova në Saraj, ku m’u komunikue t`u takojsha me Ministrin e Brendshëm. Në takim me këtë, ky më lajmoj se me dekret mbretnuer ishëm emërue prefekt n’Antalja dhe duhej të shkojsha pa vonesë në cak të punës. Unë kur ishëm në Romë qesh pjekë me Ismail Pashën, Khedivin e Misirit. Kushrit e mi nxjerrshin në Romë një gazetë, e cila merrej me punë të Shqipnisë. Por mbi përpjekje me Khedivin e pata lajmue Stambollin. Dhe botimet e fletores në fjalë e pata ndalue. Shkurt s’mora vesht kurrgja mbi shkakun e këtij disgrace. Pra prej Stambolli u nisa për n’Izmir, pse këtu duhej me ndrue vapor për të shkue n`Antalja. Një ditë para se me u nisë Arif Pasha, në një mënyrë fare konfidenciale, më thotë se kishte dëgjue që Mid`hat Pasha do t’arrestohej dhe do të merrej në gjyq. Në Izmir kishëm dy miq: Komandantin e Izmirit, Hilmi Pashë Gjiridin dhe Kryetarin e Gjykatës së Tregtisë Halim Begun e Sami Pashës. Kur sosa n’Izmir, vapori për n’Antalja ishte nisë. M’u desht me pritë një vapor tjetër. Mid`hat Pashës, (vali i Izmirit, sh.i.p.) u ruejta, nuk i bana vizitë. Por n’anë tjetër nuk m’u duk e arsyeshme të mos e lajmroj, tërthorazi, Mid`hat Pashën për komplotin që po i pregatitej, takova në sekretarin e tij privat Këlëxhjan Vasif Efendinë të cilit ia zbulova fjalët që ndëgjova prej Arif Pashës dhe iu luta t’ia thonte Mid`hat Pashës. Disa ditë më vonë, Hilmi Pasha, Komandanti i Izmirit më tha se do të qe mirë t’i bajshëm një herë vizitë Mid`hat Pashës, se ai, Mid`hat Pasha i jepte randësi këtyne punëvet dhe se këtë vizitë nuk do ia harronte në qoftë se do të vinte në fuqi edhe një herë. Vapori për Antalja vonoj jashtzakonisht. Vajta në konak qeveritar, me pretekst me kërkue disa rroga paradhënie të prefektit. Tue u ngjitë shkallësh, përpara kishëm një njeri. Si mora vesht ma vonë, ky ishte qenë adjudanti i Hysni beut i dërguem me mision me arrestue Mid`hat Pashën. Na pranoi të dyvet për një herë. Unë iu luta për rrogat. Tue qesh më tha: “Tash ma filluem me iu dhanë ndihma edhe ambasadorëvet”, dhe shtoi: “Ndër nëpunësina shtetnore këso punësh ngjajnë shpesh dhe s’duhet me u dëshpërue. Shpejt do të shpërbleheshëm sigurisht me detyrën e ndonjë ambasadori. Këto çka kishin ngja, vinte nga një keqkuptim. “Në këto çaste shërbëtori lajmënoj se gjella ishte gati. Mid`hat Pasha si mue ashtu dhe at majorin na ftoi me ngranë. Të dy na e falenderuem dhe u larguem. Një ditë më thirri për darkë Hilmi beu, kryetari i Gjykatës së Tregtisë, në një kioshk ku banonte afër Izmirit. Kur po kthejshëm në shpi në gjysëm të natës rrugës pashë turma njerzish dhe aty-këtu patrulla. Me të nesërmen, pa u ngrejt ende prej gjumi, dikush trokiti me forcë në derë. E çela derën. Ishte një kolonel rezervë me emën Riza bej (ai që u ba me mbrapa ministër i Luftës). Më tha zë thirrëshëm me shkue ne vaporin Izzeddin dhe duhej të shkojshim bashkë. U vesha, dhe sëbashku shkuem në vapor. Në sallon të vaporit po rrishin Mid`hat Pasha, Ministri i Drejtësisë Xhevdet Pasha, kryeprokurori Latif beu e disa të tjerë. Mid`hat Pashës i ranë syzet në tokë por sa më pa mua. Un ishëm ba verdhë si dylli. Mid`hat Pashën e ndëgjova kur po thonte: Kishëm qëllimin me thanë se prej fjalvet të disa miqvet e të Turhan Beut kuptova që do t’arrestoheshëm mbi këtë Xhevdet Pasha mori guximin edhe i tha Mid`hat Pashës: Gënjeshtar. Mue mandej me çuan në Kazermë, ku me mbajtën dyzet ditë. Fatbardhësisht, miku i em fort i ngushtë, Halim Pasha u suell bujarisht ndaj meje. Më në fund vjen prej Sarajit një telegram, i cili më lente të lirë me shkue në cak të nëpunës, n’Antalja, ku dhe shkova. Deri këtu fjalët e Këllëxhjan Tasif Efendiut, sekretarit privat të Mid`hat Pashës.

Koencidenca e çuditshme asht këtu se Turhan Pasha u martue mbas disa vjetësh me të bijën e Hilmi Pashës, e cila aso kohe ishte dhjetë-dymbëdhjet vjeç! .. Mbas shtat tetë vjetvet Turhan Pasha u emënue ambasador në Madrit me intervenim të kurd (nga Kurdistani) Said Pasha. Aty prap thithi erën e një qytetnimi, dhe mbasi u largue prej andej erdhi në Stamboll, ku u njoft me njerëz të Sarajit e prej ku u dërgue vali në Gjirid (Kretë) me titull vezir. Prej Gjiridit u kthye në Stamboll si Ministër i Jashtëm. Në këtë kohë ngjau në Stamboll masakra kundër armenëvet. Turhan Pasha bashkë me Kyçyk Said Pashën pushohen. Por me ndihmën morale e materjale të Sarajit i kthehet ndera prap tue u emënue antar i Këshillit të Naltë Shtetit, në Seksionin e Administratës, e mbrapa Ministër i Evkafit (Vakufeve). Në këtë dikaster qëndroi deri në çpallje të Konstitucionit. Në këtë kohë dy herë shkoi në Hagë si delegat i parë otoman dhe disa herësh u dërgue me misione të jashtzakonshme në Londër, në Livadje, Berlin, Letinë e Athinë. Kur erdhi në Korfuz Wilhemi II, Perandori i Gjermanisë, n’emën të qeverisë otomane i doli para në pritje Turhan Pasha. Kështu qe njoftë personalisht me Perandorët e Gjermanisë dhe të Rusisë, me Mbretnit e Anglisë, Greqisë, e të Malit Zi. Sulltan Hamidi, Turhan Pashën e pati si ndërmjetës me këto perandorë e mbretni dhe me anë të tij u muer vesht me ta. Mbas çpalljes së Konstitucionit iu ngarkue Kryesia e Këshillit të Naltë të Shtetit me rastin e formimit të kabinetit të parë mandej u dërgua si Ambasador në St-Petersburg. Si u largua prej Petersburgu, në fillim të vitit 1914 u thir prej Princ Wiedit me marrë kryesinë e kabinetit shqiptar. Turhan Pasha e pranoj këtë detyrë të naltë, dhe më 14 mars 1914 doli në Durrës. Emënimin e Turhan Pashës si kryeministër në qeverinë e Durrësit ia kishte sugjerue Princ Widit Konti Berchtold, Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, i cili kishte qenë Ambasador në Petersburg. Italiaa e dinte ketë gja. Turhan Pasha për të çdukë dyshimin e ministrit italian Baron Aliotit dhe për të fitue miqësinë e tij, i bani mjaft lajka, aq sa kjo sjellje e Turhan Pashës shkaktoi keqbesimin e të shumëvet ndaj tij!! Për me thanë të vërteten, sa qe në Durrës në krye të qeverive nuk i konsideroj as Italjanët as Austriakët dhe bile as Princin. Sundimi politik në Durrës filloi në midis ambicjevet të sundimtarëvet, e pra mbaroi keq. Kështu, Turhan Pasha, i shoqënuem me Princin la Durrësin. Dhe në formimin e qeverisë së dytë të përkohëshme në Durrës, Turhan Pasha u emënue Kryeministër, dhe një kohë shef i delegacionit shqiptar që shkoj në Paris. Për sa mujti këtu mbrojti të drejtat t’ona kombëtare. Kur hoqi dorë nga çdo gja erdhi në Romë dhe i bani një vizitë Musolinit, Kryeministër i Italisë, për t’ia urue kambën e re. I përmendi me një rast Musolinit, se pa lindun ende ky, Musolini, ai, Turhan Pasha kishte qenë Ambasador në Romë. Kto kujtime e detyruen Musolinin m’e nderue jashtzakonisht Turhan Pashën.

Turhan Pasha ishte njeri me vesvese (që dyshonte për çdo gja) dhe nuk ishte i vendosun ndër punë as në politikë. Megjithëse fort përkëdhelës, kujt s’i bante as keq as mirë me të dashun. Mbas ramjes së qeverisë së Durrsit shkoi në Zvicër. Në luftën e përgjithshme vuajti shumë ekonomikisht dhe rroj me të shitun të dhuratavet që i kishin falë mbretnit. Qe përbuzë prej disa bashkatdhetarëvet të tij të pashpirtë. Ndër kohë të fundit mujti me jetue me rrogën që i lidhi qeveria shqiptare. Jetoi me nderë dhe rujti dinjitetin e vet.

 

[1]. Këtu bëhet fjalë për librin Shqipëria pasosmane 1912-1920, i cili tashmë është botuar në versionin origjinal i transkiptuar nga osmanishtja në Stamboll në vitin 2009. Në gjuhën shqipe ky libër është botuar në dy versione, me titullin Kujtime-Nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, (përgatiti për botim dhe redaktimi i përkthimit Akad. asoc. Marenglen Verli dhe Dr. Ledia Dushku) Tiranë: ICEBERG, 2013 dhe Shqipëria pasosmane 1912-1920, (përktheu nga turqishtja Rubin Hoxha) Shkup: Logos-A, 2015.

[2]. AQSH, F: S. Vlora, D. 8.

[3]. Po aty.

Share

  • Histori, Janinë, personalitete shqiptare, Vilajet
  • tweet
Departamenti i Shkencave Islame, Bedër zhvillon shkollë vere në Vjenë Zhvillohen Konsultimet Kombëtare të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) I
    Historia e personaliteteve shqiptare...

    Feb 19, 2019 0

Me shumë në këtë kategori
  • Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
    Misteret e thesarit të Vrapit të...

    Jan 15, 2021 0

  • Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit në shoqërinë shqiptare
    Analizim i dinamikës së fenomenit të...

    Dec 06, 2020 0

  • Familja në kontekstin e dinamikave globale
    Familja në kontekstin e dinamikave...

    Dec 02, 2020 0

  • Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër
    Ferit Mustafa Vokopola përmes një...

    Oct 26, 2020 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Zhvillohet Simpoziumi i X Ndërfetar “Besimet fetare dhe sfidat e Covid 19”

Zhvillohet Simpoziumi i X Ndërfetar “Besimet fetare dhe sfidat e Covid...

Dec 16, 2020 0

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...
Departamenti i Shkencave Islame, Bedër partner ndërkombëtar në fushën akademike të Dialogut Ndërfetar

Departamenti i Shkencave Islame, Bedër partner...

Aug 11, 2020 0

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë boton librin “Ilmihal për fillestarë”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë boton librin...

Jul 15, 2020 0

Departamenti i Shkencave Islame, BEDËR zhvillon takim online me 7 brezat e diplomuar

Departamenti i Shkencave Islame, BEDËR zhvillon...

May 22, 2020 0

Studime

Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës

Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës

Jan 15, 2021 0

nga Hysen Kobellari  Abstrakt Vetëm përmendja e emrit “Thesar” zgjon te njeriu ndjenja nga më të çuditshmet, nga më interesantet… Veçanërisht kur ndërthuren vlera...
Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit në shoqërinë shqiptare

Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit...

Dec 06, 2020 0

Familja në kontekstin e dinamikave globale

Familja në kontekstin e dinamikave globale

Dec 02, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Gjuhë-letërsi

Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

 nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...
Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare

Historiku i revistave si historishkrim i...

Jul 10, 2020 0

Sociologji

Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit në shoqërinë shqiptare

Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit në shoqërinë

Dec 06, 2020 0

nga Dok. Klodjan Shaqiri[1] Dr. Matilda Likaj Shaqiri[2] Abstrakt Fluksi i të rinjve si një forcë pune jashtë Shqipërisë reflekton me mungesat e dinamizmit të popullsisë dhe...
Shtegdalja midis civilizimeve të mileniumit tonë, nga përplasja në dialog ndërcivilizues

Shtegdalja midis civilizimeve të mileniumit...

May 16, 2019 0

Rëndësia e dialogut ndërfetar në marrëdhëniet ndëretnike të shoqërisë së Maqedonisë

Rëndësia e dialogut ndërfetar në...

Feb 23, 2019 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë Nr. 30

Me te lexuarat

  • Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
    Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës

    Jan 15, 2021 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

  • Përshëndetja e kryetarit H. Selim Muça në promovim
    Përshëndetja e kryetarit H. Selim Muça në promovim

    Jul 06, 2013 0

  • nga Prof. Dr. Ferit Duka
    nga Prof. Dr. Ferit Duka

    Jul 06, 2013 0

  • nga Besnik Mustafaj
    nga Besnik Mustafaj

    Jul 08, 2013 0

  • nga Dr. Agron Tufa
    nga Dr. Agron Tufa

    Jul 11, 2013 0

Më të lexuarat

  • Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
    Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës

    Jan 15, 2021 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
  • Rëndësia e meditimit në Islam dhe teknikat e meditimit
  • Vëllazërimi dhe barazimi n’islamizëm
  • Abstracts no. 31
  • Zhvillohet Simpoziumi i X Ndërfetar “Besimet fetare dhe sfidat e Covid 19”

Na ndiqni ne Facebook

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al